‘Kompleksi ynë i Prometeut’

Dan Carlin, një politolog dhe krijues podcast-esh, foli me Big Think për instinktin në dukje të pandalshëm të njerëzimit drejt krijimit. Psikanalisti Gaston Bachelard shpiku një term që e përmbledh këtë shtysë: “Kompleksi i Prometeut”. Ky kompleks përshkruan “të gjitha ato prirje që na shtyjnë të dimë aq sa baballarët tanë, dhe më shumë se ata”. Se sa kontroll kemi mbi këtë nxitje, kjo mbetet një pyetje e hapur.

Mos i mërzit zotat. Nëse ka një mësim që na jep mitologjia klasike, është që duhet të dimë kufijtë tanë dhe të përmbahemi. Kujdes nga mendjemadhësia: akti i mburrjes së arrogancës dhe vetë-lavdërimit që njeriu bën ndaj Zotit, perëndive ose forcave të natyrës. Është t’i tregosh gishtin e mesit Thor-it, t’i kthesh shpinën një engjëlli vizitor ose të përpiqesh për të vjedhur nga Zeusi. Eshtë mendjemadhësia e Icarus-it, me krahë prej dylli, që fluturon shumë afër Diellit.

Shumica e njerëzve që lexojnë letërsi klasike e kuptojnë këtë. Qëndro në korsinë tënde. Por ka një ikonë të mitologjisë greke që nuk e ka “lexuar memon”: Prometeu. Ja çfarë i ndodh atij:

Zeusi ishte i zemëruar me njerëzit, siç i ndodhte shpesh, dhe kështu ua hoqi aftësinë për të ndezur zjarr. Prometeu pa poshtë njerëzit që dridheshin nga i ftohti e vuanin për të ngrënë, dhe i erdhi keq. Pa e pyetur Zeusin, ai ndezi një pishtar nga Dielli dhe ua dërgoi fshehurazi zjarrin përsëri në Tokë. Për tradhtinë dhe mendjemadhësinë e tij, Prometeu u lidh me zinxhirë të pathyeshëm në një majë mali. Çdo ditë, një shqiponjë i hante mëlçinë dhe çdo natë mëlçia rritej përsëri, për të provuar mundime të reja.

Prometeu duhet të jetë një rrëfim paralajmërues: Mos i tall perënditë. Por ai u lartësua dhe adhurohej, duke u bërë në fund djaloshi i preferuar i Iluminizmit. Prometeu është rebeli i drejtë që pranoi një përjetësi vuajtjesh në emër të përparimit njerëzor. Ai është zëri i lartë dhe i papërmbajtshëm që na thotë të jemi inovatorë, të shpikim dhe të përparojmë. Vetë emri i tij do të thotë “të menduarit nga e ardhmja”. Ka shumë prometeanë për momentin.

Kompleksi i Prometeut

Dan Carlin, prezantues i podkastit të njohur Hardcore History dhe autor i bestsellerit “Fundi është gjithmonë pranë: Momente apokaliptike” jep mendimet e tij mbi evolucionin e shpejtë të Inteligjencës Artificiale dhe, më gjerësisht, historinë e përpjekjes së pamëshirshme të njerëzimit për të inovuar.

“Kam qenë gjithmonë i magjepsur me idenë e mendjemadhësisë së Icarus-it që i afrohet shumë Diellit,” thotë për Big Think. “[Pyes veten] nëse shoqëria njerëzore e ka aftësinë që të mendojë se nuk duhet të shpikim diçka, nëse mendojmë se mund të jetë e keqe. Nëse e sheh rrugëtimin teknologjik nga distanca, dhe vë re që diçka e tmerrshme mund të ndodhë, a mund të thotë njerëzimi, ‘E di çfarë? Më mirë të mos shkojmë atje.’ Nuk jam i sigurt se e kemi atë aftësi.”

Në vitet 1930, filozofi dhe psikanalisti francez Gaston Bachelard bëri të njëjtën gjë. Bachelard e quajti “Kompleksi i Prometeut”. Ja si e  përshkruante ai:

“Të njohësh faktet dhe të bësh gjëra janë nevoja që ne mund t’i karakterizojmë në vetvete pa pasur nevojë t’i lidhim domosdoshmërisht me vullnetin për pushtet. Ekziston tek njeriu një vullnet i vërtetë për intelektualitet. Ne e nënvlerësojmë nevojën për të kuptuar… Ne propozojmë, pra, të vendosim së bashku nën emrin e kompleksit të Prometeut të gjitha ato prirje që na shtyjnë të dimë aq sa baballarët tanë, më shumë se baballarët tanë, aq sa mësuesit tanë, më shumë se mësuesit tanë.”

Porta e pasme e dijes

Inteligjenca Artificiale është si një derë. Ne e dimë se pas derës ka një peizazh të madh, të panjohur – Narnia mespërmes garderobës ChatGPT. Pyetja është: Si duket ai peizazh? Çështja që theksojnë Carlin dhe Bachelard nuk është se ne nuk jemi të vetëdijshëm për rreziqet e mundshme të së ardhmes, apo se nuk po bëjmë biseda të rëndësishme rreth asaj që mund të thotë IA, por që, në fund të fundit, këto shqetësime janë të kota. Ne zotërojmë një nxitje impulsive, intelektuale, që na shtyn përpara. Ne do të kalojmë nëpër atë derë dhe do të vazhdojmë të zhvillojmë Inteligjencën Artificiale, dhe të gjitha llojet e teknologjive.

Kjo kërkesë nuk buron domosdoshmërisht nga një pozicion utilitar – nuk është se ne jemi domosdoshmërisht të shtyrë drejt efikasitetit më të madh, chatbot-eve realiste sociale ose zbulimeve mjekësore. Në thelb, duket se shtysa më e thellë është të shpikim çdo gjë që ne jemi në gjendje të shpikim.

Historiani britanik i shkencës James Burke në serialin e tij televiziv Connections thotë se të gjitha njohuritë janë të lidhura dhe që, edhe nëse përpiqemi të shmangim këtë apo atë sepse disa njerëz mendojnë se është e keqe, kjo është e pamundur. Të gjitha rrugët të çojnë në përparim.

“Nuk është e mundur [të shmanget shpikja], sepse të gjitha njohuritë janë të ndërlidhura si një rrjetë,” thotë Carlin. “Nëse do ta mbyllje një pjesë të caktuar të saj sepse do të shihje dobësitë e mundshme, do të arrije në të njëjtin rezultat, por nga një rrugë tjetër, apo jo?”

Për të kuptuar analogjinë e Carlin, mund të mendojmë për idenë e inteligjencës së përgjithshme artificiale, ose AGI. AGI është pika në të cilën AI mund të kryejë një shumëllojshmëri detyrash me aq kompetencë sa të arrijë, ose tejkalojë inteligjencën dhe performancën njerëzore. Disa njerëz mund ta shohin AGI si të rrezikshme. Të tjerët mund ta shohin AGI si shpëtimtaren e njerëzimit. Por ndërsa kemi debate dhe biseda, ne po vazhdojmë të marshojmë drejt AGI. Shkencëtarët dhe programuesit pas kompjuterëve të tyre po zgjidhin “çdo gjë rreth saj”. Duart dhe truri ynë, ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme, po lëvizin drejt asaj që ndërkohë jemi duke debatuar, nëse duhet ta bëjmë.

Kompleksi i Prometeut mund të shihet vazhdimisht në historinë e shkencës. Nuk është thjesht dëshira e Edenit për të ngrënë fruta ose për të shtypur butonin e kuq. Është fakti që ndërsa pjesa racionale, intelektuale e vetes sonë lufton me vendimin, një pjesë më e thellë, prometeane e jona e ka shtyrë tashmë atë përpara. Fatmirësisht, zakonisht rezulton gjëja e duhur. / bota.al/KultPlus.com

Projektligji s’miratohet, kompleksi “Adem Jashari” në gjendje alarmante

Kuvendi i Kosovës nuk ka qenë në gjendje që të miratojë Projektligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Mungesa e deputetëve në seancën plenare të ditës së hënë e ka bërë të pamundur kalimin e këtij Projektligji që u hap rrugë investimeve në Kompleksin që gjendet në Prekaz të Skenderajt.

Pavarësisht se ka kohë që jepet alarm që gjendja e objekteve të Kompleksit është tejet e rëndë, Projektligji ka mbetur që të votohet në ndonjë tjetër seancë. Mungesa e deputetëve të LDK-së dhe VV-së në seancë ka ndikuar që dokumenti të marrë 56 vota pro, e një abstenim. Për këtë kanë reaguar dy deputetë./ KultPlus.com