Sot feston ditëlindjen autorja e librit  të famshëm ‘Harry Potter’, JK Rowling

Shkrimtarja britanike, Joanne Rowling e njohur me super veprën e saj të ‘Harry Potter’ feston sot 59 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

As sfidat më të rënda jetësore, që prej ndarjes së prindërve të saj, përballja me sëmundjen e rëndë e deri tek ndarja nga bashkëshorti, nuk e rrëmbyen suksesin e saj. Përkundrazi, pjesa personale nuk luajti fare rol në profesionin e saj.

Si një fëmijë i vogël, ajo kishte thurur në kokën e saj ëndrra të mëdha, përkushtimi i të cilave shndërroi ‘të pamundurën në realitet’ me ndërtimin e suksesit, por edhe me kalimin e përmasave të saj.

Me vetëm 6 vjeç, shkroi librin e parë të titulluar ‘Lepuri’. Ndërkaq, 5 vite më vonë, me të mbushur 11 vjeç, ajo shkroi romanin e saj të parë- rreth shtatë diamante të mallkuar dhe njerëzit që i zotëronin ato.

Karrierën e nisur në fëmijëri, e vulosi në pjekuri, me veprën gjigante të saj ‘Harry Potter’’, libër i cili numëroi shifra marramendëse, me shitjen e mbi 400 milionë kopje të librit.

Rowling, studimet i përfundoi në Universitetin Exeter, në programin për frëngjisht dhe klasikë, karakteristika këto, të cilat i hynë në punë edhe në ndërtimin e librit të magjishëm ‘Harry Potter’.

Rowling e konceptoi idenë e Harry Potter në vitin 1990, ndërsa ishte ulur në një tren të vonuar nga Mançesteri në Londrën King’s Cross. Ndërkaq, përgjatë pesë viteve të tjera, ajo nisi të hartonte shtatë librat e serisë.

Edhe pse libri i Harry Potter konsiderohet një markë globale, historia e autores J.K Rowling përmban në vete dhimbje, rezistencë e në fund edhe triumf.

Historia e shkrimtares britanike, Rowling është një histori inspirimi, një motiv për të mos u dorëzuar kurrë dhe një shtysë për të besuar se asnjëherë nuk është vonë për të realizuar ëndrrat.

Kujtojmë që Rowling përpos tipit të librave si ‘Harry Potter’ merret edhe me shkrimin e romaneve për të rriturit, siç janë edhe ato me tematikë kriminale, me emrin e stilolapsit Robert Galbraith. / KultPlus.com

Specialja televizive e ‘Harry Potter’ përcjellet me kritika të shumta

Viti i ri për dashamirët e filmit “Harry Potter” do të fillojë me një speciale televizive që ribashkon anëtarët e kastit të “Harry Potter”, shkruan KultPlus.

Megjithatë, bashkimi i kastës së aktorëve ka marrë komente të ndryshme nga kritikët, e ku shumë prej tyre kanë vënë në dukje mungesën e autores JK Rowling.

Ka pasur spekulime se shkrimtarja ishte përjashtuar nga programi pasi komentet e saj të mëparshme për njerëzit trans ndanë opinionin publik.

Rowling nuk shfaqet me anëtarët e kastit në speciale dhe shihet vetëm në videoklipet e arkivave.

Specialja sheh ish-yjet e fëmijëve Daniel Radcliffe, Emma Watson dhe Rupert Grint të ribashkohen me anëtarët e tjerë të kastit, duke përfshirë Robbie Coltrane, Helena Bonham Carter, Jason Isaacs, Gary Oldman dhe Ralph Fiennes, transmeton rtv21.tv

Sidoqoftë, ndërsa disa aktorë si Coltrane i referohen Rowling gjatë intervistave të tyre, vetë Rowling shfaqet vetëm përmes videoklipeve të regjistruara në vitin 2019.

Harry Potter 20th Anniversary – Return To Hogwarts publikohet më 1 janar. /KultPlus.com

Edicioni i parë i ”Harry Potter” shitet me çmim rekord

Një botim i parë i librit të autores JK Rowling “Harry Potter and the Philosopher’s Stone” u shit për një çmim rekord, deklaroi shtëpia e ankandeve ”Heritage Auctions” me bazë në Teksas.

”Libri arriti të fitojë 471 000 dollarë në ankand, çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë për debutimin e magjistarit në çfarëdo forme”, tha shtëpia e ankandeve.

”Dhe jo vetëm që është libri më i shtrenjtë i Harry Potterit i shitur ndonjëherë, por është edhe vepra fiktive e shekullit të 20-të më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë”, tha në një deklaratë zëvendëspresidenti ekzekutiv i ‘Heritage Auctions’, Joe Maddalena.

”Vetëm 500 kopje të librit me kopertinë të fortë u shtypën, shumica e të cilave shkuan në bibliotekat publike. Ato pak kopje që dolën në ankand janë bërë ndër titujt më të lakmuar në letërsinë moderne, me dy të tjerë të shitur në vitin 2021 për më shumë se 138 000 dollarë”, shtoi tutje Maddalena.

”Harry Potter and the Philosopher’s Stone” u soll në ekranin e madh dy dekada më parë dhe kjo arritje tregon fuqinë e atij kombinimi të letërsisë dhe filmit.

Këta libra shpërblehen për arritjet e filmave të tyre.

Libra të tjerë të rrallë përfshinin botimet e hershme të “Chronicles of Narnia” nga CS Lewis, trilogjia “Lord of the Rings” e JRR Tolkien dhe “To Kill A Mockingbird” e Lee. / KultPlus.com

JK Rowling bashkë me 150 figura publike, në mbrojtje të fjalës së lirë

Rreth 150 shkrimtarë, akademikë dhe aktivistë, duke përfshirë autorët JK Rowling, Salman Rushdie, Martin Amis dhe Margaret Atwood, kanë nënshkruar një letër të hapur, ku denoncojnë “kufizimet e debateve”, sipas BBC-së.

Ata thonë se e përshëndesin “vlerësimin e nevojshëm” të kohëve të fundit mbi drejtësinë racore, por potencojnë se kjo ka nxitur mbytjen e debatit të hapur.

Letra dënon “një trend për turpërim publik dhe ostracizëm” dhe “një siguri verbëruese morale”, transmeton “Zeri.info”.

Disa prej nënshkruesve edhe janë sulmuar për komente që shkaktuan shkelje.

“Shkëmbimi i lirë i informacionit dhe i ideve, vetë gjaku i një shoqërie liberale, çdo ditë po bëhet më i shtrënguar”, thuhet në letër.

Letrën e nënshkruan edhe intelektuali amerikan Noam Chomsky, feministja e shquar Gloria Steinem, gjeniu rus i shahut Garry Kasparov dhe autori Malcolm Gladwell, e cila u botua të martën në “Harper’s Magazine”.

Paraqitja e emrit të autores së “Harry Potter”-it, Rowling, midis nënshkruesve vjen pasi ajo së fundmi u kritikua ashpër në internet për komentet ku ajo fyen njerëzit transgjinorë. /Zëri/ KultPlus.com

Shkrimtarja J.K. Rowling publikon librin online, ai mund të lexohet falas

Autorja e ‘Harry Potter’, J.K. Rowling, i ka befasuar fansat duke njoftuar se do ta publikojë një libër të ri për fëmijë, të quajtur “The Ickabog”.

Mirëpo lajmi më i mirë për fansat e shkrimeve të saj është që ky libër do të publikohet falas online.

54 vjeçarja shpreson që kjo përrallë e veçantë t’iu ndihmojë fëmjëve që të rrinë të zbavitur gjatë pandemisë së koronavirusit.

Ajo ka thënë se e kishte planifikuar publikimin e “The Ickabog” menjëherë pas publikimit të librit të parë “Harry Potter”, mirëpo kur “Harry Potter” mori famë aq të madhe, ajo vendosi t’ia dedikojë kohën letërsisë për të rritur. /KultPlus.com