Magjia e Karnavaleve të Korçës po afron

Po bëhen përgatitjet e fundit për Karnavalet e Korçës, të cilat mbahen tradicionalisht në Korçë të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Organizatorët njoftojnë se kjo festë do të mbahet më 4 qershor, dhe duke u bazuar në vitet paraprake, pritet të jetë një festë madhështore.

Bashkia e Korçës ka dalë me një njoftim për këtë festë, duke porositë qytetarët se nëse kanë zgjedhë maskën.

“Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve po afron!

Në datë 4 QERSHOR vjen festa më e bukur që çel sezonin turistik! 🥳

K❤RÇA është gati për magjinë e karnavaleve!

Po ti e zgjodhe maskën tënde? 🤗”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Korçës./ KultPlus.com

Kur karnavalet festoheshin me veshje kombëtare

Pamjet e mëposhtme, janë shkrepur nga dora e fotografit të shquar korçar, si Vani Burda. Ato janë të nxjerra nga negativet e vetë autorit, të realizuara në ditë karnavalesh në qytetin e Korçës.

Ajo që bën çudi janë fustanellat e veshura nga djem dhe vajza të reja. Tashmë kjo veshje nuk shihet më si e përditshme por si një suvenir i së shkuarës duke humbur shenjtërinë e dikurshme për shkak të adoptimit të modernes dhe duke marrë trajta me spontane.

Vani Burda lindi në Korçë më 1875, në një familje me tradita në çështjen kombëtare, daja i tij ishte patrioti i njohur, Nikolla Naço -“kryeveterani i lëvizjes tonë në Rumani”- siç e quan atë poeti Lasgush Poradeci. Ungji e tërhoqi nipin (Vanin) në Rumani, ku në kapërcyell të shekujve XIX e XX, shkonin shumë shqiptarë, sidomos nga zona e Korçës. Shqiptarët e mërguar, qysh në vitin 1884, kishin krijuar në Rumani, shoqërinë e tyre atdhetare “Drita”, e cila përveç veprimtarive të ndryshme kishte arritur të shtypte edhe libra në gjuhën shqipe. Edhe Vani i ri u antarësua shpejt në të e, krahas fotografimit, të cilin e kishte mësuar atje dhe e ushtronte si artizan për të siguruar jetesën, u angazhua gjallërisht në aktivitete të ndryshme me karakter kombëtar.

Kështu, shënohet se “në Bukuresht, fotografi-patriot ndihmoi në forcimin e shoqërisë patriotike të shqiptarëve të atjeshëm”). Ndërkohë, Burda filloi të gjurmonte për foto e piktura që lidheshin me historinë e Shqipërisë. Nga kërkimet ai gjeti një pikturë të goditur (me autor ende të panjohur) të portretit të iluministit të shquar të Rilindjes, Naum Veqilharxhi, e fotografoi atë pastër e bukur e duke e përjetësuar kësisoj. Duke e shikuar atë foto në faqet e librave tanë të historisë dhe letërsisë, na vjen para syve si i gjallë autori i Abetares shqipe.

Më 1920, Vani Burda, kthehet në vendlindje, Korçë, ku menjëherë çel studion e tij fotografike. Aty, krahas punës artizanale për komunitetin për kujtim a dokumenta, ai realizon edhe foto të sudjuara me përmbajtje të caktuar shoqërore, duke plazmuar në to “pikla arti”. Subjekte, të cilat për një fotograf të zakonshëm ishin fare rutinore, Burda i trajtonte me frymëzim e kërkesa estetike, duke realizuar prej tyre foto mjaft të goditura.

Në vitet ’30, emri i Vani Burdës ishte bërë i njohur në qarqet atdhetare e kulturore shqiptare, jo vetëm në Shqipëri e Rumani, por edhe më gjerë. Kështu në një letër që i dërgon fotografit poeti i njohur Lasgush Poradeci nga Graci (Austri) i drejtohet atij, me fjalët:“Fort i nderuar dhe i dashur mik” – që dëshmojnë për marrëdhëniet midis tyre, si dhe personalitetin e formuar të fotografit-atdhetar.

Poradeci në atë kohë jetonte në Austri, kishte kryer studimet e larta dhe njihej si poet i talentuar, pra ato tregojnë vlerësimin dhe respektin e madh të poetit për fotografin. Ndërsa, Fan Noli, në një letër që i dërgon nga Amerika mikut të tij, atdhetarit Nikolla Naço (ungji i Burdës), e porosit t’i përcjellë të falat “të fala nipit tuaj (Vani Burda)”.

Burda ka lëvruar kryesisht zhanret e portretit, kompozimit, kolazhit, peizazhit duke shkrirë në fotografitë e tij kërkesat estetike me rreptësinë teknologjike, për krijime sa më të arrira në të gjitha drejtimet. Fotografitë e tij përgjithësisht janë bardhë e zi, por ndonjëherë të trajtuara me mjaft sqimë në sepje. Fondi fotografik i Burdës gjindet shumë i shpërndarë. Një pjesë e madhe ndodhet në Arkivin e Shtetit në Tiranë, në Arkivin e Korçës, pjesa tjetër pronë e pasardhësve të tij, madje disa edhe në shtëpi të qytetarëve të ndryshëm, ndoshta në padijeni të vlerave që ngërthejnë ato. Shumë prej tyre janë në pllaka xhami (pozitiv ose negativ), çka i bënë ato lehtësisht të dëmtueshme, gjë që do sillte një humbje tjetër të madhe në histori të fotografisë shqiptare.

Me krijimtarinë me temë çështjen kombëtare dhe veprimtaria e shquar atdhetare, e rendit Vani Burdën në një vend të nderuar në shejzën e Fotografëve të Rilindjes Kombëtare, duke qenë njëherazi edhe një nga përfaqësuesit më të denjë e më të hershëm të historisë së fotografisë shqiptare. / Konica.al / KultPlus.com

Karnavalet e Korçës hapin sezonin turistik (FOTO)

Prej disa ditësh në qytetin e serenatave kanë filluar përgatitjet për festën e Karnavaleve. Në shumë ambiente apo sheshe të qytetit ka ditë që ndjehet atmosfera e kësaj feste që kulmin e saj do ta ketë sot në mbrëmje në orën 18:30.

Festa e Karnavaleve të Korçës do të çelë zyrtarisht edhe sezonin turistik për këtë vit, ku ky qytet tashmë është shndërruar në destinacionin e preferuar të vizitorëve vendas dhe të huaj, kjo për shkak dhe të investimeve të kryera gjatë viteve të fundit.

Të gjitha grupet të veshura me kostume të ndryshme do të parakalojnë në një paradë të përbashkët në bulevardin “Republika”, e cila do të vijojë më pas në zonën e “Pazarit të vjetër” ku do të organizohet edhe një festë e madhe.

Drejtoresha e Qendrës Kulturore, Blerta Belliu shprehet se “vitin që shkoi për shkak të pandemisë organizuam një festë minimaliste, kurse këtë vit do t’i rikthehemi sërish traditës së kësaj feste simbol të qytetit të Korçës. Këtë vit gjithashtu do të kemi 26 grupe përbërës të kësaj feste. Do të kemi edhe grupe të ftuar nga jashtë qyteti si p.sh., dy grupe nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut, grupi nga qyteti i Durrësit. Por ka edhe qytetarë të thjeshtë që kanë vite që i bashkohen festës tonë me maskat e tyre personale që i ruajnë prej vitesh”.

Kostumet e përcaktuara për këtë festë janë të larmishme dhe këtë vit do të ketë maska dhe kostume të reja që bëhen pjesë e festës për herë të parë.

Interesi i kësaj feste traditë të qytetit është shumë i madh, pasi çdo vit është vizituar nga shumë vizitorë vendas dhe turistë të huaj.

Parada e fillimit të Karnavaleve ka filluar që në orën 10:30 të paradites së sotme, për të kulmuar me festën e pasdites.

Karnavalet kanë filluar të festohen në Korçë para vitit 1940, periudhë në të cilën jeta kulturore në këtë qytet ka qenë e larmishme. Karnavalet e Korçës morën një hov të madh pas krijimit të shoqërive kulturore si “Rinia Korçare” etj. Në këtë periudhë karnavalet shoqëroheshin me mandolina, kitara dhe këngë humoristike. Kjo festë u ndërpre rreth viteve ’60 të shekullit të kaluar, për të rinisur pas viteve 90. /atsh/ KultPlus.com

Fillojnë përgatitjet për ‘Karnavalet e Korçës’, festa simbol e qytetit vjen me një risi aktivitetesh këtë vit

Korça është një ndër qytetet e para që ka rizgjuar traditën e Karnavaleve. Edhe këtë vit kanë nisur përgatitjet për festën simbol të qytetit. Në një lidhje direkte të emisionit ”Rreze Dielli”, u diskutua me Drejtoreshën e Qendrës Kulturore Blerta Belliu më tepër për përgatitjet dhe aktivitet që do të festohen nesër me çeljen e sezonit turistik në sheshin e Pazarit të  Vjetër, përcjell KultPlus.

Ndryshe nga viti i kaluar ku për shkak të pandemisë festimet ishin të pakta, këtë vit pritet që të jetë tepër ndryshe.

‘Vitin e shkuar ne nuk e humbëm Karnavalin por bëmë dicka më minimaliste ndërkohë që këtë vit i rikthehemi sërish karnvaleve të mëdha, ku vetëm në Korcë do të kemi 26 grupe me fabulat e tyre, kostumet, maskat. Ka filluar dekorimi i karnavalit në të gjithë sheshet dhe qytetin dhe pjesët e veçanta  të Korçës. Ne do të kemi edhe grupe të ftuara sepse vitin që kaloi nuk mundëm t’i kishim. Do të kemi dy trupa nga Shkupi të cilët do të vijnë me maska fantastike, do të kemi për herë të parë në karnavalë teatrin e Durrësit “ tha ajo për emisionin “Rreze Dielli”.

Ndërsa shpjegoi  tematikat dhe maskat që do mbizotërojnë këtë vit në Karnavale:

“Në këtë vend ku ne jemi sot do të jetë vendosur një harem sulltani I cili do të qëndrojë nga ora 11:00 deri në orët e mbrëmjes sepse duam që të “përqeshim” ndonjë fenomen që njerëzit most ë përqëndrohen shumë tek telenovelat por të merren më shumë me librat, ta kalojnë kohën në  mënyrë pak më të kulturuar” tha ajo.

Karnavalet këtë vit vijnë ndryshe. 

“Karnavali fillon në 10:30  me 15 grupe  të cilat janë të shpërndara në të gjithë pikat e qytetit, nuk do të kemi karnaval vetëm në sheshin qëndror” përfundoi ajo, për paradën e cila pritet të zgjas deri në orën 14:00.

Më pas  do të rikthehet sërish në orën 17:00, me një itinerar tepër të plotësuar, ku do të kulmojë më pas parada klasikë në orën 18:00, për të vazhduar me festimet “ Party Karnaval” deri në orët e vona të mbrëmjes. /shqiptarja/ KultPlus.com

”Karnavalet e Korçës” shpërblehet me Grand Prix në Skupi Festival

Komedia ”Karnavalet e Korçës” me tekst të Spiro Çomorës dhe regji të Altin Bashës, që tashmë ka filluar rrugëtimin edhe jashtë Teatrit Kombëtar të Kosovës, sonte u shpërblye me çmimin Grand Prix, që ka qenë edhe çmimi i vetëm që është dhënë, në Skupi Festival, shkruan KultPlus

”Karnavalet e Korçës” zhvillon ngjarjen në Korçën e viteve të 30-ta, ku trajtohen tema social si kapja e shtetit, korrupsioni, pabarazia sociale etj. Një familje e pasur përballë realitetit të zhveshur, ku në fund të ditës kuptojnë se jo gjithçka blihet me napoleona.

Në shfaqje luajnë: Luan Jaha, Ilire Vinca, Edona Reshitaj, Ernest Malazogu, Ylber Bardhi, Besart Sllamniku, Adem Karaga, May-Linda Kosumoviç, Arta Selimi, Ermal Sadiku, Muhamet Zeka, Qendresa Kajtaz. /KultPlus.com

‘Karnavalet e Korçës’ goditën maskat e shqiptarëve në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës u dha premiera e shfaqjes “Karnavalet e Korçës“ me regji të Altin Bashës dhe tekst nga Spiro Çomoa.

Në familjen e njohur shqiptare të tregtarit Nikollaq Jorganxhiu (Luan Jaha), ndodhë nami kur vajza e tyre Afroviti (Edona Reshitaj) tashmë 30 vjeçare, mbetet pa martuar. Nikollaqi dhe gruaja e tij Olimbia (Ilire Vinca) ngrisin në këmbë gjithë Korçën në kërkim të dhëndrit të duhur.

Ai duhet të jetë i shkolluar, të ketë zë në fshat dhe një pasuri që të ia mbushë syrin babait lakmues, Nikollaqit, i cili ka kthyer shumë krushq vetëm për këtë arsye. Këtu nisin edhe situatat komike që bëjnë për të qeshur publikun e teatrit.

Mirëpo një maskë e cila është thelbi i skenografisë së shfaqjes në të cilën aktorët luajnë është elementi i parë që tregon se kjo shfaqje shkon përtej komedisë. Ajo thumbon edhe disa elemente negative në shoqëri përmes tekstit të Spiro Çomoasë shkruar gjatë vitit 1936, e që akoma janë të pranishme.  Zgjedhja e këtij teksti nga regjisori Altin Basha është edhe një protestë ndaj paragjykimeve ekzistuese për trashëgiminë kulturore shqiptare në fushën e dramaturgjisë.

“Dëshira e mirë për me gjetë elemente të veçanta brenda një vepre e bën më të lehtë punën e regjisorit për me u kapë në ato elemente, për me i zhvillu dhe me kriju mbi to, për me nxjerr sigurisht një punë që mundet me rezonu edhe në publikun modern. Kjo është një përpjekje që duhet ta bëjmë jo vetëm në fushën e dramaturgjisë por kudo pasi që ky është identiteti jonë dhe në këtë mënyrë mund ta zhvillojmë artin dhe kulturën tonë”, tha ai duke theksuar se ka edhe autorë të tjerë të cilët presin e që kanë nevojë për besim dhe shumë frymëzim për të punuar me veprat e tyre.

Familja Jorganxhi shfaqë disa aristokratë të shtirur, që kanë udhëtuar nga Korça për në Venecia nëpër Detin Mesdhe me tren, njohës të mirë të gjuhës frënge ku zotërisë i thonë “mademoiselle”. Një familje e tërë me artistë ku postet e drejtorit, organizatorit, sopranos, tenorit, brenda një koncerti i mbajnë anëtarët e një familjeje. Familje e cila pushtetin e saj e shfaqë mbi shtresat e margjinalizuara ndërsa ju përkulet udhëheqësve.

“Jam përpjekur që këtyre elementeve të ju mshoj duke mos harruar që kemi të bëjmë me një komedi lirike e cila në thelb ka argëtimin për publikun dhe këtë me së miri e kanë bërë aktorët të cilët kanë ndërtuar karaktere shumë të mira”, u shpreh Basha për KultPlus.

Këngët vijnë nga qyteti i serenatave, Korça, e njohur edhe për karnavalet që ishin po ashtu pjesë e kësaj shfaqjeje. Pikërisht këto pjesë muzikore, dramaturgu Arian Krasniqi i vlerësoi si një freski brenda shfaqjes.

“Është shumë mirë që kthehen tekstet e traditës me një qasje të re regjisoriale, në këtë rast të regjisorit Basha i cili është një regjisor me përvojë. Trupa ka qenë harmonike në komunikim dhe interpretim mes vete. Pjesët muzikore ishin freski brenda shfaqjes. Kostumet nga Iliriana Hoxha Basha duhet t’i veçoj për shkak se i kanë dhënë ngjyrë dhe atmosferë shfaqjes. Sonte në premierë publiku është pak a shumë i zgjedhur mirëpo shpresoj që shfaqja ka me komuniku edhe në reprizat e tjera me një audiencë me të rëndomtë dhe atëherë mund ta vlerësojmë saktësisht jetëgjatësinë e shfaqjes”, tha ai për KultPlus.

Shfaqja “Karnavalet e Korçës” ka mjaft material e mbrëmë kjo përgjegjësi ra mbi shpatullat e aktorëve.

Olimbia, aristrokatja e cila në fund përfundon me gjestin me të vrazhdë të mundshëm duke larguar maskën e vënë në fillim, erdhi përmes lojës se aktores Ilire Vinca.

“Altini është një regjisor i cili komeditë por edhe dramat i ka shumë të bukura, ka një ndjeshmëri shumë të madhe dhe është shumë konkret në kërkesa. Kjo për aktorin nuk është e lehtë pasi kur je konkret duhet që atë konkretësi që ta jep regjisori me e mbërri ti si aktore që me i lanë përshtypje publikut” , tregoi Vinca për KultPlus.

“Komedia është e tillë që ne bëjmë prova 40 ditë edhe nuk e kemi idenë se a ka me prit publiku mirë apo jo. Altini ia ka marrë dorën kësaj pune edhe ia ka dalë deri në fund së bashku me ne pasi që publiku e priti shumë mirë shfaqjen. Roli është shumë karakteristik prej roleve të tjera dhe e kam pasur fatin që me u veçu pak pasi kam pasur rolin e një femre. Kjo ishte pak fat i imi dhe e falenderoj Altinin që ma ka besuar këtë rol”, tha aktori Ylber Bardhi pas shfaqjes.

Repriza e parë vjen sonte duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Altin Basha rikthehet në TKK me një tregim nga qyteti i serenatave

Gili Hoxhaj

Një tekst klasik i dramaturgjisë shqiptare, i shkruar gjatë vitit 1936, në të cilën rrëfehet historia e një familjeje shqiptare të ndodhur në Korçë, do të shfaqet nesër premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Komedia e shkruar nga satiristi Spiro Çomora, pritet të sjellë në skenë tregimin e ndodhur në qytetin e serenatave, ku dy prindër egoistë kanë synim ta martojnë me çdo kusht vajzën e tyre, duke e vënë atë në situata komike. Kjo dramë e rikthen përsëri Altin Bashën si regjisor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pas suksesit që pati me shfaqjen “I ligu për mend”, me tekst të Gjergj Fishtës.

Drejtori i TKK-së, Agim Sopi në një konferencë për media është shprehur i lumtur që ky sezon po starton me një nga  regjisorët më të mirë shqiptarë dhe rajonal. Ai theksoi se Basha me shfaqjen “I ligu për mend” ka thyer rekordet e publikut në TKK.

“Altini është i njohur për publikun tonë, ka sjell disa shfaqje jashtëzakonisht të suksesshme në TKK, menjëherë pas luftës ka realizuar shfaqjen “Pallati i ëndrrave” , e që për mendimin tim është një nga shfaqjet më të realizuara pas luftës dhe po ashtu shfaqjen “I ligu për mend” që ka thyer të gjitha rekordet e publikut, ne kemi realizuar 50 repriza me sallën e mbushur me publik dhe shfaqje të cilën e kemi ende në repertor”, u shpreh Sopi.

“Mjafton të themi se po vjen regjisori i shfaqjes “I ligu për mend” dhe kaq mjafton për publikun. Unë besoj që edhe kjo shfaqje do të jetë një sukses i ngjashëm, nëse nuk do të tejkalojë suksesin e saj”, u shpreh drejtori artistik Agon Myftari.

Regjisori i shfaqjes, Altin Basha tha se ndihet i kënaqur për ftesat që ka marrë nga Prishtina dhe që pas zbulimit të Fishtës, është i kënaqur që të sjell tekstin e Spiro Çomoras.

Tutje regjisori i shfaqjes Altin Basha tha se teksti trajton disa problematika të cilat rezonojnë edhe sot, siç janë pabarazia sociale, kapja e shtetit, korrupsioni, raportet e biznesit me politikën. Ai tha se kjo vjen si shfaqje me shumë ngjyra dhe spektakulare.

“Ka elemente që rezenojnë  edhe në botën e sotme, ndërsa nga pikëpamja e trajtimit estetik, ne kemi mbetur në vitet 30-të pasi që na tërheqë ajo pamje dhe ai sharm. Nga pikëpamja e trajtimit regjisoriale të formave skenale, të lojës së aktorëve, të lojës muzikore e skenografike, ne provojmë të bëjmë një teatër modern, një teatër të gjallë”, u shpreh Basha.

Kasta e aktorëve të kësaj shfaqje përbehet nga: Luan Jaha, Ilire Vinca, Edona Reshitaj, Ernest Malazogu, Ylber Bardhi, Besart Sllamniku, Adem Karaga, May-linda Kosumoviç, Arta Selimi, Ermal Sadiku, Muhamet Zeka dhe Qëndresa Kajtazi.

Sa i përket kastës së aktorëve, Basha tha se kasti i aktorëve do t’i jap një dimension tjetër artistik  tekstit dhe se gjeografia artistike e stafit prek tri teatrot shqipfolëse.

“Mendoj se kasti i aktorëve do t’i jap veprës një dimension tjetër, një dimension shumë më të fuqishëm artistik, i cili e çon përtej nivelin e komedisë”, theksoi Basha.

Aktori Luan Jaha i cili ka qenë pjesë edhe e shfaqjes “I ligu për mend”, tha se kjo shfaqje është një nga shfaqjet e rralla ku në tekstet kombëtare gërshetohen shumë mirë muzika, skenografia, kostumet dhe publiku.

“Unë ju garantoj që kjo shfaqje është më e mirë dhe shpresoj që të jetë më e shikueshme se “I ligu për mend”. Mirë se vini në teatër”, tha aktori Jaha në konferencën për media që i paraprin shfaqjes.

Ilire Vinca po bashkëpunon për herë të parë me regjisorin Altin Basha por thotë se gjithnjë e ka shijuar punën e tij prej anës së spektatorëve. Bashkëpunimin me Bashen, e cilëson si një dhuratë të bukur.

“Ndjehem shumë mirë që e theva akullin dhe po shpresoj si Luani që në çdo shfaqje të Altinit do të jem”, ka thënë Vinca.

Aktores Edona Reshitaj, ky projekt i ka dhënë një nga eksperiencat më të mira dhe  kjo për faktin se gjatë procesit të shfaqjes, thotë se ka dominuar energjia  pozitive.

“Ajo çka e bën më të veçantë gjithë procesin e kësaj punë është se ne mezi s’kemi pritur që të vijmë në prova. Puna me regjisorin ka qenë super e lehtë sepse ka qenë shumë i qartë në të gjitha indikacionet që na i ka dhënë dhe na ka dhënë përgjigje në çdo pikëpyetje që e kemi pasur”, tha Reshitaj.

Elementet e kësaj shfaqjeje do të sinkronizohen me muzikën të realizuar nga kompozitori, Trimor Dhomi, kurse skenografia  dhe kostumografia vijnë të punuara nga Ilirana Loxha Basha, e cila tha se ndihet si në shtëpi në këtë teatër.

Shfaqja “Karnavalet e Korçës” vjen nesër premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com