Turqia tërhiqet nga Konventa që synon mbrojtjen e grave nga dhuna

Turqia është tërhequr nga traktati i parë detyrues në botë, për të parandaluar dhe luftuar dhunën ndaj grave. Kjo është bërë përmes një dekreti presidencial, nga ana e presidentit turk, Reccep Tayip Erdogan.

Tërheqja Turqisë është “pengesë e madhe” në përpjekjet për të mbrojtur grate, ka thënë kreu i Këshillit të Evropës, Charles Michel, raporton AFP, transmeton KultPlus.

Konventa e Stambollit e vitit 2011, e nënshkruar nga 45 vende dhe Bashkimi Evropian, kërkon që qeveritë të miratojnë legjislacionin që ndjek penalisht dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave.

Konservatorët në Turqi kishin deklaruar se ky dokument dëmton unitetin e familjes, inkurajon divorcin dhe se referencat e saj për barazinë po përdoren nga komuniteti LGBT (Lezbiket, Homoseksualët, Biseksualët, Transgjinorët dhe Ndërseksualët) për të arritur që të pranohen më gjerë në shoqëri.

Publikimi i dekretit në gazetën zyrtare nxiti zemërim midis grupeve të të drejtave të njeriut. Gjithashtu u bën thirrje për protesta në Stamboll.

Gokce Gokcen, nënkryetare e partisë kryesore të opozitës CHP tha se dalja nga traktati nënkupton “mbajtjen e grave si qytetare të klasit të dytë dhe lejimin e vrasjes së tyre”.

“Pavarësisht nga djallëzia juaj, ne do të qëndrojmë gjallë dhe do të rikthehemi në konventë”, tha ajo në Twitter.

Turqia kishte debatuar për një largim të mundshëm nga konventa, pasi një zyrtar i partisë së presidentit Erdogan ngriti këtë çështje vitin e kaluar.

Që nga ajo kohë, gratë kanë dalë në rrugë në qytete anembanë vendit duke i bërë thirrje qeverisë që të vazhdojë zbatimin e dokumentit.

Ministrja e Punës, Familjes dhe Shërbimeve Shoqërore, Zehra Zumrut Selcuk i tha agjensisë zyrtare të lajmeve Anadolu se kushtetuta dhe ligjet e brendshme të Turqisë do të ishin “garantimi i të drejtave të grave”.

“Ne do të vazhdojmë luftën tonë kundër dhunës me parimin e tolerancës zero”, tha ajo të shtunën.

Dhuna në familje dhe vetëvrasjet mbesin një problem serioz në Turqi. Vitin e kaluar, 300 gra u vranë sipas grupeve të të drejtave të grave. Organizatat për të drejtat e njeriut, akuzojnë presidentin Erdogan për politika gjithnjë e më shumë konservatore, gjatë 18 viteve të tij në pushtet. /rel/ KultPlus.com