Çeku me telegram ngushëllimi për Bahri Drançollin: Skena e artit në Kosovë humbi një person që dha shumë për shoqërinë

Dje ka vdekur profesori Bahri Drançolli, njëri ndër themeluesit e Artit Modern dhe Artit Grafik, si dhe njohës i shkëlqyeshëm i arteve figurative, shkruan KultPlus.

Ndërsa, sot përmes një postimi në llogarinë zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Artit, Ministri Hajrulla Çeku dërgoi një telegram ngushëllimi për gjithë familjen e Bahri Drançollit.

Telegram ngushëllimi

E nderuar familje Drançolli,

Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, profesor Bahri Drançolli.

Në emrin tim dhe të Ministrisë së Kulturës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj.

Skena e artit në Kosovë humbi një person që dha shumë për shoqërinë, njërin ndër themeluesit e artit modern dhe artit grafik, si dhe njohësin e shkëlqyeshëm të arteve figurative.

Krijimtaria dhe vlerat artistike që ka lënë si pasuri e trashëgimi, do të mbeten të paharruara siç do të mbetet edhe kujtimi ynë për të.

Ndarja nga jeta e një prej artistëve pionierë të artit akademik në vend ka lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm në fushën e artit figurativ në Kosovë dhe më gjerë.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të profesorit Bahri Drançolli.

Hajrulla Çeku

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit“, ka shkruar ai.

Bahri Drançolli do të mbetet përherë i njohur për artdashësit gjermanë dhe botërorë me ekspozitat e tij personale veçanërisht në: Marsyas Gallery (Germany), Hesler Gallery, Munich (Germany), Studio M Gallery Bamberg (Germany) Gallery Kunstwerkstatt, Darmstadt (Germany), Kunstverein Rosenheim, Munich, Keislich Gallery Munich, Van Laar Gallery Munich, Stuckvilla, Munich, (Germany), etj. / KultPlus.com

Sot vdiq Bahri Drançolli, njëri ndër artistët që themeloi Artin Grafik

Sot vdiq profesori Bahri Drançolli, njëri ndër themeluesit e Artit Modern dhe Artit Grafik, si dhe njohës i shkëlqyeshëm i arteve figurative, përcjell KultPlus.

Lajmin e bëri të ditur historiani Jahja Drançolli, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, i cili tregon se sot në Münich në orët e para të paraditës, ka vdekur një ndër artistët më të shquar të kombit.

“Realizimet e para si artist ndërkombëtar i nisi duke marrë pjesë në restaurimin dhe konservimin e afreskeve në Bazilikën Eufrasiane në Poreç (Kroaci), si dhe në Zagreb, qytet ku ka realizuar disa piktura”, ka shkruar ai.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e tij të plotë:

U shua nga jeta Maestro, Prof. Bahri Drançolli: Arti i Kosovës humbi njërin ndër themeluesit e Artit Modern dhe Artit Grafik, si dhe njohësin e shkëlqyeshëm të arteve figurative përgjithësisht!

Në Munich, në orët e para të paraditës së sotme, 14 shkurt 2022, ka ndërruar jetë Prof. Bahri Drançolli një ndër artistët më të shquar të kombit.

Maestro, Prof. Bahri Drançolli ka diplomuar në Fakultetin e Arteve të Aplikuara në vitin 1967 në Beograd në klasën e profesor Rajko Nikoliç-it. Studimet pasuniversitare, Artin Grafik i kreu në Akademinë e Arteve në Stuttgart (Gjermani) në vitin 1970 dhe më vonë në Akademinë e Arteve në Munich (Gjermani) në vitin 1973.

Realizimet e para si artist ndërkombëtar i nisi duke marrë pjesë në restaurimin dhe konservimin e afreskeve në Bazilikën Eufrasiane në Poreç (Kroaci), si dhe në Zagreb, qytet ku ka realizuar disa piktura.

Vlen të përmendet sidomos piktura me titull “Dera e Gurit”, vaj në pëlhurë (Zagreb, 1971).

Maestro, Prof. Bahri Drançolli është bërë i njohur për artdashësit gjermanë dhe botërorë me ekspozitat e tij personale veçanërisht në: Marsyas Gallery (Germany), Hesler Gallery, Munich (Germany), Studio M Gallery Bamberg (Germany) Gallery Kunstwerkstatt, Darmstadt (Germany), Kunstverein Rosenheim, Munich, Keislich Gallery Munich, Van Laar Gallery Munich, Stuckvilla, Munich, (Germany), etj. / KultPlus.com