Nis restaurimi i Kishës së Shën Kollit në Kolonjë

Në kishën e Shën Nikollës në fshatin Vodicë të Kolonjës kanë filluar ndërhyrjet restauruese.

Një gjë e tillë bëhet me dije nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kombëtare të cilët kanë njoftuar se po realizohet një nga ndërhyrjet më të vështira kryer nga ekipi i kësaj drejtorie në Kishën e Shën Nikollës në Vodicë të Kolonjës.

Kisha e Shën Kollit në Vodicë, është rishpallur monument kulture në vitin 2015 dhe ka pasur problematika të shumta, deri në degradim të kambanerisë e cila rrezikonte dhe shembjen.

Faktor kryesor i problematikave janë, tërmetet të cilat kanë shkaktuar inklinim dhe çarje në muraturë, si pasojë e lagështisë ka pasur dëmtime të materialit lidhës.

Projekti ka filluar fazën e parë të ndërhyrjes, atë të puntelimit e cila do të bëjë të mundur evitimin e inklinimit  të mëtejshëm të kambanerisë si dhe do të shërbejë për fazën e dytë të ndërhyrjes në kollona.

Me mbështetjen e madhe të komunitetit lokal ndërhyrja është duke përfunduar. /Vizionplus/  KultPlus.com

Pas 31 vitesh, restaurim i Kishës së Shën Kollit në Shelcan të Elbasanit

Kisha e Shën Kollit, në fshatin Shelcan të Elbasanit do t’i nënshtrohet restaurimit pas evidentimit dhe dokumentimit të problematikave nga ana e specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Specialistët kanë kryer një inspektim në  ku kanë evidentuar probleme si nga ana strukturore, ashtu dhe degradime të materialeve.

Nga ndërtesa e vjetër në këtë Kishë, më e rëndësishme mbetet veshja e brendshme me afresket e piktorëve të mesjetës Onufri dhe Kostandin Shpataraku.

Kisha e Shën Kollit në Shelcan përbën një nga tipologjitë e para ndërtimore të arkitekturës pasbizantine në Shqipëri dhe riparimi i fundit është bërë në vitin 1988 ku u bë restaurimi i gungës dhe  hajatit por mbeti pa rindërtuar këmbanorja.

Kisha është njënefshe me hajate të vona, sot të zbuluara, nga jugu dhe perëndimi. Kisha është me dysheme me pllaka guri të çrregullta, ndërsa është e mbuluar me çati me kapriata pa tavan, restaurim i vitit 1969. Naosi ndahet nga ambienti i altarit nga një iconostas prej muri të pikturuar. Ai ka dyer, një në qendër dhe një në anën veriore.

Me përjashtim të murit lindor të kishës, muret e tjera janë të suvatuara, kështu që nuk dallohet teknika e ndërtimit të tyre.

Vizitori gjen në ikonat e Onufrit të pikturuar nën maskë shenjtorësh banorë të trevave të shpatit  gjë që shprehet me gjallërinë dhe sytë shprehës të të pikturuarve, me të kuqen karakteristike të Onufrit.

Kjo kishë disa herë në vit, por kryesisht në vigjilje të pashkës mbledh disa qindra besimtarë jo vetëm nga Shelcani, por edhe nga fshatrat përreth  që nga Kryezjarthi, Trepshenishti e deri nga fshatra të thella të Shpatit.

Kisha e Shën Kollit vazhdon të konsiderohet si një ‘perlë’ e ardhur nga lashtësia dhe që duhet mbrojtur nga çdo dëmtim. Është edhe ky interesim i banorëve që kjo kishë relativisht e lashtë vazhdon të qëndrojë në këmbë për t’i shërbyer besimtarëve dhe turistëve të shumtë. /a.g/ KultPlus.com

Kisha e Shën Kollit destinacioni i ri i turizmit religjioz

Kisha e Shën Kollit, Roskovec e ndërtuar në shekullin XIII në stilin bizantin, tashmë është destinacioni më i ri në turizmin religjioz dhe në itinerarin “Rrugët e besimit”.

Projekti i hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe financuar nga bashkia Roskovec konsistoi në restaurimin e plotë të Kishës së Shën Kollit, monument kulture i kategorisë I.

Pikturat murale në brendësi të saj janë vepra të ikonografit Nikolla. Ajo përbën një pasuri të vyer jo vetëm për zonën e Kurjanit, por edhe për të gjithë zonën e Myzeqesë./A.T.SH/ KultPlus.com

https://web.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/2583163768384126/