Java Britanike “shkon” në Korçë, diskutime mbi të ardhmen e gjuhës angleze

Aktivitetet për Javën Britanike vazhduan në Korçë.

Ambasada britanike në Tiranë njoftoi se në bashkëpunim me Universitetin Fan S. Noli të Korçës, Këshilli britanik në Shqipëri zhvilloi një diskutim të jashtëzakonshëm mbi të ardhmen e gjuhës angleze.

Të pranishme në aktivitet ishin zëvendësrektorja e Universitetit, Benita Stavre dhe zëvendësdrejtoresha e Këshillit britanik për Ballkanin Perëndimor, Majlinda Mazelliu.

Diskutimi u përqëndrua në gjetjet e librit të parë të Këshillit Britanik ‘E ardhmja e gjuhës angleze’, i cili do të japë një kontribut të rëndësishëm në të menduarit dhe kuptimin e rolit të gjuhës angleze në botë, në dekada që do të vijnë./atsh/ KultPlus.com

Nis Festivali Kombëtar i Komedisë në Korçë

Për të 10-in vit Korça pret Festivalin Kombëtar. Në skenë do të shfaqen 8 shfaqje, 8 trupa që do të sjellin 8 komedi të ndryshme.

Aktiviteti bën bashkë trupa artistike nga të gjitha trevat, përfshirë edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Të parët u ngritën në skenë mikpritësit, teatri Andon Zako Çajupi i Korçës.

Në këtë 10 vjetor të festivalit u hap edhe një ekspozitë. Në fund të aktivitetit do të jepen edhe çmime për performancat më të mira. /Klan News/ KultPlus.com

‘Kur nata Korçën e mbulon’ (Video)

Eli Fara është një artiste që në trojet shqiptare njihet me zërin e saj unik, dhe cilësohet si një nga këngëtaret më të njohura të ‘serenatës’, përcjellë KultPlus.

Ajo është shpallur Artiste e Merituar e Shqipërisë nga qeveria shqiptare para vitit 2000. Ndërsa në vitin 2012, ajo u shpall finaliste në festivalin, Kënga Magjike, me këngën “Romale”, një këngë e përzier me zhanre të ndryshme.

Eli Fara ka lindur më 21 maj 1968  në Korçë, por me origjinë është nga Dhoksati i Gjirokastrës.

Fillimisht ajo ka qenë mësuese e gjuhës shqipe në një shkollë fillore në Drenovë. Rrugëtimi i saj shënoi një pikë kthese kur ajo filloi të interpretonte  këngë popullore urbane të rajonit të saj.

Më poshtë gjeni interpretimin e Eli Farës, ‘Kur nata Korçën e mbulon’:

Kur nata Korçen e mbulon
dhe kafenete mbushen plot
atje qan zemra ime dhe vajton
dhe raki kerkon

Do te vij do te vij moj xhan
me lot moj do te qaj
zjarrin e zemres time
ta shuaj moj me duhan

Do te vij do te vij moj shpirt
do te ulem dhe do te pij
zjarrin e zemres time
ta shuhaj moj me raki

Kjo kamarjerja jone sy zeze
na servir na buzeqesh
ajo rri bashke me ne
syrin na i shkel dhe raki na sjell

Do te vij do te vij moj xhan
me lot moj do te qaj
zjarrin e zemres time
ta shuhaj moj me duhan

Do te vij do te vij moj shpirt
do ulem dhe do pij
zjarrin e zemres time
ta shuaj moj me raki/KultPlus.com

Korça, krahina autonome nën mbrojtjen franceze

Më 16 shkurt 1918, Korça u mor në administrimin e drejtpërdrejtë të komandës franceze.

Pushkatimi i Themistokli Gërmenjit më 7 nëntor 1917, dobësoi ndjeshëm lëvizjen kombëtare shqiptare. Në vijim, organet e sigurimit francez arrestuan bashkëpunëtorët e ngushtë të Gërmenjit, drejtorin e Policisë Qamil Panaritin dhe komisarin Mehmet Pupe. Duke abroguar Protokollin e 10 dhjetorit 1916, sipas të cilit qyteti i Korçës ishte një krahinë “autonome” e administruar nga shqiptarët nën mbrojtjen e autoriteteve franceze, komanda forcoi kontrollin dhe praninë e saj.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se gjithsesi në krahinë vazhdoi të ngrihej flamuri shqiptar krahas atij francez, si edhe në shkollat që u hapën dhe vijuan me mësimdhënien. Në maj të vitit 1920, forcat franceze u larguan nga Korça, duke marrë fund kështu edhe krahina “autonome” e Korçës./ atsh / KultPlus.com

“Nastradini” shëtit në rrugët e Korçës

Një shfaqje e një karakteri tepër të veçantë ka ofruar Teatri “A.Z. Çajupi” i Korçës për publikun e qytetit. Rrëfenjat e famshme të Nastradinit, kanë ardhur në një formë tjetër. Nuk ka qenë publiku që ka shkuar në teatër, por anasjelltas. Aktorët kanë vënë shfaqjen nëpër rrugët e Korçës, duke bërë ndalesa në disa pika të rëndësishme të qytetit, si sheshi para Katedrales, Muzeu Arkeologjik dhe Mitropolia.

Aktorët e Teatrit A.Z.Çajupi, janë bërë bashkë me aktorë nga Italia dhe të rinjtë e talentuar të “Rin Show”.

Shfaqja “Në kepucët e Nastradinit”, me tekst e regji të Laura Fatinit, shijohet në lëvizje, dhe do të luhet edhe sot në mbrëmje. Ajo i është bashkuar projektit “Giufà” të një grupi artistësh të rinj italianë. Emrin ky projekt e merr nga versioni sicilian i Nastradinit, një personazh rrëfenjash, që ka jetuar në Turqinë e shekullit të 13-të, por që njihet në të gjithë Ballkanin e më gjerë, me emra të ndryshëm.

Shfaqja “Në këpucët e Nastradinit”, ngjalli shumë interes dhe argëtoi publikun”, është shprehur aktorja dhe njëkohësisht drejtore e Teatrit, Zamira Kita. Ajo i ka ftuar artdashësit, edhe sot, të mblidhen para Katedrales, për të nisur udhëtimin teatror.  Shfaqja jo vetëm të argëton, por ka dhe nje mesazh shumë të bukur.

“Mos i ndaloni njerëzit të lëvizin, sepse rrezikoni të ndaloni historitë e tyre dhe kështu ju ndaloni jetën”-tha Kita.

“The Giufà Project”, është një “kuti” krijimesh artistike të zhanreve të ndryshme, dhe multikulturalizmi, që ka synimin të ngrejë ura komunikimi mes kulturave të Mesdheut./atsh/ KultPlus.com

Korçarët populli më punëtor, qyteti i dembelave është në veriun e Shqipërisë

Qarqe të ndryshme të vendit shfaqin sjellje ekstreme ndaj punës, pasi në disa prej tyre popullsia në moshë punë (+15 vjeç) shfaq një interes të lartë për të punuar ose është gjithmonë në kërkim të një pune, ndërsa në disa të tjera grupi i popullsisë në moshë pune nuk dëshiron të punojë, d.m.th. nuk është në kërkim të një pune edhe pse në treg ka nevojë për pune.

Për shembull qarqet e Gjirokastrës dhe Korçës kanë një interes më të lartë ndaj punës se qarqet e tjera. Siç raportoi INSTAT në qarkun e Gjirokastrës 74 % e popullsisë në moshë pune (+15 vjeç) punuan ose ishin në kërkim të një pune në tremujorin e tretë të vitit 2021. Gjithashtu korçaret paraqesin një interes më të lartë se qarqet e tjera për tregun e punës, pasi 68.7 për qind e tyre ishin në punë ose në kërkim të saj. Në të kundërt në qarkun e Lezhës interesi i popullsisë për punë është shumë i ulët, edhe pse bizneset në zonë shfaqin mungesa të theksuara për punonjës.

Sipas të dhënave të INSTAT vetëm 48.9 për qind e popullsisë në moshë pune në qarkun e Lezhës ishte në punë apo në kërkim të një punë në 3 mujorin e tretë, ndërsa pjesa tjetër më shumë se gjysma e popullsisë në moshë punë nuk janë as në punë dhe as duke kërkuar pune.

Nga ana tjetër bizneset në zonë po vuajnë mungesën e theksuar të punonjësve. Alban Zusi që ka disa fabrika në industrinë përpunuese në këtë qytete pohoi se, mungesa e punonjësve është shndërruar në shqetësimin kryesor vitet e fundit. Lezha është një nga qarqet vendit që ofron punësimin në shërbime për shkak të zhvillimit të shpejtë të turizmit. Gjithashtu qarku i Lezhës ka të zhvilluar bujqësinë argotizmin dhe industrinë përpunuese.

Pas Lezhës interes të ulët për tregun e punës shfaqin dibranët. Në këtë qark vetëm 54 për qind e popullsisë në moshë punë ishin duke punuar ose duke kërkuar punë. Dibra është një qark ku mbizotëron vetëpunësimi në bujqësi.

Popullsia e qarkut të Tiranës gjithashtu ka një pjesëmarrje të ulët në tregun e punë të popullsisë në moshë pune. Vetëm 55% e popullsisë mbi 15 vjeç ishin në punë ose në kërkim të punës, duke e renditur kryeqytetin me popullsinë me pasive në vend edhe pse ka ofertën më të lartë për punë në shkallë kombëtare si rrjedhojë e përqendrimit më të lartë të aktivitetit ekonomik.

Gjatë tremujorit të tretë 2021, në qarkun e Durrësit kishte një interes më të lartë për të marrë pjesë në tregun e punës në raport me dy vitet paraardhëse, si rrjedhojë e përfshirjes në procesin e rindërtimit.

Nga Italia dhe Kosova, qindra zogj ekspozohen në festivalin e mbajtur në Korçë

700 zogj u ekspozuan në Korçë gjatë edicionit të 4-të në festivalin e zogjve.

Këngët e tyre por edhe ngjyrat e bukura e tipare te tjera që i bëjnë aq të veçantë thyen heshtjen e sallës dhe tërhoqën jo pak vëmendje.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre të sjellë nga Italia, të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria por edhe kanarinat e Korçës u vendosën tek qyteza e fëmijëve me synimin për të rritur ndërgjegjësimin sidomos tek fëmijët për kujdesin dhe dashurinë ndaj zogjve.

Korça nuk është një zgjedhje dhe aq rastësore e organizatores së këtij festivali, pasi qyteti ndër vite ka qenë i njohur për kanarinat dhe mbajtjen e tyre në shtëpi madje aq e kultivuar ka qenë kjo traditë sa një lloj kanarine njihet si kanarinat e Korçës.

Pasioni për zogjtë është i veçantë dhe po i tillë është edhe kujdesi e përkushtimi që u nevojitet.

Pas ekspozimit dy ditor në Korçë juria ka vlerësuar edhe fituesit sipas kategorive ndërsa në ditën e tretë festivali është hapur për publikun. / KultPlus.com

Spiridon Ilo, shqiptari që kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar

Më 30 Shtator të vitit 1876, u lind në Korçë, muzikanti e atdhetari i njohur shqiptar, Spiridon Ilo. Mërgoi që herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku krahas punës së përditshme, ndoqi dhe studimet e larta për muzikë.

Ai ishte shqiptari i parë, që ngriti një firmë për ndërtimin e pllakave të gramafonit dhe regjistroi shumë këngë patriotike dhe popullore shqiptare. Në vitin 1913 u largua nga Shqipëria dhe u kthye në Rumani.

Në vitin 1916 emigroi në New York, të Amerikës ku hapi një kafene të vogël. Spiridon Ilo themeloi shoqërinë e parë diskografike me këngë shqip, në vitin 1923. Nën drejtimin e tij, diskografia luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare në vitet 1920-1940.

Ilo kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar të Shqipërisë. Në këtë regjistrim, me numër regjistrimi E-3948, himni u këndua nga Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh, Gjuzeppe Mauro.

Në vitet `20 botoi e shpërndau kartolina me temë patriotike. Ka botuar komedinë “Vërtet ëndërr” si dhe përmbledhjen me këngë patriotike “Dëshirat e zemrës”.

Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Më 1 prill të vitit 1945 iu akordua pension si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Kallëpet e pllakave të gramafonit Spiridon Ilo i solli në Shqipëri dhe më 1946 ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv. Vdiq në Korçë në vitin 1950./ KultPlus.com

‘Në Korçë ajri i kulluet të prehte hundët dhe të freskonte mushknijtë’

“Nder të gjitha qytetet e Shqipnís – mbas mendimit tem – Korça âsht ajo kû frymzimi i qytenís okcidentale paraqitet mâ haptas e jo krejt si nji bimë ekzotike.

Në Korçë ké fort pak rrugaca (impas) e rrugat, edhè në mos kjoshin gjithkund të drejta e të shtrueme, janë të krahazueshme me ndërtesa, shêji qi mbrendë nuk zotnon aq fort mosbesimi ndërmjet bashkëqytetasve, prà shêji që aty ka qytetní; pse qytetnija, së pari, bazohet n’socjabilitet të qytetasve.

Mbasandej në Korçë gjen edhè sod asish që interesohen për të mirë të pergjithtë, kush tue ngrefë me mjete të veta nji shkollë, a nji kishë, a ndonji smuetore, a ndoj bibliotekë qytetse etj.

Kà edhè shumë asish që kanë krye msime të nalta jashta Shqipnijet, posë se kà shumë asì tjerësh që për punë kanë kërkue botën mbarë e s’kanë ndêjë mshilë në vend të vet si zogu i pulës në gzhojë të voes.

E mbasandaj: e po kû shef njeti në Shqipní arët e livadhet pa shtigje e gardhiqe, përpos se ndër rrethina të Korçës? Kjo âsht – mos tjetër – përshtypja që mue m’ká bâ qyteti i Korçës”.

Gjergj Fishta, Nji udhëtim në Turkí të ré, në “Hylli i Dritës”, 1931-1932.

Dom Lazër Shantoja për Korçën:

“Korça ishte qytet! Tekembramja nji qytet në Shqipnì! Shetitore të gjana, rruga e rrugica të drejta, shtëpija të bukura si vila, pomendore e lulishta.

Nji pastërti të pakundshoqen në tanë Shqipnìn. Tepsì. Ajri i kulluet të prehte hundët dhe të freskonte mushknijtë.

Më dukej se ishem në nji qytet t’Engadinës. Malet përreth cikalue me borë më kujtojshin pikturat e Segantinit. U enthuzjazmova për Korçë. Aty bâna edhe nji zbulim t’interesantshëm. Shkova nji ditë me pamun Motrat Stigmatine. Më përsillte nji çupkë korçare.

Më pyet: “A i keni motra?” “Jo, – i përgjegji, – nuk i kam motra, por kështu i quejmë na.” Më pyet prapë çupa e vogël, çiçeronka e ime: “Po prej nga jeni ju?” I përgjigjem: “Prej Shkodre!” E ajo me serjozitetin mâ të madh: “Eh! Prandaj nuk dini me folë shqip…!” Si mos me qeshë? Lotët me duelën prej gazit.

Kam bâmun disa vizita në Korçë. Ndër shtëpija kristjane e myslimane. Kam kaluemun aty disa orë të paharrueshme. Pritje e përzemërt, e qeshun, bisedime t’interesantshme, atmosferë elegance e qytetnimi.

Djelm të rì qi kanë frekuentue universitete, zonjusha qi kanë krye konservatoriume të flasin mbi çashtjet mâ djegse të ditës, mbi problemet mâ t’interesantshme të jetës. Me nji zonjushë korçare nuk ke frikë se bân nji gaffe me folun, bje fjala, mbi kromatizmin e Debussy-it apo mbi librin e fundit të Daniel Rops-it.

Janë “à la page”. Korça m’âsht pëlqye tepër.
Kam dalun prej Korçe tue bluemun nëpër mend lamshin e nji përralle të Hoffmann-it. Ai shkruen për nji shpirt qi rrinte ndryemun në nji vjolinë.

Korçë, vjolinë e bukur e Jugës, cili âsht shpirti i yt…?
Tiranë-Korçë, në ‘Tomori”, 29 mars 1941. / KultPlus.com

“Shqipëria që nuk prisja”, turisti italian befasohet nga Korça

Gjatë këtij sezoni turistik, rrugët e Shqipërisë janë mbushur me turistë nga e gjithë bota.

Bukuria e natyrës, çmimet e lira, promovimi i vendit dhe mungesa e kufizimeve anti Covid kanë tërhequr mijëra shtetas të huaj. Shumë prej tyre, vijnë në Shqipëri për herë të parë, por jo të fundit.

I tillë është rasti i një turisti Italian, që ka ardhur në Korçë. Fabiano e ka ndarë eksperiencën e tij në rrjetet social, ku nuk e ka fshehur habinë. “Djema, kjo është surprizë e madhe”, thotë ai.

“Erdha në Korçë, qytet në juglindje të Shqipërisë, në kufi me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Korça është një nga qytetet më të mëdha në vend. Është shumë pastër këtu. Kjo është Shqipëria që nuk prisja të shihja”.

INSTAT llogariti se deri në fund të korrikut kanë hyrë në vend mbi 2.8 milionë vizitorë të huaj, duke iu përafruar niveleve të vitit 2019-të. / Top Channel / KultPlus.com

Dështon protesta kundër Goran Bregovic, dalin vetëm katër persona

Dështon protesta e paralajmëruar në rrjetet sociale kundër Bregoviç, 3 vetë ndjekin organizatorin e saj Kujtim Gjuzi.

Thirrjes së ish deputetit Kujtim Gjuzi, i cili kishte bërë edhe njoftim në Komisariatin e Korçës për mbajtjen e një proteste paqësore këtë të diel kundër këngëtarit të ftuar në Festën e Birrës, i janë bashkuar vetëm 3 persona.

Ata lëvizën përgjatë pedonales me një pankartë, ku shkruhej: Gregor Bregoviç nuk je i mirëpritur në festën e Birrës, nëse kërkon ndjesë për të kaluarën, të falim!/ KultPlus.com

Protestë në Korçë kundër Bregoviqit

Qytetarët e Korçës do të protestojnë për praninë gjatë Festës së Birrës të këngëtarit serb, Goran Bregoviç.

Kjo është bërë e ditur nga Faqja “Korça Report”, ku thuhet se kanë dorëzuar në polici njoftimin për protestë, që pritet të zhvillohet ditën e nesërme.

“Rezistencë në rritje kundër pranisë të këngëtarit serbo-kroat Goran Bregoviç në Festën e Birrës në Korçë, ndërsa bashkia si organizatore refuzon të tërhiqet nga ftesa për këngëtarin. Zhvillimi më i fundit në reaksionin e pakënaqësive është një protestë e lajmëruar nga qytetarët, dhe që pritet të zhvillohet nesër”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Rezistenca kundër Goran Bregoviç në Festën e Birrës, lajmërohet protestë nga qytetarët korçarë.

Rezistencë në rritje kundër pranisë të këngëtarit serbo-kroat Goran Bregoviç në Festën e Birrës në Korçë, ndërsa bashkia si organizatore refuzon të tërhiqet nga ftesa për këngëtarin. Zhvillimi më i fundit në reaksionin e pakënaqësive është një protestë e lajmëruar nga qytetarët, dhe që pritet të zhvillohet nesër.

‘Sapo dorëzuam dokumentin ne komisariatin e Policisë Korçë që njofton për protestë, për të ndaluar këngëtarin serb Goran Bregoviç ne Festen e Birra Korca.

Ju ftojmë te gjithe Intelektualet, qytetaret nga te gjitha trojet etnike te jenë prezent, per te ndaluar kengetarin serb, anti-shqiptarin Goran Bregoviç.

Protesta eshte PAQESORE, edhe e HESHTUR. Vendndodhja katedralia ortodokse Korçë. Diten e diel datë 08-08-2021. Ora 11:00’ bëri të ditur një prej qytetarëve organizatorë të protestës. / KultPlus.com

Shkolla Amerikane e Korçës, shkolla e parë shqiptare për vasha

Kjo shkollë ishte shkolla e parë shqiptare për vasha dhe u bë vatër e arsimit shqiptar dhe e ideve për liri e përparim kombëtar. Ajo mblodhi rreth saj patriotët më të shquar. Lindi si një ide dhe e Gjerasim Qiriazit, i cili e shihte nevojën e madhe për një institucion të tillë që do të shërbente për emancipimin e grave shqiptare.

Me dëshirën e zjarrtë për të ndihmuar sadopak popullin e tij, Gjerasimi bashkë me të shoqen, Athinanë, vendoset në Korçë në vitin 1890 dhe aty fillon të predikojë në gjuhën shqipe, ku gjeti ndër njerëzit një etje të madhe për të.

Nga ky shkak fitoi simpatinë dhe përkrahjen e shumë patriotëve shqiptarë, veçanërisht të Jovan Cico Kosturit, Orhan Pojanit, Thimi Markos, Petro Nini Luarasit e Thanas Sinës, të cilët e lutën që të predikojë shqip në ndërtesën e Mësonjëtores së Parë Shqipe. Më 23 tetor 1891 Gjerasimi dhe e motra Sevastia, e cila sapo kishte mbaruar studimet në Shkollën Amerikane për Vajza në Stamboll, (themeluar nga “Bordi Amerikan i Komisionerëve për Misionet e Huaja”) të vendosur për të përmbushur nevojën e popullit shqiptar për arsim në gjuhën amtare, çelën në Korçë të parën shkollë shqipe për vajza. Në ceremoninë e diplomimit të Sevastisë në Stamboll, kishte qenë i pranishëm dhe Naim Frashëri, si përfaqësues i Ministrisë së Arsimit.

Personeli i shkollës në vitet e para, përbëhej nga: Gjerasim Qiriazi, drejtor, Sevasti Qiriazi, Thanas Sina Postenani dhe Fanka Eftim. Mësues të tjerë që kanë dhënë mësim në këtë shkollë janë edhe patriotët e shquar Grigor e Katerina Cilka, Gjergj Qiriazi, Kristo Dako, Parashqevi Qiriazi, nxënëse të kësaj shkolle Polikseni Luarasi, Helidhona Titu (Falli), amerikanët Fineas e Violet Kenedi të Misionit Amerikan etj.

Pas vdekjes së Gjerasimit në vitin 1894, vendin e tij e zuri i vëllai Gjergj Qiriazi e më pas Thanas Sina e Grigor Cilka dhe secili dha një kontribut të shquar për përparimin e kombit shqiptar.

Mësuesit e kësaj shkolle janë ndër patriotët më të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare. Ata qenë në ballë të luftës për liri e arsim kombëtar e në krye të ngjarjeve më të rëndësishme të atyre viteve: mësues në shkollën shqipe, përkthyes e shpërndarës librash në gjuhën amtare, propogandues të ideve kombëtare, hartues abetaresh e gramatikash, tekstesh shkollore, pjesëmarrës në Kongresin e Alfabetit, 1908, pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit që solli çeljen e shkollës pedagogjike (normale), luftëtarë politikë, përkrahës të shtetit shqiptar më 1912, përkrahës të qeverisë së Vidit etj. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com

Rikthehet Festivali i Filmit në Korçë

Rikthehet Festivali i Filmit me metrazh të shkurtër në Korçë. Ndryshe nga një vit më parë që u zhvillua online, këtë herë ky organizim u mbajt me praninë e publikut.

Janë 31 filma nga 20 shtete të botës dhe të zhanreve të ndryshëm.

Kryesisht janë filma fiksion, filma artistikë, por ka edhe dokumentarë dhe filma të animuar”.

Prodhimet kinematografike do të shfaqen për disa ditë në qytetin juglindor.

Deri ditën e shtunë do të shfaqen dy programacione të ndryshme, një te Teatri i Korçës në orën 11:30 dhe gjatë mbrëmjes në orën 20:30 te Muzeu Arkeologjik”.

Mbajtja e këtij festivali me praninë e publikut, konsiderohet e rëndësishme edhe nga anëtarët e jurisë.

Janë impresione që nuk merren dot nga celularët dhe nga ekranet e laptopit, pikërisht për t’iu larguar asaj faze që kaluam, të pandemisë sepse aty kemi qenë të detyruar vërtet që të bënim kompromis me kushtet e transmetimit”, tha aktori Genci Fuga.

Për mua është shumë e rëndësishme që t’i rikthehemi sa më shpejt aktiviteteve të këtij tipi sepse filmi është një përvojë sa artistike, aq edhe kulturore, kështu që shpresoj të ketë publik, të ketë pjesëmarrës dhe padyshim që do të jetë një ngjarje e veçantë”, u shpreh një tjetër anëtare.

Festivali ka gjetur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe bashkisë së Korçës. Në natën finale do të ndahen edhe çmimet për regjisorin, skenaristin aktorët më të spikatur si dhe kategori të tjera. / tvklan.al / KultPlus.com

Kur karnavalet festoheshin me veshje kombëtare

Pamjet e mëposhtme, janë shkrepur nga dora e fotografit të shquar korçar, si Vani Burda. Ato janë të nxjerra nga negativet e vetë autorit, të realizuara në ditë karnavalesh në qytetin e Korçës.

Ajo që bën çudi janë fustanellat e veshura nga djem dhe vajza të reja. Tashmë kjo veshje nuk shihet më si e përditshme por si një suvenir i së shkuarës duke humbur shenjtërinë e dikurshme për shkak të adoptimit të modernes dhe duke marrë trajta me spontane.

Vani Burda lindi në Korçë më 1875, në një familje me tradita në çështjen kombëtare, daja i tij ishte patrioti i njohur, Nikolla Naço -“kryeveterani i lëvizjes tonë në Rumani”- siç e quan atë poeti Lasgush Poradeci. Ungji e tërhoqi nipin (Vanin) në Rumani, ku në kapërcyell të shekujve XIX e XX, shkonin shumë shqiptarë, sidomos nga zona e Korçës. Shqiptarët e mërguar, qysh në vitin 1884, kishin krijuar në Rumani, shoqërinë e tyre atdhetare “Drita”, e cila përveç veprimtarive të ndryshme kishte arritur të shtypte edhe libra në gjuhën shqipe. Edhe Vani i ri u antarësua shpejt në të e, krahas fotografimit, të cilin e kishte mësuar atje dhe e ushtronte si artizan për të siguruar jetesën, u angazhua gjallërisht në aktivitete të ndryshme me karakter kombëtar.

Kështu, shënohet se “në Bukuresht, fotografi-patriot ndihmoi në forcimin e shoqërisë patriotike të shqiptarëve të atjeshëm”). Ndërkohë, Burda filloi të gjurmonte për foto e piktura që lidheshin me historinë e Shqipërisë. Nga kërkimet ai gjeti një pikturë të goditur (me autor ende të panjohur) të portretit të iluministit të shquar të Rilindjes, Naum Veqilharxhi, e fotografoi atë pastër e bukur e duke e përjetësuar kësisoj. Duke e shikuar atë foto në faqet e librave tanë të historisë dhe letërsisë, na vjen para syve si i gjallë autori i Abetares shqipe.

Më 1920, Vani Burda, kthehet në vendlindje, Korçë, ku menjëherë çel studion e tij fotografike. Aty, krahas punës artizanale për komunitetin për kujtim a dokumenta, ai realizon edhe foto të sudjuara me përmbajtje të caktuar shoqërore, duke plazmuar në to “pikla arti”. Subjekte, të cilat për një fotograf të zakonshëm ishin fare rutinore, Burda i trajtonte me frymëzim e kërkesa estetike, duke realizuar prej tyre foto mjaft të goditura.

Në vitet ’30, emri i Vani Burdës ishte bërë i njohur në qarqet atdhetare e kulturore shqiptare, jo vetëm në Shqipëri e Rumani, por edhe më gjerë. Kështu në një letër që i dërgon fotografit poeti i njohur Lasgush Poradeci nga Graci (Austri) i drejtohet atij, me fjalët:“Fort i nderuar dhe i dashur mik” – që dëshmojnë për marrëdhëniet midis tyre, si dhe personalitetin e formuar të fotografit-atdhetar.

Poradeci në atë kohë jetonte në Austri, kishte kryer studimet e larta dhe njihej si poet i talentuar, pra ato tregojnë vlerësimin dhe respektin e madh të poetit për fotografin. Ndërsa, Fan Noli, në një letër që i dërgon nga Amerika mikut të tij, atdhetarit Nikolla Naço (ungji i Burdës), e porosit t’i përcjellë të falat “të fala nipit tuaj (Vani Burda)”.

Burda ka lëvruar kryesisht zhanret e portretit, kompozimit, kolazhit, peizazhit duke shkrirë në fotografitë e tij kërkesat estetike me rreptësinë teknologjike, për krijime sa më të arrira në të gjitha drejtimet. Fotografitë e tij përgjithësisht janë bardhë e zi, por ndonjëherë të trajtuara me mjaft sqimë në sepje. Fondi fotografik i Burdës gjindet shumë i shpërndarë. Një pjesë e madhe ndodhet në Arkivin e Shtetit në Tiranë, në Arkivin e Korçës, pjesa tjetër pronë e pasardhësve të tij, madje disa edhe në shtëpi të qytetarëve të ndryshëm, ndoshta në padijeni të vlerave që ngërthejnë ato. Shumë prej tyre janë në pllaka xhami (pozitiv ose negativ), çka i bënë ato lehtësisht të dëmtueshme, gjë që do sillte një humbje tjetër të madhe në histori të fotografisë shqiptare.

Me krijimtarinë me temë çështjen kombëtare dhe veprimtaria e shquar atdhetare, e rendit Vani Burdën në një vend të nderuar në shejzën e Fotografëve të Rilindjes Kombëtare, duke qenë njëherazi edhe një nga përfaqësuesit më të denjë e më të hershëm të historisë së fotografisë shqiptare. / Konica.al / KultPlus.com

‘Doktor Shuster’, drama morale dhe sociale e familjes në kohët moderne

“Doktor Shuster”, drama me regji nga Qëndrim Rijani, vënë në skenë nga teatri “A. Z. Çajupi” në Korçë, nis garën në Festivalin e Teatrove të Ballkanit në Turqi. Festivali që bashkon trupa të ndryshme teatrore, çel mbrëmjen e sotme siparin, për t’u finalizuar më 28 të këtij muaji. Ndërsa 25 qershori, do të ngjisë në skenë “Doktor Shuster”, komedia e zezë që vjen nga trupa e Korçës në këtë festival.

Vepra e autorit Dushan Kovaçeviç, ka në role aktorët: Sotiraq Bratko, Zamira Kita, Dritëro Ame, Blerta Belliu, Shkëlqim Jaupi, Niki Petriti, Flori Topra, Gloria Nure, Eni Malësia, Flavia Zere, Panajot Qorri.

Më herët, drejtoresha e teatrit të Korçës, Zamira Kita, bën të ditur pjesëmarrjen në festival, duke shkruar mes të tjerash, se “është një shfaqje e bërë me shumë pasion, këtu e shtatë vite më parë”.

“Doktor Shuster” është drama fituese e tre çmimeve të mëdha “Kult”: aktori Sotiraq Bratko, aktorja Zamira Kita dhe regjia Qëndrim Rijani, për vitin 2016. Tre çmime të tjera në festivale të rëndësishme, si çmimi i karrierës dy herë, për aktorin Sotiraq Bratko dhe artistja e re, për këngëtaren Niki Petriti.

Përveç teatrit të Korçës, vepra është rishfaqur në Teatrin Kombëtar, amfiteatrin e Durrësit, qytetin e Kërçovës, në Tetovë, Kumanovë, në Teatrin e Qytetit Ferizaj, Teatrin e Manastirit dhe teatrin “Zvezdara” në Beograd. Me regji nga Qëndrim Rijani, asistent regjisor është Nikola Stefanov, skena dhe kostume Erald Bakalli.

Drama e nëpërkëmbjes së vlerave, me autor dramaturgun Dushan Kovaçeviç, vjen si një komedi e zezë, që shpalosi njëherësh edhe talentin e aktorëve. Në një reagim të tij më parë, regjisori Qëndrim Rijani pohonte se, përmes komedisë së zezë shfaqet edhe realiteti ku jetojmë në raport me mesazhin që jep vepra.

“Vepra përfaqëson dhe shqetësimin tim personal, përmes fjalëve të autorit. Fakti që zgjodha këtë vepër teatrore, për ta sjellë në skenën e teatrit është problematika e saj, që është koherente me problematikat e shoqërisë që jetojmë në kohë tranzicioni”, – pohonte mes të tjerave, regjisori Qëndrim Rijani.

Mesazhet që përcjell vepra e Dushan Kovaçeviçit, janë komplekse, që nga respekti për të moshuarin, për të vdekurin, te marrëdhënia me Zotin.

Në komedinë e zezë të regjisorit Rijani, gjithçka rrotullohet rreth 7 karrocave invalidësh, që metaforikisht, trajtojnë handikapin e shoqërisë tonë mbi të vërtetat tronditëse, si raporti baba-fëmijë, burrë-grua, motër-vëlla dhe vëlla me vëlla.

Komedia dramatike “Doktor Shuster” përmban brenda saj, gjithë problematikën e rajonit të Ballkanit. Ndërsa elementi  i karrocës, vjen si përkrahje ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara – keqardhja, është ajo për të cilën, ata kanë sa më pak nevojë.

Me suksesin që drama ka njohur në shumë skena botërore, vepra erdhi edhe në skenën shqiptare, teksa 25 qershori shënon një fazë tjetër shumë të rëndësishme kompetitive në Festivalin e Teatrove të Ballkanit. Qëndrim Rijani, është regjisor i njohur, me një karrierë të larmishme, përfshirë vepra të huaja dhe shqiptare, shfaqur edhe në Evropë. / Konica.al / KultPlus.com

5 muzeumet unike në Korçë, në vëmendje të turistëve

Korça është kthyer në një destinacion turistik të rëndësishëm, si dhe një nga shembujt më domethënës të qyteteve shqiptare që shfrytëzojnë turizmin vjetor, kryesisht atë malor dhe kulturor.

Me kapacitete të shtuara akomoduese dhe rritje të investimeve të brendshme, ky qytet po tenton që të tërheqë edhe më shumë vëmendjen e vizitorëve.

Resurset natyrore, trashëgimia e pasur kulturore dhe historike, por edhe fshatrat turistikë, kanë bërë që turizmi në këtë qytet të jetë një burim për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet.Pesë muzeumet unike, janë një vlerë e shtuar në prurjet turistike, që tërheqin interesin e vizitorëve në çdo kohë të vitit.Bashkia e Korçës fton turistët, të kalojnë një fundjavë të bukur në Korçë dhe të mos ikin pa vizituar muzeumet.Muzeu i Fotografisë “Gjon Mili”, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Muzeu Kombëtar i Arsimit, Muzeu Oriental “Bratko”, Muzeu Arkeologjik, janë pa diskutim muzeumet më unike në Shqipëri, të cilat ruajnë identitetin dhe kulturën brenda çdo vepre të ekspozuar. /atsh/ KultPlus.com

104 vite nga shpallja e Korçës krahinë autonome

Sot janë bërë 104 vite që nga shpallja e Korçës krahinë autonome, shkruan KultPlus.

Ishte 10 dhjetori i vitit 1916 kur u shënua një kthesë e rëndësishme historike për qytetin shqiptar.

Qyteti i Korçës rrezikonte të binte nën pushtimin grek. Bisedimet mes Themistokli Gërmenjit dhe kolonelit të atëhershëm francez, Dekoen bënë që Korça të fitonte autonominë nën mbrojtjen e Francës.

Administrata ishte shqiptare, teksa në përbërje të saj kishte të krishterë dhe myslimanë.

Në këtë kohë qyteti pati një zhvillim të madh ekomomik, u hartuan rregullla të reja, u mbyllën shkollat e huaja dhe u hapën të tjera shkolla në gjuhën shqipe, qarkullonin monedha dhe pulla të reja të Krahinës Autonome.

Qeveria vetë qeverisëse pati një jetëgjatësi të shkurtër deri kur qyteti u drejtua plotësisht nga Francezët në vitin 1918, por megjithatë francezët nuk ju hoqën të drejtën themelore korçarëve për të mësuar në gjuhën shqipe dhe shkollat vazhduan aktivitetin e tyre. / KultPlus.com

Restaurohet ikona “Shën Triadha me Shenjtorë” në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë

Ikona “Shën Triadha me Shenjtorë” në Muzeun e Artit Mesjetar Korçë është në proces restaurimi, për të nxjerrë në dritë vlerat e vërteta të kësaj vepre.

Restaurimi dhe konservimi i thesareve kulturore mbetet një sfidë e përditshme e ekipit restaurues të ikonave në këtë muze.

“Kjo ikonë vjen nga kisha “Burimi Jetëdhënës” Korçë dhe ndahet në dy breza. Në pjesën e sipërme paraqitet Trinia e Shenjtë, ndërsa poshtë katër shenjtorë të cilët kanë shkelur me këmbë dragoin”, – thekson Muzeu i Artit Mesjetar Korçë.

Sipas tij, nga e majta në të djathtë paraqiten në pamje ballore Shën Harallambi, Shën Vasili, Serafimi dhe Shën Gjergji.

“Një ikonë e ngjashme në kompozim është pikturuar nga Tërpo Zografi në vitin 1800”, – thekson muzeu.

Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë vazhdon të zgjojë interesin e turistëve vendas dhe të huaj.I konsideruar si një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë, ai hapi dyert në vitin 1980 dhe iu nënshtrua restaurimit në vitin 2016, ku u vendos në ndërtesën e re bashkëkohore.

Me një fond prej 8000 ikonash dhe objektesh të karakterit religjioz, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, falë ndërtimit bashkëkohor, është një ndër destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore.

I pozicionuar përgjatë bulevardit “Fan Noli” në Korçë, ky muze është jo vetëm një ekspozitë vizive vlerash, por edhe një institucion unikal në rajon.

Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi.

“Nuk mund të vazhdojmë më me teatër virtual”, Korça nis shfaqjet në natyrë nën rregulla strikte

Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës rikthehet pranë publikut me shfaqje teatrale, por në ambiente të hapura. Drejtoresha e Teatrit, Zamira Kita, tregon për “Shekulli”-n se si do të organizohen shfaqjet duke respektuar rregullat për mbrojtjen nga virusi dhe çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen.

Që nga nisja e pandemisë dhe deri më sot, teatrot dhe kinematë janë ndër institucionet e pakta që vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura për shkak të masave mbrojtëse kundër koronavirusit. Ende nuk është e qartë se kur do t’i rikthehen aktorët dhe publiku normalitetit, megjithatë tashmë kanë filluar të gjenden zgjidhje alternative për të vazhduar jetën artistike e kulturore.

Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës do të rikthehet pranë publikut me shfaqjet në natyrë, duke shfrytëzuar edhe ditët e bukura të verës. Drejtoresha e Teatrit të Korçës, Zamira Kita, tregon për “Shekulli”-n se shfaqja “Pas vdekjes” e Çajupit, që do të jepet së shpejti, ishte planifikuar përpara pandemisë.

“Ne e kishim veprën ‘Pas vdekjes’ të Andon Zako Çajupit në plan, që përpara pandemisë, në kuadër të 70-vjetorit të Teatrit ‘Andon Zako Çajupi’. Pasi ndodhi pandemia një pjesë e projekteve u hoqën, një pjesë e buxhetit u shkurtua për shkak edhe të mbledhjes së të ardhurave, kështu që vendosëm që premierën e kësaj shfaqje ta japim në mes të korrikut, ta shfaqim vazhdimisht gjatë verës dhe në shtator kur të festojmë 70-vjetorin e Teatrit”, tha Kita për “Shekulli”-n.

Ajo shton se shfaqja “Pas Vdekjes” vjen me regji të Hervin Çulit, i cili ka menduar një koncept regjisorial shumë të veçantë, duke ndërthurur poezinë me muzikën, për ta kthyer nga një vepër me një akt në një shfaqje teatrale të plotë. Zamira tregon se aktorët janë dhe këngëtarë shumë të mirë, si Albano Prodani, Mateus Frroku, Silvio Gosokova dhe Paula Kodra.

Shfaqja është menduar që të jepet nën rregulla strikte, duke respektuar të gjitha masat mbrojtëse nga Covid-19. Kita thotë se është menduar që “Pas vdekjes” të shfaqet në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit dhe publiku do të ulet në karrige duke ruajtur distancën.

“E gjithë shfaqja do të jepet në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit te ABC-ja. Oborri do të kthehet në skenë, aty do të vendosen prozhektorë që do të ndriçojnë dhe aktorët do të pajisen me mikrofona miza që të dëgjohen mirë. Publiku do të vendoset pak në oborr dhe mbi lulishten që është tek oborri i ABC-së dhe ne besojmë që do të kemi 70-80 persona çdo natë. Karriget do t’i vendosim larg nga njëra-tjetra dhe në mënyrë diagonale. Në teatër njerëzit nuk flasin dhe nuk bëjnë muhabet si në kafe dhe përderisa kafet janë të lejuara, nuk ka pse publiku në distancë të mos jetë në një teatër në ambient të hapur. Ndërsa për maskat nuk e di nëse publiku do të dojë ta mbajë, kjo do të jetë zgjedhje e tyre. Edhe personazhe ka pak, do të shmanget çdo afrim mes aktorëve, duke hequr puthjet, përqafimet edhe nëse janë të shkruara në tekst. Shpresoj që do t’ja dalim dhe duam ta bëjmë këtë gjë që teatri të rifillojë punën. Publiku është i etur për teatër dhe aktorët nuk mund të vazhdojnë të rrinë dhe të krijojnë nga shtëpia, nuk mund të bëjmë më teatër virtual”, tha Zamira Kita.

Ajo shton se në kalendarin e tyre artistik përfshihen Karnavalet e Korçës, të cilat do të organizohen edhe këtë vit por pak më ndryshe nga herët e tjera.

“Në 4 korrik do bëjmë Karnavalet e Korçës, por jo masive. Nuk do të ftojmë qytetarët të dalin në shesh dhe nuk do të kemi grupim. Do të kemi 10 grupe me nga 5 persona të vendosura në disa pika të zgjedhura të qytetit dhe çdo gjysmë ore do të qarkullojnë, do të ndryshohen. Do të ketë vetëm elementë të Karnavaleve për t’i kujtuar qytetit që ne jemi pjesë e kësaj feste dhe nuk do ta lëmë dhe sivjet. Ndërsa makina të hapura me 2-3 personazhe karanavalesh me muzikë ritmike do të qarkullojnë nëpër rrugicat dytësore, të cilat nuk i përfshijmë dot në këto grupimet e vogla”, tregoi drejtoresha e Teatrit të Korçës.

Kita thotë se janë planifikuar edhe 2 shfaqje të tjera, një ndër to “Shtëpia e Bernarda Albës”, por nuk dihet se si do të vazhdohet me to, duke qenë se në Korçë nuk mund të jepen shfaqje në ambient të hapur gjatë vjeshtës, sepse bën ftohtë.

“Ne po bëjmë përpjekje për të rikthyer ‘Shtëpia e Bernarda Albës’ që mund të shfaqet tek Hani i Pazarit, ku ne mbajtëm një mbrëmje poetike, dhe aty publiku mund të qëndrojë larg njëri-tjetrit. Në shtator do të kemi Koko Fest dhe unë paraprakisht po e mendoj në ambiente të hapura, pavarësisht se në shtator Teatri mund të hapet dhe të lejohet. Nëse aktorët do të punojnë jashtë do të kemi 5-6 trupa të ftuara me shfaqje të vogla me pak personazhe”, tha Kita.

Pamje nga mbrëmja artistike e organizuar në Hanin e Pazarit, Korçë

Përsa i përket periudhës së pandemisë, drejtoresha e Teatrit Andon Zako Çajupi tha se nuk ishte aspak e vështirë, por nuk mund të vijohet për më gjatë në këtë formë.

“Nuk e kemi pasur të vështirë që të gjejmë zgjidhje për art, qoftë me shfaqje nga shtëpia, montazhe poetike, parodi, këngë etj. Ne artistët e Korçës por edhe gjithë artistët e Shqipërisë e reflektuam këtë gjë, por ne ishim ndoshta ndër iniciatorët e parë që e bëmë. Kemi bërë gjëra të bukura që nuk na kanë lodhur, por fakti që kemi qëndruar për një kohë të gjatë të mbyllur dhe kemi funksionuar në këtë mënyrë na ka mërzitur. Kemi kohë që kemi dalë në prova në Teatër, fillimisht me maska, tani pa maska por me distancë, sepse kemi hapësirë. Karantina nuk ishte e mërzitshme, sepse në fund të fundit kishim mundësi të reflektonim, të merreshim me familjet tona, me gjërat tona  personale, por për të zgjatur më tej është e vështirë. Nuk mundemi më, ky është si të thuash një rebelim i shpirtit artistik që tenton të bëjë diçka”, tha Kita për “Shekulli”-n. / KultPlus.com

Teatri i Korçës feston 70-vjetorin, muze për trashëgiminë e tij kulturore

Teatri i Korçës feston sot 70-vjetorin, si një institucionet më të rëndësishëm kulturore në jo vetëm në qytetin juglindor, por edhe në Shqipëri.

Ndërsa shpreh mirënjohjen në këtë ditë të madhe të artit korçar për të gjithë artistët që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi, bashkia e Korçës ndau sot foto-dëshmi të historikut të tij 70-vjeçar.

“Artistë që vunë themelet e këtij teatri, profesionistë e të rinj të talentuar, na kanë dhuruar emocione të papërsëritshme nga skena me punën dhe veprën e tyre artistike”, thuhet në këtë njoftim të bashkisë.

Fotot nga arkivi i teatrit janë vetëm një pjesë e materialeve, dokumenteve, rekuizitës dhe kostumeve të përdorura në vite, të cilat do të vendosen në muzeun e tij. /KultPlus.com