“Katundet arbëreshe”, ekspozon për herë të parë 2 botime të Kamardës dhe Skiroit

Në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar u çel sot ekspozita me titull: “Katundet arbëreshe”. Kjo ekspozitë pasqyron shpirtin arbëresh, i cili dëshmon përkatësinë e vet etnike.

Ekspozita, e cila do të qëndrojë një javë e hapur, është përfytyruar, duke menduar gjithë shqiptarët në botë, me dëshirën për të njohur gjakun e kombit shqiptar të shpërndarë në luftëra të shumta.

Risi e kësaj ekspozite janë 2 libra, që ekspozohen për herë të parë:1-“Saggio di Grammatologia Comparata sulla lingua”, me autor Dhimitër Kamardrën.2-“Canti tradizionali ed altri saggi delle colonie”, me autor Zef Skiroin. Gjithashtu përbën risi një brez metalik që vjen nga Hora e Arbëreshëve me një paftë ku paraqitet Shën Gjergji hipur në në kalë.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij tha se: “Në këto ditë të trashëgimisë kulturore në të cilat ne synojmë nxitjen dhe zhvillimin e aktiviteteve promovuese kjo ekspozitë të nxit dhe të shtyn në gjurmime të tjera historike e etnografike mbi bashkësitë arbëreshe, origjinën e veshjes, modifikimet që kanë ndodhur etj.”

“Katundet arbëreshe në Itali filluan të formohen në shek. XV dhe formimi i tyre u plotësua në shek. XVIII. Kolonitë arbëreshe mbëritën në Itali në valë të ndryshme duke sjellë në mërgim, bashkë me gjuhën amtare edhe kostumet e traditat kulturore në kohën e mërgimit. Këtë pasuri shpirtërore arbëreshët e kanë ruajtur gjithmonë me këmbëngulje deri në ditët e sotme. Arbëreshët bashkë me emrin e tyre të vjetër etnik që e morën nga mëmëdheu, ruajtën edhe kultin e Heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Këto grupe të popullsisë arbëreshe nuk u shkrinë dot me popullsinë vendase, por ruajtën dhe lartësuan me krenari identitetin etnik origjinal që ka ardhur përtej shekujve në forma të shumëllojshme, duke e shprehur në jetën e përditshme, në shprehjet artistike, traditat gojore dhe letrare”.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë rreth 1 javë e hapur, por që sigurisht ne do të mundohemi që nëpërmjet kontakteve që kemi me shkollat 9-vjeçare, apo dhe me shkollat e mesme të arrijmë të bëjmë të mundur biseda të ndryshme gjatë kësaj kohe, për të njohur më mirë botën arbëreshe nga ana e brezit tonë të ri” përfundoi drejtori Koçi. / KultPlus.com

Katundet arbëreshe, 5 shekuj festime me “Vallen e Pashkës” së Jeronin De Radës

Prej pesë shekujsh, në çdo Pashkë, vallja mbush e zbukuron rrugët e çdo katundi arbëresh. Periudha e Pashkëve në këtë komunitet përkon me një kalendar artistik të mbushur me manifestime folkloristike, aktivitete kulturore, panaire enogastronomike. Më e shumëpritura është “Festa e Valles”. Vallja, një nga takimet më të rëndësishme e kuptimplote të traditës arbëreshe është shprehja folkloristike e një populli që nuk ka harruar historinë e tij, rrënjët e tij. “Vallja” lindi gjatë shek XV me një karakter ritual e historik siç ka mbërritur deri më sot.

Një melodi e ëmbël të fton të kthehesh në shtëpinë tënde, harmonia e trupave në lëvizje thërrasin një të kaluar antike, mendimet fluturojnë e përcjellin detin, humbasin pas maleve të ashpra, drejt formave të largëta që horizonti i fal një ngjyrë ylberi. Është toka që kurrë se ke parë, janë trojet për të cilat gjyshërit kanë dëgjuar të flitet nga gjyshërit e tyre. Dëgjohet një vaj i ëmbël nga i cili s’mund të fshihesh, fton ta dëgjosh, kthehet në një thirrje të ëndshme që se tradhton dot. Mëndja, trupi, ritmi i kohës rilindin në të njëjtin moment krenarinë se i përket një bote antike. Ndoshta e gjithë kjo është Vallja.

“Më shumë unik se sa i rrallë duhet të konsiderohet fenomeni i këtyre njerëzve, që pas pesë shekujsh jete në një toke të huaj, qëndrojnë kokëfortësisht të lidhur me gjuhën, traditat dhe kostumet e tokës së origjinës”, shkruante Ernest Koliqi në veprën e tij “Studime te letërsisë shqiptare” duke iu referuar komunitetit Arbëresh, popullsisë shqiptare e cila prej shek. XV jeton në brigjet italiane duke ruajtur një gjuhë amtare të pastër antike, plot tradita e zakone që breza shqiptarësh, banorë të sotëm në trojet kombëtare i kanë humbur ose nuk i kanë mësuar kurrë. Prej pesë shekujsh, në çdo të martë të Pashkëve, vallja mbush e zbukuron rrugët e çdo katundi arbëresh.

Periudha e Pashkëve në këtë komunitet përkon me një kalendar artistik të mbushur me manifestime folkloristike, aktivitete kulturore, panaire enogastronomike. Më e shumëpritura është Festa e Valles. Vallja, një nga takimet më të rëndësishme e kuptimplote të traditës arbëreshe është shprehja folkloristike e një populli që nuk ka harruar historinë e tij, rrënjët e tij. “Vallja” lindi gjatë shek XV me një karakter ritual e historik siç ka mbërritur deri më sot. Ky kërcim popullor evokon me krenari një nga fitoret më të rëndësishme të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut ndaj turqve, të zhvilluar pikërisht në të martën e Pashkëve të vitit 1467.

Veçanërisht në Civita, Frascineto, Ejanina, San Basile, Fermo, San Benedetto Ulliano, Fallkonarë ruan origjinalitetin etnografik të lindjes, e konsiderohet si një nga vallëzimet më antike folkloristike kolektive.

Dhe pse e lidhur me një kujtim lufte, Vallja është simbol vëllazërie mes arbëreshëve, që mes këtij manifestimi ndjehen më të bashkuar, flasin një gjuhë, kanë të njëjtat kostume veshur, këndojnë e vallëzojnë me një ritëm.

Me një dramacitet spektakolar ajo paraqet një skenar unik, gjatë të cilit etnia arbëreshe rijeton me kërcimin gjithë historinë e saj. Vallja është një ndërthurje e mrekullueshme midis të djeshmes e të sotmes, në një popullsi kaq të vetëdijshme për identitetin e saj. Të martën e Pashkëve burra e gra, të rinj e fëmijë stolisen me kostumet më të mira tradicionale e zbukurojnë rrugët e katundeve. Dorë për dore në grupe valltarësh ekzekutojnë koreografinë e kërcimit. Në ekstremitete qëndrojnë dy flamurmbajtës që me lëvizjet apo rrotullimet e tyre të papritura e ritmike mimëzojnë skema të betejave të Skënderbeut. Herë pas here “rrëmbejnë” persona nga publiku i cili e paguan lirimin e tij me një gotë vere. E Hëna dhe e Marta e Pashkëve janë konteksti historik i formave më origjinale të përfaqësimit të identitetit të tyre, përfaqësuar koreografisht nga Ushtria e Skënderbeut dhe Vallja. Vajzat të veshura me kostumin e çmueshëm tradicional, të udhëhequra nga “kapurelët”, vallëzojnë duke vizatuar spirale të pazgjidhshme e duke kënduar vjershat e rapsodive që himnizojnë vlerat e popullit arbëresh dhe heronjtë të tij. Vallja, me një koreografi në formën e patkoit, ecën hijerëndë nëpër rrugët e katundit, rrethon dhe zë “rob” pas shpërblesës simbolike (pije ose bonbone), “fitojnë” lirinë. Rreth valles, “ata ç’nxijnë”, me blozë fytyrën e çdo kujt që nuk flet arbërisht.

Këngët gjatë ekzekutimit të valles janë në gjuhën arbëreshe, mjaft antike e pa te cilat Festa e Valles nuk do të kishte kuptim. Këndohet rapsodia “Kostantini e Jurendina” (Kostandini e Doruntina, tek arbëreshet Doruntina njihet si Jurendina) apo ajo kushtuar betejës së Krujës, por dhe mjaft vargje për prijësin e tyre Skënderbe, ndaj të cilit arbëreshet nuk lodhen kurrë së qeni krenar. Momenti i fundit i ekzekutimit te Valles lidhet me improvizimin e rimave dhe këngëve të nisura nga pijetorja deri natën vonë, mes humorit e serenatave, nga një shtëpi në tjetrën. Vallja për ta nuk është veç një motiv folklorik apo evokim historik, por mbi të gjitha një identitet ekzistues social, etnik e kulturor.

Vallja arbëreshe kthehet unike e merr një nur mbretëror në ekzekutimin e saj dhe falë kostumeve të mrekullueshme të grave e vajzave, burrave e djemve .

“Kostumi i festës me stofat e çmuara prej atllasi, pëlhurat e mëndafshta, me një kombinim harmonik ngjyrash e qëndisjesh me ar, dëshmojnë ashtu si dhe këngët, mirëqenien e Shqipërisë kur emigrantët e braktisën”, shkruan Ernest Koliqi.

Minoriteti arbëresh në Itali ka një popullsi mbi 80 000 banorë e që nga koha kur janë vendosur në këto toka e deri më sot ligji i gjakut u ka bërë të ndjehen përherë shqiptarë, pasardhës të Skënderbeut, Heroit të tyre të përditshëm. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com