‘Ishin kan vllaznue dielli e hana’

Ishin kan vllaznue dielli e hana. Shkon hana ni dite per qef tu dielli edhe ja con ni pare tesha bakshish. Dielli gzohet edhe e pret mire. Mbas disa dite vjen dielli m’e pa hanen. S’i bjen kurgja. Hana i thot:
Qysh u ba puna kshtu? Une erdha e t’i pruna ni pare tesha bakshish, e ti s’um prune kurgja!
Dielli i tha:
Po ti kurre njejte s’po rrin: here hic, her n’ngjys, here e plote e nuk dita qysh me t’i pre teshat, per qata s’t’i pruna.

Marrë nga: Anton Çetta, “Prozë popullore nga Drenica”, Prishtinë, 1963.

Anton Çetta, lindi në vitin 1920 në Gjakovë dhe vdiq në vitin 1995 në Prishtinë, ishte shkrimtar, profesor letërsie e patriot shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë.
Ai mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë dhe Korçë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi në gjuhë dhe kulturë romane. Për një kohë punoi si asistent në degën e gjuhës shqipe. Nga viti 1960 deri më 1968 ai ligjëroi lëndët: Letërsia e vjetër shqiptare, Histori e letërsisë dhe Gjuhë latine në Universitetin e Prishtinës. Libri i parë iu botua më 1953 dhe deri në vitin 1987, Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori nga të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. / KultPlus.com

Së shpejti fillon “Fiction Fest”, festivali i parë dedikuar prozës artistike

Gjatë vjeshtës së hershme të këtij viti do ta nisë edicionin e tij të parë Festivali Ndërkombëtar i Prozës “FICTION FEST”. Duke qenë se i dedikohet vetëm prozës artistike dhe jo formave të tjera të shkrimit letrar, ky është festivali i parë i kësaj natyre në Kosovë.

Në këtë festival do të marrin pjesë emra të njohur e të respektuar të letërsisë shqipe dhe asaj të përbotshme. Në edicionin e parë do të na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre këta shkrimtarë: Rexhep Qosja, Donika Dabishevci, Srdjan Tesin, Virion Graçi, Stefan Boshkoviq dhe Dimitar Samardjev.

“FICTION FEST” do t’i ketë dy net dhe do të mbahet në Prishtinë me datat 04 dhe 05 tetor, 2018, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Në natën e parë do të lexojnë këta autorë: Srdjan Tesin, Donika Dabishevci, Stefan Boskovic, Virion Graçi dhe Dimitar Samardjev.

Në natën e dytë do të lexohen fragmente nga romanet e shkrimtarit të njohur, Rexhep Qosja. Pas leximit të fragmenteve nga romanet e tij, që do ta bëjnë aktorët profesionistë të vendit tonë, me shkrimtarin Rexhep Qosja do të ketë një orë diskutimi lidhur me prozën e tij dhe artin e tij të shkrimit letrar.

Koordinatore e Festivalit Ndërkombëtar të Prozës “FICTION FEST” është Saranda Buzhala, kritike letrare dhe asistente e lëndëve të letërsisë shqipe, e angazhuar në Universitetin e Prizrenit./ KultPlus.com

Konkurs letrar në Shkup (FOTO)

Komuna e Çairit në Shkup planifikon te sheshi “Skenderbej” të organizojë orën letrare me pjesëmarrjen e poetëve nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria e mërgata.

Poetët që konkurrojnë për pjesëmarrje në këtë orë letrare duhet që tekstet e tyre t’i kenë të shkruara në gjuhën shqipe ose në ndonjë gjuhë tjetër, por edhe me variantin e përkthimit në shqip. Poezitë ose prozat e shkurtra nuk duhet të jenë më të gjta se 40 vargje ose prozat jo më shumë se një faqe shkrimi, të jenë të shkruara pa gabime të konsiderueshme gjuhësore, me porosi e qëndrueshmëri ideore e artistike. Tematikisht poezitë duhet të lidhen për figurat e ngjarjet me rëndësi historike shqiptare dhe frymëzime të tjera poetike. Juria letrare nuk lejon vargje që më vete ngërthejnë urrejtje, shund letrar dhe mangësi strukturimi poetik, tematik, refleksiv e motivues për dashamirët e vargërimit poetik.

Juria letrare ka vendosur që pjesëmarrësit duhet të paraqiten me krijimet e tyre deri më 28 gusht 2017, që të ketë lehtësi t’i përzgjedhë poezitë dhe t’ua bëjë me dije pjesëmarrësve të lejuar nga juri deri më 30 gusht 2017 se cilët do të marrin pjesë në orën letrare. Adresa elektronike ku duhet t’i dërgojnë krijimet letrare janë: [email protected], ose në FB e Fadil L. Curri, [email protected] ose në FB e Ahmet Selmani, [email protected] apo dhe në FB e Rexhep Bajrami. Të gjitha shkrimet dërgohen në rubrikat interne (inbox).

Mbrëmja letrare do të mbahet më 2 shtator në ora 20:00.

Me kërkesën e jurisë letrare, Komuna e Çairit e motivon financiarisht pjesëmarrjen e autorëve, gjegjësisht heq shpenzimet e udhëtimit. / KultPlus.com