Restaurohet Kisha e Shën e Premtes në Lukovë

Kisha e Shën e Premtes në Lukovë, e restauruar tashmë plotësisht, është kthyer në një stacion të ri përgjatë tureve të vizitorëve në jug të vendit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo kishë, e shpallur monument kulture i kategorisë së I-rë, e cila tashmë i është nënshtruar restaurimit tërësor që e ka nxjerrë nga gjendja e rrezikut për shembje.

“Mirëmëngjes dhe me Kishën e rilindur të Shën e Premtes në Lukovë, monument i shek. XVII, tani gati për të pritur miqtë vizitorë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Punimet që janë kryer në kishën Shën e Premte në Lukovë, për resturim dhe konservim, e kanë nxjerrë këtë monument kulture nga gjendja e rrezikut.

Kjo kishë e tipit bazilikë (nga greqishtja e lashtë, portiku mbretëror), e ndërtuar mbi një kodër, daton që nga shekulli i XVII-të. E pozicionuar në lagjen perëndimore të Lukovës, kisha ndodhet, pothuajse e braktisur, në mes të një ullishteje.

Kisha bën pjesë në grupin e bazilikave me kupolë. Në të mund të hyhet prej dy dyerve, një në anën jugore dhe tjetra në anë perëndimore. Kisha ka gjashtë kolona, mbi të cilat kalojnë harqe. Veçanërisht e rëndësishme ishte kulla e këmbanës, e dhuruar nga mbreti i Napolit në 1695, e cila u zhduk në 1967, me shkatërrimin e shumë kishave dhe xhamive gjatë periudhës të diktaturës.

Kisha është një prej objekteve më interesantë që duhen vizituar në Lukovë, fshatin e bukur bregdetar, 20 kilometra larg Sarandës. / KultPlus.com