Më 24-30 dhjetor do të mbahet Panairi i librit Tetova 2021

Më datë 24-30 dhjetor 2021 do të mbahet Panairi i librit “Tetova 2021”, përcjell KultPlus.

Shumë botues të njohur do të mbledhen nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut në këtë panair të librit, i cili vitin e kaluar është mbajtur në formën online për shkak të kushteve pandemike.

Rikthimi deri diku në normalitet ka ndikuar që formati i tij të ndryshojë dhe kësisoj ai të kalojë në formën fizike.

Ky event do të mbahet në qendrën tregtare “Remall”, në organizimin e shtëpive botuese “Syth” dhe “Nobel” nga Tetova. /KultPlus.com

Në Tetovë sonte fillon festivali i muzikës së vjetër qytetare shqiptare ‘Teuta’

Festivali i muzikës së vjetër qytetare shqiptare “Teuta” sonte do të mbahet në Qendrën e Kulturës në Tetovë. Ky program muzikor është pjesë e programit vjetor të institucionit.

“Festivali “Teuta” është projekt ekskluziv i cili ka karakter tradicional me pjesëmarrje të vituozëve të muzikës nga pjesa më e madhe ku jetojnë shqiptarët. Këtë vit pjesëmarrës janë përfaqësuesit e Qendrës për Kulturë – Gostivar, Shoqata për trashëgimi kulturore dhe kreativitet “Presheva” kori i femrave “Nexhmije Pagarusha” – Prishtinë, Ansambli “Bajram Shabani” Kumanovë dhe grupi i femrave “Teuta”, informojnë nga Qendra e Kulturës “Ilo Anteski-Smok” nga Tetova.

Fillimi i festivalit është parashikuar për në orën 19:00.

Elina Duni në JazzFest Tetova

Pas tre vitesh pauzë, rikthehet në Tetovë manifestimi JazzFest Tetova. Këtë herë, ky manifestim është konceptuar në dy net, edhe atë me datë 7 dhe 9 tetor.

Këtë edicion, Tetova do ketë përsëri rastin ta dëgjojë emrin e madh të xhazit shqiptar, Elina Dunin, e cila vjen bashkë me kitaristin kontemporan të xhazit nga Londra Rob Luft.

Organizatorët e këtij manifestimi pohojnë që për shkak të kërkesave të shpeshta të tetovarëve për ta pasur përsëri Elina Dunin në qytetin e tyre, kanë vendosur që t’ua ofrojnë këtë kënaqësi qytetarëve dhe dashamirëve të xhazit. Nata e parë mban titullin, i cili flet gjithçka: “Muzikë shqiptare e ndërthurur në jazz”. Do të jetë një bashkëpunim midis dy muzikantëve të shkëlqyer, të cilët tashmë e kanë vërtetuar veten si të tillë. Ky koncert do të mbahet në Sallën e Madhe të Qendrës për Kulturë, në ora 21.00.

Nata e dytë, më 9 tetor, do të jetë me kuartetin nga Shkupi Kalevala. I përbërë nga muzikantë profesionistë, ky kuartet në repertorin e saj ka këngë të tipit të world music, pra këngë të cilat përfshijnë gati se të katër anët e botës. Koncerti do të mbahet në Sallën Koncertale të Shkollës së muzikës në Tetovë, në ora 20.00, shkruan zhurnal.
Manifestimi JazzFest Tetova mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, kurse sponsor të tjerë janë edhe Qendra për Kulturë dhe Shkolla Shtetërore e Muzikës “Todor Skallovski-Tetoec”./ KultPlus.com