Pas 30-të viteve ndërprerje të studimeve, nëna diplomon bashkë me tre fëmijët në të njëjtën ditë

Alisa Perry Johnson pas 30-të viteve të ndërprerjes së studimeve ka realizuar ëndrrën e saj të diplomimit, teksa këtë ditë do ta kujtoj gjithmonë pasi diplomoi në të njëjtën ditë me tre fëmijët e saj.

Ajo kishte ndërprerë studimet pasi ishte bërë nënë teksa humbja e vendit të punës gjatë pandemisë e kishte shtyrë që t’ju rikthet studimeve, shkruan Fox News, transmeton KultPlus.

“E di që jam diplomuar, por ishte emocionuese që pashë fëmijët e mi të diplomoheshin”, tha Johnson.

Ajo ka treguar se i kanë ndihmuar dy vajzat e saja pasi matematika nuk kishte qenë e njëjtë si ajo që e kishte mësuar kur ishte vet në shkollë para 30 vjetësh.

Vajza e vogël, Mia, ka diplomuar nga shkolla fillore si më e suksesshmja e klasës së saj. Vajza e saj e mesme, Makaela, ka diplomuar nga shkolla e mesme dhe është drejtuar për në Universitetin Tuskegee ndërsa djali, Malik, ka diplomuar në Universitetin Georgetown.

Nëna e sapodiplomuar ka thënë se sekreti i saj për të pasur fëmijë të suksesshëm është t’i mbështesësh ata. / KultPlus.com

Vetëm edhe dy ditë për thirrjen e hapur për fëmijët: Letër për presidenten Vjosa Osmani

Fëmijët e Kosovës do të kenë mundësi që ti drejtohen me një letër presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.

KultPlus fton të gjithë fëmijët prej 10 deri 15 vjet që ti drejtohen me një letër presidentes së vendit, të cilët, nëpërmjet letrave, ata mund të shprehin kërkesat dhe dëshirat e tyre, të cilat edhe do ti nënshtrohen një jurie profesionale prej tre shkrimtarëve për fëmijë.

Ardianë Pajaziti, kryeredaktore e KultPlus ka njoftuar se kjo thirrje ka për qëllim që fëmijët ti ofrojë sa më afër institucioneve të Kosovës, por në të njëjtën kohë, edhe presidentja e vendit të kuptojë se çfarë dëshira dhe kërkesa kanë këta fëmijë të këtyre moshave.

Me qëllim që letrat të jenë sa më origjinale, fëmijët duhet të shkruajnë me dorë (jo me kompjuter), më së shumti një faqe të fletores, dhe të njëjtat të fotografohen në mënyrë të qartë, të shkruhet emri dhe mbiemri i fëmiut, kontakti dhe të dërgohen në [email protected] dhe [email protected], deri më datë 17 qershor.

Juria do të përzgjedhë dhjetë letrat më të mira të kësaj gare, të cilat edhe do të certifikohen, kurse tri letrat më të mira edhe do të shpërblehen.

Për këtë thirrje për fëmijët, krejt në fund do të organizohet edhe një ceremoni, ku do të jetë e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani./ KultPlus.com

KOMF: Puna e rëndë dëmton fëmijët, fëmijët të luajnë e të mësojnë

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Punës së Rëndë të Fëmijëve, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, bën thirrje për vetëdijesim dhe sensibilizim të prindërve, institucioneve dhe të gjithë qytetarëve për të mbrojtur fëmijët nga punët e rënda.

Fëmijët e përfshirë në punë të rënda u ekspozohen një sërë rreziqesh për jetën, shëndetin dhe formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, abuzimin fizik dhe psikologjik, mungesën e qasjes në arsim dhe rrezikut të abuzimit seksual dhe/ose trafikimit.

Aktualisht, në Kosovë nuk ka shërbime të veçanta të ofruara nga komunat për të adresuar mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda; duke përfshirë qendrat e kujdesit ditor, ekipet mobile si dhe shërbimet e rehabilitimit dhe reintegrimit (mbështetjen sociale, arsimore dhe psikologjike për fëmijët dhe familjet e tyre). Përjashtim bëjnë iniciativat e disa organizatave jo qeveritare, sikurse Terre des hommes e cila ka hapur qendër ditore në Prishtinë për trajtimin dhe re integrimin e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda me fokus trajtimin e fëmijëve në situatë rruge.

Prej muajit Korrik 2020 në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili synon të mbrojë fëmijët nga të gjitha format e keqpërdorimit, shfrytëzimin apo formave tjera që vënë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës. Sipas këtij ligji, çdo komunë duhet të punojë për të mbrojtur fëmijët nga të gjitha rreziqet, duke përfshirë edhe rreziqet e mëdha që vijnë nga puna e rëndë të fëmijëve.

KOMF u bën thirrje komunave dhe qeverisë të marrin masat të zbatojnë Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës në mënyrë që të përmirësojnë gjendjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda.

KOMF ka adresuar një shkresë drejt Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke rekomanduar që shkollat e Republikës së Kosovës të të gjitha niveleve (niveli i arsimit fillor, i mesëm i ulët dhe i mesëm i lartë), të mbajnë një sesion dedikuar formave të rënda të punës së fëmijëve, dëmit, pasojave në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës si dhe raportimit drejt institucioneve përgjegjëse.

Kjo me qëllim të  rritjes të vetëdijes tek fëmijët dhe poashtu krijimit të një hapësire ku fëmijët ndajnë mendimet, pikëpamjet dhe shqetësimet mbi format e rënda të punës.

Puna e rëndë duhet të raportohet në Qendrat për Punë Sociale nga çdo qytetar që mund të dijë apo njohë raste të tilla. / KultPlus.com

OKB: 33 mijë fëmijë të rajonit Tigray rrezikojnë të vdesin nga uria

Rreth 33,000 fëmijë tejet të kequshqyer në rajonin Tigray të Etiopisë janë në rrezik të lartë të vdekjes, ka thënë Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF), përcjell KultPlus.

Ky rajon është shkatërruar nga luftimet në mes të forcave qeveritare dhe rebelëve, dhe prej kur kanë nisur luftimet në nëntor të vitit 2020, janë shpërnguluar 1.7 milion persona.

Një studim i përkrahur nga Kombet e Bashkuara, i publikuar të enjten, ka gjetur se 353,000 persona në këtë rajon janë duke jetuar në “krizë të madhe”.

Qeveria e Etiopisë ka hedhur poshtë të dhënat, duke thënë se ndihmat janë duke depërtuar në atë zonë.

Sipas raportit, situata me ushqim në këtë rajon ka arritur në nivele “katastrofike”, andaj UNICEF ka bërë thirrje që të ketë qasje në këtë rajon për dhurim të ndihmave humanitare.

“Ndonëse shifra 353,000 nuk e përmbush pragun e nevojshëm (20 për qind të popullsisë së anektuar) për të shpallur deklaratë zyrtare për uri, le të mos luajmë me fjalë, kur njerëzit janë duke vdekur”, ka thënë zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder të premten.

Rreth 33,000 prej tyre janë fëmijë dhe foshnjat janë në rrezik të madh për të vdekur nga kequshqyerja, ka thënë kjo Agjenci, përcjell tutje KultPlus.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga të gjitha palët e përfshira në konflikt që të pajtohen për një armëpushim, për të lejuar dërgimin e ndihmave për miliona persona që kanë nevojë për ndihmë.

Ndërkohë, Qeveria e Etiopisë ka thënë se trupat e Eritresë, që kanë qenë të përfshira në konflikt, kanë nisur të largohen nga rajoni Tigray, pas disa muajve të presionit ndërkombëtar për t’u larguar nga zona.

Pse ka pasur luftime në Etiopi?

Konflikti ka bazën në tensionet afatgjata në mes të Frontit Çlirimtar Popullor, parti e fuqishme rajonale, dhe Qeverisë qendrore të Etiopisë.

Kur kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed kishte shtyrë zgjedhjet kombëtare për shkak të koronavirusit në muajin qershor të vitit të kaluar, marrëdhëniet ishin përkeqësuar.

Fronti Çlirimtar Popullor ka thënë se mandati i qeverisë qendrore ka skaduar dhe se Abiy nuk është testuar në zgjedhjet kombëtare.

Në muajin shtator të 2020-ës, kjo parti ka mbajtur zgjedhjet e veta, të cilat qeveria qendrore i ka konsideruar “joligjore”.

Më pas, më 4 nëntor, kryeministri i Etiopisë ka njoftuar për operacion kundër Frontit Çlirimtar Popullor, duke e akuzuar forcat e saj për sulme kundër selisë së ushtrisë në Mekelle.

Fronti Çlirimtar Popullor ka hedhur poshtë këto pretendime.

Trupat e këtij Fronti, që përbëhen nga njësitet paraushtarake dhe milicia lokale, kanë rreth 250,000 anëtarë. / KultPlus.com

Xhaxhi Piktori në KultPlus Caffe Gallery: Përpara fëmijëve nuk ndalojmë asnjëherë

Era Berisha

Ambienti i KultPlus Caffe Gallery është shndërruar në një vend ku përveç që zënë vend organizimet nga më të ndryshme për të rinjtë që dashurojnë artin, kulturën dhe jo vetëm, tani hapësira u shfrytëzua edhe nga fëmijët të cilët përmes vizatimeve dhe pikturimit, me rastin e 1 qershorit, ata kaluan një pasdite mjaft të bukur me piktorin e njohur Kosta Zhonga, shkruan KultPlus.

Dje, një ngjarje e tillë ka mbledhur rreth vetës një numër të madh të fëmijëve dhe prindërve të tyre, ku të gjithë kishin ardhur për të kaluar një pasdite nën shoqërimin e melodive të këngëve të ndryshme për fëmijë dhe përmes ngjyrave të shumta të cilat ishin të shpërndara gjithandej, ata arritën të krijojnë një kryevepër krejt në fund, një mozaik i formuar nga copëzat e shumta që fëmijët kanë ngjyrosur, me ç’rast mozaiku zuri vend në dritaret e KultPlus Caffe Gallery.

Përmes një aktiviteti të tillë u dallua mjaft shumë edhe dëshira dhe nevoja e madhe për ngjarje të tilla që organizohen nga dhe rreth fëmijëve. Këto ngjarje jo vetëm që shpalosin talentin e tyre në një moshë të re por aty në fakt mund të nis edhe rrugëtimi i tyre për një të ardhme që ngërthen artin në formën më të mirë të mundshme.

Me fleta të bardha dhe ngjyra të shumta, fëmijët nisën të pikturonin figurën e vendosur para tyre. Lumturia që dallohej në sytë e piktorit ishte në të njëjtin nivel me atë të fëmijëve, të cilët kishin një energji të pa krahasueshme duke shfrytëzuar kështu në masë të madhe ndihmën e Zhongës për ti mësuar dy apo tre teknika të veçanta të pikturimit.

Teksa fëmijët pikturonin, prindërit ishin ata që po ndiqnin punën e tyre më buzëqeshje në fytyrat e tyre, e disa të tjerë iu vinin në ndihmë fëmijëve të tyre kur ata hasnin në ndonjë problem. Po ashtu, fotografitë dhe bisedat e ndryshme ishin bërë pjesë kyçe e këtij aktiviteti që shënoi Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Kështu krejt në fund, pas përfundimit të pikturimit të tyre, fëmijët së bashku me piktorin morën vizatimet e tyre afër vetes dhe me një buzëqeshje që nuk hiqej dot asnjë sekondë, ata vendosën ngadalë vizatimet e tyre në dritare duke formuar kështu mozaikun final, një mozaik ku fjala ‘1 qershor’ ishte ngjyrosur nga secili fëmijë i pranishëm ku u formua edhe rasti më i mirë për të bërë një fotografi unike me piktorin.

Gjithashtu, fletoret e vizatimit të botuara dhe të firmosura nga vetë piktori ishin një kujtim i bukur i ditës së djeshme që fëmijët do ta kenë gjithmonë me vete.

Ndërsa, për të folur më shumë rreth këtyre momenteve, për KultPlus foli vetë piktori Kosta Zhonga.

“Kjo ditë është e mrekullueshme sepse po e shoh se sa të interesuar janë fëmijët dhe prindërit e tyre prandaj dua edhe ti uroj 1 qershorin. Ajo çka më pëlqeu ishte se të gjithë fëmijët shumë të talentuar me sa po e shikoj unë.  Janë të mrekullueshëm si vajzat edhe djemtë. Por edhe prindërit janë shumë ta pasionuar pas pikturës”, thotë Zhonga.

Sipas tij, të gjithë ata të pranishëm e donin pikturën sepse vazhdimisht kërkonin akoma më shumë letra e ngjyra, prandaj edhe ai mundohej t’ia shpjegonte fëmijëve lëvizjet dhe teknikat e dorës për të krijuar figura të ndryshme.

“Unë jam i gatshëm gjithmonë për aktivitete të tjera të njëjta sepse përpara fëmijëve nuk ndalojmë asnjëherë”, përfundon Zhonga për KultPlus.

KultPlus me mbështetje të Komunës së Prishtinës organizoi punëtorinë me Kosta Zhongën, i njohur për fëmijët si Xhaxhi Piktori. / KultPlus.com

Berisha në Asamblenë Komunale të Fëmijëve të Prishtinës: Gjithmonë e festojmë ditën e fëmijëve, por dita e fëmijëve duhet të jetë çdo ditë

Era Berisha

Me rastin e 1 qershorit, e konsideruar si dita më e rëndësishme për fëmijët, Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës organizuan një mbledhje solemne pikërisht në këtë ditë ku përveç që ata shpalosën talentin e tyre në piano, ata parashtruan dhe diskutuan probleme dhe tema të ndryshme me Drejtorinë e Kulturës, Drejtorinë për Sport, Drejtorinë e Arsimit, Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Parqeve dhe Drejtorinë e Administratës, shkruan KultPlus.

Asambleja Komunale është konsideruar organi më i lartë i udhëhequr nga fëmijët që ka për qëllim përmirësimin e situatave të ndryshme në të cilën gjenden fëmijët e Prishtinës duke përfshirë këtu: ekspozimin ndaj dhunës në familje, kushtet jo të mira ekonomike, fëmijët që bullizohen pa përkrahje familjare e shumë të tjera.

Kjo ngjarje nisi me fjalimin nga kryetarja e Asamblesë Komunale të fëmijëve të Prishtinës, Era Hysa, e cila foli rreth aktivitete të cilat ata kanë realizuar dhe temat që ata kanë prekur gjatë diskutimeve.

“Asambleja jonë pavarësisht kohës, ka arritur ti mbaj disa takime rreth dy trajnimeve ku trajnimi i parë ka përfshirë shëndetin seksual dhe riprodhues dhe trajnimi i dytë rreth trafikimit me qeniet njerëzore. Po ashtu, janë organizuar disa takime tjera me organizata të ndryshme ku është folur rreth mundësive të ndryshme të bashkëpunimit, takimet me ftesë nga Asambleja Komunale e Fëmijëve në Pejë ku kemi paraqitur punën tonë të deritanishme dhe planet e ardhshme”, thotë Hysa.

Ndërsa, i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha, i cili foli rreth rëndësisë së fëmijëve dhe të ardhmes së tyre.

“Fëmijët duhet të mësohen se si të mendojnë dhe jo çka të mendojnë. Është njëra prej thënieve më të rëndësishme sa i përket fëmijëve dhe edukimit. Si Drejtori ne mendojmë që fokusi ynë kryesor duhet të jetë pikërisht në edukimin e gjeneratave të reja që të kemi një zhvillim të jashtëzakonshëm apo atë çka e dëshirojmë si vend dhe shtet” thotë Berisha.

Sipas tij, secili fëmijë do të ketë sfida e vështirësi të ndryshme por një gjë duhet të dihet se i gjithë fokusi duhet të jetë tek fëmijët. Andaj edhe Komuna e Prishtinës në përgjithësi mundohet që fokusin ta ketë në të ardhmen në mënyrë që ajo të jetë sa më e mirë.

“Ne gjithmonë e festojmë ditën e fëmijëve por realisht dita e fëmijëve duhet të jetë çdo ditë”, përfundon Berisha.

Po ashtu, Drejtoresha e Parqeve, Fatime Hajdari, foli rreth rëndësisë së mbjelljes së drunjëve, luleve dhe hapësirave të gjelbërta dhe publike në qytetin e Prishtinës

“Aktivitetet tona përfshijnë shumë fëmijë për arsye se fëmijët janë kryesisht ata që i shfrytëzojnë këto hapësira. Po ashtu, në kuadër të Drejtorisë së Parqeve janë edhe këndet e fëmijëve për të cilat kujdesemi në rast se dëmtohen apo shkatërrohen”, thotë Hajdari.

Sipas saj, është një fatkeqësi që në qytet këto kënde të lojërave apo hapësirat e gjelbëra, degradohen pa qëllim e me rast edhe me qëllim, por e rëndësishme është që mesazhi të përcjellet që të jesh një njeri i mirë, i sjellshëm dhe i kujdesshëm është gjithmonë në modë dhe jo e kundërta.

Pas këtyre fjalimeve, Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës pati rastin që të parashtrojë kërkesa, shqetësime dhe çdo gjë tjetër që ata mendojnë se është dashur të diskutohet.

Pyetjet, kërkesat dhe shqetësimet e tyre të parashtruara ishin rreth këtyre temave: mungesën e psikologëve, mbajtjen e semi maturës dhe ekskursionit, mungesën e fëmijëve gjatë ditëve mësimore në shkolla, ekzistenca dhe mungesa e uniformave në shkolla të ndryshme, mungesa e mjeteve dixhitale në shkolla, mungesa e mjeteve bazike në disa shkolla për zhvillimin e orës mësimore, mungesa e kushteve të nevojshme për kabinetet e lëndëve të ndryshme në shkolla, mungesa e zhvillimit të transportit publik të shpejtë dhe të dobishëm, ndërmarrjet e ndryshme në lidhje me ndotjen e ajrit, kyçja e personave me aftësi të kufizuara në ambientet e shkollës dhe sallave të sportit, përfshirja e aktiviteteve dhe programeve të ndryshme vetëdijësuese për fëmijët, zbatimi i mësimit gjithëpërfshirës, rritja e sigurisë në shkolla dhe masat e ndryshme të ndërmarra si dhe shfrytëzimi i nxënësve me talente në rrjedhën kulturore.

Ndaj këtyre pyetjeve të llojllojshme, të pranishëm për tu përgjigjur ishin përfaqësuesit dhe përgjegjësit e institucioneve si: Drejtoria e Kulturës, Drejtoria e Arsimit, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Administratës, Drejtoria e Sportit dhe Drejtoria e Parqeve, të cilët u përkujdesën rreth brengave dhe shqetësimeve të tyre në kuadër të kulturës, rinisë, edukimit dhe sportit.

Kështu, krejt në fund u ndanë mirënjohje nga drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha për secilin fëmijë të pranishëm nga Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës. Kurse, është bërë e ditur se do të organizohet një ceremoni në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ për të shfrytëzuar hapësirën për dy gjeneratat që kanë humbur mundësinë për të përjetuar mbrëmjen e maturës dhe njëkohësisht që fëmijët ti japin ‘lamtumirën e fundit’ njëri-tjetrit. Po ashtu, është bërë e ditur se këtë vit është menduar planifikimi për ndarjen e 15 bursave për talentet sportive të Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

Pamje të rënda: Në brigjet e Libisë uji nxjerr trupa të pajetë, në mesin e tyre një fëmijë

Një organizatë bamirëse nga Spanja ka publikuar fotografi prekëse të disa trupave të pajetë që janë gjetur në bregdetin e Libisë. OJQ-ja “Proactiva Open Arms” thotë se këta njerëz u munduan që ta kalonin Mesdheun dhe të shkojnë për të jetuar në Evropë.

Vetëm këtë vit, së paku 743 imigrantë kanë vdekur në Detin Mesdhe gjatë përpjekjeve për të shkuar në Evropë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit, e cila është pjesë e Kombeve të Bashkuara, vetëm në pjesën qendrore të Mesdheut këtë vit janë regjistruar 630 të vdekur, në krahasim me 289 viktima në tërë Detin Mesdhe vitin e kaluar.

Trupi i një gruaje (Foto e marrë nga faqja e OJQ-së “Proactiva Opean Arms” në Facebook”)

“Ne jemi në shok. Kur njerëzit mundohen që të ikin nga Libia, ata nuk duhet të kthehen apo të lihen në ujin e Mesdheut. Duhet të ketë operacion të kërkim-shpëtimit për ta mbrojtur jetën e njerëzve në det”, tha organizata spanjolle.

Trupi i pajetë i një fëmije, i mbuluar pjesërisht nga rëra (Foto e marrë nga faqja e OJQ-së “Proactiva Opean Arms” në Facebook”)

“Deti Mesdhe është varreza më e madhe në botë. Nuk duhet të jetë kështu”, deklaroi shefja për komunikime në OJQ-në “Proactiva Open Arms”, Laura Lanuza.

Një trup i pajetë, i mbuluar me batanije (Foto e marrë nga faqja e OJQ-së “Proactiva Opean Arms” në Facebook”)

Duke reaguar ndaj këtyre fotografive, kryeministri italian, Mario Draghi, tha: “Fotografitë e trupave të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël të nxjerrë nga uji në një plazh të Libisë janë të papranueshme.

Ndryshe, Evropa po përballet me një valë të re të njerëzve që po mundohen të hyjnë në territorin e saj përmes Detit Mesdhe. Rreth 13.000 persona tashmë kanë arritur në Itali vetëm gjatë këtij viti. Moti i ngrohtë në atë zonë e ka shtuar frikën se numri i njerëzve që do ta provojnë fatin për një jetë më të mirë do të rritet ende. / KultPlus.com

KOMF reagon ndaj lajmit për ngacmim seksual të të miturës

KOMF ka reaguar me shqetësim të madh për lajmin e publikuar në media, ku është raportuar për ngacmim seksual të një vajze të mitur, nga disa djem po ashtu të mitur, brenda mjediseve shkollore, përcjellë KultPlus.

KOMF bën thirrje dhe apelon tek të gjitha mediat që kanë publikuar pamje filmike dhe të dhëna që cenojnë identitetin e të miturës dhe të miturve tjerë, ti largojnë ato. Pamjet filmike, zbulimi i emrit të shkollës, zbulimi i klasës dhe të dhëna të tjera, çojnë në zbulim të identitetit të fëmijës, dëmtim të rëndë dhe riviktimizim të fëmijës, fëmijëve dhe familjeve të tyre. Për shkak të ndjeshmërisë së lartë të rastit dhe moshës shumë të vogël të fëmijëve të përfshirë në rast, KOMF bën thirrje që mediat në radhë të parë të mbrojnë konfidencialitetin e rastit duke pasur në fokus interesin më të mirë të fëmijës.

KOMF bën thirrje drejt Qendrës për Punë Sociale që me prioritet të ofrojë shërbimet për mbrojtje dhe rehabilitim për fëmijën dhe të ndërmerren të gjitha shërbimet e nevojshme për fëmijët e tjerë. Po ashtu, KOMF bën thirrje karshi të gjithë institucioneve të mandatuara dhe të përfshirë në këtë rast, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin.

“Si KOMF përmes organizatave anëtare të cilat ofrojnë shërbime direkte sociale dhe psikologjike për fëmijët, ofrojmë mbështetjen tonë për këtë rast, nëse kjo kërkohet nga institucionet”, thuhet në komunikatë.

Tutje, KOMF ka njoftuar se do të monitorojë nga afër dhe intensivisht veprimet që do të ndërmerren nga institucionet përkatëse në lidhje me këtë rast dhe në të njëjtën kohë bën një apel ndaj gjithë organeve të përfshira në rast që të ndërmarrin veprime urgjente për trajtimin e tij. / KultPlus.com

Bideni bën thirrje që të vaksinohen fëmijët nga mosha 12 vjeç e më lartë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u ka bërë thirrje gjithë fëmijëve nga mosha 12-vjeçare e më lartë që të marrin vaksinën Pfizer kundër COVID-19, pas lajmit se këshilltarët federalë të shëndetësisë kanë dhënë leje për vaksinimin e fëmijëve të asaj moshe, raporton agjencia AP.

Më herët këtë javë, Agjencia e Ushqimit dhe e Barnave në SHBA ka hapur rrugën për të zgjeruar përdorimin e vaksinës së Pfizerit, duke cituar dëshmi se vaksina ka funksionuar mirë te ata të moshës 12 deri 15 vjet dhe ata 16 e më tepër.

Por, shumica në SHBA kanë pritur rekomandimin e Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve.

Të mërkurën, komiteti i pavarur këshillues ka votuar për të rekomanduar përdorimin e kësaj vaksine te fëmijët nga mosha 12 vjet e më lartë.

CDC-ja pritet të pranojë rekomandimin e komitetit këshillues.

“Ne do të kemi për herë të parë një vaksinë të sigurt dhe efikase kundër COVID-19 për adoleshentët mbi 12 vjet. Ky është një hap tjetër i madh në luftën tonë kundër pandemisë”, ka thënë Biden.

Biden ka thënë se administrata e tij është e gatshme për të shtrirë vaksinimin në atë grupmoshë.

“Ky grup i popullsisë do të ketë vaksinimin të shpejtë dhe efikase”, ka thënë Biden, duke shtuar se nga disa e enjte (sot) më tepër se 15 mijë farmaci do të jenë të gatshme dhe në dispozicion për të vaksinuar të gjithë amerikanët të moshës nga 12 vjet e sipër.

Biden ka thënë se vaksinat do të jenë në dispozicion edhe nëpër zyra të pediatrëve dhe të mjekëve familjarë. / KultPlus.com

‘Fëmijët gjithë ditën e ditës i mbajnë sytë ngulur te telefonat celularë…’

Nga Umberto Eco

Pak kohë më parë, ndërsa po flisja para Akademisë së Spanjës në Romë, një zonjë duke ujdisur telekamerën ma përplasi në fytyrë një dritë verbuese e s’po më linte të lexoja dot shënimet. Iu ktheva shumë i lënduar, sikurse më ka ndodhur edhe me fotografë të tjerë të pasjellshëm, duke i thënë se rregullat e ndarjes së punëve na mësojnë se kur unë jam duke punuar të tjerët duhet ta lënë punën.

Dhe zonja e fiku telekamerën, por mori pamjen e njeriut që i bien më qafë kot. Në San Leo, bash javën që shkoi, ndërsa po shpallej një nismë shumë e bukur e komunës për rivlerësimin e peizazheve të vendit në pikturat e Piero della Franceskës, tre veta po më verbonin me flash-et e tyre, ndaj m’u desh t’u kujtoja rregullat e edukatës së mirë. Dukej se në të dy rastet verbuesit nuk ishin tipa nga ata që futen në “Big Brother”, por, me gjasë, njerëz të mësuar dhe që vijnë me dëshirë në veprimtari të tilla për të ndjekur diskutime në një fushë të dijes.

Gjithsesi, është e qartë se sindroma e syrit elektronik i uli ata nën nivelin që mbase aspironin ngaqë, praktikisht të çinteresuar për çka po thuhej, donin vetëm ta regjistronin ngjarjen, qoftë edhe për ta vënë pastaj në YouTube. Nuk donin të kuptonin për çfarë po flitej, ngase atë që mund ta kishin rrokur përmes shqisave, mëtonin vetëm ta ruanin në kujtesën e telefonit celular. Gjithëprania e syrit mekanik në vend të trurit më ngjan se ka ndryshuar mendërisht edhe njerëz përndryshe të qytetëruar.

Nga veprimtaria ku qëllon të marrin pjesë, ata largohen duke marrë me vete ndonjë imazh, por pa kuptuar asgjë se ç’u tha e se ç’u bë (dhe do t’i kisha mirëkuptuar nëse do të isha ndonjë kërcimtar nudist). Sikundër e marr me mend, teksa i bien botës rrotull duke fotografuar çfarë u sheh syri, ata janë të dënuar që të nesërmen ta harrojnë ç’mundën të shohin një ditë më parë. Në disa raste kam rrëfyer se ç’më ndodhi në Francë më 1960-n, kur pasi fotografova si i marrë një mori katedralesh, hoqa dorë përfundimisht nga bërja e fotografive. Sepse kur u ktheva në shtëpi nuk rikujtoja dot çfarë kisha parë, ndërsa nga udhëtimi më mbetën si kujtim vetëm disa foto pa vlerë.

Prandaj e flaka aparatin dhe gjatë udhëtimeve të mëvonshme atë që shihja mundohesha vetëm ta regjistroja në mendje. Si kujtim për më vonë, më shumë për të tjerët sesa për vete, blija kartolina shumë të mira. Dikur, isha vetëm njëmbëdhjetë vjeç, më tërhoqi vëmendjen poterja e pazakonshme në unazën e qytetit, ku më pati marrë osh turma e njerëzve. Pashë nga larg sesi kamioni pati përplasur një qerre që e ngiste një fshatar; kishte pasur edhe gruan me vete. Gruaja ishte plandosur përtokë me kafkën e çarë dhe dergjej mbi një grumbull gjaku dhe lënde trunore, ndërsa i shoqi e shtrëngonte në kraharor duke klithur nga dëshpërimi (në kujtimet e mia, ende të llahtarshme, skena më fanepsej si një tortë me pana e luleshtrydhe, e shkelur me këmbë).

I terrorizuar nuk u avita më tepër, jo vetëm pse ishte hera e parë (fatmirësisht, edhe e fundit) që shihja tru të shpërndarë mbi asfalt, por sepse për herë të parë u gjenda përballë vdekjes. Dhe përballë dhimbjes, dëshpërimit. Çfarë do të kishte ngjarë sikur të kisha pasur një celular me telekamera, sikurse e kanë sot të gjithë fëmijët? Mbase do ta kisha regjistruar skenën për t’u treguar miqve se unë isha aty, pastaj ndoshta këtë pasuri do ta hidhja në YouTube për të kënaqur ithtarët e tjerë të “schadenfreude”, ndryshe, të gazit që ndien nga gjëma e tjetrit.

Pastaj, ku i dihet, duke regjistruar fatkeqësi të tjera, dhimbja e tjetrit s’do më bënte më përshtypje. Përkundrazi, unë ngjarjen e regjistrova në kujtesë dhe ato pamje, edhe tash pas shtatëdhjetë vjetësh s’më hiqen nga mendja dhe vazhdojnë të më edukojnë: po, ato më bëjnë ta ndiej në shpirt dhimbjen e tjetrit. Nuk e di nëse djelmoshat e sotëm e kanë ende këtë mundësi për t’u ndjerë të rritur. Sot, kjo racë të rriturish ka humbur përgjithmonë, ngaqë fëmijët gjithë ditën e ditës i mbajnë sytë ngulur te telefonat celularë. / KultPlus.com

Studim: Izolimi ua dëmtoi fëmijëve të folurit dhe shkathtësitë gjuhësore

Sipas hulumtimeve, po shtohen dëshmitë që tregojnë se viti i kaluar me izolim të popullsisë ka pasur ndikim në aftësitë gjuhësore të fëmijëve.

Të dhënat nga 50.000 nxënës dhe një anketë e shkollave në pjesë të ndryshme të Anglisë kanë treguar rritje të numrit të fëmijëve 4- dhe 5-vjeçarë që kanë nevojë për ndihmë me gjuhën, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Dëshmitë tregojnë se zhvillimi i dobët i të folurit mund të ketë efekte afatgjata në të nxënë. Qeveria britanike thotë se do të investojë 18 milionë funte në të nxënët e hershëm, përfshirë ndihmën shtesë për nxënësit që ende nuk e kanë nisur klasën e parë.

Hulumtimi i Fondacionit për Ndihmë në Arsim sugjeron se masat që janë marrë për ta luftuar pandeminë i kanë privuar fëmijët e vegjël nga kontakti social dhe përvojat që janë thelbësore për pasurimin e fjalorit.

Mungesa e kontaktit ose kontakti i paktë me gjyshërit, distancimi social, mungesa e takimeve për lojëra me fëmijët tjerë dhe vendosja e maskave në publik i kanë lënë fëmijët më pak të ekspozuar ndaj bisedave dhe përvojave të përditshme.

Nga 58 shkollat që ishin të përfshira në anketë në pjesë të ndryshme të Anglisë, 76 për qind thanë se nxënësit që e nisën shkollën në shtator të vitit 2020 patën nevojë për më shumë përkrahje rreth komunikimit sesa në vitet paraprake. / KultPlus.com

Mbi 18,000 fëmijë emigrantë u zhdukën në Evropë prej 2018-s

Të paktën 18,000 fëmijë emigrantë të pashoqëruar janë zhdukur pasi patën arritur në shtetet evropiane, përfshirë Greqinë, Italinë dhe Gjermaninë.

Një hetim nga The Guardian dhe të dhënat e gazetarëve kanë gjetur se 18,292 fëmijë të pashoqëruar emigrantë janë zhdukur në Evropë në mes të janarit 2018 dhe dhjetorit 2020 – mesatarisht 17 fëmijë në ditë.

Vetëm më 2020, 5,768 fëmijë janë zhdukur në 13 shtete evropiane.

Shumë fëmijë që janë zhdukur për tre fëmijë kishin ardhur në Evropë nga Maroku, por Algjeria, Eritrea, Guinea dhe Afganistani ishin në mesin e top shteteve të origjinës. Sipas të dhënave, 90 për qind janë djem dhe rreth një në gjashtë ishin më të vegjël se 15-vjeç.

Hetimi i cili mblodhi të dhënat e fëmijëve të humbur, gjeti se informacionet e ofruara shpesh nuk ishin të plota, çka nënkupton se numri i vërtetë i fëmijëve të humbur mund të jetë shumë më i lartë.

Spanja, Belgjika dhe Finlanda ofruan të dhëna të regjistruara deri në fund të vitit 2019. Danimarka, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar nuk ofruan asnjë të dhënë për fëmijët e pashoqëruar që janë zhdukur.

Gjetjet e hetimit ngrenë pyetje nëse shtetet evropiane janë të afta apo nëse janë të gatshme të mbrojnë fëmijët emigrantë të pashoqëruar.

Në mars 2019, The Guardian dhe “Lost in Europe” gjetën se të paktën 60 fëmijë vietnamezë ishin zhdukur nga strehimoret holandeze. Autoritetet e Holandës dyshojnë se ata janë trafikuar në Britani për të punuar në ferma të kanabisit dhe në sallone të thonjve.

Ka shumë arsye pse fëmijët po zhduken, ka thënë raportuesi për trafikimin human në Holandë, Herman Bolhaar, përfshirë procedurat e gjata dhe të lodhshme për të marrë mbrojtje ndërkombëtare ose për tu bashkuar me familjet e tyre. / Koha.net / KultPlus.com

‘Mjaft më pyetët pse nuk kam fëmijë, jam 40 vjeç dhe zgjodha të mos jem me njeriun e gabuar’

Kjo është letra e shkruar nga një beqare, e cila ka jetuar 4 dekada dhe ende nuk e ka marrë vendimin për t’u martuar apo lindur një fëmijë.

“Në përcjelljen e nënës sime për në banesën e fundit, unë isha duke mbajtur nipin tim 11 muajsh kur një mik i familjes pyeti: “Kur do të bësh fëmijë?” Ai është njeri shumë i mirë, por pyetja e tij u duk si një goditje e fortë.

Është një pyetje që më bëhet shumë shpesh dhe jam lodhur duke iu përgjigjur. Ndihem sikur duhet të zbuloj detaje të jetës sime personale për të kënaqur kuriozitetin e dikujt tjetër. Unë kam punuar shumë për të mos më interesuar se çfarë mendojnë të tjerët për mua, por disa njerëz supozojnë se unë ende jetoj si një 20-vjeçare kur jam në të 40-at e mira.

Unë nuk dal çdo javë në lokale nate, as nuk pi, as nuk e kaloj gjithë ditën në gjumë. Unë mbaj gjithë përgjegjësitë që i takojnë një 40-vjeçareje, thjesht nuk kam fëmijë. Supozimet e njerëzve më lëndojnë shumë sepse më duket sikur më thonë se nuk mbaj peshën që më takon në shoqëri.

Të qenit pa fëmijë nuk ishte zgjedhja ime; unë zgjodha të mos jem me njeriun e gabuar. Unë gjithmonë i kam dashur fëmijët. Kisha kaq shumë njerëz që më thoshin që në moshë të vogël se unë duhet të isha mësuese në kopsht sepse isha gjithmonë gati për një fëmijë. Unë me të vërtetë e ndjeva atë orë që nga koha kur isha 30 vjeç dhe vëllai im i vogël u martua. Mbaj mend që nëna ime tha: “Koha po mbaron!” ose, “Do të ishte mirë sikur të gjesh dikë.”

Njerëzit thanë: “Do të jeni shumë të lumtur nëse keni fëmijë. Dhe mendova: “Unë në të vërtetë jam e lumtur siç jam, por a do të jem më e lumtur nëse kam fëmijë?” Tani mendoj se ka dy lloje të lumturish – me dhe pa fëmijë. Në fakt, ka nga të gjitha llojet e lumturive.

Po të kisha gjetur dikë me të cilin do të bëja fëmijë, do ta kisha bërë. Sidoqoftë, nuk e gjeta atë person, kështu që zgjedhja ishte të mos kisha fëmijë me personin e gabuar. Të qenit pa fëmijë nuk ishte zgjedhja ime; unë zgjodha të mos jem me njeriun e gabuar.

Të kuptuarit se nuk do të kisha fëmijë ishte një proces i gjatë dhe i tërhequr. Për një kohë të gjatë ende jetoni me pak shpresë – por sa më shumë që i afrohesha të 40-ve, aq më shumë e kuptova se nuk do të ndodhte. Shkova për të parë një këshilltar i cili ishte i shkëlqyeshëm për të më mësuar strategji për të kuptuar se nuk jam e pavlefshme sepse jam pa fëmijë.

Të mos kesh fëmijë sjell ndjenja pikëllimi, por unë i kam pranuar ato. Unë e shoh vdekjen e nënës sime si një ngarkesë të madhe të errët që rri mbi shpatullat e mia. Është gjithmonë aty, por ti mësohesh me të. Është e njëjta gjë me mos pasurit fëmijë. Është gjithmonë aty, por ti mësohesh dhe ndihesh rehat me të.

Unë kam miq në të njëjtën situatë me mua dhe shumë supozime bëhen për ne. Disa njerëz supozojnë se unë jam lezbike. Të tjerët mendojnë se unë i urrej burrat, se ka diçka që nuk shkon me mua, sepse nuk isha në gjendje të gjeja dikë me të cilin të kem fëmijë, ose se jeta ime është e lehtë dhe nuk kam asgjë për t’u shqetësuar.

Shoqëria ju tregon se duhet të jeni të martuar me fëmijë për të qenë të lumtur dhe të plotësuar Unë kam shumë fëmijë në jetën time. Unë krenohem shumë kur më thonë se jam tezja më e mirë në botë dhe kam shumë dashuri për të dhënë. Në moshën 36 vjeçare, fillova një karrierë të re si mësuese. Unë vij nga një radhë e gjatë mësuesish, kështu që ndiej se është në gjakun tim. Kur njerëzit pyesin nëse kam fëmijë unë them: “Unë kam 19”.

Shoqëria ju thotë se duhet të jeni të martuar me fëmijë për të qenë të lumtur dhe të përmbushur, por unë e kam kuptuar që mund të jeni të lumtur edhe pa fëmijë e pa partner. Jam i hapur për të pasur dikë në jetën time, por nuk jam e gatshme të duroj dikë që nuk është i mirë për mua. Kur mamaja ime ndërroi jetë, ishte dëshira e saj që unë të bëja kompormis. Nuk e di nëse ajo e kuptonte plotësisht që unë mund të isha e lumtur edhe me veten.

Kam një jetë të shkëlqyeshme. Unë kam miq të mirë dhe jam vërtet e lumtur me vendin që kam në jetë. Njerëzit duhet të kuptojnë se jeta e gjithsecilit nuk funksionon ashtu si dëshiron dhe kjo është në rregull”./preferenca.al/ KultPlus.com

168 milionë fëmijë në botë s’kanë shkuar në shkollë për një vit

Në gjithë botën, më shumë se 168 milionë fëmijë kanë pasur shkollat e mbyllura për gati një vit, sipas UNICEF-it, si pasojë e mbylljeve nga koronavirusi.

Një në shtatë fëmijë – 214 milionë – nuk kanë shkuar në shkollë për më shumë se tre tremujorë.

Sipas të dhënave të UNICEF-it, dy të tretat e shteteve që kanë mbetur të mbyllura më së gjati ishin në Amerikën Latine dhe Karaibe, duke prekur rreth 98 milionë fëmijë.

Një nga 14 shtetet, Panamaja ka mbyllur shkollat më së gjati, e ndjekur nga El Salvadori, Bangladeshi dhe Bolivia.

Sipas UNICEF-it, ndikimi i mbylljes së shkollave ka “pasoja të tmerrshme në mësimin dhe mirëqenien e fëmijëve”.

“Fëmijët më të ndjeshëm dhe ata që s’kanë qasje në pajisjet online të mësimit janë në rrezik të mos kthehen fare në klasa, dhe të shtyhen drejt martesave ose punës”, thuhet në shpjegimin e UNICEF-it. / KultPlus.com

Shëndeti mendor dhe emocional i fëmijëve i rrezikuar nga pandemia

Shëndeti mendor dhe emocional vazhdon të jetë diçka me të cilin shumë njerëz vazhdojnë të përballen gjatë pandemisë, dhe ky problem ka filluar të bëhet serioz dhe i pashmangshëm, edhe për fëmijët. Por ekspertët e kësaj fushe thonë se ekzistojnë gjëra të cilat prindërit mund t’i bëjnë për të ndihmuar.

Për pothuajse një vit, pandemia e koronavirusit i ka pushtuar tërësisht rutinat tona të përditshme, dhe ndërsa disa njerëz e kanë pasur të vështirë të përshtaten me realitetin e ri, adaptimi me këto ndryshime mund të jetë i vështirë për fëmijët.

Ekzistojnë dy gjëra që janë shumë të rëndësishme për fëmijët, ato janë struktura dhe socializimi, dhe përgjatë këtij viti ata i kanë humbur te dyja këto gjëra. Pavarësisht se është normale që fëmijët herë pas here të kenë probleme me disa gjëra, është më se e rëndësishme që prindërit të sigurohen për mirëqenien e tyre mendore dhe emocionale. Gjërat për të cilat duhet të jeni të vëmendshëm, janë ndryshimet në sjelljet apo personalitetet e fëmijëve.

Por t’i bësh fëmijët të shprehen dhe të flasin për ndjenjat e tyre, nuk është gjithmonë e lehtë, prandaj ekspertët ju këshillojnë të jeni të qëllimshëm në mënyrën si ua parashtroni pyetjet. Gjithashtu duhet të jeni të vëmendshëm ndaj shenjave joverbale, shikoni a janë të buzëqeshur kur flasin me ju, apo janë kryesisht në disponim të keq. Ata mund të thonë se gjithçka është në rregull, por sipas ekspertëve ju duhet të insistoni të flasin hapur me ju, si dhe të mos i gjykoni në ato që thonë.

Sipas mjekëve, është gjithashtu e rëndësishme që në rast se vëreni që fëmija juaj vuan nga depresioni apo ankthi, të kërkoni ndihmë profesionale për trajtimin e tyre tek këshilltarët shkollor ose profesionistët e shëndetit mendor.

Ndërsa në shtëpi, sugjeroheni që t’i inkurajoni fëmijët të flasin për gjëra pozitive nga jeta e tyre e përditshme, apo gjërat që mezi presin t’i bëjnë në një të ardhme të afërt. / KultPlus.com

KOMF: Mbani fëmijët larg aktiviteteve zgjedhore

KOMF apelon tek subjektet politike të cilat janë pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet nacionale, që të mos i shfrytëzojnë fëmijët në kuadër të fushatës zgjedhore.

Përfshirja e fëmijëve në fushatë elektorale nga subjektet politike përbën shkelje të të drejtave të tyre, shfrytëzim, e në të njëjtën kohë nuk është në interesin më të mirë të fëmijës. Për më tepër, përfshirja e fëmijëve në aktivitetet e fushatës zgjedhore gjatë kësaj periudhe, përbën rrezik të drejtpërdrejtë edhe për shëndetin e tyre për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia.

KOMF bën me dije se përfshirja e fëmijëve në fushatë zgjedhore është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

KOMF i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të monitorojë aktivitetet e subjekteve politike dhe të ndërmarrë masat bazuar në legjislacionin në fuqi, në rastet kur konstatohet përfshirja dhe shfrytëzimi i fëmijëve.

KOMF i bën thirrje prindërve që të mos i politizojnë fëmijët, të mos i marrin fëmijët në aktivitetet të cilat organizohen nga partitë politike dhe të vetëdijësojnë fëmijët për të mos e ndërprerë procesin mësimor për qëllime të pjesëmarrjes në aktivitetet e partive politike gjatë fushatës elektorale.

KOMF i bën thirrje mediave të cilat mbulojnë fushatën zgjedhore, që të marrin një rol aktiv për publikimin e rasteve ku fëmijët shfrytëzohen për qëllime partiake gjatë fushatës elektorale, gjithmonë duke mbrojtur identitetin dhe integritetin e fëmijës. / KultPlus.com

Adoleshentit tim: Ki durim me mua, është e vështirë të lësh të shkosh

Një letër e ndjerë e një nënë drejtuar djalit të saj adoleshent.

E di që është koha. E di që po rritesh dhe se ndonjëherë është e pakëndshme të të kontrolloj vazhdimisht. Bëj durim me mua sepse nuk je vetëm ti që po përshtatesh, dashuria ime. Edhe unë po bëj të njëjtën gjë.

E di që është e vështirë të kuptohet, por më dëgjo.

Kam ëndërruar për ty para se të ishe një pëshpëritje ose një realitet. Të kam ëndërruar kur ishe kaq i vogël në barkun tim sa askush nuk mund të të shihte, përveç meje. Të kam ëndërruar kur isha përkulur mbi tualet derisa nuk kishte mbetur asgjë pa vjellë. Unë të kam ëndërruar ndërsa isha shtrirë në divan duke i thënë babit që po, do doja patjetër një ushqim të caktuar. Të ëndërrova dhe të çmova ndërsa barku im i bënte pantallonat e mia të shtrënguara dhe të pakëndshme, ndërsa këmbët më fryheshin dhe ndërsa faqet e mia bëheshin të plota dhe gropëzat e mia ishin më të thella. Të kam ëndërruar në netët pa gjumë duke mbajtur barkun dhe duke llogaritur kontraktimet ashtu si mamitë më thanë se duhej.

Unë kurrë nuk kisha ndjerë një qëllim dhe pritje të tillë, dashuria ime.

Unë ëndërrova për ty kur kontraktimet rrezatonin nëpër trupin tim dhe e dija se kjo ishte ajo. Të ëndërrova ndërsa mundohesha përmes një dhimbjeje që nuk e dija se ekzistonte. Në zemrën time e dija se ja vlen për ty çdo frymëmarrje, çdo dhimbje, çdo shtytje. E dija, sepse isha unë që të mbaja. Unë të mbaja në barkun tim, në zemrën time dhe në shpirtin tim.

Ti ishe ëndrra ime para se bota ta dinte që ti ekzistoje.

Unë të kam ëndërruar ndërsa dhoma e spitalit u bë një zonë lufte dhe unë luftova me të gjitha forcat e mia për të sjellë ty në botë.

Dhe befas ti ishe në gjoksin tim, ishe aty; ëndrra ime; arsyeja ime, zemra ime. Ti ishe aty qëllimi im me një trup të vogël, shtrënguar me shpirtin tim. Çdo sekondë ia vlejti, çdo sekondë e vetme…

Unë kurrë nuk kam dashur ta ndiej atë dhimbje përsëri, por gjithashtu e dija se do ta bëja njëmijë herë vetëm për të të mbajtur në krahët e mi. Dashuria e një nëne është e pashpjegueshme; është e paarsyeshme; nuk ka dashuri tjetër si ajo. Dashuria e një nëne i përket plotësisht fëmijëve të saj. Nuk ka korridore të zemrës së saj që janë jashtë kufijve të kësaj dashurie.

Çdo derë është e hapur për ty; Unë jam e gjitha e jotja.

Dhe pastaj u rrite.

Çdo ditë dyshoja në vetvete. Unë luftoja të bëhesha gruaja që e ndieja se duhet të isha. Unë doja të të jepja botën, por veprimet e mia dukeshin të pakta.

Unë ëndërroja për të ardhmen tënde ndërsa kaloja net pa gjumë me çarçafë të lagur me qumësht. Unë ëndërrova për ty ndërsa ishe ulur duke bërtitur për mua nga karrigia jote në vitet e rritjes tënde. Unë ëndërrova për ty kur gjykova veten sepse isha e sigurt se po i bëja të gjitha gabim dhe aq shumë doja t’i zgjidhja të gjitha. Unë të ëndërrova ndërsa përqafoja trupin tënd të ngrohtë pas një ëndrre të keqe. Të kam ëndërruar kur të kam mbajtur dorën tënde në ditën e parë të kopshtit. Të kam ëndërruar ndërsa të kam parë duke vrapuar në fushën e futbollit për herë të parë.

Një ditë mbase do ta shihni. Ndoshta do ta mbani foshnjën tuaj në gjoks për herë të parë. Ndoshta zemra juaj do të copëtohet në një miliona copa dhe do të ndërtohet përsëri nga e para. Një dashuri si kjo është e pamundur të shpjegohet derisa të keni pasur rastin ta prekni atë.

Këto fëmijë, këto janë ditët që i ëndërrova. Kam ëndërruar për personin që do të bëheshe; Kam ëndërruar të të shoh duke fluturuar. Të lutem ki durim me mua dashuria ime, pasi po mësoj të lejoj të zgjasësh këmbët dhe të përdorësh zërin tënd. Bëj durim me mua ndërsa kaloj edhe një tranzicion dhe bëhem tjetër njeri…

Ti po rritesh, dhe unë jam gjithashtu.

Ti ishe ëndrra ime para se të vije në jetë! Ti ishe ëndrra ime para frymëmarrjes tënde të parë!

Bëj durim me mua ndërsa unë i heq gishtat e mi dhe i liroj këto duar që ju kanë mbajtur. Bëj durim me mua ndërsa unë i ”qetësoj” krahët që ju kanë mbartur që ditën e parë kur keni ardhur në jetë. Bëhu i durueshëm me mua derisa ta pranoj se ka ardhur koha të të “mbroj” më pak dhe të dëgjoj më shumë e të lë të ecësh vetë në jetë… .

E kam e ëndërruar këtë moment dhe ja ku je.

Dhe unë akoma ëndërroj.

Unë të dua aq sa ti nuk do arrish kurrë ta dish sa shumë …

Dashuria ime

Mamaja jote. / KultPlus.com

“Teknologjia po përdoret sot si “dado pa pagesë”, në fakt pagesa është dëmtimi i sistemit nervor të fëmijëve”

Arsyet pse fëmijët e sotëm janë të mërzitur, arrogantë dhe të paduruar?

1. Teknologjia

Teknologjia po përdoret sot si “dado pa pagesë” por në fakt pagesa është dëmtimi i sistemit nervor të fëmijëve. Teknologjia ofron një sistem stimujsh të fuqishëm dhe kjo bën që ambientet e tjera të jetës reale me më pak stimuj të jenë të mërzitshme dhe sfiduese për durimin dhe vëmendjen e fëmijëve.

2. Fëmijët marrin atë që duan në moment

Prindërit plotësojnë menjëherë dëshirat e fëmijëve sot duke krijuar kështu fëmijë te lumtur për momentin, por të mjerë në periudhë afatgjatë. Një fëmijë qe nuk ushtrohet të shtyjë marrjen e kënaqësisë është një fëmijë që nuk mëson si të duroje dhe të funksionojë nën stres.

3. Fëmijët e sotëm janë shefa

Fëmijët e sotëm u tregojnë prindërve si të prindërojnë dhe kjo është e gabuar se nëse e lemë në dorë të fëmijëve prindërimin, ata përfundojnë duke ngrënë pica e makarona, duke parë gjithë kohës televizor apo kompjuter dhe duke mos fjetur fare. Fëmijët duhet të edukohen se ka dëshira por ka dhe nevoja e detyra.

4. Argëtime pa fund

Ne u krijojmë një botë artificiale fëmijëve duke i argëtuar pa fund dhe duke mos i lëne asnjë moment të mërziten. Kemi krijuar dy botë të ndara ku ata duhet vetëm të argëtohen dhe ne duhet të punojmë pa pushim kur në fakt ata duhet të ndihmojnë në punët tona. Dështimet e tyre të mëvonshme në jetë do të jenë pikërisht pasojë e moskalitjes me mërzinë apo punët e mërzitshme.

5. Kontakte të pakta sociale

Fëmijët dhe prindërit e sotëm e zenë kohën e lirë me celular ndaj loja e pastrukturuar me fëmijë të tjerë në ambiente të jashtme mungon dhe loja dhe komunikimi me prindin mungon. Kjo bën që aftësitë e tyre sociale të ngelen te pazhvilluara, ndërsa janë aftësitë parësore për përcaktimin e një jete të mirë e të suksesshme.

Përgatiti: E.Çeço
Referenca: Victoria Prooday. / KultPlus.com

Nëna ‘shtanget’ pasi fëmijët e saj ndërtuan dordolec me dhëmbët e gjyshes

Një nënë mbeti e shtangur pasi fëmijët e saj përdorën dhëmbët e vjetër të gjyshes për të dekoruar dordolecin.

Stephanie Murphy, 34 vjeçare nga Tesside, ndau fotografitë në rrjetet sociale dhe pranoi se fëmijët e saj fillimisht kishin frikë nga dordolecët.

Ajo tha: “Unë kujdesem për gjyshen time që jeton afër cepit dhe ndërsa ishim duke ecur për në shtëpinë e saj, vajza ime Faye tha që ne duhet të ndërtojmë një dordolec në kopshtin e saj para për ta bërë atë të buzëqeshë. Kështu që kur arritëm atje, unë hyra për t’i ndihmuar gjyshes time dhe dy fëmijët me burrin tim filluan punën për të bërë dordolecin”.

“Ndërkohë në shtëpi, po kërkoja butona për sytë e dordolecit kur gjeta një qese larëse me të gjithë dhëmbët e vjetër të gjyshes sime gjatë gjithë viteve”.

Atëherë babi Paul kuptoi se protezat do të përshtateshin në mënyrë të përsosur në dordolecin e ndërtuar.

Rezultati ishte një karakter disi i tmerrshëm – por ai përfundoi duke qenë një hit i madh me gjyshen Clarice.

“Në fillim fëmijët ishin pak të frikësuar nga dordoleci me dhëmbë, por shpejt u dashuruan me të”, tha Stephanie, shkruan Mirror. / KultPlus.com

Një djalë çdoherë do të ketë nevojë për nënën e tij..

Këto çaste po ikin, zotëri i vogël. Pavarësisht se sa përpiqem t’i mbaj, do të më ikin nga duart.

Kështu është jeta.

Ndonjëherë pyetem nëse të kam mbajtur mjaftueshëm.

Por shpresoj që një djalë çdoherë do të ketë nevojë për nënën e tij.

Një ditë, krahët e tu nuk do të zgjaten më drejt meje për të të kapur. Në fakt, mendoj se kjo më ka ndodhur.

Nuk do të kesh nevojë të ta puth gjurin e lënduar, as të të përqafoj para gjumit.

Do të më kujtohen këto netë dhe do të dua t’i përjetoj përsëri.

Dhe shpresoj që një djalë çdoherë do të ketë nevojë për nënën e tij.

Më nuk do të vish në dhomën tonë të gjumit në mëngjes, ndonjëherë edhe para se të lind dielli, kur ne jemi të lodhur.

Nuk do të ngjitesh më në krevat e të na lusësh të zgjohemi.

Në vend të kësaj, unë do të zgjohem e do të të gjej në kuzhinë duke bërë ushqim për veten.

Do të të shikoj dhe do ta kuptoj se gjërat janë më të lehta tani, e disi më të vështira gjithashtu.

Dhe do të shpresoj që një djalë çdoherë do të ketë nevojë për nënën e tij.

Më nuk do të zgjohesh duke më thirrur në mes të natës. Nuk do të më thuash që më do disa herë në ditë. Shpresoj që përsëri do të ma thuash, por e di që nuk do të jetë me ato duart e vockla në fytyrën time.

Nuk do të jetë. Dhe kjo është në rregull.

Por shpresoj që një djalë çdoherë do të ketë nevojë për nënën e tij.

Do të ma lëshosh dorën një ditë, dhe do të më thuash që mund të shkosh vetë në shkollë. Do të më japësh një përqafim që asnjëherë nuk zgjat mjaftueshëm.

Një ditë, do të jesh një burrë e do të kesh fëmijën tënd.

Atëherë do ta di që ti çdoherë do të kesh nevojë për nënën tënde, por në mënyra të ndryshme.

Kështu kam dashur të të rris.

Kështu që do t’i çmoj këto momente.

Do të vazhdoj të të mbaj në duar.

Do të të përqafoj para gjumit.

Sepse një ditë, edhe nëse ke më pak nevojë për mua, do ta dish që unë do të jem aty. /supergrate.net/ KultPlus.com

Nuk e ftuan në festë sepse ka Sindromën Down, letra prekëse e nënës

Një letër e hapur për prindin që mendoi se ishte shumë në rregull të ftonte të gjithë klasën në ditëlindjen e fëmijës së vet, përveç djalit tim…

Përshëndetje

Unë e di që ne nuk njihemi mirë, por djali im Sawyer dhe fëmija juaj janë në të njëjtën klasë. Kam marrë vesh se fëmija juaj së fundmi i ka dërguar ftesa ditëlindjeje të gjithë klasës, përveç Sawyer-it, i cili nuk ishte i ftuar. Gjithashtu kuptoj që kjo nuk ishte një çështje neglizhence nga ana juaj; përjashtimi i djalit tim ishte krejtësisht i qëllimshëm.

Dua që ta dini se ne nuk pretendojmë të ftohemi në çdo festë. Në fakt, Sawyer festoi ditëlindjen e tij vitin që shkoi, dhe ne ftuam vetëm disa miq të afërt sepse donim një festë të vogël, duke qenë se ishte pak pas festës së Krishtlindjeve. Por në rastin tuaj, nuk ishte për të njëjtën arsye. Në fakt, ju keni ftuar të 22 fëmijët e tjerë të klasës, përveç djalit tim. E di që nuk është për shkak se im bir është i keq, pasi ai është fëmija më i lumtur që mund të njohësh. E di që nuk është për shkak se im bir nuk ka humor, pasi ai ka një sens të atillë humori që të shkrin gazit. E di që nuk është sepse djali im dhe fëmija juaj nuk shkojnë mirë, pasi e kam dëgjuar që ia përmend shumë shpesh emrin. E vetmja arsye që juve ju duk e arsyeshme të mos e ftonit djalit tim në ditëlindjen e fëmijës suaj, është sepse im bir ka Sindromën Down.

Më vjen keq që ju nuk jeni të informuar, e ndoshta keni frikë, ose jeni të paqartë për atë se çfarë do të thotë të kesh Sindromën Down. E di se, nëse do të dinit më shumë për Sindromën Down, nuk do ta kishit marrë këtë vendim. Nuk jam e inatosur me ju. Më shumë e shikoj si një mundësi, që ju ta njihni më mirë djalin tim. Që ta dini, të kesh Sindromën Down nuk do të thotë se nuk dëshiron të kesh shokë. Nuk do të thotë se nuk ke ndjenja. Nuk do të thotë se nuk të pëlqen të shkosh nëpër festa ditëlindjeje. Njerëzit me Sindromën Down kanë të njëjtat dëshira si të gjithë të tjerët. Duan të krijojnë marrëdhënie të afërta, të ndjejnë dashuri, të japin kontributin e tyre, t’i japin jetës kuptim, dhe të shkojnë në festa ditëlindjeje. Ndonjëherë, mund të jetë e vështirë ta kuptosh tim bir. Por buzëqeshja dhe dashuria që përcjell, nuk ka nevojë për interpretim.

Dua që ta dini gjithashtu se edhe unë kam qenë si ju. Kam përjetuar frikë, turbullira dhe keqinformim për Sindromën Down, përpara se të lindja djalin tim. Isha e shqetësuar sepse mendoja se fëmijët e mi të tjerë nuk do të mund të krijonin me të një lidhje vëllazërore, si të gjithë fëmijët e tjerë. Por gabohesha. Në fakt, fëmijët e mi janë më të afërt se shumë vëllezër të tjerë. Të pasurit një vella me Sindromën Down, i ka ndihmuar të bëhen njerëz të ndjeshëm, të cilët e dinë se të jesh paksa ndryshe nga të tjerët, është OK. Nuk kanë frikë ta ndihmojnë dikë që po vuan probleme. Nuk kanë frikë t’i afrohen dikujt që nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht. Si shpërblim, kanë marrë kaq shumë dashuri dhe gëzim, pasi vëllai i tyre është shoku i tyre më i mirë.

Ndoshta nuk keni ditur ç’ti thoshit fëmijës suaj sepse ndoshta ai nuk e donte djalin tim në festën e tij. Ndoshta e keni lënë atë të vendosë, e të besojë se është OK të përjashtosh dikë. E di që është e vështirë t’i mësosh fëmijës tënd diçka që nuk arrin ta kuptosh plotësisht as vetë. Edhe unë përballem me këtë. Por është mundësia më e mirë për t’i dhënë vetes një mësim të mirë, bashkë me fëmijën tënd. Me kohë, do ta kujtojnë atë që i keni thënë, se nuk është OK të përjashtosh dikë vetëm prej aftësisë ndryshe, racës apo gjinisë. E di që edhe ju doni për fëmijën tuaj të njëjtat gjëra që unë dua për fëmijën tim. Si prindër, duam që fëmijët tanë të kenë simpati, të kenë miq, dhe të mos lihen vetëm. Këtë e arrijmë duke u dhënë shembullin tonë, duke u dhënë kurajo që të bëjnë zgjedhje që ndoshta tani nuk mund t’i kuptojnë plotësisht. Por kur të kthejnë kokën pas një ditë, kur të jenë të aftë të kuptojnë dhe të njohin atë çfarë u patët thënë. Jam e bindur se me pak shtysë nga ana juaj, fëmija juaj mund të krijojë një miqësi të vërtetë me djalin tim, që do t’u lërë një mbresë të mirë për të gjithë jetën.

Derisa kjo ndodhi, nuk e kisha kuptuar se Sawyer nuk është ftuar pothuajse në asnjë festë ditëlindjeje të shokëve të klasës vitin e fundit. Fëmijët po arrijnë atë moshë kur ftesat e tyre janë shumë të përzgjedhura, dhe Sawyer mesa duket nuk është përfshirë nga asnjëri prej tyre. Prindërit e tjerë të fëmijëve me Sindromën Down që njoh, e kanë nisur vitin shkollor duke edukuar klasën mbi këtë sindromë, por unë këtë s’e kam bërë.

Për mua, ai ka qenë gjithmonë thjesht, Sawyer, e nuk e kam ndier nevojën për t’i folur klasës së tij mbi Sindromën Down, deri në këtë moment. Po kuptoj se e kam zhgënjyer tim bir. Kam lënë të kalojë një vit të tërë pa bërë asgjë për të edukuar edhe familjet e tjera. Ndoshta, nuk do të ishim në këtë situatë tani. E kuptoj se është detyrimi im si prind, që të edukoj më shumë njerëz, mbi atë se çfarë do të thotë të kesh Sindromën Down, dhe sesi ata kanë më shumë ngjashmëri me të tjerët sesa ndryshime. E di që është shumë e rëndësishme të flasësh për këtë, dhe unë jam mëse e përkushtuar që ta përmirësoj këtë pjesë.

Ju lutem, ta dini se unë jam këtu për të folur, nëse dëshironi. Mund të jem një nënë tepër mbrojtëse, por nuk jam njeri i frikshëm. E kuptoj që gabime bëjmë të gjithë, dhe në fund të ditës, të dy ne mund të kishim bërë më mirë’

*Letra është publikuar në Facebook nga nëna, zonja Jennifer Kiss-Engele, nga Kanadaja. / KultPlus.com

Vodhën ushqime për fëmijët, Polici nuk i arreston por i paguan vetë të gjitha

Një polic amerikan u thirr me urgjencë për të arrestuar një familje të dyshuar se kishte vjedhur ushqime në një dyqan në Somerset, Massachusetts, transmeton KultPlus.

Por në fund, efektivi jo vetëm nuk i prangosi, përkundrazi, i pagoi vetë të gjitha. Historia e policit Matt Lima tashmë ka pushtuar titujt kryesore të disa gazetave amerikane. Edhe pse ngjarja ndodhi muajin e kaluar, ajo është mësuar tani. Dy gra u raportuan se nuk kishin kaluar në kasë të gjitha ushqimet e marra.

Ato u treguan mjaft të sinqerta në përgjigjen e tyre përpara efektivit: donin që të kishin si të gjithë një darkë normale Krishtl  indjesh me të cilën të gëzonin fëmijët e tyre.

Por familja kishte hasur në vështirësi financiare këtë periudhë, e nuk e paguante dot të gjithë ushqimin. Lima i qortoi për shkeljen, por nga ana tjetër I la të merrnin të gjithë ushqimet pasi atë çfarë mungonte në faturën e pazarit, e pagoi nga xhepi i tij.

“Dy fëmijët e vegjël që ishin me njërën nga gratë më kujtuan fëmijët e mi”, tha polici. “Nuk mund të bëjë gjë tjetër përveçse t’i ndihmoja”, shtoi ai. / KultPlus.com

Si të ‘zgjoni’ kreativitetin tek fëmijët?

Të luash, të rritesh, të mësosh janë tri fjalë që, në fjalorin e fëmijëve, përkthehen në krijimtari dhe vetëvlerësim. Jo vetëm në shkollë, por edhe me lojëra individuale, me ato mes vëllezërve të motrave, bashkëmoshatarëve ose të rriturve, fëmija mëson të gjejë vendin e tij në botë. Çelësi i këtij kërkimi të vazhdueshëm të identitetit, mbi të gjitha qëndron në llojin e lojës që ai zgjedh.

Fëmijët nuk e përdorin një lodër vetëm për kënaqësi argëtuese, por e lidhin aspekte sentimentale (bazuar në atë se kush ua dha, me çfarë rasti), si dhe me aspektet didaktike (sepse ata mësojnë të bëjnë diçka të re përmes lodrës). Ato i ndihmojnë ata të ndërtojnë një rrëfim personal dhe potencialisht të pafund, ashtu si dhe potenciali i krijimtarisë është i pafund.

Sidoqoftë, jo të gjitha lojërat e kryejnë këtë detyrë. Dhe mbi të gjitha, sasia bën një ndryshim në zhvillimin e fëmijës. Një hulumtim i titulluar “Ndikimi i numrit të lodrave në mjedisin e fëmijëve të vegjël”, synon të analizojë numrin e lodrave që një fëmijë duhet të ketë në mënyrë që aktiviteti të jetë vërtet cilësor. Pak, por sakt, ishte përgjigjja e studiuesve.

Një hapësirë të dedikuar për ata

Ashtu si për të rriturit, kjo vlen edhe për të vegjlit: të kesh një hapësirë kushtuar pasioneve të tyre, ku të jesh krijues dhe i lirë, bën diferencën. Në vendin e punës, të rriturit promovojnë produktivitetin. Ashtu si të rriturit, fëmijët gjithashtu përfitojnë nga një hapësirë ??që është vetëm e tyre: ndihmon në vendosjen e kufijve, për t’i bërë ata të pavarur, të sigurt dhe paqësor.

Zgjidhni lojërat e duhura

Ndër lojërat që zhvillojnë kreativitetin janë kubat me ngjyra, maskimet, kukulla dhe mjete për lojëra me role.

Kaloni kohë me ta

Ndërsa është e vërtetë që loja individuale e fëmijës është shumë e rëndësishme për rritjen e tij duke filluar nga 18 muajsh, është gjithashtu thelbësore që të kaloni kohë për të luajtur së bashku. Dy qasje të ndryshme krijuese (që kanë të bëjnë me dy grupe të ndryshme psikologjike) kanë një gamë të pabesueshme veprimi, e cila stimulon jo vetëm fëmijën, por edhe të rriturit që luanjnë me të.

Fuqia e mërzisë

Edhe mërzia është një stimul i fuqishëm për krijimtari. Në studimin ” “Does Being Bored Make Us More Creative?” botuar në Revistën e Kreativitetit, theksohet korrelacioni midis mërzisë dhe krijimit. Fëmijët që herë pas here lihen të mërziten, marrin stimulin për të kërkuar ide dhe burime të brendshme për të dalë nga statusi i tyre fillestar. Gjithashtu duke përdorur lodrat përreth tyre në mënyra të reja dhe të habitshme.

Krijimtaria dhe vetëvlerësimi janë aleatë

Të mendosh se fëmija bën diçka me duart e veta për ta ekspozuar atë ose për t’ia dhënë një anëtari të familjes, është një mënyrë e thjeshtë për të kuptuar sesi krijimtaria dhe vetëvlerësimi mund të kombinohen. Lënia e fëmijës të lirë, të shprehë veten e ndihmon atë të ndërtojë botën e tij, në të cilën ai dhe aftësitë e tij njohëse janë në qendër. Një marrëdhënie që shpalosë kulmin e saj në periudhën e adoleshencës. / KultPlus.com

Akademia e fëmijëve “Loja” me vizitë në Parkun Arkeologjik “Ulpiana” për festën e 28 Nëntorit

Njohja e trashëgimisë kulturore dhe vizitat nga afër të monumenteve të ndryshme, është një prej pikave kyçe për zhvillimin kulturor tek fëmijët.

Duke pasur parasysh këtë, Akademia e fëmijëve “Loja” e ka kurrikulën e përpiluar në atë mënyrë që gërsheton të gjitha temat me rëndësi gjatë tërë vitit. Një ndër temat është edhe trajtimi i simboleve kombëtare, trashëgimisë kulturore dhe identitetit të vendit tonë.

Andaj, në kuadër të programit të tyre, pragu i festës së 28 Nëntorit u pa si më i miri për një vizitë në Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, një thesar ky antik brenda Kosovës.

“Koha më e përshtatshme për këtë vizitë ishte në pragun e festës së 28 nëntorit. Gjithashtu ambienti i jashtëm, gjatë kësaj kohe pandemie ishte ideale për realizimin e kësaj vizite. Secila vizitë që është realizuar deri më tani, me fëmijët e grupmoshës 3-6 vjeç, ka ardhur si rrjedhojë e temave dhe ngjarjeve të rëndësishme, kulturore dhe edukative në qytet”, ka thënë drejtoresha e Akademisë së fëmijëve “Loja”, Xheri Deshishku.

Iniciativa të tilla kulturore duhet të merren më shpesh për fëmijët sepse edhe sipas drejtoreshës, fëmijët mësojnë më shumë duke i parë e bërë gjërat vetë.

“Duke pasur parasysh që fëmijët mësojnë më shumë duke i bërë gjërat vetë, sigurisht që vizitat e tilla kontribuojnë më shumë që fëmijët të mësojnë gjërat konkretisht dhe duhet të realizohen sa më shpesh që është e mundur. Gjatë vitit, “Loja” realizon deri në 20 vizita jashtë shkollës së saj, të cilat janë shndërruar në traditë dhe fëmijët gjithmonë i gëzohen këtij procesi të udhëtimit në grup dhe e mbajnë mend përgjithmonë”, pohon Deshishku.

Sipas drejtoreshës, fëmijët gjithmonë i mirëpresin vizitat e tilla, e sidomos këtë vizitë, e cila ishte në ambient të hapur dhe kishte liri të lëvizjes.

“Përveç mësimeve rreth simboleve, traditës së lashtë, arkitekturës dhe elementeve të tjera që u njoftuan gjatë vizitës, ata ishin kureshtarë edhe për bimët dhe shpezët që rastësisht i gjetëm në Park. Shumë shpesh ndodh që fëmijët krijojnë mundësi të reja të të mësuarit gjatë një vizite dhe orientojnë vizitën në disa dimensione, sikurse në këtë të fundit”, tregon kështu Deshishku për këtë vizitë që do të mbetet gjatë në mendjen e fëmijëve.

Iniciativa të tilla, duhet të bëhen shembull edhe nga të tjerët sepse njohja e trashëgimisë kulturore është është shumë e rëndësishme për identitetin e secilit. / KultPlus.com