Shpaloset ekspozita multidisiplinare ‘Frymë’, inkuadrohen teknika të veçanta punimi

Era Berisha

Pikturat multidisiplinare të cilat janë punuar me tre teknika të veçanta por krejtësisht ndryshe nga njëra-tjetra ku shikuesi futet në një botë jo edhe aq të zakonshme, erdhën në një formë unike nga tre autorë si: Sali Shkupolli, Ilirjana Luzha dhe Flutra Hyseni, të cilët shpalosën një eksperiment të ri përmes punimeve të tyre në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, shkruan KultPlus.

Në amfiteatrin e sheshit ‘Zahir Pajaziti’ të vendosura ishin rreth 35 piktura të cilat i përkasin tre teknikave diversive si: reliefi, ndryshku dhe skulptura. Vizitorë të shumtë dhe dashamirë të artit pamor arritën të shihnin nga afër këto punime nga ku edhe po dominonte ngjyra kafe që po njëlloj si materiali, tërhiqte vëmendjen e të pranishmëve.

Ekspozita e titulluar ‘Frymë’, mblodhi rreth vetes një admirim që po shihej në sytë e vizitorëve e po ashtu edhe në sytë e autorëve të cilët kanë vendosur mbi këtë bashkëpunim, me ç’rast po dukeshin të kënaqur me punën e tyre. Andaj, për të folur më shumë rreth procesit të punës, i pranishëm ishte edhe skulptori Sali Shkupolli, i cili për KultPlus shpalosi edhe idenë për të realizuar një ekspozitë të tillë.

“Ideja ishte e thjeshtë sepse gjatë pandemisë ishim më të lirë dhe kishim kohë në duar tona dhe kështu në bisedë e sipër erdhi ideja për ta realizuar një ekspozitë të tillë”, thotë Shkupolli.

Sipas tij, karakteristikë e ekspozitës është se këtu paraqitet teknika relief e punuar nga vetë ai, teknika pikturë me ndryshk dhe jo me ngjyra që do të thotë se është një risi sepse deri më sot, Shkupolli beson se askush nuk e ka punuar në botë këtë eksperiment të realizuar nga Ilirjana Luzha si dhe Flutra Hyseni e cila ka punuar mjaft shumë me qeramikë, polister dhe skulpturë.

“Procesi me dy studentet e pikturës të cilat njëkohësisht punojnë së bashku me mua në skulpturë, ishte një proces mjaft i mirë që ka nisur qysh nga muaji janar e deri më sot ku çdo ditë kemi qenë aktiv për të arritur deri në fund të realizmit”, përfundon Shkupolli për KultPlus.

Ndërsa, artistja Ilirjana Luzha për KultPlus foli rreth punimeve të saj të punuara në teknikën e ndryshkut.

“Jemi munduar që teknikat tona të jenë të veçanta dhe të jemi secili në stilin tonë, prandaj gjithsej tetë pikturat e mia janë në dimensione 100 me 120cm, të cilat janë të punuara në teknikën e ndryshkut e të cilat titullohen me emrin: ‘Gjurmët e urbanizmit'”, shpalos Luzha.

Sipas saj, të gjitha pikturat janë të punuara me një dashuri të madhe për të sjell një frymë sa më ndryshe dhe më të re në një teknikë mjaft interesante.

“Padyshim që nuk ka qenë lehtë sepse për tu ekspozuar diçka e veçantë nevojitet kohë, mund dhe një dëshirë e madhe për art. Por, tani mundimi im po më duket shumë i lehtë kur po e shoh se sa shumë po vlerësohen këto punime”, përfundon Luzha për KultPlus.

Po ashtu, artistja Flutra Hyseni për KultPlus foli rreth veprës së veçuar nga vetë ajo, e që njëkohësisht kjo vepër tashmë është e njohur për shumë kë por që Hyseni e solli në një formë ndryshe.

“Nga gjithsej nëntë punime të punuara në një periudhë kohore rreth pesë muaj me kermaikë, poliester dhe dru, do e veçoja ‘Hyjneshën në fron’, për arsye se më ka marrë kohë më shumë për shkak se derisa është formuar modelimi sepse është dashur të deformohet në një madhësi më të gjatë”, thotë Hyseni për KultPlus.

Ekspozita multidisplinare me emrin ‘Frymë’ do të jetë e hapur për publikun deri në orën 20:00./ KultPlus.com

Fëmijët festojnë së bashku Festën e Shën Nënë Terezës

Alberina Haxhijaj

Në Katedralen e Prishtinës e cila mbanë emrin e Nënë Terezës, ka dy ditë që po organizohen aktivitete të ndryshme për ta kujtuar atë, shkruan KultPlus.

Për tri ditë rresht më 2, 3 dhe 4 shtator në mënyrë të veçantë po kujtohet 1-vjetori i shugurimit të Katedrales dhe 90-vjetori i nisjes së Gonxhe Bojaxhiut për misionin e saj në Kalkuta të Indisë.

“Këtë javë Kisha Katolike ka vendosur që t’ia dedikojë, 90 vjetorit të udhëtimit të Nënë Terezës në Kalukta por edhe 550 vjetorit të Skënderbeut”, tregoi për KultPlus, Arijeta Ajeti.

Pjesë e këtyre organizimeve janë bërë edhe fëmijët. Fëmijët e famullisë dhe disa fëmijë me sindromin down, dje janë bashkuar për të pikturuar në oborrin e Katedralës.

“Dje të gjithë fëmijët kanë punuar në pëlhurë ndaras dhe pastaj punimet e tyre janë bashkuar duke krijuar kështu një thënie të Nënës Terezë”, tregoi Ajeti e cila po punon vullnetarisht me fëmijët gjatë këtyre ditëve.

Kështu thënia: “E djeshmja iku, e nesërmja nuk ka ardhur, e kemi vetëm të sotmen. Le të fillojmë”, e realizuar nga fëmijët do të qëndrojë e ekspozuar në Katedrale deri më 10 shtator. Një thënie kjo e Nënës Terezë e cila nxit njerëzit që të mos mendoj për të shkuarën dhe as për të ardhmen mirëpo që të fokusohen në të sotmen dhe të japim maksimumin e tyre.

Edhe sot fëmijët janë bërë së bashku për të punuar punime por kësaj radhë ata po realizojnë përkrenaren e Skënderbeut pasi që sot po përkujtohet ai. Kështu, fëmijët e pranishëm janë duke krijuar me letra dhe material të tjera të ndryshme përkrenaren e heroi kombëtar. Çdo njëri prej fëmijëve të pranishëm po nxjerr detaje dhe po e rregullon përkrenaren sipas idesë së tyre, duke e bërë dizajnin vet.

“Qëllimi është që t’i mbledhim fëmijët së bashku me e përkujtua këto dy figura shumë të mëdha për shqiptarët si dhe duke mësuar më shumë për to”, u shpreh Ajeti.

Edhe nesër do të vazhdojnë aktivitetet duke filluar me Ligjëratën mbi Katedralen: historiku, stili arkitektonik, veprat artistike në ora 17:00 dhe aktivitete të tjera me radhë./ KultPlus.com