Komedia angleze ‘Duke edukuar Ritën’ shfaqet në Berat

Teatri Çajupi ka shfaqur në Berat komedinë “Duke edukuar Ritën”. Pjesa e autorit anglez Willy Rusell vjen me regji të Kiço Londos dhe interpretimin e aktorëve Mehmet Xhelili dhe Laura Nezha. Tema që trajtohet në këtë komedi është forca që ka kultura, edukimi dhe arti për të transformuar gjithçka.

Në qendër të pjesës është një vajzë që vjen nga shtresat e ulëta të shoqërisë dhe ka ambicien ta kapërcejë nivelin e saj dhe të dalë nga vetvetja, për të arritur një status të rëndësishëm social. Në marrëdhënien mes saj dhe profesorit, është edhe profesori ai që përfiton. Nxënësja dhe profesori krijojnë një lidhje mes njëri-tjetrit, një lidhje që i transformon ata të dy./balkanweb/KultPlus.com

Komedia ‘Një shtrat plot me të huaj’ mirëpritet nga spektatorët durrsakë

 Komedia brilante “Një shtrat plot me të huaj” e autorit Dave Freeman dhe me regji të Adelina Muçës u shfaq me shumë sukses në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Për dy mbrëmje me radhë artdashësit durrsakë që kanë mbushur plot sallën janë argëtuar me humorin që përcjell kjo shfaqje dhe kanë duartrokitur lojën e shkëlqyer të aktorëve.

Komedia e përkthyer nga Kastriot Çipi dhe me regji të Adelina Muçës është një shfaqje me plot situata komike, të çuditshme e të furishme të cilat me kulmet e tyre sjellin humor dhe argëtim për publikun. Ajo vjen si një shfaqje argëtuese plot të papritura dhe njerëz të panjohur që përfundojnë në të njëjtën dhomë hoteli. Nuk mungon as muzika dhe kërcimi.

Në këtë komedi interpretuan aktorët e njohur Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Amos Muji Zaharia, Mimoza Marianaku, Rudina Dembacaj, Selma Bakalli.

Komedia do të vijojë të shfaqet në teatrin e Durrësit edhe sot e nesër./atsh/KultPlus.com

‘Një vrasje e vogël aksidentale’, komedia nga trupa teatrore e Mitrovicës në skenën e Gjirokastrës

“Një vrasje e vogël aksidentale” komedia e Jean Pierre Martinez u ngjit në skenën e teatrit të Gjirokastrës nën interpretimin e teatrit të Mitrovicës nën regjinë e Marigona Bekteshit.

Shfaqja, një komedi e pastër e bazuar në marrëdhëniet e komplikuara të dashurisë mund të shihet edhe si një eksplorim humoristik i fuqisë së gjuhës. Gënjeshtra të vogla por të shumta që shkaktojnë ngjarje me pasoja shkatërruese. Regjisorja e shfaqjes u shpreh shumë e kënaqur me mikpritjen e shfaqjes.

Komedia që pati ritëm dhe dinamikë interesante solli  situata plot humor brenda një çifti ku gënjeshtrat e njërit zbulojnë sekretet e tjetrit. Vepra njëherazi një tragjedie qesharake – ose një komedi dramatike ka të bëjë me fuqinë e rrezikshme që kanë deklaratat e vërteta dhe të rreme për të ndryshuar realitetin, herë për mirë e herë për keq. Një shaka e vogël  e pafajshme i tërheq personazhet e kësaj drame në mënyrë të pakontrollueshme duke i çuar ata nga një mbrëmje e qetë në shtëpi në një situatë surreale dhe shumë të rrezikshme.

Shfaqja ka udhëtuar më parë në Vlorë dhe trupa pritet të interpretojë edhe në disa qytete të tjera. Ky ishte shkëmbimi i dytë mes teatrove të Gjirokastrës dhe Mitrovicës./topchanel/KultPlus.com

‘Burra pa gra’, komedia italiane në sallën e Universitetit të Arteve

“Burra pa gra”, një komedi e hidhur e tejet cinike, e autorit italian Angelo Longoni, është shfaqur mbrëmë premierë në sallën e vogël të Universitetit të Artit.

Është historia e dy burrave, e dy artistëve të rinj, me pasione e karaktere krejt të ndryshëm, që ndajnë se bashku të njëjtat vështirësi të jetës.

I shkurtri është muzikant, saksofonist, me prirje të fortë drejt alkoolizmit, i çuditshëm në pamje, ndërsa i gjati, është një shkrimtar aspirant, elegant, i kujdesshëm për shëndetin, sportiv. Por të dy janë në sfidë të vazhdueshme përballë pamundësive për të përmbushur jetët e tyre profesionale e atë sentimentale.

Dy artistët ndjejnë keqardhje për veten e tyre por nuk dorëzohen dhe dinë ta shijojnë jetën… aq sa e gjithë kjo histori mbyllet me një shpërthim të qeshurash, që dalin nga shpirti.

“Burra pa gra” me regji të Julian Canameti e me dy personazhet simpatikë të interpretuar nga Valdrin Hasani dhe Andi Begollit, do të vijojë të shfaqet në datat 24- 25- 26 nëntor në sallën e vogël të Universitetit të Arteve./balkanweb/KultPlus.com

Komedia “Masë për masë” e William Shakespeare vjen premierë në qytetin e Gjakovës

Teatri i qytetit Hadi-Shehu Gjakovë dhe Teatri i qytetit Bekim Fehmiu-Prizren, të hënën mbrëma do të sjellin shfaqjen Premierë “Masë për masë” nga William Shakespeare në qytetin e Gjakovës, shkruan KultPlus.

Komedia vjen me regji Altin Bashës, përderisa në të luajnë aktorët: Xhevdet Doda, Vlera Pylla, Besfort Berberi, Edmond Hafizademi, Edona Sopaj, Edonis Kastrati, Valmir Krasniqi, Alban Çela, Alban Krasniqi, Vlora Dervishi, Butrint Lumi, Valmira Hoti, Altina Kusari dhe Edi Gjakova.

Stafi që punoi poashtu në realizimin e kësaj shfaqje janë:

Producent: Albulena Bokshi, Burim Mustafa

Udhëheqës Artistik: Fatos berisha

Skenografia: Petrit Bakalli

Kostumografe: Ilirjanë Loxha Basha

Muzika: Memli Kelmendi

Koreograf: Robert Nuha

Dramaturgjia e përshtatur: Altin Basha

Përktheu: Vedat Kokona

Inspicient: Arben Lleshi

Grimi: Canan Cibo

Mjeshtër ndriçimi: Qëndrim Ruka

Premiera e shfaqjes jepet me 2 Tetor 2023 në ora 20:00 në Gjakovë.  Ndërsa reprizat do të jepen me 3 dhe 4 Tetor 2023/KultPlus.com

‘Certifikata e martesë’ rikthehet në skenë, pas suksesit në festivalin ‘Apollon’

Komedia “Certifikata e martesës” do të rikthehet në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Shkruar nga Ephraim Kishon, me regji nga Driada Dervishi, “Certifikata e martesës” është një komedi sociale e filozofike.

Pas 30 vitesh bashkëjetesë, çifti Meleku kujtohen që nuk dinë ku është certifikata e martesës. A varet realisht martesa nga një certifikatë? Dhe më e rëndësishmja, pas 30 vitesh a do të martoheshe sërish me burrin a gruan që ke?

Komedia do të jetë në skenën teatrore në datat 17, 18, 19, 20 dhe 21 maj.

Në rolet kryesore interpretojnë aktorët Gentian Zenelaj, Olta Daku, Mimoza Marjanaku etj.

Në muajin prill, aktorja Olta Daku, e cila ka rol kryesor në komedi, u vlerësua me çmimin “Aktorja më e mirë protagoniste”, në edicionin e 14-të të festivalit mbarëkombëtar “Apollon” në Fier./Atsh/KultPlus.com

Nikolin Xhoja, mjeshtri i roleve komike

Artisti i Popullit, Nikolin Xhoja, i konsideruar nga kritikët e teatrit si një individualitet i spikatur artistik, veçanërisht në realizimin e roleve komike, edhe 26 vjet pas vdekjes, vazhdon të jetë një nga figurat më të dashura për publikun durrsak dhe atë shqiptar në përgjithësi.

Sipas kritikëve të teatrit, ai ishte një aktor me diapazon të gjerë, nga rolet komike te ata thellësisht dramatike. Në “Historinë e teatrit shqiptar”, shkruhet se Xhoja, di të zgjedhë materialin dhe mjetet më të përshtatshme shprehëse, jo vetëm për të plazmuar personazhin, por edhe për të mbajtur një qëndrim të caktuar emocional ndaj tij.

Prof. Josif Papagjoni, kritik i njohur i teatrit, vlerëson se “Nikolin Xhoja është një ndër emrat më të mëdhenj të aktrimit shqiptar, një gur i rëndë dhe i pazëvendesueshëm themeli në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, emblemë e emrit dhe historisë së tij. Ishte aktor me një nur komik, tejet i natyrshëm e organik në interpretimin aktorial, tejet spontan, i atypëratyshëm dhe shpesh, improvizues”.

Ndërsa aktorët e teatrit “Aleksandër Moisiu”, e kujtojnë Nikolinin me shumë respekt. “Kam qenë përkrah tij në dhjetera spektakle, por kujtoj gjithnjë aktin e parë kur ai interpretoi Podgolisenin tek “Martesa e Gogolit”, tregon Artisti i Merituar, Lutfi Hoxha. Edhe pse ishim paraqitur disa qindra herë para publikut, ai kishte njëlloj emocione, e megjithatë, po aq mjeshtërisht, ai i përballonte ato duke sjellë në skenë kryerole”, rrëfen me tej artisti Hoxha.

“Publiku e adhuronte Nikolin Xhojen për talentin dhe përkushtimin e pamate. Nëpërmjet tij, publiku vilte nga skena harenë, gëzimin, gjithçka jep magjia e teatrit dhe në të njejten kohë, e shpërblente artistin me duartrokitje te pandërprera, me dashuri dhe miratim të plotë”, shprehet një nga kolegët e tij, Artisti i Merituar Vangjel Heba.

Roli i xha Beqos tek filmi “Kapedani”, është një nga dëshmitë e potencialit artistik të Nikolin Xhojës, e po ashtu edhe dy filmat e tjerë “Cifti i lumtur” dhe “Horizonte të hapura”, në të cilat ndjehet përvoja e madhe aktoriale dhe jetësore. Në tre dekada veprimtari artistike, ai krijoi 55 role në teatër, 11 premiera varieteje dhe 3 role në kinematografi.

Bashkëqytetaret e tij e kujtojnë gjithnjë Nikolinin mes shokësh dhe miqsh, me një humor thuajse disident, duke vërtetuar atë që buronte nga mbiemri i tij, që në gjuhën italiane do të thotë “gëzim”.

Për Artistin e Popullit Gjergj Vlashi, Nikolin Xhoja ishte padyshim aktori më i mirë i teatrit gjysmëshekullor të Durrësit dhe një ndër korifenjtë e skenës shqiptare, sidomos në gjininë e komedisë. “Ai nuk pati shkollë, por qe mësues i shumë breza aktorësh, nuk bëri pjesë në asnjë shkollë, por krijoi një shkollë të tijën të interpretimit skenik”, shprehet Vlashi.

Dhe vërtetë e nisi rrugën e përpjetë të skenës shumë i ri, duke interpretuar rreth zjarrit partizan. /urbannews/ KultPlus.com

“Palm Springs”, komedia për ngecjen në kohë

Të gjithë jemi të lodhur. Çdo ditë kalon njëjtë, orë të stërzgjatura duke qëndruar para ekranit dhe me raste, dalje në rreze të diellit për të rimbushur energjitë.

Rutina e kaluar ka marrë pamje tjetër: takime nëpërmjet kamerave, mirëmbajtje dhe vendosje të maskave para se të dalim, aktivitete të përbashkëta të ridefinuara në mënyrë që të realizohen në izolim. Ndoshta, ne nuk kemi ngecur në kohë, por krijohet kjo përshtypje, shkruan “The Verge”. Një ditë e gjatë me shumë pak ndryshime dhe ku ne jemi të stresuar gjatë gjithë kohës. Shkruaje: “Palm Springs” është një film për gjendjen mendore të këtij viti.

Në shikim të parë “Palm Springs” është i ngjashëm më “Groundhog Day”: Nyles (Andy Samberg) është një djalosh i pafat që i duhet ta rijetojë të njëjtën ditë, transmeton KOHA. Mirëpo, ajo që e bën “Palm Springs” që të dallohet është fakti se sa pak është i bazuar në argumente.

Sigurisht, ngecja në kohë është gjithëpërfshirëse dhe gjithmonë prezentë, por gjithashtu është një fakt i jetës. Në fillim, Nyles ka qenë duke jetuar në këtë gjendje që një kohë të gjatë; ne mësojmë për këtë gjendje dhe sesi ajo funksionon vetëm pasi që diçka e çuditshme i ndodh, Sarës (Cristin Milioti), motrës së nuses, që ngec po ashtu.

Komedia e re nga “Hulu” mund të befasojë disa shikues, sidomos ata që kërkojnë një film të realizuar nga trioja e “The Lonely Island” – një ekip që përtej “Saturday Nigh Live” apo filmit si “Hot Rod” dhe “Popstar” u bë i njohur për paroditë e muzikës pop dhe humorin plotësisht të marrë. “Palm Springs” është definitivisht qesharak, por është një lidhje më e errët dhe e mjegullt.

Sarah kalon nëpër një tronditje të kuptueshme dhe refuzuese pasi që mëson për situatën në të cilën gjendet, por është në shërbim të shikuesve, që ata të mësojnë disa rregulla të ashpra sesi funksionon ngecja në kohë. Pasi që gjithë kjo është kuptuar, filmi gërmon brenda karaktereve dhe aty qëndron ritmi i tij.

Të dy, edhe Sarah edhe Nyles kanë anën e errët të tyre që nuk i pengojnë komedisë. Milioti e luan shumë mirë rolin e Sarës duke i dhënë intensitet dhe kompleksitet një karakteri që shumë lehtë mund të luhet si një vajzë maniake dhe jo aq e rëndësishme. Sambergu i jep një errësim të pazakonshëm personazhit të tij naiv, dhe në mënyrë të befasishme është efektive. /KultPlus.com

Një pllakë përkujtimore për “Alo Alo”-n e famshme

Aktorët dhe aktoret e serialit legjendar të humorit britanik “Alo, Alo”,  një komedi brilante që transmetohej dhe nga RTSH-ja në vitet ’90, zbuluan një pllakë përkujtimore për nder të saj.

Seriali transmetuar nga 1982 deri në 1992  hedh dritë mbi okupimin nazist të Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shoqata Britanike e Komedianëve (BCS) mundësoi pllakën përkujtimore në ndërtesën L Lynford Hall në Mundford, Angli.

Kjo ndërtesë në serialin “Alo, Alo” u përdor për të kapur vendndodhjen e imagjinuar të sheshit kryesor të qytetit në qytetin francez të Nouvion.

Drejtori i BCS, Aaron Brown vë në dukje se ky serial ka ende një masë të madhe adhruesish.

Aktorja Vicki Michelle, e cila luante personazhin e Yvette-s, tha se ishte një komedi e shkëlqyer. /KultPlus.com

Erjon Kame nis turin në qytete me komedinë teatrore “Një jetë me ty”

Komedia “Një jetë me ty” shkruar dhe me regji nga Erion Kame ditët e para të muajit dhjetor do të jetë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë.

Për tre net me radhë në skenën e teatrit komedia vjen me interpretimin e aktorëve të njohur Romir Zalla, Suela Bako dhe aktorja Ina Gjonçi. Kjo është një vepër që vjen në skenën e Korçës vetëm pak ditë pasi aktori Romir Zalla u vlerësua me çmimin “Aktori më i mirë” në festivalin e teatrit “Othello” në Gostivar. Pas skenës së Korçës që shfaqja do të jetë në datat 1, 2 dhe 3 dhjetor, do të vijojë një tur në skena të ndryshme të teatrit në vend, që regjisori bashkë me aktorët kanë menduar të vijojnë për t’u prezantuar para publikut. Komedia ka si subjekt martesën. Çfarë është ajo? Si përkufizohet? Pse duhet të martohemi? Janë këto pyetjet që protagonistët i japin përgjigje në mënyrë humoristike. Aktori i njohur për publikun Romir Zalla vjen në rolin e bashkëshortit dhe dy interpretueset e tjera Suela Bako në rolin e gruas dhe Ina Gjonçi në rolin e “vajzës së fotokopjes”, e cila shkakton xhelozi tek gruaja. Çifti në shfaqjen teatrore rrëfen historinë që nga njohja deri tek martesa e lindja e fëmijëve si dhe peripecitë e kaluara midis tyre. Si gruaja ashtu dhe burri kanë një version të vetin të ngjarjeve, duke i parë nga një këndvështrim tjetër. Si autor i veprave shqipe, në teatër Erion Kame ka vënë në skenë dhe të tjera shfaqje, që kanë angazhuar aktorë të njohur dhe të rinj. Ndërsa me këtë komedi më të fundit “Një jetë me ty”, që rreket të tregojë një jetë bashkëshortore, janë problemet e zakonshme të një çifti që mund t’i çojnë ata deri në divorc. Regjisori Erion Kame tregon se kur mbizotëron dashuria në jetën bashkëshortore atëherë dhe mosmarrëveshjet kalojnë. “Kjo shfaqje flet për jetën bashkëshortore, martesën, familjen në përgjithësi dhe besoj është një temë, që është universale e të gjitha kohërave dhe kur çiftet kanë mosmarrëveshje apo gjëra të tjera të vogla dhe mbi to mbizotëron dashuria atëherë ia vlen të vazhdosh”, tregon regjisori Kame për shfaqjen e tij.

Formula që funksioni për veprën

Pas suksesit që ka pasur më parë me shfaqje në teatër, Erion Kame këtë herë vjen si autor dhe regjisor me një tjetër komedi që është me skenografi nga Noset Shijaku. Ka zgjedhur që në rolet kryesore të veprës së tij “Një jetë me ty” të vendosë dy aktorët Romir Zalla e Suela Bako, që janë çift edhe në jetën reale. Këtë bashkëpunim me aktorët për këtë shfaqje ai e vlerëson jo pak duke cilësuar se përzgjedhja e aktorëve ka qenë një formulë që rezultoi e suksesshme për veprën në teatër. “Kam përzgjedhur në role Romirin dhe Suelën, që janë bashkëshortë dhe në jetë, dhe padiskutim që kjo formulë më funksionoi. Ka qenë një kënaqësi kjo punë me shfaqjen teatrore dhe me kastin e të gjithë aktorëve në vepër, do ta mbaj mend gjatë si një nga bashkëpunimet më harmonike”, pohon regjisori Kame mes të tjerave për shfaqjen e tij. Edhe më parë si autor Erion Kame ka sjellë në skenën e tetarit dhe vepra të tjera, duke pasur në vëmendje dhe mesazhe për shoqërinë. E këtë herë është pikërisht kjo komedi, që është e shkruar prej tij në vitin 2013 që po vijon turin në skena të ndryshme të teatrit. Sa i takon aktorëve që janë pjesëmarrës në këtë shfaqje teatrore janë tre emra të vlerësuar me rolet e tyre në jetën artistike. Jo vetëm me teatrin, por dhe në kinema aktiviteti artistik i tyre nuk ka munguar. Këtë herë janë bërë bashkë me regjisorin Erion Kame dhe skenografin Noset Shijaku për të sjell në skenë komedinë “Një jetë me ty”, shkruan SotNews./ KultPlus.com