Von der Leyen e akuzon Erdoganin për seksizëm: Më lanë në këmbë se jam grua

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka akuzuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për seksizëm, duke kujtuar incidentin e ndodhur gjatë vizitë së saj në Ankara dy javë më parë.

Në atë takim, ishin vendosur vetëm dy karrige në qendër të sallës, ku u ul Erdogan dhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ndërsa Von der Leyen u detyrua të ulej në një divan, pas disa sekondash tepër të sikletshme në këmbë.

“Nuk gjeta asnjë justifikim për atë që ndodhi. Prandaj më duhet të dal në përfundimin se ndodhi pasi unë jam një grua”, tha Von der Leyen. “Unë jam gruaja e parë që bëhet presidente e Komisionit Europian. Jam presidente e Komisionit Europian dhe prisja që të trajtohesha si e tillë kur vizitova Turqinë. A do të kishte ndodhur kjo po të kisha veshur kostum dhe kravatë? Në fotot e mëparshme që kam parë, nuk dallova mungesë karrigesh, por gjithashtu nuk pashë asnjë grua në takime”./ KultPlus.com

Turqia tërhiqet nga Konventa që synon mbrojtjen e grave nga dhuna

Turqia është tërhequr nga traktati i parë detyrues në botë, për të parandaluar dhe luftuar dhunën ndaj grave. Kjo është bërë përmes një dekreti presidencial, nga ana e presidentit turk, Reccep Tayip Erdogan.

Tërheqja Turqisë është “pengesë e madhe” në përpjekjet për të mbrojtur grate, ka thënë kreu i Këshillit të Evropës, Charles Michel, raporton AFP, transmeton KultPlus.

Konventa e Stambollit e vitit 2011, e nënshkruar nga 45 vende dhe Bashkimi Evropian, kërkon që qeveritë të miratojnë legjislacionin që ndjek penalisht dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave.

Konservatorët në Turqi kishin deklaruar se ky dokument dëmton unitetin e familjes, inkurajon divorcin dhe se referencat e saj për barazinë po përdoren nga komuniteti LGBT (Lezbiket, Homoseksualët, Biseksualët, Transgjinorët dhe Ndërseksualët) për të arritur që të pranohen më gjerë në shoqëri.

Publikimi i dekretit në gazetën zyrtare nxiti zemërim midis grupeve të të drejtave të njeriut. Gjithashtu u bën thirrje për protesta në Stamboll.

Gokce Gokcen, nënkryetare e partisë kryesore të opozitës CHP tha se dalja nga traktati nënkupton “mbajtjen e grave si qytetare të klasit të dytë dhe lejimin e vrasjes së tyre”.

“Pavarësisht nga djallëzia juaj, ne do të qëndrojmë gjallë dhe do të rikthehemi në konventë”, tha ajo në Twitter.

Turqia kishte debatuar për një largim të mundshëm nga konventa, pasi një zyrtar i partisë së presidentit Erdogan ngriti këtë çështje vitin e kaluar.

Që nga ajo kohë, gratë kanë dalë në rrugë në qytete anembanë vendit duke i bërë thirrje qeverisë që të vazhdojë zbatimin e dokumentit.

Ministrja e Punës, Familjes dhe Shërbimeve Shoqërore, Zehra Zumrut Selcuk i tha agjensisë zyrtare të lajmeve Anadolu se kushtetuta dhe ligjet e brendshme të Turqisë do të ishin “garantimi i të drejtave të grave”.

“Ne do të vazhdojmë luftën tonë kundër dhunës me parimin e tolerancës zero”, tha ajo të shtunën.

Dhuna në familje dhe vetëvrasjet mbesin një problem serioz në Turqi. Vitin e kaluar, 300 gra u vranë sipas grupeve të të drejtave të grave. Organizatat për të drejtat e njeriut, akuzojnë presidentin Erdogan për politika gjithnjë e më shumë konservatore, gjatë 18 viteve të tij në pushtet. /rel/ KultPlus.com

Gjuha turke futet në shkollat shqiptare

Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Turqisë, për bashkëpunimin në fushën e arsimit është botuar në fletoren zyrtare më datën 2 mars.

Ajo që bie në sy nga marrëveshja e arritur është futja e gjuhës turke në shkollat shqipe si lëndë e një gjuhe të huaj me zgjedhje të lirë, me qëllim një programi pilot në gjuhën turke.

Në nenin 2. pika 9, parashikohet shkëmbimi i përvojave në hartimin dhe përmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në të dy vendet.

Ndërkohë që më poshtë, neni 3. pika 2, sanksionon edhe futjen e gjuhës turke në shkolla. Në këtë pikë thuhet qartë se palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e  gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor.

Përmbatja e nenit tre:

Mësimdhënia dhe nxënia e gjuhëve zyrtare

Palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor.

Pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat, për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke.

Pala shqiptare do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve turq në seminaret/kurset verore të gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Pala turke do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve shqiptarë në seminaret/kurset verore në gjuhën dhe kulturën turke./ KultPlus.com

Revista Charlie Hedbo karikaturizon Erdoganin, e portretizon në skena erotike

Revista satirike Charlie Hebdo në numrin e saj të radhës këtë të martë i ka dedikuar në faqen e saj të parë një karikaturë të presidentit turk Regep Taip Erdogan duke e ironizuar atë.

Siç shihet në foto, kopertina e Charlie Hebdo i ka dedikuar presidentit turk një karikaturë të sikletshme.

Franca dhe Turqia janë në kulmin e marrëdhënieve të tyre të këqija diplomatike, teksa replikat në distancë mes dy liderëve politikë vijojnë të prodhojnë tension./ KultPlus.com

Orhan Pamuk: Konvertimi i Hagia Sofia është një deklaratë që Turqia nuk është më laike

Nobelisti i Turqisë, Orhan Pamuk ka kritikuar vendimin e qeverisë turke për ta shndërruar Hagia Sophia në një xhami, duke thënë: “Ta kthesh atë në një xhami është të thuash në pjesën tjetër të botës për fat të keq ne nuk jemi sekularë.”

“Ka miliona turq laikë si unë që qajnë kundër kësaj por zërat e tyre nuk dëgjohen,” u shpreh ai për BBC-në.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në 10 korrik e hapi Hagia Sophia për adhurim musliman pasi Këshilli i Shtetit – gjykata më e lartë administrative në vend – vendosi që shndërrimi i ndërtesës në një muze nga burri themelues i Turqisë moderne ishte i paligjshëm.

Në një fjalim televiziv, Erdogan tha se lutjet e para në strukturën ikonike të shekullit të gjashtë do të mbahen me 24 korrik. / KultPlus.com

Erdogan: Pagën time për 7 muaj do t’ia fali popullit tim

Presidenti i Republikës së Turqisë sot në një komunikatë për media e hapi kampanjën ” Solidariteti Kombëtar”.

Situata në Turqi po vështirësohet dita ditës për shkak të koronavirusit, i cili po ndikon edhe në rënien e ekonomisë.

Turqia duke marrë masa parandaluese për mospërhapjen e pandemisë sot e ka filluar kampanjën “Solidariteti Kombëtar”

Këtë e ka bërë të ditur presidenti Erdogan në një komunikatë për media.

” Në këto ditë të vështira duhet të solidarizohemi me njëri tjetrin, të mbrohemi dhe të qëndrojmë në shtëpi, unë sot para juve po e bëjë hapjen e kampanjës “Solidariteti Kombëtar” duke sfiduar të gjithë zyrtarë e tjerë. Unë këtë kampanjë po e fillojë duke falur rrogën time për 7 muaj atyre që kanë nevojë dhe janë në kushte të rënda ekonomike” tha Erdogan. / KultPlus.com

Erdogan: Dhënia e Nobelit një racisti, shpërblim i shkeljeve të të drejtave të njeriut

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dënoi ndarjen e Çmimit Nobel të Letërsisë për shkrimtarin Peter Handke, i njohur si mbështetës i politikave të ish-udhëheqësit serb Sllobodan Millosheviç, i gjykuar për krime lufte.

“Dhënia e Çmimit Nobel në Letërsi një personi racist nuk do të thotë asgjë tjetër përpos shpërblim i shkeljeve të të drejtave të njeriut”, tha Erdoğan në një mesazh me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut.

Handke njihet si një admirues i madh i Millosheviçit, i cili vdiq në vitin 2006 në gjykatën ndërkombëtare në Hagë teksa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.

“Ngrihuni në këmbë nëse i mbështesni serbët”, kishte shkruar Handke gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

Ai po ashtu është mohues e gjenocidit serb gjatë luftës së Bosnjës.

Handke ka pretenduar se boshnjakët muslimanë në Sarajevë kishin vrarë veten e tyre, duke shtuar se ai kurrë nuk beson se serbët kanë kryer genocid në Srebrenicë,raporton Anadolu Agency, transmeton Klan Kosova.

Handke gjithashtu kishte vizituar Millosheviçin në burg dhe ishte përpjekur të dëshmojë në favor të tij.

“Unë jam këtu për Jugosllavinë, për Serbinë, për Sllobodan Millosheviçin”, ishte shprehur Handke në një eulogji të vitit 2006 për Millosheviçin.

Me fitimin e Çmimit Nobel, Handke do të marrë gjithashtu 9 milionë krona suedeze (952.000 dollarë), si dhe një medalje dhe një diplomë. /KultPlus.com

Erdogan paralajmëron ndërtimin e 500 shtëpive në Shqipëri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se “ekipet e Turqisë do të kryejnë punimet në vendet e përshtatshme në Shqipëri dhe si vëllezër turq do të ndërtojnë 500 njësi banimi”.

Ndryshe, presidenti turk kishte thënë se kishte zhvilluar dy biseda telefonike me kryeministrin shqiptar Edi Rama më 26 nëntor, pasi dëgjoi për tërmetin, për të ofruar ngushëllimet e tij.

Si rezultat, siç thuhet tutje, përcjell Telegrafi, Turqia i ka dërguar menjëherë ndihma Shqipërisë rreth menaxhimit të fatkeqësisë dhe emergjencave.

“Si një vend, i cili vuajti nga tërmete të mëdha në të kaluarën, ne e kuptojmë dhimbjen e Shqipërisë”, citohet të ketë thënë Erdogan.

“Ne të gjithë duhet të qëndrojmë me Shqipërinë kur bëhet fjalë për trajtimin mjekësor të të dëmtuarve ose sigurimin e strehimoreve për ata që kanë humbur shtëpitë e tyre”, kishte shtuar ai.

Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, dy tërmete të fuqishme goditën Shqipërinë.

Tërmeti i parë është regjistruar në orën 04:00 me shkallë të Rihterit 6.4 në Durrës, ndërsa i dyti ishte me magnitudë 5.4 shkallë të Rihterit dhe u regjistrua në ora 07:10.

Si pasojë e këtyre tërmeteve, përcjell Telegrafi, numri i viktimave po vazhdon të rritet dhe bëhet e ditur se janë rreth 700 persona të lënduar, si dhe dëme të mëdha materiale. /Telegrafi/ KultPlus.com

Neve rrugën e xhenetit, Serbisë veç rrugën. Pse po nguteni me Erdoganin?

Nezir H.Kraki

“Investimet e tij në tokat shqiptare e kanë synim sigurimin e parajses për neve jo përmirësimin e kësaj jete se kjo jetë edhe ashtu është veç hajt. Ne duhet ta falënderojmë atë për milionat që shpenzohen për ta trasuar rrugën tonë drejt jetës së dytë, dmth drejt parajses, drejt lulishteve holandeze. Çka na duhen neve puna, fabrika, shkolla, spitali, rruga e mirëqenia në këtë jetë të përkohshme kur ato i kemi të sigurta pas vdekjes?! A nuk i dëgjoni ju të dërguarit e Ergoganit kur shpalosin progame nga parajsa të ideuara enkas për neve shqiptarët, të zgjedhurit e përmotshëm të anadollit? Mos u ngutni ju lutem! Mos na rrezikoni parajsen!

Serbia nuk e ka kuptuar ende që s’i duhet autostrada e re turke sepse ajo nuk do t’i çojë serbët në parajsë. Ata të shkretë nuk e dinë ende çfarë përfitimesh do marrim ne pas vdekjes nga investimet turke. Ata nuk e dinë që neve xhamia e ndërtuar nga Turqia na shërben si laborator sekret për projekte metafizike që na bëjnë të pajtohemi me të tashmen e vrazhdë e brutale. Projektet tona me Turqinë do kenë frute pas vdekjes. Kur te vdesim do ta kuptojmë të mirën që na ka sjellë Erdogani me shokët e tij bamirës e namazli në këto treva.

Sikur e shoh tani momentin kur nga ballkoni i xhenetit ne do tallemi me serbët që i gëzoheshin investimeve materiale kur Erdogani i ‘mashtronte’ me rrugë e fabrika. Do i shikojmë duke vuajtur në flakët e ferrit disa kate më posht se ne, derisa ne, në lulishten e pakufishme do udhëtojmë, do shkollohemi, do shërohemi dhe më e rendësishmja, do bëjmë dashuri me dhjetra e dhjetra virgjeresha…

…duke bërtitur, Uaaah çfarë vdekje! Zgjate Zot!

E serbët e shkretë n’ferr se knaqeshin me fabrika e me rrugë.” /KultPlus.com

Erdogani kundër artistëve, birrës dhe Moxartit

Erdogan ka dalë kundër artistëve, pasi nuk duron asnjë kritikë, as kur ajo vjen prej artistëve me bindje konservatore. Kundëgoditjet bëhen të ashpra, kur atij i duhet të heqë vëmendjen e opinionit nga problemet politike.

Armiqësia e fundit verbale tingëllon zbavitëse. Artisti 72 vjeçar, Rutkay Aziz i rekomandoi Recep Tayyip Erdoganit që: “Presidenti i shtetit duhet të dëgjojë një herë Moxartin dhe Bethovenin. Mbase do t’i bënte mirë.”

Dhe meqenëse presidenti refuzon pirjen e alkoolit, gazetari Yilmaz Özdil shkruajti në editorialin e tij për gazetën nacionalisto- kemaliste “Sözcü”: “Sikur Tayyip Erdogan të pinte vetëm një birrë, Turqia do i kishte punët sot shumë më mirë.”

Për këto dy rekomandime, Erdogani reagoi ditën e martë (8.01)pa humor në fjalimin e mbajtur para deputetëve të AKP: “Të detyrosh të pijë birrë dhe të dëgjojë Moxartin presidentin e shtetit, karakteri dhe qëndrimi i të cilit janë të qarta, nuk është gjë tjetër veç epitomi e fashizmit.”

Erdogan: “Epitomi e fashizmit”

Rutkay Aziz reagoi në televizionin turk Arti TV, që transmeton në ekzil, nga Këlni. Ai tha se nuk i dha asnjë këshillë Erdoganit. “Mua më thanë se Erdogani do të shkojë në një koncert të pianistit me famë botërore, Fazil Say. Dhe më pyetën çfarë mund të them për këtë? Unë iu përgjegja: Kjo do ishte shumë mirë. Atje ai do të dëgjojë Moxartin dhe Bethovenin. Kjo do t’i bënte mirë.”

Aziz nuk mund ta kuptojë pse Erdogani e quan fashist: „Nuk mund të kuptohet çfarë ka të bëjë kjo me fashizmin. Jam unë fashist apo është Mozarti fashist? Nëse është ky i fundit, atëherë unë them se Moxarti duhet mbrojtur në emër të njerëzimit.” Azizi thotë se rasti për të është i mbyllur. Për DW ai tha se: „Unë i kam vënë pikë kësaj historie dhe nuk dua të flas më për të.”

Hetime për “fyerje” dhe “nxitje të situatës”

Aktorja Deniz Çakir u kthye në objekt sulmesh të Erdoganit, pasi hapi një beteje fjalësh për gratë me perçe. Gazetat e afërta me qeverinë raportuan për këtë. Presidenti i shtetit akuzoi Çakirin se i ka kërkuar grave që mbulojnë kokën me shami të shkojnë në Arabinë Saudite. Edhe një herë Erdogani kujtohet se:„ky është fashizëm i gjallë. Kjo është ideologjia e Partisë Republikane CHP”. Partia socialdemokrate dhe kemaliste CHP, është partia më e madhe opozitare në Turqi.

Prokuroria është duke zhvilluar hetime kundër Deniz Çakirit për „fyerje”. Ekziston mundësia që rasti të ketë qenë i ndryshëm nga ajo që Erdogani dhe prokuroria pretendojnë të jetë. Në twitter Çakiri thotë se „ajo që i prezantohet publikut nuk ka të bëjë me të vërtetën.”

Skena kulturore u trondit edhe me një rast tjetër një javë më parë. 76 vjeçari Müjdat Gezen dhe 78 vjeçari Metin Akpinar janë dy aktorë legjendë në Turqi. Filmat e tyre dhe shfaqjet teatrale vlerësohen edhe nga të majtët edhe nga konservatorët. Ata të dy janë distancuar nga politika aktuale qeveritare. Në stacionin televiziv opozitar Halk TV ata kanë kritikuar Erdoganin. Erdogani i quajti ata të dy „aktorë që do të donin të ishin aktorë”.

Aktorët kërkojnë më shumë demokraci

Por Müjdat Gezen dhe Metin Akpinar nuk janë vetëm duke u vënë në lojë nga presidenti. Kundër tyre po zhvillohen hetime me akuzën: „Fyerje e presidentit të shtetit, kërcënime me puç dhe vrasje.”

Pas marrjes në pyetje dy aktorët u lanë fillimisht të lirë me kusht. Ata nuk lejohet të dalin nga Turqia, prandaj pasaportat e tyre u mbajtën nga autoritetet dhe një herë në javë ata duhet të paraqiten në polici. Prokuroria prezantoi këtë javë një raport hetimor për „nxitjen e një kryengritjeje të armatosur kundër qeverisë së Republikës së Turqisë.”

“Nxitje e një kryengritjeje të armatosur?” Çfarë kanë bërë dy aktorët?

“Rruga e vetme me të cilën ne mund të kapërcejmë polarizimin dhe kaosin, është demokracia”, kjo ishte çfarë tha Akpinar në emisionin “Volksarena”. “Nëse ne nuk jemi në gjendje të dalim nga kjo situatë, atëherë ne do të na ndodhë e njëjta gjë si në fashizëm. Udhëheqësi varet prej këmbe, ose helmohet në burg.”

Edhe kolegu i tij Gezen jo vetëm që pati bërë thirrje për revoltë, por kritikoi edhe Erdoganin: „Ai shan këdo që i del përpara, ngre vazhdimisht gishtin dhe thotë se duhet kuptuar ku është kufiri. Unë të them ty, Recep Tayyip Erdogan, se dashuria jonë për atdheun nuk duhet vënë në provë. Ti duhet ta dish ku e ke vendin.”

Erdogan reagoi në mënyrë edhe më agresive. Pse i sulmon ai kaq shumë artistët, ndërkohë që vendi është duke jetuar kohë të trazuara politike dhe ekonomike dhe me shumë probleme, që janë shumë më të rëndësishme se sa kritika ndaj skenës kulturore?

Gülfem Saydan Sanver ka marrë çmimin Pollie për konsultime politike nga Shoqata amerikane për konsultime politike (American Association of Political Consultants). Për të përgjigja për këtë pyetje ka të bëjë me zgjedhjet komunale që pritet të zhvillohen në mars.

Erdogani shfrytëzon polarizimin

Në të kaluarën Erdogan është përpjekur në të gjitha fushatat elektorale që të verë veten në qendër të çdo lloj diskutimi, shpjegon Sanver. “Nëse shohim rezultatet e zgjedhjeve të fundit shohim se polarizimi i shoqërisë që nxitet nga Erdogani, i sjell atij dobi. Goditja publike e artistëve është pjesë e kësaj strategjie.”

Erdogan krijon përshtypjen se rrethet konservatore të shoqërisë janë të kërcënuara. Ai mundohet nga njëra anë që zgjedhësit e tij të bashkohen me njeri tjetrin dhe nga ana tjetër që të pengohet opozita të dërgojë mesazhet e saj në popull. “Përveç kësaj Erdogan kërkon të mbulojë pasojat e krizës ekonomike”, thotë Sanver. “Ai është i vetëdijshëm se atmosfera e frikës i sjell dobi qeverisë aktuale. Sepse një shoqëri që ka frikë, përkrah gjithnjë sistemin ekzistues. Fjalët e ashpra dhe hetimet kundër artistëve lëshojnë mesazhin se kritika ndaj qeverisë ka çmim të lartë.”/DW/KultPlus.com

Erdogan mbyllë teatrot shtetërore

Rexhep Tayyip Erdogan ka urdhëruar mbylljen e përkohshme të Teatrit Shtetëror dhe atij të Operas dhe Baletit.

Dekreti presidencial u heq këtyre dy teatrove financimin shtetëror, u konfiskon ndërtesat dhe i pezullon kontratat me artistët. Qeveria e Turqisë argumenton se vendimi ka të bëjë me rikonstrukturimin dhe përshtatjen e këtyre institucioneve me nevojat e kohës.

Ndërsa kritikët mendojnë se kjo mund të interpretohet si një luftë e hapur e Erdoganit ndaj sekularizmit dhe kulturës së orientuar nga Perëndimi, pasi këto teatro njihen për vënien në skenë të veprave të mëdha botërore.

Dy institucionet e lartpërmendura janë themeluar rreth 1 shekull më parë.

Fyeu Erdoganin, aktorja e njohur turke dënohet me burg

Një gjykatë apeli në Stamboll ka dënuar me 11 muaj e 20 ditë burg aktoren dhe këngëtaren e njohur turke, Zuhal Olcay, për fyerje publike ndaj Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Olcay kishte apeluar vendimin e një tjetër gjykate që e kishte dënuar me 10 muaj burg për fyerje ndaj Erdogan, por përkundër pritshmërive të saj, Gjykata e Apelit ia rriti dënimin në 11 muaj e 20 ditë burg. Ajo akuzohet se nga skena e një lokali ku po këndonte ka bërë deklarata fyese ndaj Presidentit turk.

Gjykata rriti dënimin ndaj aktores dhe këngëtares me arsyetimin se fyerja ndaj kreut të shtetit ishte bërë në publik, por nga ana tjetër mori vendimin që vuajtja e dënimit të shtyhet si pasoje e pendesës së shfaqur nga aktorja.

Sipas Haberturk, Olcay duke ka shprehur pendesën për veprimin e saj ka theksuar se “ishte një veprim impulsiv”. Ajo kërkoi abrogimin e vendimit të gjykatës ose kthim të dënimit në gjobë me para. Por gjykata vendosi vetëm shtyrje të dënimit me 1 vit e 6 muaj.

Aktorja dhe këngëtarja 61-vjeçare ka luajtur në më shumë se 15 seriale që prej vitit 1980. Roli i saj i fundit është ai i Sureyasë në serialin “Shoqëria e Lartë”. /KultPlus.com

Bosnja anulon vendimin për ta nderuar shkrimtarin turk Orhan Pamuk

Shkrimtari Orhan Pamuk, laureat i Nobelit, i cili është një kritik i zëshëm i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, u propozua për t’u nderuar për shkrimin e skenarit për luftën në Bosnjë.

Por qyteti i Sarajevës ka braktisur planet për ta bërë Orhan Pamuk-un një “qytetar nderi” të kryeqytetit të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa kritikët thonë se kjo u bë nga frika e ofendimit të Turqisë.

Pamuk ishte nominuar për t’u nderuar nga botuesi dhe libraria vendore Buybook, e cila sugjeroi që laureati i Nobelit të bëhej “qytetar nderi i Sarajevës” ndërsa po planifikonte të vizitonte qytetin këtë pranverë duke punuar në skenarin për Bosnjën gjatë luftës. Sipas drejtorit të Buybook, Damir Uzunoviq, ndërsa komisioni i këshillit fillimisht votoi shtatë me zero për ta bërë autorin turk një qytetar nderi, një votim i dytë e kishte refuzuar kandidaturën e Pamuk duke votuar, katër me tre.

“Shpjegimi i komisionit të këshillit ishte se Orhan Pamuk nuk bëri asgjë ose pothuajse asgjë për qytetin e Sarajevës. Disa anëtarë nga partia qeverisëse vlerësuan se dekorimi i zotit Pamuk mund të shkaktojë zemërimin e qeverisë aktuale të Turqisë. Ata shfrytëzuan këtë mundësi për të dërguar një mesazh te Pamuk … se ai nuk është i mirëpritur në Sarajevë”, tha Uzunoviq.

“Ne kemi deklaruar se Orhan Pamuk është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë dhe se asnjë nga laureatët aktualë të Nobelit kurrë nuk ka ardhur në Sarajevë. Pamuk është shkrimtari më i lexuar dhe më i famshëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe si botues i tij ekskluziv për BeH, ne e kemi ftuar Pamukun të vizitojë disa herë Sarajevën”.

Pamuk është një figurë e diskutueshme në Turqi, ku ai është përballur me burg për “fyerjen e gjërave turke”. Sipas Agencisë Franceze të Lajmeve, e cila për herë të parë raportoi për vendimin, Bakir Izetbegoviq, i cili kryeson partinë në pushtet të SDA, është i afërt me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Samir Fazliq i partisë opozitare ‘Nasha Stranka’ i tha AFP-së se rezultati i dytë i votimit ishte për shkak të “kundërshtimit të politikës së presidentit turk Erdogan” nga Pamuk dhe “frikës….nga Erdogani”.
Zyra e Kryetarit të Bashkisë së Sarajevës nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Ndryshimi i mendimit për Pamuk u kritikua gjithashtu nga Partia Social Demokratike (SDP) e opozitës në Bosnjë-Hercegovinë. “Këta zotërinj në pushtet u zgjodhën të ishin etërit e qytetit të Sarajevës, por ata sillen si foshnje të një fshati të vogël të Erdoganit”, tha zëdhënësi Malik Garibi.

“Unë jam i sigurt se Turqia është vendi ynë miqësor dhe se turqit janë një popull miqësor për ne, kështu që unë jam i sigurt se edhe ata do të zbrapsen nga gjeste të tilla, ashtu si do të bënte çdo mik i mirë. Një mik do të na ngriste dhe nuk do të lejonte që ne të gjunjëzohemi para tij”, tha Garibi.

“Shpresoj që Orhan Pamuk të bëhet qytetar nderi i qytetit tonë. Librat e mëdha që ai ka shkruar e bëjnë atë një nga turqit më të famshëm dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj në histori dhe ne do të nderohemi që ta kemi atë si bashkëqytetar. Këto trazira politike janë të përkohshme dhe me siguri do të kalojnë, por shkrime të tilla mahnitëse do të vazhdojnë të ekzistojnë shumë kohë pasi të gjitha këto projekte politike janë harruar. Të dyja, shkrimet e Sarajevës dhe Orhan Pamuk janë pjesë të mrekullueshme të historisë njerëzore dhe sigurisht se do të qëndrojnë atje së bashku, ndryshe nga autoritetet aktuale të qytetit dhe vendimet e tyre të turpshme”.

Ai shtoi se SDP do të kërkonte që çështja “të zgjidhet” nga këshilli i qytetit”, por kam frikë se tashmë është tepër vonë dhe se qyteti është tashmë i turpëruar, dëmi i reputacionit të Sarajevës është bërë sapo lajmi i tillë mori dhenë”./ KultPlus.com
Marrë nga “The Guardian”.