Çeku pasi miratohet projektligji për Artin dhe Kulturën: Dokumenti më i rëndësishëm i reformës më të thellë kulturore

Kryeministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, përmes një njoftimi në “Facebook” ka falënderuar deputët që miratuan përfundimisht Projekt-ligjin për Artin dhe Kulturën, shkruan KultPlus.

Sipas Çekut, ky është dokumenti më i rëndësishëm i reformës më të thellë kulturore në vend.

“Mbështetja e grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe partnerëve të koalicionit ka qenë e palëkundur. Mirënjohje të veçantë për deputetin Ardian Gola, kryetarin e Komisionit parlamentar për arsim dhe kulturë dhe anëtarët tjerë të komisionit”, ka shkruar Çeku në “Facebook”.

Nga kjo refromë premtohen më shumë mundësi për veprimtari artistike, shërbime kulturore, edukim artistik, zhvillim të audiencave, mirëqenie ekonomike për artistin. /KultPlus.com

MKRS për miratimin e Projektligjit për Art dhe Kulturë: Zhvillim i rëndësishëm drejt nxitjes së krijimtarisë artistike

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pas miratimit nga Qeveria e Kosovës të projektligjit për Art dhe Kulturë, ka thënë se është shënuar një zhvillim i rëndësishëm drejt zhbllokimit të potencialit dhe nxitjes së krijimtarisë artistike, shkruan KultPlus.

Ky Ligj i ri ndër të tjera do të ofrojë:

Kushte ligjore më të favorshme për krijimtari artistike, më pak burokraci

Forma të reja të mbështetjes së institucioneve publike të artit dhe skenës kulturore

Bazë ligjore për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor dhe Këshillit Kombëtar të Arteve

Njohje ligjore të skenës së pavarur dhe statusit të artistit të pavarur e artistëve meritorë

 Më poshtë mund ta gjeni projektligjin e ri në tërësi:

https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/06/PROJEKTLIGJI-PER-ARTIN-DHE-KULTUREN.pdf

Kuvendi miraton Projektligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit

Me 68 vota pro Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të dytë Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Deputeti i PDK-së Hisen Berisha, tha se si parti do ta mbështesin këtë projektligj, por që ka pasur një kërkesë që të gjithë të jenë të matur sa i përket deklaratave për përfshirjen e FSK-së në operacione të ndryshme ndërkombëtare.

“Duhet të jemi të matur sa i përket deklaratave për përfshije të Forcës në operacione të ndryshme ndërkombëtare bazuar në kapacitetet operacionale që kemi. Mendoj që ky ligj meriton të kalohet për shkakun se e intensifikon rolin e ushtrisë në politikën e jashtme të vendit, një rol që do të bëjë që Kosova të rreshtohet krahë shteteve që e mbështetin paqen në botë, por asnjëherë duke dalë përtej kapaciteteve tona operacionale që kemi për të mbështetur këtë paqe”, tha Berisha.

Edhe shefi i Grupit Parlamentari AAK-së, Besnik Tahiri, referuar një deklarate të kryeministrit të Kosovës rreth dërgimit të FSK-së në rast të shpërthimit të konflikti në Ukrainë, tha se duhet të kenë kujdes me deklarata publike.

“Ai e ka thënë saktë, ka thënë ‘çka do që NATO e parasheh të nevojshme, ne natyrisht që jemi të gatshëm’, mirëpo ajo që ne si Grup Parlamentar dëshirojmë ta ngremë në këtë temë është se para se të shohim se çka parasheh NATO për FSK-në ne duhet ta bëjmë ushtrinë tonë NATO, t’i krijojmë kushtet e ushtrisë tonë për NATO”, tha ai.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili tha se pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare ka domethënie të madhe për hyrje të FSK-së në NATO.

Sa i përket anëtarësimit të FSK-së në NATO, Mehaj tha se janë duke i përmbushur të gjitha kapacitetet.

“Sa i përket pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare, kjo ka domethënie të madhe edhe për hyrjen në NATO, se kjo është një pikë që shumë shtete të tjera para neve i kanë kaluar këto faza dhe kanë marrë pjesë në operacione ndërkombëtare. Diplomacia ushtarake ka ndikim shumë të madh jo vetëm në ngritjen e Forcës, ngritjen e kapaciteteve, po edhe ndërlidhjen e partneritetit me shtetet e NATO-s dhe shtetet partnere, se këtu lidhet partneriteti ushtarak përmes pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare. Sa i përket rrugëtimit drejtë NATO-s ne jemi në proces e sipër, të gjitha kapacitetet jemi duke i përmbushur, e kemi një plan të tranzicionit dhe atë jemi duke e përmbushur në bashkëpunim me partnerët tanë, por këtu edhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare ka domethënie të madhe në ndikimin e Kosovës ne diplomaci ushtarake po edhe në pjesëmarrjen e paqes jashtë vendit, se më nuk jemi vetëm konsumues të sigurisë po edhe eksportojmë siguri jashtë vendi”, tha ai./kp / KultPlus.com

Qeveria e Kosovës miraton Projektligjin për Filharmoninë, Operën dhe Baletin Kombëtar të Kosovës

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e Filharmonisë së Kosovës, Operën e Kosovës dhe Baletin Kombëtar të Kosovës, vendim ky i marrë pas propozimit të Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.

 Ministrja Vlora Dumoshi tha se ky projektligj është i rëndësishëm sepse rregullon të gjitha aspektet e rëndësishme të tre institucioneve me peshë për kulturën por edhe shtetin e Kosovës, siç është rregullimi i organizimit të veprimtarisë dhe funksionimit të Filharmonisë së Kosovës, Operës së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilat ushtrojnë veprimtari kulturo-artistike me interes të veçantë për vendin. Po ashtu ligji krijon bazën e themelimit të institucionit Opera e Kosovës, e cila me shpresë në një të ardhme jo të largët do t’i bashkohet listës së institucioneve kulturore.

 Ndër të tjerash ministrja Dumoshi tha: “Projektligji ka hyrë në plotësim ndryshim për shkak të preambulës me logon e UNMIK-ut, por edhe për të evituar pengesat që kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punëve të institucioneve, dhe gjatë hartimit është konsideruar se duhet të jetë Ligj i ri. Ky projektligj i ka kaluar të gjitha fazat e nevojshme të shqyrtimit, konsultimit me institucionet relevante dhe diskutimet publike me grupet e interesit dhe ka marrë aprovimin e të gjitha instancave relevante edhe përkundër vështirësive për shkak të përballjes me pandeminë Covid 19”.

Marrë parasysh që Projektligji për Filharmoninë e Kosovës, Operën e Kosovës dhe Baletin Kombëtar të Kosovës është akt me rëndësi për institucionet kulturore që u dedikohet, ju ftoj që ta votoni atë – tha ministrja Dumoshi në ekspozenë e saj para ministrave. / KultPlus.com

Projektligji s’miratohet, kompleksi “Adem Jashari” në gjendje alarmante

Kuvendi i Kosovës nuk ka qenë në gjendje që të miratojë Projektligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Mungesa e deputetëve në seancën plenare të ditës së hënë e ka bërë të pamundur kalimin e këtij Projektligji që u hap rrugë investimeve në Kompleksin që gjendet në Prekaz të Skenderajt.

Pavarësisht se ka kohë që jepet alarm që gjendja e objekteve të Kompleksit është tejet e rëndë, Projektligji ka mbetur që të votohet në ndonjë tjetër seancë. Mungesa e deputetëve të LDK-së dhe VV-së në seancë ka ndikuar që dokumenti të marrë 56 vota pro, e një abstenim. Për këtë kanë reaguar dy deputetë./ KultPlus.com