Drançolli ka sjellë një grafikë që ngjallë dyshime se vepra e Barletit është shkruar 15 vjet më herët

Historiani i njohur Jahja Drançolli ka deklaruar se rizbulimi i dy mbishkrimeve në grafikën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut të vitit 1466, çojnë në dyshime se vepra e Marlin Barletit, “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut” është shkruar në vitin 1493, rreth 15 vite para se e njëjta të botohej në Romë.

Drançolli ka shkruar në Facebook se në këtë grafikë janë dy mbishkrime që janë të njohura prej shekujve XVIII-XIX në historiografinë angleze, hungareze e kroate.

“Në mbishkrimin e sipërm lexojmë këtë përmbajtje: “Obiit anno Domini 1466. XIV. Kalend (as) Februar (ias) Aetatis A (nn) o 63. Impero vero XXIV.” , që në përkthim të lirë do të thotë: “Vdiq në vitin e Zotit 1466, datën e 17 janarit në moshën 63-vjeçare, në vitin 24 të sundimit.”. Ndërkaq, në mbishkrimin e poshtëm të grafikës fiksohet viti 1493 (14-93), si datë që shënon shkruarjen e veprës kushtuar Skënderbeut nga Barleti. Data në fjalë paraqitet në të dy anët e mbishkrimit: “Signor Scander Bego” (“Kryezoti Skënderbe”)”, deklaron ai.

Historiani shpjegon se sipas këtij mbishkrimi, data e vdekjes së Skenderbeut 1466, vlerësohet si shmangje nga data 17 janar e vitit 1468.

“Mbështetur në mbishkrimin e sipërm, data e vdekjes së Kryeheroit (1466) vlerësohet si një shmangie nga data 17 janar 1468, datë kjo të cilën e ndeshim përgjithësisht në historiografinë shqiptare. Mirëpo, në historiografinë jo vetëm të vjetër botërore, përveç vitit 1468 do të ndeshim edhe vitet 1466 dhe 1467. Vitet e përmendura dalin si rrjedhojë e varieteteve kronologjike të shekullit XV. Në rastin konkret është fjala për llogaritjen e viteve sipas stilit venedikas (Mos Venetus), e cila ndryshonte nga ndonjë llogaritje të stilit tjetër nga koha që ndërlidhet me jetën dhe veprën e Skënderbeut.

Së këtejmi, llogaritja e fillimit të vitit sipas stilit venedikas nuk është 1 janari por 1 marsi, që në raport me vitin tonë qytetar mbetet pas për dy muaj. Stili venedikas i llogaritjes ka qenë i pranishëm në pjesët bregdetare të Arbërisë ç’prej shekullit XIII”, ka potencuar ai. / KultPlus.com

A e dini se si ishte emri i Kosovës në vitin 1405?

 Historiani i njohur Jahja Drançolli, i është kthyer arkivave të Raguzës, Dubrovnikut të sotëm për të gjetur se si është quajtur Kosova në mesjetë.

“Postim me motiv: Duke nxjerrë Kosovën nga dokumente të vitit 1405!

Kosovën e sotme gjatë shekujve e kemi ndeshur me emra të ndryshëm.

Për herë të parë me emrin e sotëm do ta ndeshim në dokumente raguzane të vitit 1405:

“Boschi di Chosoua”!”, ka shkruar Drançolli me foto nga Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut, ku ka qenë vitin e kaluar, me kolegun e tij Ruzhdi Panxha.