Shitet në ankand makina që John F. Kennedy përdori në ditën e vrasjes

Një makinë limuzinë e përdorur nga presidenti amerikan John F. Kennedy në ditën e vrasjes së tij, u shit në ankand për shifrën e 375 mijë dollarëve.

Makina e vitit 1963, një Lincoln Continental ishte përdorur nga presidenti Kennedy, Jackie Kennedy dhe guvernatori i Teksasit, John Connally mëngjesin e ditës fatkeqe të 22 nëntorit 1963, ku kreu i Shtëpisë së Bardhë u vra nga një plumb.

Ata udhëtuan me këtë makinë nga Forth Worth për të shkuar në aeroport, ku morën fluturimin për në Dallas, aty ku edhe Kennedy u ekzekutua në një tjetër Lincoln Continental.

Kjo makinë ndodhet prej vitesh në muzeun “Hendy Ford” në Dearborn të Michiganit./ KultPlus.com

Rrëfejnë astronautët që shkelën në Hënë

Ndërkohë që bota feston 50 vjetorin e misionit historik për të dërguar njerëz në Hënë, gjithashtu kjo përmbledhje ju sjell reflektimet mbi këtë arritje monumentale përmes syve të astronautëve të NASA-s.

Në një përmbledhje të citimeve nga intervista me astronautët e misionit Apollo mbi rrugëtimin drejt Hënës dhe destinacionet që e presin njerëzimin në të ardhmen:

“Në 1957 isha student me një bursë Fullbright në Norvegji. Kisha dalë në terren për të mbledhur të dhëna gjeologjike. I vetmi kanal që kapte radioja ishte Zëri i Amerikës nga një stacion në Algjer. Po dëgjoja një nga emisionet muzikore të Willis Conover mbi xhazin amerikan, kur u ndërpre transmetimi për të njoftuar se Bashkimi Sovjetik kishte hedhur satelitin e parë, Spitnik Një në orbitë rreth Tokës. Në atë moment e kuptova që duhet të filloja t’i kushtoja vëmendje hapësirës,” thotë në një intervistë Harrison Schmitt, astronaut i misionit Apollo 11.

“Kemi vendosur të shkojmë në Hënë dhe të realizojmë arritje të tjera në këtë dekadë, jo sepse janë objektiva të lehta, por sepse janë të vështira,” pat thënë Presidenti John Kennedy.

“Kur Presidenti Kennedy e bëri njoftimin se po përpiqeshim të dërgonim njeriun në Hënë brenda dekadës, nuk më besohej. Mendoja që po e thoshte thjesht për të na dhënë vetëbesim, por nuk e mendoja të realizueshme,” thotë Jim Lovell, astronaut në misionet Apollo 8 dhe Apollo 13.

“Asnjë vend që synon të jetë udhëheqës mes vendeve të tjera nuk mund të mendojë se mund të rrijë pas në garën e hapësirës,” tha Presidenti Kennedy.

“Një ambicje e pashembullt: synimi për të qenë i pari në hapësirë. Synimi për të qenë në krye. Çdo gjë tjetër është e papranueshme për njerëzit e këtij vendi,” thotë Eugene Cerman, astronaut në misionet Apollo 10 dhe Apollo 17.

“Është një pasqyrim shumë dramatik i asaj që mund të arrish duke bashkuar njerëzit më të aftë, me përparimet më të mëdha, nën udhëheqjen e duhur. Me këtë kombinim mund të bësh mrekullira,” thotë Fred Haise, astronaut i misionit Apollo 13.

“Ishte një arritje që shërben si shembull i organizimit të mirë brenda një agjencie qeveritare. Shembuj të tillë në ditët tona janë të rrallë,” thotë Michael Collins, astronaut i misionit Apollo 11.

“Investuam shumë kohë, energji e përpjekje njerëzore për të dalë në krye me misionet Apollo,” thotë Buzz Aldrin, astronaut i misionit Apollo 11.

“Programi i hapësirës pati ndikimi pozitiv pasi u dha njerëzve frymëzim dhe shpresë për misionet që kishte ndërmarrë vendi,” thotë Jim Lovell, astronat i misioneve Apollo 8 dhe Apollo 13.

“Misioni Apollo 13 tregon se çfarë mund të realizojë një ekip i përgatitur,” thotë Gerry Griffin, , drejtor fluturimi i misionit Apollo 13.

“Ekipi që ishte përgatitur për të reaguar në situata emergjente e bëri detyrën në mënyrë që meriton lavdërime,” thotë astronauti Buzz Aldrin.

“Isha drejtor i fluturimeve për misionin Apollo 17 kur Gene Cerman dhe Jack Schmitt u lëshuan në hapësirë. Lexuam një mesazh të presidentit që me pak fjalë thoshte se ky mund të ishte udhëtimi i fundit i Apollos për këtë shekull. Ishte një moment sa triumfi aq edhe keqardhjeje, pasi ne si komb po hiqnim dorë nga ambicja si ekspolues të hapësirës,” thotë Gene Kranz, drejtor i fluturimeve për programin Apollo.

“Do të rikthehemi në Hënë,” thotë Eugene Cerman, Astronaut i misioneve Apollo 10 dhe Apollo 17.

“Miku im, Neil Armstrong mendonte se rikthimi në Hënë ishte hapi i duhur dhe i nevojshëm që do t’i paraprinte eksplorimit të Marsit,” thotë Michael Collins, astronaut i Misionit Apollo 11.

“Nuk do ta kisha menduar kurrë se do të kalonin 50-60 vjet para se amerikanët të shkonin përsëri në Hënë,” thotë Harrison Schmitt, astronaut i misionit Apollo 17.

“Kur më kujtohet si mendonim në atë kohë, më çudit fakti që ende nuk kemi shkuar në Mars,” thotë Fred Haise, astronaut i misionit Apollo 13.

“Jam marsian. Mendoj se Marsi është destinacioni tjetër që duhet të arrijmë,” thotë Michael Collins, astronaut i misionit Apollo 11.

“Mirëpres 50-vjetorin e atij momenti historik, pasi është dhe duhet të jetë një riafirmim i rrugës që duhet të ndjekim,” thotë Buzz Aldrin, astronaut i misionit Apollo 11./ Koha.net/ KultPlus.com

Gazeta britanike mori një telefonatë misterioze, 20 minuta para se të vritej Kennedy

Një gazetë britanike mori një telefonatë anonime për një “lajm të madh” në Shtetet e Bashkuara, disa minuta para se Presidenti John F. Kennedy të qëllohej për vdekje, thuhet në dosjet e sapo lëshuara.

Një grup prej 2,800 dokumentesh të deklasifikuara përfshin një memor nga CIA, drejtuar drejtorit të FBI-së, të datës 26 nëntor 1963, në lidhje me një telefonatë të marrë nga Cambridge News më 22 nëntor, ditën kur Kennedy u vra në Dallas.
Dosja e zëvendës drejtorit të CIA-s James Angleton thotë se telefonuesi tha se “gazetari i lajmeve të Cambridge News duhet të telefonojë Ambasadën Amerikane në Londër, për një lajm të madh dhe pastaj e mbylli”.

Memoja thotë se shërbimi i inteligjencës i Britanisë MI5 llogariti që telefonata u bë 25 minuta përpara se Kennedy të vritej.

Ai tha se gazetari që mori telefonatën “është i njohur për ta si një person i qartë dhe besnik, pa probleme sigurie”. /KultPlus.com