Kur karnavalet festoheshin me veshje kombëtare

Pamjet e mëposhtme, janë shkrepur nga dora e fotografit të shquar korçar, si Vani Burda. Ato janë të nxjerra nga negativet e vetë autorit, të realizuara në ditë karnavalesh në qytetin e Korçës.

Ajo që bën çudi janë fustanellat e veshura nga djem dhe vajza të reja. Tashmë kjo veshje nuk shihet më si e përditshme por si një suvenir i së shkuarës duke humbur shenjtërinë e dikurshme për shkak të adoptimit të modernes dhe duke marrë trajta me spontane.

Vani Burda lindi në Korçë më 1875, në një familje me tradita në çështjen kombëtare, daja i tij ishte patrioti i njohur, Nikolla Naço -“kryeveterani i lëvizjes tonë në Rumani”- siç e quan atë poeti Lasgush Poradeci. Ungji e tërhoqi nipin (Vanin) në Rumani, ku në kapërcyell të shekujve XIX e XX, shkonin shumë shqiptarë, sidomos nga zona e Korçës. Shqiptarët e mërguar, qysh në vitin 1884, kishin krijuar në Rumani, shoqërinë e tyre atdhetare “Drita”, e cila përveç veprimtarive të ndryshme kishte arritur të shtypte edhe libra në gjuhën shqipe. Edhe Vani i ri u antarësua shpejt në të e, krahas fotografimit, të cilin e kishte mësuar atje dhe e ushtronte si artizan për të siguruar jetesën, u angazhua gjallërisht në aktivitete të ndryshme me karakter kombëtar.

Kështu, shënohet se “në Bukuresht, fotografi-patriot ndihmoi në forcimin e shoqërisë patriotike të shqiptarëve të atjeshëm”). Ndërkohë, Burda filloi të gjurmonte për foto e piktura që lidheshin me historinë e Shqipërisë. Nga kërkimet ai gjeti një pikturë të goditur (me autor ende të panjohur) të portretit të iluministit të shquar të Rilindjes, Naum Veqilharxhi, e fotografoi atë pastër e bukur e duke e përjetësuar kësisoj. Duke e shikuar atë foto në faqet e librave tanë të historisë dhe letërsisë, na vjen para syve si i gjallë autori i Abetares shqipe.

Më 1920, Vani Burda, kthehet në vendlindje, Korçë, ku menjëherë çel studion e tij fotografike. Aty, krahas punës artizanale për komunitetin për kujtim a dokumenta, ai realizon edhe foto të sudjuara me përmbajtje të caktuar shoqërore, duke plazmuar në to “pikla arti”. Subjekte, të cilat për një fotograf të zakonshëm ishin fare rutinore, Burda i trajtonte me frymëzim e kërkesa estetike, duke realizuar prej tyre foto mjaft të goditura.

Në vitet ’30, emri i Vani Burdës ishte bërë i njohur në qarqet atdhetare e kulturore shqiptare, jo vetëm në Shqipëri e Rumani, por edhe më gjerë. Kështu në një letër që i dërgon fotografit poeti i njohur Lasgush Poradeci nga Graci (Austri) i drejtohet atij, me fjalët:“Fort i nderuar dhe i dashur mik” – që dëshmojnë për marrëdhëniet midis tyre, si dhe personalitetin e formuar të fotografit-atdhetar.

Poradeci në atë kohë jetonte në Austri, kishte kryer studimet e larta dhe njihej si poet i talentuar, pra ato tregojnë vlerësimin dhe respektin e madh të poetit për fotografin. Ndërsa, Fan Noli, në një letër që i dërgon nga Amerika mikut të tij, atdhetarit Nikolla Naço (ungji i Burdës), e porosit t’i përcjellë të falat “të fala nipit tuaj (Vani Burda)”.

Burda ka lëvruar kryesisht zhanret e portretit, kompozimit, kolazhit, peizazhit duke shkrirë në fotografitë e tij kërkesat estetike me rreptësinë teknologjike, për krijime sa më të arrira në të gjitha drejtimet. Fotografitë e tij përgjithësisht janë bardhë e zi, por ndonjëherë të trajtuara me mjaft sqimë në sepje. Fondi fotografik i Burdës gjindet shumë i shpërndarë. Një pjesë e madhe ndodhet në Arkivin e Shtetit në Tiranë, në Arkivin e Korçës, pjesa tjetër pronë e pasardhësve të tij, madje disa edhe në shtëpi të qytetarëve të ndryshëm, ndoshta në padijeni të vlerave që ngërthejnë ato. Shumë prej tyre janë në pllaka xhami (pozitiv ose negativ), çka i bënë ato lehtësisht të dëmtueshme, gjë që do sillte një humbje tjetër të madhe në histori të fotografisë shqiptare.

Me krijimtarinë me temë çështjen kombëtare dhe veprimtaria e shquar atdhetare, e rendit Vani Burdën në një vend të nderuar në shejzën e Fotografëve të Rilindjes Kombëtare, duke qenë njëherazi edhe një nga përfaqësuesit më të denjë e më të hershëm të historisë së fotografisë shqiptare. / Konica.al / KultPlus.com

Nisin përgatitjet për karnavalet e Korçës, këtë vit festohet ndryshe

Në Korçë kanë nisur përgatitjet për karnavalet, festa simbol e qytetit që ka çelur sezonin turistik veror.

Por këtë vit karnavalet do të jenë ndryshe, të shpërndara në gjithë qytetin në sheshe e rrugë për ta gjallëruar gjithë Korçën e për të shmangur grumbullimet.

Rikthimi i kësaj feste popullore u mirëprit nga banorët e këtij qyteti dhe tërhoqi vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, duke rifituar statusin e festës simbol të qytetit.

Por këtë vit ndryshe nga herët e tjera ku pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të veshur karnaval, me maska e kostume të larmishme plot ngjyra organizatorët kanë menduar ti bëjnë pjesë përmes konkursit Shkrepe Karnaval ku secili mund të dërgojë foto dhe video me veshje karnaval. / KultPlus.com