Ekspertët zhvillojnë vizitë pune në Kompleksin ‘Adem Jashari’, MKRS: Historia e familjes Jashari do të rrëfehet ashtu siç e meriton

Ekspertë nga fusha e konservimit të trashëgimisë kulturore, arkitekturës, historisë, antropologjisë, ndërtimtarisë dhe peizazhit kulturor kanë zhvilluar vizitë punë në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’, përcjell KultPlus.

Gjatë këtyre vizitave, ekspertët u shoqëruan edhe nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe ministri i planifikimit hapësinor, Liburn Aliu, të cilët njëkohësisht janë edhe anëtarë të komitetit ndër-ministor.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të MKRS-së:

Historia e familjes Jashari do të rrëfehet ashtu siç e meriton, në mënyrë dinjitoze dhe me krenari.

Komisioni i ekspertëve i angazhuar nga Komiteti ndër-ministror për Kompleksin Memorial Adem Jashari, në përbërje të ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar, gjatë javës së kaluar kanë zhvilluar vizitat në terren në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Ekspertë nga fusha e konservimit të trashëgimisë kulturore, arkitekturës, historisë, antropologjisë, ndërtimtarisë dhe peizazhit kulturor, të udhëhequr nga historiania e arkitekturës dhe eksperte në fushën e trashëgimisë kulturore, dr.Amra Haxhimuhamedoviç kanë zhvilluar vizitë pune në kompleks, duke u takuar dhe biseduar me familjarët, duke parë nga afër vendin dhe mbledhur dokumentacion për të zgjeruar më tej hulumtimin në fushat specifike lidhur me Kompleksin.

Gjatë këtyre vizitave, ekspertët u shoqëruan edhe nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe ministri i planifikimit hapësinor, Liburn Aliu, të cilët njëkohësisht janë edhe anëtarë të komitetit ndër-ministor.

Komisioni i ekspertëve gjatë muajve në vijim do të vazhdojnë me punën në përgatitjen e detyrës projektuese për shpalljen e konkursit për master planin e Kompleksit./ KultPlus.com

Miratohet Projektligji për Kompleksin “Adem Jashari”

Anëtarë të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural kanë miratuar sot projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Kjo pikë nuk ka qenë në rend të ditës të komisionit por ishte deputetja e PDK-së Ganimete Musliu ajo që propozoi që sot të hedhet në votim ky projektligj.

Anëtarët e Komisionit e kanë votuar projektligjin në parim dhe i njëjti do të procedohet në Kuvend.

Komisioni do të shqyrtojë projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje./ KultPlus.com

Kompleksi “Adem Jashari” me mbi 12 milion vizitorë

Janë bërë njëzet vjet nga rënia heroike e familjes Jashari dhe për këto vite, Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, ka pritur më shumë se 12 milionë vizitorë. Numri i vizitorëve, sipas ciceronëve të kompleksit, ka shkuar duke u rritur.

Në këtë vend është investuar, por kullat e qëndresës ende nuk janë konservuar dhe ato po shkojnë drejt shkatërrimit. Kompleksi memorial “Adem Jashari”, prej njëzet vjetësh është shndërruar në vendin më të vizituar në Kosovë. Miliona vizitorë e kanë prekur nga afër historinë e pashembullt të familjes Jashari. Ciceroni i këtij kompleksi, Xhevat Imeri tregon se shpeshherë brenda ditës, kanë qëndruar në Prekaz me mijëra vizitorë.

“Ne kemi thënë gjithherë një numër prej 12 milionësh, por kjo shifër është tejkaluar, duke pasë parasysh se është numër i madh i vizitorëve. Viteve të fundit njerëzit kanë menduar se ky numër ka shkuar duke rënë, por për mendimin tonë dhe nga ajo që kemi parë, ky numër ka shkuar duke u rritur”, tha për televizionin publik Xhevat Imeri.

Në raste festash dhe sidomos gjatë ditëve të Epopesë së UÇK-së me 5, 6 dhe 7 mars, numri i vizitorëve rritet. Por ka edhe të atillë që e vizitojnë edhe në ditë të rëndomta. Bekim Beqiri e Arsim Xhemajli janë dy prej vizitorëve më të shpeshtë të këtij kompleksi. Këta vendas nga rrethi i Skenderajt, thonë se pothuajse çdo javë qëndrojnë në kompleks.

“Vijmë shpesh, të paktën një herë në javë. Vijmë ta vizitojmë si dëshmi lufte, si kanë luftuar. Të ligështohet zemra e trupi kur vjen këtu”, thonë ata. Por, janë qytetarët e një tjetër komune të cilët, sipas ciceronit Xhevat Imeri, shënojnë rekord të vizitave në kompleks.

“Është e pamundur të kalohet një ditë dhe të mos ketë vizitorë nga komuna e Ferizajt. Që mund të them se është komuna numër 1 që e viziton këtë vend”, tha tutje Imeri.

Kullat e familjes Jashari, kanë ndër vendet për të cilat vizitorët tregojnë më shumë interesim të dinë, për vet faktin se kanë mbetur të njëjtat që nga beteja e lavdishme e 5, 6 dhe 7 marsit 1998. Por, kohëve të fundit këto kulla kanë nisur të dëmtohen në mungesë të konservimit.

Sefer Seferi një vizitor, thotë se është e dhimbshme se si po dëmtohet kjo histori. “Po të krahasohet me vitet e kaluara, kjo po shkon duke u dëmtuar. Institucionet e Kosovës duhet të shpejtojnë më shumë që të bëjnë diçka për këtë monument të lavdishëm historik”, thotë Sefer Spahiu.

Përveç qytetarëve, Prekazin e vizitojnë shpesh edhe personalitete të shumta nga jeta publike qoftë shqiptare, qoftë ndërkombëtare. Shumë prej tyre kanë lënë shënime në librin e përshtypjeve. Por ai që mbahet mend është shënimi i francezit Bernard Kushner, i cili thotë: “Po të kishte çmim nobel për liri, me siguri se do t’i takonte familjes Jashari”./ KultPlus.com

Ndahen 6 milionë euro për kompleksin ”Adem Jashari”

Pas alarmit të ngritur në opinionin publik se Kulla e Jasharëve në Prekaz rrezikon të shembet, Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për rinovimin e saj.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se për kompleksin memorial “Adem Jashari” janë ndarë 6 milionë euro për tre vjetët e ardhshëm.

Por nuk është vetëm ky kompleks që rrezikon të shembet.

Sipas fondacionit kosovar “Trashëgimia kulturore pa kufij”, në Kosovë janë plot 109 asete të trashëgimisë kulturore, të cilat janë në rrezik të lartë.

Jusuf Thaçi, iniciues i peticionit për investime në kompleksin memorial “Adem Jashari”, thotë se Qeveria e Kosovës së shpejti pritet t’i ndërmarrë masat e nevojshme për shpëtimin e Kullës. Në anën tjetër, edhe Ministria e Financave premton t’i mbështesë financiarisht shpenzimet për komplekset memoriale në përgjithësi në Kosovë./ KultPlus.com