‘Vlora’ premierë në PriFest, Cahani: Edukojini djemtë t’i respektojnë e t’i duan vajzat

Edhe në natën e dytë të Prishtina International Film Festival, Teatri Kombëtar ishte i mbushur plot me njerëz që kishin ardhur për të parë filmat e paralajmëruar për t’u shfaqur në këtë natë.

Interesimi i madh i publikut shihej në sallën e teatrit kur filloi të shfaqej premiera e filmit ‘Vlora’. Ky film me regji të Erblin Nushit, me role kryesore Irena Cahanin, Luan Jahën dhe Shengyl Ismailin shfaq problemet e një familje pas luftës në Kosovë, shkruan KultPlus.

Vlora, një nënë që siguron të ardhurat e familjes përmes qepjes së rrobave, ftohet nga shoqja e saj për të punuar në një organizatë ndërkombëtare që ka për qëllim edukimin e grave nëpër fshatra. Sfida e madhe e Vlorës është ta bindë burrin e saj i cili është kundër që gruaja e tij të punojë, për shkak të paragjykimeve nga njerëzit përreth.

Përkundër dhunës nga bashkëshorti, ajo vendos t’i lë pas shpinës të gjitha dhe të fillojë një etapë të re në jetën e saj.  Hapja e derës për t’u nisur në punë, shënon çlirimin e dytë të Vlorës pas përfundimit të luftës.

Regjisori Erblin Nushi thotë se ky film ka ardhur pas rrëfimeve që kishte dëgjuar nga nëna e tij.

“Ky film është bazuar nga rrëfimet që më ka treguar nëna ime, e cila ka punuar në një organizatë ndërkombëtare pas luftës dhe storjet që më ka treguar ajo më kanë lënë shumë përshtypje prandaj kam dashur ta realizoj këtë tregim “ – tha Nushi pas premierës së filmit.

Ndërkaq aktorja Irena Cahani që në film shfaqet me rolin e Vlorës, bën thirrje në edukimin e djemve për ta respektuar dhe dashur gjininë femërore./KultPlus.com

Irena Cahani dhe Arben Bajraktaraj shpallen aktorja dhe aktori më i mirë në Festivalin PriFest

Sonte në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të 11-të të PriFest, janë ndarë çmimet në kategoritë kryesore për filmat pjesëmarrës. ku çmimi për aktorën dhe aktorin më të mirë, u dhuruan për Irena Cahanin dhe Arben Bajraktarin (Streha mes reve), përcjell KultPlus.

Çmimi për regjisorin më të mirë nga PriFest, u zgjodh Mahmut Fazil Çoskun, për filmin “Njoftimi”

Çmimi për aktorën më të mirë iu dha Irena Cahanit, në filmin “Streha mes reve”.

Çmimi për aktorin më të mirë iu dha Arben Bajraktarajt, në filmin “Streha mes “reve

Çmimi për arritje jetësore nga PriFest, iu dhurua Melihate Qenës dhe Selman Lokës

Çmimi për filmin më të mirë europian iu dhurua “Pasojat”, me regji të Darko Stante nga Sllovenia.

Çmimin për dokumentarin më të mirë e fitoi Rodrigo Areias “Frymarrja blu”, nga Portugalia

Fituesi i programit të konkurrencës së mesme është “Lëre vdekjen të jetë e gjallë” nga Uriel Jaouen Zrehn nga Franca

Fituesi i çmimit të jurisë FIPRESCI është “The Announcment” nga Mahmut Fazil Çoskun, nga Turkia

Fituesi i filmit më të mirë të studentëve është “Kafazi i ngjyrave” nga Daniel Reascos nga Ekuadori

Fituesi i çmimit të Jurisë së Mediave është Carlos Marques-Marcet “Ditët për të ardhur”, nga Spanja

Ndërsa Juria e Studentëve të Pavarur ka zgjedhur filmin “Let’s the death be alive”, nga Uriel Jaouen Zahern.

Çmimi në vlerë nga 1500 euro nga PriFest, i është dhënë Julian Mala dhe Harris Davis, për filmin “Vëllau im”.

Çmimi për Sound Post Production, në vlerë prej 10.000 euro, i dhuruar nga Audiohaus, ka shkuar për “Aisha” të Hanis Bagashov

Çmimi Video Post Production në vlerë prej 50.000 euro, i dhuruar nga In My Country Production, ka shkuar për “Gulizar” të Belkiz Bayrak

Çmimi për fituesin e çmimit Green Film është “Nature” nga Beatrice Shabanaj dhe Verona Berisha. /KultPlus.com

“Unë/ty dashuri në paketë” përmbyllë aktivitetin me 4 mijë dhurata për fëmijët në nevojë

Fondacioni Mute në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës mbajnë aktivitetin përmbyllës të projektit “Unë/ty, dashuri në paketë”, të premten më 21 dhjetor nga ora 14:00-15:00 në Swiss Diamond.

Në këtë aktivitet të pranishmëve do të t’iu drejtohen presidentja e fondacionit, Florie Bajoku, drejtori i arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj dhe Drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak në FSK, Hajrush Kurtaj. Në këtë ceremoni do të ketë edhe një program artistik nga trupa e baletit për fëmijë “Studio Rudina” dhe Ansambli i Tunxhit Prishtina Brass.    

Projekti “Unë/ty, dashuri në paketë” u organizua për herë të tretë dhe kishte për qëllim mobilizimin e fëmijëve të moshave 4-11 vjeç për të përgatitur dhuratat e fundvitit për bashkëmoshatarët e tyre në nevojë. Këtë vit u mblodhën 4 mijë dhurata nga nxënësit e shkollave të Prishtinës, nga stafi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe nga studentët e kolegjit Heimerer, të cilat me ndihmën e FSK-së u shpërndanë në familjet e varfër.

Ky është projekt humanitar dhe edukativ, që iu ofron fëmijëve mundësinë të shprehin përkujdesjen e tyre dhe dhembshurinë për fëmijët e familjeve të varfëra apo ata me nevoja të veçanta, si dhe të promovojë aftësitë e fëmijëve që të bëjnë ndryshime

“Unë/ty, dashuri në paketë” është iniciativë e dy artisteve, Florie Bajoku dhe Irena Cahani, të cilat arritën që ta institucionalizojnë këtë projekt humanitar përmes bashkëpunimit të rregullt me komunën e Prishtinës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës./KultPlus.com