Koloseu, turisti kërkon falje për gdhendjen e emrave në mur

Një turist që është filmuar duke gdhendur emra në një mur të brendshëm në Koloseun e lashtë të Romës, thotë se nuk e kuptoi se sa i vjetër ishte monumenti kur veproi.

Ivan Dimitrov me bazë në Mbretërinë e Bashkuar e bëri komentin në një letër faljeje drejtuar kryebashkiakut të Romës, duke thënë se ai e kuptonte “seriozitetin e veprës”.

Ai skaliti “Ivan + Hayley 23” – emrat e tij dhe të dashurës së tij – në amfiteatrin 2000-vjeçar me një çelës.

Veprimet e tij në qershor u filmuan nga një kalimtar dhe shkaktuan dënime. Pasoi një kërkim pesëditor i policisë dhe ai tani thuhet se përballet me procedura ligjore.

Në letrën e botuar nga gazeta italiane Il Messaggero, Dimitrov u kërkonte “falje të sinqertë italianëve dhe mbarë botës”.

Ai vazhdon: “E pranoj me turp të thellë se vetëm pas asaj që ndodhi me keqardhje mësova për lashtësinë e monumentit”.

Ai shtoi se ai vlerësoi ata që “ruajnë vlerën e paçmueshme historike dhe artistike të Koloseut me përkushtim, kujdes dhe sakrificë”.

Dimitrov, një 27-vjeçar që besohet se jetonte në Bristol, u filmua nga një vizitor tjetër, i cili e qortoi përpara se t’ia dorëzonte regjistrimin zyrtarëve të sigurisë.

Një video e skenës u ngarkua në YouTube dhe u shpërnda në mediat sociale.

Nëse dënohet për vepër penale, ai mund të përballet me një gjobë deri në 15,000 euro, si dhe një dënim me burg nga dy deri në pesë vjet./KultPlus.com

Koloseu, amfiteatri mijëra vjecar që po i sjell Italisë 1.4 miliard euro çdo vit

A mund të kenë një vlerë monetare monumetet historike qindra, mijëra vjeçare, ndërtesat antike, parqet arkeologjike e çdo pasuri ariktektonike që njerëzimin na ka lënë në trashëgimi që prej para Krishtit e deri sot?

Me sa duket po. Në këtë epokë moderne, gjithçka e ka një çmim, qoftë imazhi i një fotografie në instagram me një objekt brand, pas sfondit të një qyteti apo muzeu ku je ftuar për ta promovuar.

E një vlerë monetare i është zbuluar dhe Koloseut, objektit simbol të kryeqytetit italian Romë, amfiteatrit më të madh roman në botë e me një histori që daton prej vitit 70 i erës sonë.

Studimi i titulluar “The value of an Iconic Asset. The economic and social value of the Colosseum”, realizuar nga agjensia Deloitte Central Mediterranean e nga një grup ekspertësh bazuar në analizën e profesionistëve të kulturës e akademikëve të impaktit ekonomik e socialtë objekteve të artit e të mirave materiale të kulturës, ka vlerësuar Koloseun, objektin më përfaqësues të pasurisë kulturore italiane me shumën rreth 77 miliardë euro.

“Është një vlerë e patransferfueshme, ikonike, historike, kulturore, që Koloseu gjeneron në rrugë indirekte në ekonominë italiane, në aktivitetin e turizmit e duke përfaqësuar kënaqësinë e të qënit pranë tij, pranë kësaj vepre unike e të mrekullueshme”, shprehet gjatë prezantimit të këtij studimi Mauro Vulpiane, partner e drejtues i kësaj kompanie.

Sipas tij ndikon dhe vlera sociale, vlera e ekzistencës mijëvjeçare në shoqërinë italiane.

Vlerësimi i Koloseut si një aset i shoqërisë italiane përmes metodës së  Contingent Valuation Method e bazuar në “Willingness To Pay” është llogaritur të jetë 75.8 miliardë euro të cilës i shtohet dhe 1.1 miliardë euro që është vlera e transaksioneve që ai gjeneron përmes të ardhurave që ky aset krijon, duke e çuar vlerën e përgjithshme të tij në 76.8 miliardë euro.

Po ky monument kulture kontribuon në rrugë të drejtpërdrejtë në ekonominë e PPB italiane. Si vend tërheqës për turistët e vizitorët, përmes biletave të hyrjes sjell çdo vit 1.4 miliardë euro për arkën e shtetit e që zbulon dhe vlerën e tij jo vetëm si aset ekonomik por dhe social./ KultPlus.com

Hapet zemra e restauruar e Koloseut

Tani vetë zemra e Koloseut, një sistem nëntokësor tunelesh dhe dhomash ku mbaheshin të burgosurit, kafshët dhe gladiatorët përpara se të hynin në arenë, u hap për publikun pas rinovimit të bërë me financimin e prodhuesit të këpucëve “Tod’s”.

Koloseu është unik… restaurimi i tij sjell në qendër të vëmendjes një monument që dashurohet nga e gjithë bota“, thotë kryetari i “Tod’s”, Diegodella Valle.

I ndërtuar 2,000 vjet më parë, arena e gurtë ishte amfiteatri më i madh i perandorisë romake. Sot është vendi më popullor turistik që përpara pandemisë së koronavirusit tërhiqte deri në 7.6 milionë vizitorë. Amfiteatri ka 70,000 vende dhe në të janë zhvilluar ndeshjet e gladiatorëve, kryer ekzekutime dhe lojëra me kafshë. Mund të mbushej edhe me ujë në rast lufte.

Puna për restaurimin e tuneleve nëntokësore poshtë arenës, të njohur edhe si hypogea, zgjati dy vjet dhe mbi 80 vetë të përfshirë si arkeologë, arkitektë dhe inxhinierë.

Mbi arenën është hapur edhe një vendkalim për vizitorët, 160 metra i gjatë.

Tani ka përfunduar faza e dytë e një procesi me tre faza restaurimi që filloi tetë vjet më parë, ku gjiganti i modës “Tod’s” dha 25 milionë Euro. Koloseu është vetëm një prej monumenteve që po restaurohen me kontributin e formave të mallrave luksoze.

Është shumë e rëndësishme që kompanitë të japin kontributin e tyre për vendin. Koloseu është monumenti më i rëndësishëm i Italisë, i njohur në mbarë botën, i rëndësishëm për turizmin, jo vetëm një vend për argëtim, por edhe për biznesin e vendit“, thotë Della Valle.

Sipërmarrësi që ka financuar edhe restaurimin e teatrit “La Scala” të Milanos, u bëri thirrje sipërmarrësve të tjerë të ndjekin me shpejtësi shembullin e tij. / Gazeta Express / KultPlus.com

Koloseu së shpejti fillon me restaurim

Qeveria italiane ka miratuar planin për t’i shtuar Koloseut një “parket”, në mënyrë që vizitorët të kenë mundësi të qëndrojnë në vendin ku dikur luftonin gladiatorët.

Ministri i Kulturës, Dario Franceschini, shpalli projektin për ndërtimin e dyshemesë së drunjtë, e cila do të kushtojë 18,5 milionë euro dhe do të ndërtohet nga kompania “Milano Ingegneria”. Projekti mendohet të përfundojë në vitin 2023, transmeton KultPlus.

Godina 2000-vjeçare nuk e ka pistën me sipërfaqe 3000 metra katrorë, pasi u hoq në shekullin XIX për të ekspozuar rrjetin e nëndheshëm të tuneleve ku mbaheshin gladiatorët dhe kafshët para se të ndesheshin në arenë. Franceschini tha se ky modifikim do t’i lejonte turistët që ta shihnin nga brenda madhështinë e Koloseut.

Dyshemeja do të jetë e gjitha prej druri. Ato do të jenë të lëvizshme dhe pjesët do të rrotullohen për të lejuar dritën e diellit që të hyjë në dhomat e nëndheshme.

Koloseu ka qenë amfiteatri më i madh i Perandorisë Romake, ku luftimet mes gladiatorëve ndiqeshin nga të paktën 50 mijë persona. Para pandemisë, godina antike vizitohej nga miliona vetë çdo vit. / KultPlus.com

Koloseu sërish me një arenë luftimesh

Një teatër i madh popullor, i pajisur me teknologjitë më të përparuara, ashensorë mallrash dhe makineri të ndërlikuara skenografie për t’i dhënë jetë shfaqjeve më emocionuese, gjuetisë, luftimeve, madje edhe betejave detare, kjo është sfida për rindërtimin e arenës më të famshme romake.

I kërkuar nga flavianët, që e përuruan atë në vitin 80 pas Krishtit dhe i ndërtuar në vetëm tetë vjet aty ku Neroni kishte dashur një liqen të madh për “Domus Aurea”-n e tij, Koloseu ose “teatri i gjuetisë”, siç e quanin romakët në të vërtetë, e kishte qendrën e tij pikërisht te arena prej druri, një platformë dërrase, e cila, në kohërat antike, ishte 76 x 44 metra dhe e mbuluar me rërë.

“Do të jetë një arenë super teknologjike dhe, në të njëjtën kohë, e lëvizshme dhe jo invazive”, siguron arkeologu Daniele Manacorda.

Sipas tij, fillimi i punimeve është afër dhe publiku do të ketë mundësi të kuptojë plotësisht përdorimin dhe funksionimin e kësaj ikone të botës antike. /atsh/ KultPlus.com