Konkurs letrar në Shkup (FOTO)

Komuna e Çairit në Shkup planifikon te sheshi “Skenderbej” të organizojë orën letrare me pjesëmarrjen e poetëve nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria e mërgata.

Poetët që konkurrojnë për pjesëmarrje në këtë orë letrare duhet që tekstet e tyre t’i kenë të shkruara në gjuhën shqipe ose në ndonjë gjuhë tjetër, por edhe me variantin e përkthimit në shqip. Poezitë ose prozat e shkurtra nuk duhet të jenë më të gjta se 40 vargje ose prozat jo më shumë se një faqe shkrimi, të jenë të shkruara pa gabime të konsiderueshme gjuhësore, me porosi e qëndrueshmëri ideore e artistike. Tematikisht poezitë duhet të lidhen për figurat e ngjarjet me rëndësi historike shqiptare dhe frymëzime të tjera poetike. Juria letrare nuk lejon vargje që më vete ngërthejnë urrejtje, shund letrar dhe mangësi strukturimi poetik, tematik, refleksiv e motivues për dashamirët e vargërimit poetik.

Juria letrare ka vendosur që pjesëmarrësit duhet të paraqiten me krijimet e tyre deri më 28 gusht 2017, që të ketë lehtësi t’i përzgjedhë poezitë dhe t’ua bëjë me dije pjesëmarrësve të lejuar nga juri deri më 30 gusht 2017 se cilët do të marrin pjesë në orën letrare. Adresa elektronike ku duhet t’i dërgojnë krijimet letrare janë: [email protected], ose në FB e Fadil L. Curri, [email protected] ose në FB e Ahmet Selmani, [email protected] apo dhe në FB e Rexhep Bajrami. Të gjitha shkrimet dërgohen në rubrikat interne (inbox).

Mbrëmja letrare do të mbahet më 2 shtator në ora 20:00.

Me kërkesën e jurisë letrare, Komuna e Çairit e motivon financiarisht pjesëmarrjen e autorëve, gjegjësisht heq shpenzimet e udhëtimit. / KultPlus.com