‘Intelektualët e sotëm nuk kanë dinjitet, ndaj nuk indinjohen’

Nga: Dario Fo

Ne kemi sot një klasë intelektuale, që në pjesën më të madhe i ka humbur kordat e zërit. Heshtin shumë: nuk kanë dinjitet ndaj nuk indinjohen. Kjo është e tmerrshme dhe e pabesueshme: mungesa e revoltës.

Shumë mendojnë: ç’më duhet mua të ekspozohem? Ndoshta, një ditë do të kem nevojë për diçka, për një nder apo ndihmë nga ai që po kritikoj sot.

Çdo gjë luhet përmes shantazhit, për të siguruar ndonjë avantazh. Kushdo që punon në fushës e informimit dhe të opinionit ka kuptuar një gjë: duhet të mbetesh në lojë. Nëse fillon të kritikosh, nëse kundërshton, nëse ofron qoftë edhe refleksione jo të mirëpritura, të fshijnë menjëherë. Tashmë është bërë zakon bërja e listave me emrat e të gjithë atyre që ‘sillen keq’. Kush nuk futet në rresht, dëbohet. Dëbohet nga gjithçka.

Pasojat e mendimit të nënshtruar, konformist dhe oportunist janë të tmerrshme: ai zhduk antikorpet. Ky lloj mendimi krijon, praktikisht, një shoqëri të paaftësh dhe sahanlëpirësish.

Mjafton të shikosh parlamentarët që i justifikojnë “dredhjet” e tyre me shprehjen e vjetër “kam familje”, një bejte që recitohej kudo në kohën e fashizmit.

Shoh një rrethim të lirisë së shprehjes – individët që kanë kurajo margjinalizohen.

Pushteti gjithmonë kërkon t’i shuajë zërat kundërshtues, por në një sistem të shëndetshëm, pushtetin e kufizojnë ata që e kundërshtojnë.

Dikur intelektualët orientonin opinion publik. Po sot, kush guxon të ngrejë krye? / KultPlus.com

Il premio Nobel alla letteratura Dario Fo’

AIDSSH kujton 70-vjetorin e pushkatimit pa gjyq të 22 intelektualëve

Nga Ilir Vata

Në kuadër të kurimit të së shkuarës, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kujton 19 shkurt të vitit 1951, bombën e cila u vendos në Ambasadën Sovjetike, ku u pushkatuan pa gjyq 22 intelektualët, 68 vite më parë.

Në datën 19 shkurt të vitit 1951, në orën 18.00 pranë Ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë, shpërtheu një lëndë eksplozive. Ngjarja që njihet si bomba në Ambasadën Sovjetike, u përdor si pretekst për ekzekutimin e kundërshtarëve të regjimit.

Një javë më pas, mesnatën mes 25 dhe 26 shkurtit, 22 intelektualë të vendit, nxirren nga qelitë e burgut të lidhur në pranga dhe vihen në një kamion që ka marrë udhën për nga Ndroqi. Banorët e zonës kanë parë gjatë atyre ditëve të hapet një gropë e madhe në Mënik, afër Urës së Beshirit. Rreth orës 12:30- 1:00 të natës dëgjohen breshëri armësh dhe britma. Britmat e një gruaje. (Thuhet të ketë qenë Sabiha Kasimati).

Atë natë, banorët nuk e dinin se jetët që fikeshin qenë pushkatime pa gjyq. Njëri prej tyre që u ndërrua me ushtarët orët e para të 26 shkurtit, u porosit të hapte fjalën se qenë ekzekutuar kuaj të lodhur. Të nesërmen, kryetari i këshillit të fshatit kaloi për të parë ç’kishte ndodhur dhe pa të shpërndara këpucë e rroba. Duke qenë se trupat e pajetë nuk ishin mbuluar mirë dhe pranë varrit të pamatë afroheshin qentë, ai njoftoi eprorët se çfarë po ndodhte. U porosit të heshtte. Disa ditë më vonë, një ekskavator e rrafshoi vendin.

Pavarësisht porosive, banorët e zonës ishin të vetëdijshëm se breshëritë e shpeshta në errësirë, britmat dhe lëvizjet e kamionëve netëve pranë urës, nënkuptonin jetë të humbura. Pronarët e truallit e kishin lënë me amanet që ajo tokë aty të mos përdorej kurrë për gjë tjetër, veçse për të mbjellë pemë. Ata e dinin që atje kishte varre të panumërta të pushkatuarish nga diktatura.

Eshtrat e 22 intelektualëve që u ekzekutuan në shkurtin e vitit 1951, u gjetën nga ngulmimi i Hysen Shehut, djalit të njërit prej viktimave.

Më 1993, ai mundi të mbledhë informacione të dëshmitarëve dhe banorëve të zonës, si familja e ish-kryetarit të këshillit të fshatit, Kadri Hysa. Me identifikimin e vendit, pas 6 muajsh gërmime, në 5-6 gropa, u has në një unazë që shënjoi lidhjen me të pushkatuarit për bombën në Ambasadën Sovjetike. Në qershorin e vitit 1993 u krye zhvarrimi i tyre dhe më pas rivarrimi në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Sot, në nderim të tyre, një rrugë mban emrin “26 shkurti”.

Me propozim nga AIDSSH, Presidenti ka vlerësuar me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Kadri Hysën, Faslli Hysën, Gëzim Mullajin, Aleksandër Dhimën, Hysen Shehun dhe Osman Kacelin, si dëshmitarë dhe kontribues të zbulimit, gjetjes dhe vënies në vend të drejtësisë për 22 intelektualët e pushkatuar pa gjyq 70 vite më parë. / KultPlus.com

Kur intelektualët reagonin për bursën e Lasgush Poradecit

Në periudhën e punimit të doktoraturës, Lasgush Poradeci u përball me një problem ekonomik pasi iu hoq edhe bursa që merrte nga ministri i atëhershëm i Arsimit.

Një prej intelektualëve të njohur elbasanas në këtë situatë mendoi t’i kërkonte ndihmë Lef Nosit që ky i fundit të ndërhyjë që t’i rikthehet bursa vjershëtorit tonë që po punon për një komb, shkruan Konica.al

Fort i dashuni Zoti Lef!
Më vjen mirë se sot po gjej rastin t’ju vë një barrë sa do e randë por aq dhe e ambël për t’i shërbye një djal letrar fort të çmueshëm. Asht fjala për Llasgush Poradecin. Juve që dini sa vleftë ka për Shqipninë t’onë të mjerë një mjeshtër si Llazgushi sigurisht që do më epni të drejtë pse ju drejtohem juve.

Natyrisht Juve që për veten t’uaj mbani një modestië me gjith që të gjithë ju çmojnë juve përkit detyrë(!!) të ndërmjetësoni atje ku lypset për përmirësimin të jetesës të një Llazgushi. Mjerisht, fort i dashuni Zoti Lef, këtu tek neve ku shpenzohet mijëra napolona kot vetëm për të përmbushë një egoizëm të poshtër dhe një ambicie të turpshme nuk gjenden disa pak të holla për përmbajtjen me shpirt ndër dhëmbë një vjershëtor? Këtu tek neve ku gjenden me duzina Prefektë, Ndërprefektë, oficera gjith lloj armësh në disposition nuk u gjendka një burim jetese për Llazgushin tonë?

Me anë tjetër njerëzit nuk maten me një kutë. Ka njerëz që janë për dobië të përgjithshme dhe atyre nuk aplikohet ligja integral por bëhet si kur nuk shifet në qoftë se u bë nonjë faj. Ministri i ynë i Arsimit ka gabue mbesoj, tyke i tërhekë bursën Llazgushit. Mbasi Llazgushi i jonë nuk po punon për veten e tij, por për një komb, kombi i tonë ka detyrë t’a përmaj gjall në mos me mish e pilaf ntombaren me bukë e me djath. Zoti Lef jam i sigurtë se fjala juaj ka të shkue shumë dhe më fort në Hili (Hil Mosi- shënim i imi) prandaj guxoj t’ju lutem t’i shkruani Hilit ose më mirë të vini vetënë Tiranë për të siguruë bursën e Llazgushit. Llazgushi, ashtë tepërt t’ju a thom, meriton çdo sakrificë.

Ministria e Arsimit pretendon se bursa t’i jepet Llazgushit po qe se niset për Austrië. Zoti Lef lutem që të dihet Llazgushi në qoftë se rri këtu nuk rri për çështje tjetër veçse ka nevojë për erë të pastër dhe veçanërisht këtu nuk rrij pa punë: Llazgushi këtu po pregatit tezën për doktorat e cila asht ja 600 faqesh dhe po sa të maroj së shkruari domosdo do të shkoj që ta paraqisi tezën në Universitet për aprovim dhe për shtypie. Kjo asht e vërteta. Llazgushi s’ka seç kërkon sot në Austrie.

M’a falni Zoti Lef që ju drejtohem juve por juve jeni në shkallë që t’më kuptoni ma mir se çdo njeri tjetër.
Për çështjen e Llazgushit mbesoj sigurisht se do të gjini përkrahjen dhe të Z.Mit-hat Frashëri.
Juaj me nderime
Filip Papjani
10.X.1930 Pogradec
Foto : Letra origjinale, Dr. Filip Papajani, Lef Nosi…” /KultPlus.com

Në 20-vjetorin e themelimit, “Intelektualët” ndezin fishekzjarre (VIDEO)

Tifozëria e klubit të futbollit Drita – “Intelektualët” sot e kanë shënuar 20 vjetorin e themelimit të grupit të tyre.

Këtë festë ata e kanë shënuar me disa aktivitete gjatë ditës.

Fillimisht është luajtur një miqësore mes tifozërisë dhe lojtarëve të Dritës, pastaj prej orës 18:00 janë ndezur fishekzjarret në qytetin e Gjilanit, prej Teatrit e deri te Salla e Sporteve, shkruan Kallxo.com.

“Intelektualët” njihen si një prej tifozërive më të flakta shqiptare, të cilët gjithmonë e mbeshtesin ekipin e tyre që 20-vite.