Ura e Kasabashit, monument kulture realizuar nga mjeshtri i arkitekturës osmane

Ura e Kasabashit është një vepër inxhinierike që mban statusin “Monument Kulture”, Kategoria I. Ura gjendet në afërsi të qytetit të Çorovodës në rrethin e Skraparit. Ajo futet në tipologjinë e urave simetrike me tre qemerë me kurriz dhe me dritare shkarkuese.

DRTK Berat kujton se, dikur nëpër këtë monument kalonte rruga e karvaneve Berat-Skrapar-Korçë. Mendohet që ura të jetë një vepër e arkitekt Kasëmit nga fshati Grëmsh. Kjo mund të hamendësohet edhe nga emërtimi i urës (Kasabash-mjeshtër Kaso-Kasëmi).

Qemeri qëndror, i cili ka një vëllim më të madh, paraqitet me nje konstruksion me majë të mprehtë me hapësirë drite 12 m, ndërsa dy qemerët anësorë janë më të vegjël në vëllim dhe kanë formë gjysmë rrethore.

Ura e Kasabashit është ndërtuar mbi një degë të lumit Osum. Ajo ndodhet rreth 1 km larg qytetit të Çorovodës, në veri të tij. Specialistët mendojnë se është ndërtuar rreth shekullit XVI – XVII. / atsh / KultPlus.com

Kullat e Sali Manit, monument kulture që përcjell etnografinë dhe historinë e veriut

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër sjell në vëmendje një monument kulture të kategorisë së parë (1977), Kullën e Sali Manit, në Bujan të Tropojës.

Kulla është ndërtesa tipike e skajeve më veriore të Shqipërisë, me elementë që kanë përcjellë ndër shekuj etnografinë dhe historinë e banorëve e këtyre anëve.

Ndërtesa është një fortifikatë guri me tre kate, ku lënë gjurmë vetëm frëngjitë që nuk janë të shumta. Kati i parë mundëson hyrjen në kullë përmes një porte të harkuar druri, ndërsa shkallët e brendshme lehtësojnë hyrjen në dy katet e tjera.

Në mënyrë të njëtrajtshme me modelin e ndërtimeve të Malësisë së Gjakovës kjo banesë ka të njëjtin tip jetese. Kati përdhes për haur, kati i parë dhoma e grave dhe kati i dytë për miqtë dhe burrat e shtëpisë. Kulla është ndërtuar në fund të shekullit të XVIII dhe u bë e famshme gjatë 100 viteve të shkuara si vendi ku u zhvillua Konferenca e Bujanit. / atsh / KultPlus.com

“Porta e Pashait”, monument kulture i ndërtuar në kohën e Ahmet Kurt Pashës

“Porta e Pashait” është një monument që gjendet në qytetin e Beratit dhe gëzon statusin juridik monument kulture i kategorisë së pare.

Porta është një ndërtim me harqe dhe qemerë prej guri. Në këtë ndërtim bie në sy gdhendja e zbukurimores, e cila është e punuar me një nivel të lartë artistik, veçanërisht në bordurën, që rrethon siluetin e hyrjes për në portë.

Sipas studiueses dhe specialistes së artit Fatbardha Shkupi, ndërtimi i kësaj porte është vepër e gjyshit të usta Naum Ngjelës, nga Lavdari i Oparit të Korçës.

Porta është ndërtuar në kohën e Ahmet Kurt Pashës, në gjysmën e dytë të shek. XVIII.

Ahmet Kurt Pasha e qeverisi Beratin për gati 23 vjet (1764-1787). Gjatë sundimit të tij Ahmet Kurt Pasha, i cili veç të tjerash njihet edhe si ndërtuesi i Urës së famshme të Goricës (1780) ndërtoi edhe një kompleks sarajesh shumë të bukura me gurë të skalitur, brenda të cilit ndodhet edhe porta që për rreth 2 shekuj mban për emër titullin “Porta e Pashait”. / atsh / KultPlus.com

Bonusi i rijetësimit, restaurohet banesa monument kulture në Vlorë

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, njoftoi se ka përfunduar restaurimi i banesës së Beqo Zenunit, Monument Kulture i kategorisë së parë.

Sipas projektit të hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, objekti iu nënshtrua disa ndërhyrjeve mirëmbajtëse e restauruese. Punimet konsistonin në konsolidimin e kreut të murit, rindërtimin e tavanit prej druri dhe zëvendësimin e trarëve dhe tjegullave, në çatinë e objektit.

Banesa e Beqo Zenunit, në Konispol, është njëri prej 40 aplikimeve që përfitojnë nga thirrja e Ministrisë së Kulturës, për përfitimin e skemës së bashkëfinancimit të projekteve të restaurimit, konsolidimit, rijetësimit, pas lidhjes së kontratave përkatëse me Ministrinë.

Ndërhyrjet e specialistëve të DRTK Vlorë ndikojnë drejtpërsëdrejti në ruajtjen dhe mbrojtjen e këtij monumenti por edhe të trashëgimisë kulturore e historike që mbart kjo banesë. /atsh / KultPlus.com

Punime restaurimi në Urën e Leshnicës së Poshtme, monument kulture

Janë duke vijuar me ritëm të lartë, punimet e mirëmbajtjes, restaurimit e konsolidimit, në Urën e Leshnicës së Poshtme, monument kulture i kategorisë së parë. Kjo urë ndodhet në bashkinë Finiq dhe punimet janë pjesë e paketës së mirëmbajtjes të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, për vitin 2022.

Pas hartimit të projektit nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe miratimit të projektit në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, zbatimi i punimeve të mirëmbajtjes, restaurimit e konsolidimit, kryesisht konsiston në pastrim nga bimësia e ulët dhe injektim solucioni për tharjen e tyre, konsolidim i çarjeve në trupin e urës, konsolidim i muraturës së urës nëpërmjet plotësimit të fugave, vendosje gabionash për mbrojtjen e shpatullave të urës nga rryma e lumit, restaurim i kalldrëmit të urës, etj.

Për vetë rëndësinë arkitektonike dhe historike që mbart kjo urë e shek. XIX, e cila ka gjatësi 11 m, gjerësi 2 m, hapësirë drite të harkut 6 m dhe është një prej akseseve kryesore të fshatit nëpërmjet përroit të Leshnicës, pas restaurimit, ajo do të jetë plotësisht funksionale dhe një vlerë e shtuar ndër atraksionet natyrore e kulturore të ndodhura në bashkinë Finiq. /atsh / KultPlus.com

Nis hartëzimi i banesave “Monument Kulture” në Shkodër

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër ka nisur punën për konceptimin e emërtimeve dhe hartëzimin e të gjithë banesave me status “Monument Kulture”.

Nëpërmjet aplikimit të punimit artizanal të pllakatave të mermerit, do mundësohet evidentimi i këtyre monumenteve të kulturës dhe trashëgimisë.

Petrit Bilali, skulptor pranë DRTK Shkodër, do të realizojë prerjen, gdhendjen, skalitjen dhe më pas vendosjen e pllakateve që do të shërbejnë si elementë orientues dhe dekorativë për të evidentuar veçansinë e këtyre banesave për publikun.

Kjo punë do të sjellë lehtësi si për vendasit, ashtu dhe për turistët në orientimin e tyre në qytet, si dhe për identifikimin e objekteve që përbëjnë interes për ta./atsh/ KultPlus.com

Restaurohet Kisha e Shën e Premtes në Lukovë

Kisha e Shën e Premtes në Lukovë, e restauruar tashmë plotësisht, është kthyer në një stacion të ri përgjatë tureve të vizitorëve në jug të vendit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo kishë, e shpallur monument kulture i kategorisë së I-rë, e cila tashmë i është nënshtruar restaurimit tërësor që e ka nxjerrë nga gjendja e rrezikut për shembje.

“Mirëmëngjes dhe me Kishën e rilindur të Shën e Premtes në Lukovë, monument i shek. XVII, tani gati për të pritur miqtë vizitorë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Punimet që janë kryer në kishën Shën e Premte në Lukovë, për resturim dhe konservim, e kanë nxjerrë këtë monument kulture nga gjendja e rrezikut.

Kjo kishë e tipit bazilikë (nga greqishtja e lashtë, portiku mbretëror), e ndërtuar mbi një kodër, daton që nga shekulli i XVII-të. E pozicionuar në lagjen perëndimore të Lukovës, kisha ndodhet, pothuajse e braktisur, në mes të një ullishteje.

Kisha bën pjesë në grupin e bazilikave me kupolë. Në të mund të hyhet prej dy dyerve, një në anën jugore dhe tjetra në anë perëndimore. Kisha ka gjashtë kolona, mbi të cilat kalojnë harqe. Veçanërisht e rëndësishme ishte kulla e këmbanës, e dhuruar nga mbreti i Napolit në 1695, e cila u zhduk në 1967, me shkatërrimin e shumë kishave dhe xhamive gjatë periudhës të diktaturës.

Kisha është një prej objekteve më interesantë që duhen vizituar në Lukovë, fshatin e bukur bregdetar, 20 kilometra larg Sarandës. / KultPlus.com

185 vite nga inaugurimi i monumentit ‘Harku i Triumfit’ në Paris

Harku i Triumfit është një nga monumentet më të njohura në Paris, simbol i nderimit të figurave të Revolucionit Francez, emrat e të cilëve janë të gdhendur, shkruan KultPlus.

Harku ka lartësi prej 50 metrave dhe gjerësi 45m.

Për herë të parë ai është inauguruar më 29 korrik të vitit 1836. / KultPlus.com

Manastiri i Shën Spiridhonit në Vuno, monument kulture që duhet vizituar patjetër

Sezoni veror turistik sjell edhe më shumë vizitorë në sajtet e trashëgimisë kulturore dhe monumentet natyrore të vendit, mes të cilëve edhe në Kishën e Shën Spiridhonit në fshatin piktoresk të Vunoit, në Vlorë.

Në skajin jugor të fshatit Vuno, midis ullishtave shekullore ndodhet edhe manastiri i Shën Spiridhonit me kishën më të madhe të vetë këtij fshati. Në një mbishkrim thuhet se kjo kishë u rindërtua në vitin 1778 dhe madje u pikturua e gjitha në vitin 1784 me harxhet dhe shpenzimet e banorëve të vetë fshatit.

Kisha është e tipit bazilikatë e përbëhet nga hajati i mbështetur në arkada e kolonada, nga naosi i ndarë në tre nefe, altari dhe hapësida. E gjithë kisha ruan vlerat arkitekturore dhe është e pasur me piktura murale. Pas shkatërrimit që pësoi me djegien e gjithë çatisë në vitin 1998 dhe dëmtimet që pësojë në muajin maj të vitit 2014 u realizua restaurimi i plotë i kësaj kishe.

Restaurimi konsistoi në përforcimin e gjithë strukturës, në konservimin e pikturave murale dhe në mbulimin e çatisë. Ky restaurim do të sigurojë jetëgjatësinë e vlerave monumentale dhe artistike të kishës. Kjo kishë e mrekullueshme që nuk duhet humbur pa u vizituar është një monument kulture i kategorisë së parë. / ATSH / KultPlus.com

Nënshkruhet projekti i restaurimit të shtëpive monument kulture në Gjirokastër e Berat

Kryeministri Edi Rama priti sot në Gjirokastër, Ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, me të cilin u nënshkrua projekti i përbashkët i restaurimit të shtëpive monument kulture në Gjirokastër e Berat.

Kryeministri theksoi se në kuadër të kësaj vizite “u nënshkruan edhe marrëveshjet që synojnë forcimin dhe nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e turizmit, artit, arkeologjisë, muzeologjisë, luftën kundër trafikut të paligjshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjes së të drejtave të autorit”.

Kryeministri e priti ministrin turk në një godinë karakteristike gjirokastrite, e restauruar së fundmi dhe e çelur dy ditë më parë.

Marrëveshje të veçanta u nënshkruan mes ministrit të Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy dhe Ministres së Kulturës, Elva Margariti dhe ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. /atsh /KultPlus.com

Kisha e “Shën Mitrit” në Kala të Beratit, tjetër monument i shpëtuar

“Kisha e “Shën Mitrit”, në lagjen Kala të Beratit është një tjetër monument kulture i shpëtuar falë ndërhyrjeve restauruese.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës Elva Margariti, sipas së cilës sapo u u përmbyll një proces i gjatë e jo i lehtë ndërhyrjesh restauruese.

“Pas dekadash harrese, specialistët e DRTK Berat, kanë kryer një sërë punimesh, që i sigurojnë jetëgjatësinë këtij monumenti”, u shpreh Margariti.

Sipas saj, ky është një lajm i jashtëzakonshëm për monumentin e kulturës se kategorisë së parë. “Ky është një objekt postbizantin i shekullit te XVII brenda territorit të kalasë së beratit. Tashmë ky objekt është jashtë rrezikut të degradimit i cili kishte filluar prej kohësh”, u shpreh Margariti.

Kisha ndodhet në pjesën lindore të kalasë midis shtëpive të banuara. Pjesa e naosit në qendër Më përpara rrethohej nga një hajat në krahun verior, perëndimor dhe jugor, ndërtim ky që në fakt i përkiste një periudhe edhe më të vonë nga ndërtimi i vetë kishës. /atsh/ KultPlus.com

Muzeut Etnografik i Kavajës merr statusin Monument Kulture i Kategorisë së I-rë

Me rastin e Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore dhe veçanërisht sot, në 29 Shtator që shënon “Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” bashkia e Kavajës ka sjellë në vëmendje Muzeun Etnografik të Kavajës, i kompletuar në vitin 1971, ku u ndërtua në një ndërtesë me një hajat, të restauruar, tipi i së cilës ishte i përhapur gjerësisht nga shekulli i 18-të.

Përmbajtja e muzeut është e përqendruar në tre aspekte. Së pari stili arkitekturor i ndërtesës dhe funksionet e ndarjeve që e përbëjnë atë, së dyti struktura sistematike e oxhakut, e dhomës së gjumit dhe e dhomës së miqve dhe së treti fondi i përgjithshëm etnografik.

Bashkia e Kavajës ka informuar se pas restaurimit të plotë të ndërtesës, Muzeut të ri të formuar i jepet statusi i Monumentit të Kulturës të Kategorisë së I-rë.

“Muzeu është një vlerë e trashëguar kulturore për qytetin e Kavajës, prandaj, ne të gjithë, jo vetëm duhet ta ruajmë dhe çmojmë trashëgiminë kulturore por edhe duhet të kujdesemi për të duke përcjellë vlerat e saj në çdo brez”, bën të ditur bashkia e Kavajës. /atsh/ KultPlus.com

Restaurimi zbulon pikturën origjinale

Restaurimi i Xhamisë së Et’hem Beut, monument kulture i kategorisë së parë, ka nisur vitin e shkuar, me qëllim konsolidimin e pjesëve të dëmtuara nga koha. Grupi i specialistëve po punon me kujdes deri në detajet më të imëta.

“Problem ishte shkëputja e pikturës nga suporti. Vumë mbrojtje me letër japoneze dhe e ngjitëm. Teknika është me dorë të lirë, ka mjeshtëri” – thekson Adrian Cene, restaurues.

Puna ka zgjatur edhe për shkak të situatave që ka kaluar vendi.

“Pati deme nga dy tërmetet, në shtator dhe nëntor. U detyruam te nderhynim serish pas tronditjeve” – shton Cene.

E ndërtuar nga fundi i vitit 1700, ndërhyrja e fundit ka nxjerrë në dritë pjesë të fshehura nën struktura të mbivendsoura gjatë kohës.

“Zbuluam se kishte fragmente të reja. Ishte në formë stukoja, doli piktura origjianle. “Fshehja” mund të jetë bërë pas viteve 1970” – deklaron restauratori.

Xhamia e Et’hem Beut, ka qenë pjesë e qendrës historike të Tiranës, nga e cila ka shpëtuar vetëm ajo dhe Sahati. / KultPlus.com

Restaurohet banesa e familjes Bullari në Berat, monument kulture kategoria e parë

Në lagjen “Goricë” në Berat ka nisur puna për restaurimin e fasadës së banesës së familjes Bullari monument kulture kategoria e parë.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat bën të ditur se trajtimi i suvasë dhe elementëve drusorë nga specialistët janë një element i rëndësishëm për këto banesa si dhe streha e çatisë, e cila ka një konfigurim me tavan dërrase me hark të suvatuar”.

“Aktualisht po punohet për trajtimin e fasadës pasi pamja e saj me kalimin e kohës ka pësuar dëmtime dhe ka nevojë për ndërhyrje”, – shprehet DRTK.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë./atsh / KultPlus.com

Restaurohet një tjetër banesë monument kulture në lagjen Goricë

Specialistët e mirëmbajtjes së DRKK-Berat përfunduan ndërhyrjen restauruese në një tjetër banesë monument kulture.

Ndërhyrja në banesën e familjes Plaka në lagjen Goricë u krye në dy faza.Gjatë fazës së pare u bë zëvendësimi i shtatë dritareve nga gjendja e amortizuar dhe më pas u ndërhy në restaurimin e fasadës kryesore. Pas zbërthimit të suvasë së dëmtuar e cila është e ndërtuar me skelet druri mur çatërma u bë zbërthimi i elementëve drusorë të murit përkatësisht paretkave të dërrasës.

Pas kësaj ato u zëvëndësuan dhe u realizua suvatimi me llac gëlqereje i përzier me kashtë me dy duar duke respektuar teknikën origjinale. Gjithashtu u krye dhe lyerja me shërbet gëlqereje si dhe trajtimi i elementëve drusorë fashaturave horizontale, strehës dhe fashaturave vertikale me vaj liri./ KultPlus.com