Edhe Shqipëria në ceremoninë e hapjes së ambasadës së SHBA në Jerusalem

SHBA hap sot ambasadën e re të saj në Jerusalem, një lëvizje kjo e pëlqyer nga Izraeli, por e dënuar nga palestinezët dhe faktori ndërkombëtar.

Zyrtarë të lartë amerikanë do të marrin pjesë në ceremoninë e sotme, përfshirë vajzën e presidentit Donald Trump, Ivanka dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner.

Ndërkohë, ndonëse votoi pro rezolutës turke në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Tirana zyrtare ka vendosur të mos e bojkotojë ceremoninë e përurimit të ambasadës amerikane në Jerusalem.

Gazeta “Times of Israel” shkruan se nga ftesat e dërguara për përfaqësuesit e 86 vendeve të ndryshme, vetëm 33 e kanë pranuar atë, ndërsa pjesa më e madhe e diplomatëve evropianë, nuk do të jenë të pranishëm.

Përveç Shqipërisë, në aktivitet marrin pjesë edhe Rumania, Republika Çeke dhe Hungaria që kundërshtojnë çdo ndryshim të statusit të Jerusalemit pa një marrëveshje izraelito-palestineze.

Ceremoninë ku do të marrë pjesë kryeministri Netanyahu dhe ku do të flasë edhe ambasadori amerikan në Izrael, Friedman, e kanë bojkotuar vende të tilla kryesore në botë, si Kina, Rusia, Gjermania, India, Kanadaja, Australia dhe Argjentina.

Izraeli, mori kontrollin e Jerusalemit Lindor në luftën e Lindjes së Mesme në 1967 dhe e konsideron atë si kryeqyteti i përjetshëm, i pandashëm.

Vendimi i presidentit Trump, vitin e shkuar, për ta njohur atë si kryeqytet të Izraelit, përmbysi dekada neutraliteti amerikan mbi këtë çështje dhe i vendosi SHBA-të përballë pjesës më të madhe të komunitetit ndërkombëtar.

Ceremonia e hapjes në fakt është disi e nxituar por qëllimi është që ajo të koinçidonte me përvjetorin e 70 të shtetit të izraelit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet t’i drejtohet pjesëmarrësve në ceremoni, përmes një lidhjeje video.

Banorët e Bethlehem: Presidenti Trump shkatërroi Krishtlindjet pas vendimit për Jerusalemin

Vendasit në qytetin e Betlehemit po fajësojnë Presidentin Trump se ua ka shkatërruar festën e Krishtlindjes pas vendimit të tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, përcjellë KultPlus.

Sheshi i qytetit u mbush me marshin e përvitshëm të Krishtlindjeve, nga besimtarët që morën pjesë në Meshën e Mesnatës të dielën, por turmat ishin dukshëm në numër më të vogël.

Vendorët thonë se turizmi ishte më i ulët se vitin e kaluar. “Trump është arsyeja e parë që kjo është një Krishtlindje e trishtuar për neve”, tha për Jerusalem Post, Khulud Ilayan, një student në Universitetin e Hapur të Al-Quds. “Unë shoh më pak njerëz këtu dhe njerëzit janë të trishtuar. Të gjithë njerëzit këtu nuk e duan atë njeri “.

Turistja franceze Claire Degout tha se vendimi i Trump nuk e pengoi atë për t’i festuar Krishtlindjet në Tokën e Shenjtë. “Vendimi i një njeriu nuk mund të ndikojë në të gjithë Tokën e Shenjtë, Jerusalemi i takon të gjithëve, ju e dini, dhe do të jetë gjithmonë kështu, çfarëdo që thotë Trump”, tha turistja franceze Degou.

Presidenti njoftoi më 6 dhjetor se do të njohë Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe tha se Ambasada e SHBA do të shkojë në Qytetin e Shenjtë. Njoftimi i tij nxiti protesta masive në Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe afër Betlehemit, që është në jug të Jerusalemit./ KultPlus.com