Elina Duni në JazzFest Tetova

Pas tre vitesh pauzë, rikthehet në Tetovë manifestimi JazzFest Tetova. Këtë herë, ky manifestim është konceptuar në dy net, edhe atë me datë 7 dhe 9 tetor.

Këtë edicion, Tetova do ketë përsëri rastin ta dëgjojë emrin e madh të xhazit shqiptar, Elina Dunin, e cila vjen bashkë me kitaristin kontemporan të xhazit nga Londra Rob Luft.

Organizatorët e këtij manifestimi pohojnë që për shkak të kërkesave të shpeshta të tetovarëve për ta pasur përsëri Elina Dunin në qytetin e tyre, kanë vendosur që t’ua ofrojnë këtë kënaqësi qytetarëve dhe dashamirëve të xhazit. Nata e parë mban titullin, i cili flet gjithçka: “Muzikë shqiptare e ndërthurur në jazz”. Do të jetë një bashkëpunim midis dy muzikantëve të shkëlqyer, të cilët tashmë e kanë vërtetuar veten si të tillë. Ky koncert do të mbahet në Sallën e Madhe të Qendrës për Kulturë, në ora 21.00.

Nata e dytë, më 9 tetor, do të jetë me kuartetin nga Shkupi Kalevala. I përbërë nga muzikantë profesionistë, ky kuartet në repertorin e saj ka këngë të tipit të world music, pra këngë të cilat përfshijnë gati se të katër anët e botës. Koncerti do të mbahet në Sallën Koncertale të Shkollës së muzikës në Tetovë, në ora 20.00, shkruan zhurnal.
Manifestimi JazzFest Tetova mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, kurse sponsor të tjerë janë edhe Qendra për Kulturë dhe Shkolla Shtetërore e Muzikës “Todor Skallovski-Tetoec”./ KultPlus.com