Pse Frida Kahlo vazhdon të na frymëzojë edhe pas vdekjes së saj

Nga Jonathan Wright

Sot të gjithë e ndeshim diku vështrimin e Frida Kahlos. E kudondodhur në posterat, printimet, kopertinat e librave, gotat apo bluzat, imazhi i saj është më i njohur sot se sa ishte gjatë jetës së saj të shkurtër. Ndonjëherë ajo shfaqet më tipare mashkullore, dhe ndonjëherë femërore dhe delikate.

Megjithatë ekziston gjithmonë ndjenja e një gruaje që e kuroi me kujdes imazhin e saj publik. Nuk është çudi që Kahlo përshtatet kaq lehtë në ikonografinë e botës së shekullit XXI që ka shpikur idenë e influencuesit, duke e personifikuar jo pak, pasi ky version i Kahlospërfaqëson një përzierje midis bohemizmit, heroinës tragjike dhe të jetuarit sa më mirë.

Nga ana tjetër ajo na tregon shumë Frida Kahlo-n historike, një artiste me talent të rrallë e cila u rrit në mesin e trazirave të Revolucionit Meksikan, duroi dhimbjet kronike dhe shëndetin e brishtë gjatë gjithë jetës së saj në vazhdën e martesës me artistin e famshëm meksikan, Diego Rivera, dhe nën shoqërinë e disa prej figurave më të rëndësishme të shekullit XX-të?

Historia e saj nis në vitin 1907 në Kojoakan, asokohe një fshat i vogël në periferi të Meksiko Siti, kur Kahlo lindi si e treta nga 4 vajzat e emigrantit gjerman Guilermo Kahlo (1871–1941) dhe Matilda Gonzalez (1874-1932), vajza e një babai indigjen dhe një nëne me origjinë spanjolle.

Guilermo ishte një fotograf i talentuar dhe i suksesshëm, edhe pse shpërthimi i Revolucionit Meksikan në vitin 1910 kjo ndikoi negativisht në punën e tij, pasi ai mbështetej tek porositë që merrte nga qeveria e përmbysur. Ndërsa marrëdhënia e Fridës me nënën e saj konservatore ishte shpeshherë e tensionuar, ajo ishte e afërt me të atin, sidomos pasi Kahlo u sëmur nga poliomieliti kur ishte 6-vjeçe.

Ajo sëmundje e la me këmbën e djathtë më të dobët dhe më të shkurtër. Kjo mund të shpjegojë pjesërisht edhe dashurinë e saj për fustanet e gjata tradicionale, sepse ato e mbulonin defektin e saj fizik. Sipas biografisë së historianit të artit Hajden Herrera, përvoja e vetë Guilermos me sulmet epileptike, ndihmoi babë e bijë të krijonin një lidhje shumë të ngushtë bazuar në përvojën e përbashkët të sëmundjes.

Guilermo i mësoi vajzës së tij fotografinë dhe pikturën. Më vonë ajo do të shkruante në ditarin e saj mbi “butësinë” e tij dhe “mirëkuptimin për të gjitha problemet e mia”. Në vitin 1922, Kahlo hyri në shkollën prestigjioze “Escuela Nacional Preparatoria” (Shkolla Përgatitore Kombëtare), një nga vetëm 35 vajzat mes 2000 studentëve.

Autoritetet e shkollës përqafuan ‘indigenismo’-n, një qasje antikoloniale ndaj identitetit meksikan që luajti një rol të veçantë krijimin e një imazhi të veçantë publik nga Kahlo. Ajo filloi të pretendonte se kishte lindur në vitin 1910, se ishte “një bijë e revolucionit”.

Së bashku me shokët dhe shoqet e saj krijuan një grup të vogël të quajtur “Los Cachuchas” për shkak të kapeleve të larta që mbanin. Ato ishin rebele dhe të angazhuara politikisht dhe intelektualisht. Frida Kahlo mendonte të bëhej mjeke, derisa një aksident i tmerrshëm ndryshoi trajektoren e jetës së saj. Më 17 shtator 1925, Kahlo dhe dashuria e saj e parë, Alehandro Arias, udhëheqësi jozyrtar i “Los Cachuchas”, po udhëtonin në një autobus kur ai u përplas nga një tramvaj. Disa pasagjerë vdiqën. Kahlo u ngjesh pas një parmaku prej hekuri, duke pësuar çarjes të legeni. Po ashtu iu shpua barku dhe mitra, pati disa kocka të thyera dhe shtypje të këmbës së saj të djathtë.

Mjekët dyshonin nëse ajo do të arrinte të mbijetonte. Pas rikuperimit të saj fillestar, ajo u diagnostikua se kishte 3 rruaza të zhvendosura në shtyllën kurrizore, ndaj duhej të vishte një korse prej gipsi dhe të kalonte edhe 3 muaj të tjerë shtrirë në shtrat. Marrëdhënia e saj me Ariasin, të cilën prindërit e tij nuk e miratuan, do të përfundonte pasi ai u dërgua në një turne në Evropë.

Kur po i nënshtrohej një rikuperimi të dytë të gjatë – beteja e saj me poliomielitin e kishte izoluar për 9 muaj – Kahlo nisi ta merrte seriozisht artin. Nëna e saj i dha asaj një kavalet të projektuar posaçërisht në mënyrë që Frida të mund të pikturonte në shtrat. Më vonë ajo shkroi: “Unë pikturoj veten shpesh, sepse jam subjekti që njoh më mirë”.

Në fundin e vitit 1927, megjithëse do të jetonte me dhimbje kronike për pjesën tjetër të jetës së saj dhe do t’i nënshtrohej shumë operacioneve, Kahlo ishte mjaftueshëm mirë për t`u rikthyer tek përditshmëria. Miqtë e saj, tani në universitet, ishin përfshirë në politikën studentore.

Kahlo iu bashkua Partisë Komuniste Meksikane (PCM), anëtarët e së cilës përfshinin figura të tilla radikale si fotografja italo-amerikane Tina Modoti (1896-1942). Në një nga mbrëmjet argëtuese të organizuara nga Modoti, Kahlo u njoh me Diego Riverën (1886-1957), një artist i njohur tashmë.

Ajo i kërkoi Riverës të shikonte veprat e saj të artit dhe të gjykonte nëse ajo kishte ndonjë talent. “Vepra e saj rrezatonte një energji të pazakontë shprehëse, një përcaktim të saktë të karakterit. Shumë shpejt, ajo u bë gjëja më e rëndësishme në jetën time”- do të shkruante më vonë Diego.

Të dy u martuan në gushtin e vitit 1929. Matilda nuk ishte dakord që Kahlo të martohej me një bohem radikal, 20 vjet më i madh se vajza e saj, një burrë, jeta personale e të cilit ishte shumë e ndërlikuar. Ndërkohë Guilermo, i vetëdijshëm për pasurinë e Riveras dhe nevojën e së bijës për për trajtime mjekësore të kushtueshme në vitet në vijim, kishte një pikëpamje të kundërt.

Ata e quajtën çiftin me nofkën “elefanti” dhe “pëllumbi”, i tillë ishte ndryshimi në fizikun e tyre. Lajmi mbi martesën e tyre bëri bujë edhe në media ndërkombëtare. Në vitet që pasuan, Rivera nënshkroi kontrata shumë fitimprurëse për realizimin e muraleve të paguara nga industrialistët dhe financierët si Ford dhe Rokfeler.

Gjatë viteve 1930 dhe deri në vdekjen e saj në 1954, ajo e mbështeti këtë ide me një seri kanavacash, shpeshherë çuditërisht të vogla kur i shihni në ndonjë galeri, por që janë bërë të famshme në mbarë botën. Ajo hapi një ekspozitë në vitin 1938 në qytetin e Nju Jorkut, ndërsa i shiti tablonë “The Frame” Muzeut të Luvrit në vitin 1939.

Vepra e saj u ndikua shumë nga arti popullor meksikan, i pasur me simbolika, si para–kolumbiane ashtu edhe të krishtera. Shpesh ai ishte thellësisht politik dhe përballej me çështjet rreth gjinisë, klasës dhe racës. Marrëdhënia e saj e stuhishme me Riverën, e ndërprerë nga divorci në vitin 1939, vazhdoi sërish. Çifti u pajtua dhe u martua përsëri, edhe pse asnjëri nuk e mësoi kurrë aftësinë e besnikërisë.

Gjatë rrjedhës së marrëdhënies së tyre, Kahlo kishte lidhje me burra dhe gra, përfshirë këngëtaren e lindur në Kosta Rika, Chavela Vargas. Në prill 1953, Kahlo organizoi ekspozitën e saj të parë personale në Meksikë në Galería Arte Contemporaneo.

Pakkush priste që ajo të merrte pjesë personalisht. Por, duke injoruar këshillat e mjekëve, ajo mbërriti në ceremoninë hapjes së ekspozitës me një ambulancë përpara se të çohej me barelë në shtratin e saj me katër postera, të cilin ajo e kishte rregulluar që ta zhvendoste nga shtëpia e saj në galeri. Vdiq më 13 korrik 1954 në moshën 47-vjeçare. Shkaku zyrtar i vdekjes ishte embolia pulmonare, edhe pse disa besojnë se ajo mund të ketë vrarë veten. / “History Extra” – Bota.al/KultPlus.com

Frida Kahlo, artistja që pikturoi jetën e saj

Ajo donte të ndryshonte botën, duke filluar nga bota e saj dhe e përkushtuar me gjithë shpirt.

Jeta e Frida Kahlos u zhvillua me një intensitet të fortë emocional, një grua me tundime kontroverse; e mbushi biografinë e saj me dashuri, luftë dhe shpresë, duke i treguar botës se mund të jetohet edhe një jetë tjetër, përveç asaj “të shkruar”.

U shqua për aftësinë e jashtëzakonshme në pikturë dhe poezi, sidomos për dashurinë e trazuar me atë që do ishte burri i saj në dy martesat: po aq i famshëm, Diego Rivera. Kemi të bëjmë me një grua që theu konvencionalitetin, qe në gjendje të përfaqësonte veten dhe të shndërrohej në një mrekulli. Kishte aftësinë të paraqitej mashkullore, të dilte në krah të feminizmit në një kohë kur bota ishte zemëruar përmes mbishkrimit të maskilizmit mbizotërues. Refuzoi nënshtrimin ndaj universit mashkullor, u vetëmjaftua, u shndërrua në simbolin e feminizmit dhe barazisë gjinore. Me veprimet dhe krijimet e saj, mbështeti idenë se të gjitha qeniet njerëzore kanë të njëjtin pozicion në piramidën e jetës.

Thuhet se ka realizuar mbi 150 piktura, të paktën 55 prej tyre janë autobiografike. Gjithë shtegtimi i jetës së saj përfaqësohet në këto piktura enigmatike, që vijojnë të magjepsin audiencat mbarë. Arti i saj është i sinqertë dhe i thellë, ashtu siç ishte edhe ajo vetë. Aktualisht një nga pikturat e Frida Kahlos mban rekordin si më e shtrenjta e shitur ndonjëherë nga një artist i Amerikës Latine, pikërisht “Raices”, e cila u ble për më shumë se 5 milionë dollarë në 2006. Po ashtu ishte artistja e parë meksikane që shiti një nga veprat e saj në Muzeun e Luvrit.

Andre Breton, themeluesi i surealizmit dhe një nga admiruesit e saj më të mëdhenj, e klasifikoi  punën e saj si surealiste. Sidoqoftë, Frida Kahlo këmbëngulte se ajo pikturon jetën e saj, jo ëndrrat, për këtë arsye nuk mund të konsiderohej e tillë. Kur Bretoni e vizitoi atë në Meksikë, pranoi se kishte gabuar. Surealiste nuk ishte Frida, por i gjithë vendi i saj. Jeta dhe vepra e Frida Kahlos janë të pandara, njëra nuk mund të kuptohet pa tjetrën. Piktorja magjepsëse ishte asokohe një artiste interesante, por mbi të gjitha gruaja e Diego Riveras, piktorit të famshëm meksikan. Me kalimin e viteve, ndryshoi edhe situata. Rivera kujtohet shpesh si burri i Frida Kahlos, piktores së madhe.

Kahlo ishte vajza e një fotografi gjerman dhe një gruaje meksikane. Lindi në Meksiko Siti më 6 korrik 1907, megjithëse më vonë u përpoq t’i bënte njerëzit të besonin se kishte lindur në vitin 1910, vitin e revolucionit meksikan. Kur ishte 6-vjeç, e zuri poliomeliti, çka i shkaktoi probleme në ecje. Për t’u rehabilituar, i ati e inkurajoi të merrej me aktivitete të rënda fizike si futbolli dhe boksi. U shërua pjesërisht, po sëmundja e bëri një fëmijë të vetmuar, e cila kalonte ditë të tëra e mbyllur në dhomën e saj. Në shkollë e quanin “Frida këmbëdruri”, sepse njërën këmbë e kishte më të hollë e më të dobët se tjetra, madje shumë prej pikturave i nënshkroi me këtë pseudonim. Ndërkohë pësoi edhe një aksident tjetër të rëndë, çka bëri që t’ia ndryshonte përgjithmonë jetën. Filloi të pikturonte, ndërsa ishte e lidhur me shtratin dhe që prej nuk ndali kurrë. Me Diego Riveran i prezantoi një mik i përbashkët dhe dashuria e tyre qe me shikim të parë: ai ishte 43-vjeç, kurse ajo 22. Babai e paralajmëroi se po bëhej “një demon”, kurse e ëma i thoshte se dukej si shkrirja e një elefanti me pëllumbin. Ai e tradhtonte, ajo e donte marrëzisht. Ai e adhuronte, por nuk ishte në gjendje t’i ofronte një jetë të përbashkët që të ishte ekskluzive. Megjithatë, ata evoluan si bashkërisht, ashtu edhe veçmas, duke skalitur hapësirën e tyre në historinë e një bote të paanë. Dy artistët jetuan një marrëdhënie pasionante, të shënuar nga tradhti reciproke dhe vuajtje fizike të Fridës. Ndërkohë, puna e saj rritej dhe bëhej gjithnjë e më interesante. Ekspozoi në qendra të ndryshme arti në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Episod shumë i dhimbshëm ishte zbulimi i marrëdhënies së Riveras me të motrën e saj, e cila kishte qenë e besuara e Fridës. Ngjarja çoi në divorc, për t’u rimartuar pas një viti. Mësimet e dashurisë pasqyrohen në vuajtjet që burojnë në artin e saj, veçanërisht në autoportretet. Piktura e saj projekton vështirësitë, njeh ekspozimin ndaj jetës dhe përshkruan rrugën e vetëpranimit, hap pas hapi. Në përgjithësi, jeta e saj qe një kalvar fatkeqësish dhe sëmundjesh që minuan pjesën më të madhe të jetës dhe aspiratave që ajo kishte. Frida pohoi se vuajtja është një gjendje e vetëdijes, përmes një fraze që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë: “Unë pi për të mbytur dhimbjet, mirëpo ato kanë mësuar të notojnë”.

Frida Kahlo vdiq më 13 korrik 1954, në moshën 47-vjeçare. Dy vjet më vonë, vdiq Diego, i cili kërkoi që të varrosej pranë saj. Sidoqoftë, dëshira e fundit nuk iu plotësua.

Pra, jeta e saj na jep një mësim të madh: “Duhet ta duam veten mbi gjithçka”; duhet t’u themi “Mjaft!” vuajtjeve tona, vetëm kësisoj do të jemi në gjendje të kultivojmë esencën dhe të shpalosim me fisnikëri stilin tonë personal. / KultPlus.com

‘Ti meriton një dashuri që të bëjë të ndihesh e sigurtë’

Poezi e shkruar nga Frida Kahlo.

Ti meriton një dashuri që
të të dojë edhe të pakrehur,
me të gjithë arsyet që të
bëjnë të zgjohesh herët,
me të gjithë demonët
që nuk të lënë të flesh.

Ti meriton një dashuri që
të bëjë të ndihesh e sigurtë,
në gjendje të hash botën,
kur ecën pranë tij,
që i ndjen përqafimet e tua
si perfekte në lëkurën e tij.

Ti meriton një dashuri
që do të kërcejë me ty,
që gjen parajsën çdo herë
që sheh drejt syve të tu,
që nuk mërzitet asnjëherë
duke lexuar shprehitë e tua.

Ti meriton një dashuri
që të dëgjon teksa këndon,
që të mbështet kur bën budallaqen,
që të respekton si qenie të lirë,
që të shoqëron në fluturimin tënd,
që nuk ka frikë nga rrëzimet.

Ti meriton një dashuri
që i largon gënjeshtrat që afron ëndrrat,
kafenë dhe poezinë…/ KultPlus.com

‘Në fund të ditës, mund të durojmë shumë më tepër sesa mendojmë se mund të mbajmë’

Frida Kahlo ishte një grua e mrekullueshme, jeta e saj ka qenë e gjitha mes artit dhe vuajtjes, por sot flasim për poezitë, frazat, aforizmat.

Jeta e saj u shënua nga sëmundje dhe një aksident i tmerrshëm, por forca e saj dhe dëshira e saj për dashuri e bënë atë një ikonë, arti i saj surreal i pikturës plot dhimbje njihet në mes të mijëra pikturave, fjalët e saj të forta, të vendosura dhe të pasionuara mund të jenë një pikë mbështetjeje për ata që kanë nevojë për forcë dhe vullnet.

Më poshtë është një përmbledhje e thënieve të saj më të rëndësishme dhe më të fuqishme.

“Këmbë, pse më duhen ato, kur kam krahë për të fluturuar?”

Frida kaloi shumë muaj në shtrat pas poliomelitit dhe më pas për shkak të aksidentit të saj, por asgjë nuk mund ta pengonte atë të fluturonte me krahët e imagjinatës së saj.

“Të mbjellësh një vuajtje është të rrezikosh ta lejosh atë që të gëlltisë, nga brenda”

Izolimi në dhimbjen tënde nuk të çon drejt asgjëje të mirë, dhe ajo e dinte, për këtë arsye ajo shfaqi dhimbjen e saj duke pikturuar dhe shkruar, një mënyrë për të lënë vuajtjet dhe për të mos lejuar që ato ta vinin përfund.

“Ankthi dhe dhimbja, kënaqësia dhe vdekja nuk janë asgjë tjetër veçse një proces që ekziston. Lufta revolucionare në këtë proces është një derë e hapur për inteligjencën “

Ajo e dinte mirë, nuk ka jetë pa vdekje, pasi nuk ka gëzim pa vuajtje … të gjitha janë procese të tranzicionit për të qenë në gjendje të jetosh plotësisht, të hapësh mendjen dhe të zhvillosh inteligjencën.

“Në fund të ditës, mund të durojmë shumë më tepër sesa mendojmë se mund të mbajmë”

Kjo është e drejtë, në mbrëmje në ngrohtësinë e shtratit mund të reflektojmë dhe gjithmonë e gjejmë veten pak më të fortë se sa kishim menduar që të ishte e mundur. Ne jetojmë një ditë të tërë me mendimin se nuk jemi në gjendje ta bëjmë, por në fund e kuptojmë se edhe kësaj here ia kemi dalë.

“Asgjë nuk vlen më shumë se qeshura”

Asgjë për të shtuar, nëse një grua që ka vuajtur kaq shumë thotë se qeshja është e vetmja gjë që ka vlerë, ashtu duhet të jetë.

“Ajo që nuk më vret, më bën më të fortë”

Ajo e përjetoi këtë mbi veten e saj, rrezikoi jetën dhe doli fitimtare, ajo kishte defekte fizike të tmerrshme dhe megjithatë kishte aq shumë adhurues dhe shumë njerëz që e ndoqën … ajo ishte pa dyshim një grua shumë e fortë, ndoshta ishte falënderuese për ato prova që kishte kaluar në rini.

“Bukuria dhe shëmtia janë një mirazh, sepse të tjerët përfundojnë duke parë brendshmërinë tonë”

Frida sigurisht nuk mund të thuhet se ishte një grua e bukur sipas standardeve të tanishme, ajo kishte vetullat e mëdha, një këmbë më të vogël se tjetra, plagë në trupin e saj, por kushdo që e takoi ra në dashuri me të, sepse ajo ishte e bukur brenda, e aftë ta pohonte bukurinë e saj të brendshme më shumë se atë të jashtme … një shembull që duhet ndjekur.

“Dua t’ju jap gjithçka që nuk keni pasur kurrë, as nuk do ta dini se sa e mrekullueshme është të të duan”

Ajo ishte një grua shumë e pasionuar, gruaja e Diego Rivera gjithashtu kishte shumë adhurues, por ndër më të famshmit mund të kujtojmë revolucionarin rus Leon Trocki, poetin André Breton dhe fotografin Tina Modotti. Letrat më të apasionuara, megjithatë, ishin për dashnorin José Bartoli, një refugjat i artit spanjoll në Nju Jork, të cilin Frida e donte me pasion, rreth 100 faqe të shkruara me dorë nga Kahlo midis viteve 1946 dhe 1949.

Më poshtë është një ekstrakt i atyre letrave:

“Natën e kaluar u ndjeva sikur kaq shumë krahë më përshkuan të gjithën, sikur këshilla e gishtërinjve të tu kishte gojë që më puthnin lëkurën time. Atomet e trupit tim janë tuajat dhe dridhen së bashku në mënyrë që ta duam njëri-tjetrin. Unë dua të jetoj dhe të jem e fortë për të të dashur me gjithë butësinë që meriton, për të të dhënë gjithçka që është e mirë në mua, kështu që nuk do të ndjehesh vetëm. Ndihem që gjithmonë të kam dashur, që para se të lindje. Ndonjëherë ndjej që unë kam të lindur për veten time”

“Unë besoj se në dashuri nuk ka as inteligjencë, as marrëzi, dashuria është si një aromë, si një rrymë, si shiu. Ti e njeh, qiellin tim, ju bini si shi mbi mua dhe unë, si toka, ju pranoj”.

Fjalët e dashurisë së pasionuar dhe të butë në të njëjtën kohë, vetëm një grua si Frida Kahlo mund t’i shprehte në këtë mënyrë të fortë.

“Shpresoj se çlirimi është i lumtur dhe shpresoj se kurrë nuk do të kthehem”

Këto janë fjalët e saj të fundit të shkruara në ditarin e saj pak para vdekjes. Jeta e saj ishte një jetë e vështirë, por e plotë dhe madje në pikën e vdekjes donte të ishte e fortë dhe e vendosur./bota.al/KultPlus.com

10 thënie nga Frida Kahlo

Frida Kahlo (1907-1954), një grua e ndjeshme, dinamike, e apasionuar pas jetës dhe shumë përpara kohës së saj.

Në moshën gjashtë vjeç ajo u sëmur me poliomieliti, me një këmbë më të shkurtër se tjetra dhe gjysmë e paralizuar. Kur ishte 18 vjeç, një tramvaj u përplas me autobusin ku po udhëtonte. Ajo iu nënshtrua një numri operacionesh dhe që atëherë jeta e saj u shënua nga dhimbje dhe pikëllim për pamundësinë e saj për të pasur fëmijë. Por nuk mbaroi me aq, gjurmë në jetën e saj la edhe marrëdhënia me piktorin e madh Diego Rivera.

Me pak fjalë jeta e Frida Kahlos ishte e mbushur plot me emocione. E mbushi biografinë e saj me dashuri, luftë dhe shpresë, dhe i tregoi botës që mund të jetohet edhe përtej kufijve të vënë. Trashëgimia e saj është e pafundme, ashtu si shpirti i saj.

Ajo ka lënë më shumë se 200 piktura, kryesisht autoportrete, megjithatë fjalët dhe shkrimet e saj janë aq mbresëlënëse sa vetë pikturat.

1. Të duash është të falësh

“Kam pasur dy aksidente të mëdha në jetën time: një në autobus dhe Diego. Diego është më i keqi”.

Diego Rivera ka qenë dashuria e përjetshme e Fridës, depozitoi tek ai të gjitha shpresat e dashurisë pas një jete torturuese. Ai ie tradhtoi shumë herë Fridën gjatë martesës së tyre. Ajo e fali pas çdo tradhëtie, duke pranuar se dashuria i reziston gjithçkaje dhe përfshin të falurit.

2. Dashuria është e pashpjegueshme

“…martesa mes Fridës dhe Diegos ishte si bashkimi mes një elefanti dhe një pëllumbi”.

Shumë mendonin se Diego dhe Frida nuk kishin shumë të përbashkëta përveç pikturës, por e vërteta ishte se dashuroheshin në një mënyrë të pashpjegueshme. Ai ishte i dhënë pas femrave dhe Frida ishte e dhënë të dinte se me kë shkonte. Përveç kësaj, kurrë se lanë njëri-tjetrin. Gjithashtu kishin ndiqnin ideologji të njëjta politike.

3. Duaje veten

“E vetmja gjë që di, është se pikturoj sepse kam nevojë“.

Ta duash veten do të thotë që nuk e harron veten dhe çfarë beson. Diego e donte Fridën sipas mënyrës së tij dhe ajo e pranoi pa kushte pa pritur se do ndryshonte. Piktura e ndihmonte të përballonte sëmundjen. Kurrë nuk u dorëzua dhe nuk pushoi së krijuari art.

4. Mos kij turp nga stili yt

Frida Kahlo është një ikonë e modës në Meksikë dhe në botë. Stili që e karakterizonte në vitet ’30 vazhdon të jetë frymëzim për modën meksikane dhe ndërkombëtare. Shtëpi mode kanë krijuar dizenjo të mrekullueshme duke u bazuar te piktorja meksikane.

Veshjet e saj plot ngjyra dhe vetullat karakteristike janë kthyer në pikë reference për kulturën dhe sofistikimin e Meksikës.

5. Mos u lidh me planet e tua

“Asgjë nuk është absolute. Gjithçka ndryshon, gjithçka lëviz, gjithçka rrotullohet dhe shkon larg”.

Frida nuk mendoi kurrë të ishte artiste. Jeta e çoi te arti pas aksidentit që e la për muaj të tërë të bllokuar në krevat. Aty gjeti kënaqësi te lëvizja e duarve. Ajo donte të bëhej mjeke.

6. Gratë kanë shumë forcë përbrenda

“Në fund të ditës mund të durojmë shumë më tepër nga çfarë mendonim.”

Frida ishte një grua e fortë që arriti gjëra të rëndësishme. Qoftë vepra ashtu edhe jeta e saj shërbejnë si udhëzues për shumë persona që kërkojnë një identitet dhe e gjejnë te arti.

7. Është e shëndetshme të kesh një ditar

“Asnjëherë nuk pikturoj ëndrra apo makthe; pikturoj realitetin tim”.

Trishtimi është e vetmja ndjenjë që ka një rezultat fatal te njeriu.

Të kesh një ditar ku të shkruash apo të vizatosh gjithçka na ndodh, shërben si mjekim për shpirtin. Frida bën pjesë të artistët që e evidentuan jetën e tyre nëpërmjet librave që ruajnë informacion të vyer dhe ku lexohen ndjenjat dhe jo vetëm fjalët

8. Vuajtja është dituria e maskuar

“Pij për të mbytur dhimbjet e mia, por të mallkuarat mësuan të notojnë“.

Jeta e Frida Kahlos gjithmonë ka qenë e vështirë. Kur ishte adoleshente pësoi një aksident që e paralizoi gjithë jetën e saj. Jetonte mes shtratit të saj dhe spitaleve, ku kishte kohë të vizatonte gjithçka që i kalonte në mendje dhe emocionet i ngurtësonte përmes autoportretesh

9. Të dish kur duhet të heqësh dorë

“Nuk jam e sëmurë, jam e thyer”.

Frida Kahlo duroi shumë tradhti të Diegos, dhe i fali. E fundit ishte ajo me motrën e saj të vogël, Cristina. Atëherë ishte dhe kur vendosi se ishte koha ta linte Diegon dhe kur abortoi për herë të tretë. U ndanë për katër vite. Frida na trego se duhet pasur forcë dhe se kurrë nuk është vonë për të qenë i lumtur.

10. T’i lësh gjërat të shkojnë

“Shpresoj që largimi të jetë i gëzueshëm dhe shpresoj mos të kthehem kurrë“.

Varësitë e vranë Fridën. Alkooli i tepërt dhe anemia e tretën trupin e saj, por kurrë shpirtin e forcës dhe lumturisë.

Gjithmonë ishte në krye të festave, në të cilat nuk pushonte së kënduari. E shijoi shumë jetën që vuante. Vetë ajo ishte arsyeja e jetës dhe vdekjes./k.k/KultPlus.com