“Redukto, riciklo, ripërdor”, dizajni italian i qëndrueshëm sot shfaqet nëpërmjet ekspozitës në Prishtinë

Sot hapet ekspozita “3CODESIGN | 3Rs: Reduce Recycle Reuse” në ora 19:00, përcjell KultPlus.

Rimendimi i projektimit dhe prodhimit në funksion, jo vetëm në qëndrueshmërinë mjedisore, por edhe të një socializimi të ri, të bazuar në ndarjen, përgjegjësinë dhe respektin për brezat e ardhshëm.

Këto janë disa nga tiparet konotative të dizajnit të ri italian që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada e Italisë në Kosovë kanë për qëllim të celebrojnë përmes ekspozitës “Ecodesign”, që hapet sot në Prishtinë (Qendra Bogdani Polis, Katedralja Nëna Terezë) dhe që do të qëndrojë e hapur deri më 23 gusht (e hënë – e shtunë, orari i hapjes 12:00 – 19:00, e diel, orari i hapjes 15:00 – 20:00).

Kuruar nga arkitektja Silvana Annicchiarico, ekspozita emri i plotë i së cilës është “3CODESIGN | 3Rs: Reduce Recycle Reuse” synon të ofrojë një pasqyrë sintetike por paradigmatike se si dizajni italian është duke punuar në drejtimin e qëndrueshmërisë mjedisore. Në këtë drejtim, ekspozita ofron një përzgjedhje objektesh, produktesh dhe aksesorësh të ricikluar ose të bërë me materiale dhe teknologji të qëndrueshme, të gjitha të projektuara nga projektuesit italianë dhe të prodhuara nga kompanitë italiane.

“Ne jemi veçanërisht krenarë që e sjellim këtë ekspozitë në Prishtinë, pikërisht kur kryeqyteti kosovar pret ‘Manifesta’, bienalen e artit bashkëkohor që dëshiron të kontribuojë në rigjenerimin e hapësirës publike edhe përmes projekteve të arkitektit italian Carlo Ratti”, tha ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.

“Përmes ‘Ecodesign’, synojmë të theksojmë kontributin që rishikimi i proceseve të prodhimit në vazhdim në industrinë italiane të projektimit ofron për rigjenerimin e vlerës së objekteve në qarkullim”, shtoi De Riu.

E artikuluar në një hapësirë prej 200 metrash katrorë, ekspozita tregon – nëpërmjet objekteve, imazheve dhe teksteve – bazat e ekonomisë rrethore, zhvillimin e materialeve dhe produkteve të reja me ndikim të ulët ekologjik, filozofinë e projektimit të disa prej dizajnerëve të rinj që po punojnë në një ekologji të re të artificiales.

Ekspozita është hapur në Pragë, Doha, Dubai, Hong Kong, Uashington, Toronto dhe Tunis dhe pas Prishtinës ekspozita do të ndalet në Talin. / KultPlus.com

Fëmijët festojnë së bashku Festën e Shën Nënë Terezës

Alberina Haxhijaj

Në Katedralen e Prishtinës e cila mbanë emrin e Nënë Terezës, ka dy ditë që po organizohen aktivitete të ndryshme për ta kujtuar atë, shkruan KultPlus.

Për tri ditë rresht më 2, 3 dhe 4 shtator në mënyrë të veçantë po kujtohet 1-vjetori i shugurimit të Katedrales dhe 90-vjetori i nisjes së Gonxhe Bojaxhiut për misionin e saj në Kalkuta të Indisë.

“Këtë javë Kisha Katolike ka vendosur që t’ia dedikojë, 90 vjetorit të udhëtimit të Nënë Terezës në Kalukta por edhe 550 vjetorit të Skënderbeut”, tregoi për KultPlus, Arijeta Ajeti.

Pjesë e këtyre organizimeve janë bërë edhe fëmijët. Fëmijët e famullisë dhe disa fëmijë me sindromin down, dje janë bashkuar për të pikturuar në oborrin e Katedralës.

“Dje të gjithë fëmijët kanë punuar në pëlhurë ndaras dhe pastaj punimet e tyre janë bashkuar duke krijuar kështu një thënie të Nënës Terezë”, tregoi Ajeti e cila po punon vullnetarisht me fëmijët gjatë këtyre ditëve.

Kështu thënia: “E djeshmja iku, e nesërmja nuk ka ardhur, e kemi vetëm të sotmen. Le të fillojmë”, e realizuar nga fëmijët do të qëndrojë e ekspozuar në Katedrale deri më 10 shtator. Një thënie kjo e Nënës Terezë e cila nxit njerëzit që të mos mendoj për të shkuarën dhe as për të ardhmen mirëpo që të fokusohen në të sotmen dhe të japim maksimumin e tyre.

Edhe sot fëmijët janë bërë së bashku për të punuar punime por kësaj radhë ata po realizojnë përkrenaren e Skënderbeut pasi që sot po përkujtohet ai. Kështu, fëmijët e pranishëm janë duke krijuar me letra dhe material të tjera të ndryshme përkrenaren e heroi kombëtar. Çdo njëri prej fëmijëve të pranishëm po nxjerr detaje dhe po e rregullon përkrenaren sipas idesë së tyre, duke e bërë dizajnin vet.

“Qëllimi është që t’i mbledhim fëmijët së bashku me e përkujtua këto dy figura shumë të mëdha për shqiptarët si dhe duke mësuar më shumë për to”, u shpreh Ajeti.

Edhe nesër do të vazhdojnë aktivitetet duke filluar me Ligjëratën mbi Katedralen: historiku, stili arkitektonik, veprat artistike në ora 17:00 dhe aktivitete të tjera me radhë./ KultPlus.com