“Kinemaja shëtitëse” nis sezonin e 7-të nga Saranda

Në Sarandë nisi aktiviteti kinematografik “Open Cinema” i cili mbrëmë pati shfaqjen e parë dhe që do të vazhdojë për tri netë rresht.

Ky është sezoni i 7-të i këtij aktiviteti i quajtur ndryshe “Kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri”. Filmat e fundit të kinematografisë shqiptare dhe jo vetëm, emra të njohur të skenës dhe ekranit, yjet e këngës dhe muzikës shqiptare, do të performojnë para ekranit të madh të kinemasë. Qytetarët e Sarandës por edhe vizitorët e shumtë që gjenden aty në këtë sezon veror, do të përjetojnë çaste magjike që do të sjellë ky show kinematografik.

“Open Cinema” vjen përmes financimit të Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare Kinematografike, Bashkisë Sarandë si edhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, i cili siguron materiale arkivore siç janë filmat e vjetër shqiptarë që ngjallin nostalgji tek shikuesit.

Kinemaja shëtitëse nisi rrugëtimin e saj me shfaqjen e filmit të Herion Mustafarait, “Çkrepja”, me interpretimin e emrave të njohur si Bujar Asqeriu dhe Lulzim Zeqja./atsh/KultPlus.com

“Kinemaja shëtitëse”, në qytetin e Gjirokastrës

Nisi programi “Open Cinema” ose “Kinemaja shëtitëse”, në qytetin e Gjirokastrës, i cili parashikon shfaqjen e filmave për 3 net rresht.

Ky program vjen si nismë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, për ta çuar filmin sa më pranë publikut dhe jo vetëm në kryeqytet.

Bashkia Gjirokastër, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, Production Cinemania, janë disa nga mbështetësit e këtij eventi, i cili pas një kalimi në qytete të tjera të vendit, solli kinemanë verore në qytetin e bukur të Gjirokastrës.

Show kinematografik ka në permbajtjen e tij, filma shqiptarë dhe të huaj, të cilët nisën projeksionin në sheshin përballë Teatrit “Zihni Sako”. Pas shfaqjes së filmit, të pranishmit patën mundësinë të shijonin edhe muzikë live.

Ky projekt parashikon një sërë aktivitetesh verore dhe vjen si bashkëpunim i AQSHF dhe Cinema Production.

Këtë verë, filmi shqiptar dhe i huaj do të “shëtisë” në sheshet e disa qyteteve të Shqipërisë, duke shtuar një aktivitet më shumë edhe për pushuesit gjatë sezonit veror. / KultPlus.com