Studentët aftësohen si udhërrëfyes turistikë në kalanë e Shkodrës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër po asiston me ekspertizën e saj studentët që ndjekin programin “Udhërrëfyesit turistik të rajonit të veriut” të Departamentit të Gjeografisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”.

Gjatë praktikës në terren, në pasuritë kulturore, studentët u njohën me metodikën e guidimit si dhe me vlerat historike, arkitektonike, arkeologjike të Kalasë së Shkodrës, duke i ndihmuar ata të siguronin informacionin e duhur dhe një përvojë më të pasur për studimet e tyre.

Kalaja e Shkodrës është atraksioni kryesor turistik i qytetit. Që në dhjetëditëshin e parë të muajit, DRTK Shkodër njoftoi se viti ka nisur mbarë me 1200 vizitorët e parë kureshtarë të cilët po zbulojnë e rizbulojnë nga dita në ditë një takim të pasur me histori dhe trashëgimi në kala.

Krahasuar me një vit më parë, vizitueshmëria e Kalasë së Rozafatit gjatë 2023-shit u rrit me 31 mijë vizitorë më shumë./KultPlus.com

Ushtarakë nga vendet anëtare të NATO-s vizitojnë Kalanë e Shkodrës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka mikpritur në Kalanë e Rozafës një grup përfaqësuesish ushtarakë nga vendet anëtare të NATO-s, pjesë e komandës së NATO-s, Norfolk Virginia.

Gjatë vizitës, specialistët e DRTK Shkodër patën mundësinë t’i njihnin vizitorët me historinë e kalasë, si një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Grupit të ushtarakëve të NATO-s, iu prezantua “Rozafa”, si një monument i rëndësishëm i promovimit të vlerave historike të Shqipërisë, që së fundmi ka njohur rritje të numrit të vizitorëve.

Vizitat turistike në Kalanë Rozafa kanë vijuar me ecurinë pozitive gjatë muajit prill, duke reflektuar rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj për vitin 2023.

8200 vizitorë u regjistruan gjatë muajit prill ose 1970 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022. / atsh / KultPlus.com

Edicioni i pestë i “Za Fest” përmbyllet në Kalanë e Shkodrës

Nga Thethi, në edicionin e Pestë, ZA Fest, zbriti më poshtë duke i dhënë “ZA” Shkodrës, qytet i cili përherë ka qenë vendtakim i kulturave europiane. Për 3 netë me radhë, në Shirokë, Gjuhadol dhe në kalanë e Rozafatit u bënë bashke artistë shqiptarë të famshëm edhe ne skenat botërore.

Kalaja madhështore e Shkodrës ishte edhe me e bukur në natën finale të festivalit ku u bë mikpritëse e artit të vërtetë.

Jehona e Za Fest tashmë ka kaluar kufijtë e Shkodrës dhe Shqipërisë.

“Vij nga Australia. Jo nuk është hera e parë, e katërta. Është shumë bukur, atmosferë e këndshme, njerëz të mrekullueshëm, mbrëmje e veçantë. Do të jem këtu 2 muaj për të shijuar vendin tuaj, kam miq dhe më pëlqen ta vizitoj Shkodrën”, thotë për Top Channel një shikues.

Za Fest” nisi si një sensibilizim për ruajtjen e Alpeve të Veriut dhe promovon dialogun ndërkufitar, kulturën që bashkon njerëzit, mbrojtjen e natyrës, të drejtat e grave dhe fuqizimin e të rinjve.

Za Fest solli një numër të madh artistësh si Shpat Deda, Josif Gjipani, Ekland Hasa, Gjon`s Tears, Gentian Doda, Vlashent Sata, Gipsy Barcelona Balkan Orchestra etj.

“Zâ-Fest” bëri bashkë artistë shqiptarë në Diasporë dhe trojet shqiptare. Ndaj ky aktivitet realizohet edhe me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Diasporës. Drejtoresha Ekzekutive e AKD, Sonila Hysi dhe Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ishin prezent në hapjen e edicionit të pestë të “Zâ-Fest”, në mbështetje dhe promovimit të vlerave kulturore. / KultPlus.com

Përfundon projekti i ndriçimit artistik të Kalasë së Shkodrës, atraksion turistik edhe gjatë mbrëmjes

Projekti i ndriçimit artistik të Kalasë së Shkodrës tashmë ka përfunduar. Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga ky investim.

“Mirëmëngjes dhe me projektin e përfunduar të ndriçimit artistik të Kalasë së Shkodrës, ju uroj një të dielë të qetë”,- thekson Rama.Pas 8 vitesh errësirë Kalasë së Rozafës në Shkodër i rikthehet ndriçimi. Ndriçimi i kalasë u bë i mundur nga Ministria e Kulturës, që parashikon investimin në 14 kala, mes tyre edhe në atë të Shkodrës. Falë këtij projekti janë ndriçuar ambientet e brendshme dhe të jashtme të kalasë së Shkodrës”.

Rikualifikimi i kalasë së Rozafatit, përmes lojës së dritave, do ta kthejë atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje. Kështjella Rozafa po i kthehet qytetit, si një piknisje për rijetëzimin e kulturës dhe sinergjisë.

Kalaja e Rozafës është monumenti historik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). /ata/ KultPlus.com

Miratohet rindërtimi i murit lindor të kalasë së Shkodrës

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin e restaurimit e ringritjen e murit lindor dhe restaurimi i murit ndarës midis oborrit të parë dhe të dytë, në anën lindore të Kalasë së Shkodrës.

Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në njërin prej mureve dhe ringritje në tjetrin.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Kalaja e Shkodrës që mban emrin Rozafat është një monument mijëvjeçar i ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, në juglindje të tij.

Qëndron mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga lumi Buna e Drin, me një sipërfaqe prej gati 9 hektarësh./atsh/ KultPlus.com