Duke përdorur kafenë, minatorët e Koresë së Jugut shpëtojnë nëntë ditë nën tokë

Dy minatorë që kaluan nëntë ditë të bllokuar në një minierë zinku të shembur të Koresë së Jugut, duke jetuar me pluhur kafeje të menjëhershme, janë shpëtuar, transmeton KultPlus.

Burrat, të moshës 62 dhe 56 vjeç, besohet se janë mbajtur ngrohtë duke ndezur një zjarr dhe duke ndërtuar një tendë nga plastika.

Mësohet se ata janë në gjendje stabile.

Dy minatorët u bllokuan gati 200 metra (650 këmbë) nën tokë pasi një pjesë e minierës së zinkut ku po punonin u shemb më 26 tetor në Bonghwa, në lindje të vendit.

Ata më në fund u shpëtuan natën e 4 nëntorit – më shumë se nëntë ditë pasi filloi sprova e tyre. Të dy mundën të dilnin nga miniera dhe u dërguan në një spital lokal.

Presidenti Yoon Suk-yeol e quajti shpëtimin e tyre “me të vërtetë mrekulli”.

Autoritetet thanë se minatorët mbijetuan duke pirë ujë që ra nga tavani dhe duke përdorur pluhur përzierje kafeje të menjëhershme si vakt. /KultPlus.com

Grupi ‘BTS’ thyen rekorde të shikueshmërisë me koncertin e fundit live

Transmetimi i drejtpërdrejtë i koncertit të parë në skenë i grupit “BTS” në Korenë e Jugut, që nga viti 2019, për vetëm një ditë i fitoi 6.8 milionë dollarë nga shfaqja nëpër 797 kinema të Amerikës Veriore.

Në nivel global, koncerti me titull “BTS Permission to Dance on Stage: Seoul”, i fitoi 32.6 milionë dollarë nga shitja e biletave.

Shou i cili u transmetua nëpër kinema, u ndoq nga më shumë se 2.4 milionë fansa anembanë botës, dhe si rezultat arriti të pozicionohet në vendin e dytë të arkave filmike, pas filmit “The Batman”. Ngjarja e cila u zhvillua live, u transmetua në gjithsej 9.711 kinema në 75 shtete të ndryshme.

Ndërsa performanca e grupit të njohur të muzikës K-Pop e cila u mbajt në stadiumin olimpik të Seoulit, u ndoq nga 45 mijë njerëz./ KultPlus.com

96-vjeçari që shpreson të mos ndahet kurrë nga pianoja

“Pianoja dhe unë jemi një. Jemi të pandashëm”, thotë 96-vjeçari Jegal Sam nga Koreja e Jugut. 96-vjeçari ka 82 vjet që kur ka nisur të bënte hapat e parë me piano.

Ai në moshën 14-vjeçare nisi diçka të cilën e praktikon edhe sot, e nuk e ka në plan ta ndalë. Thotë se madje pianoja njëherë i kishte shpëtuar jetën.

Pas diplomimit ishte bërë mësues muzike. Por më pas nisi lufta e Koresë. Ai ka treguar se në atë kohë policia vetëm kapte djemtë e rinj në rrugë dhe i dërgonte me dhunë në fushëbetejë.

“Edhe unë isha kapur teksa po dërgoja disa libra në një vend. Kur po bëheshin gati të më dërgonin, dëgjova papritmas një zë: ‘Mësues’! dhe polici e pyeti nxënësin më pas: ‘A është ky mësuesi yt?’ Ai u përgjigj: ‘Po ai është mësuesi im i muzikës’. Ai djalë më shpëtoi jetën”, tregon ai, për kohën kur mësimdhënësve nganjëherë u mundësohej t’i shpëtonin dërgimit në luftë.

“Jam 96-vjeçar tani, por jam i bindur se do të vazhdoj deri të mbush 100”, ka thënë ai në një rrëfim për BBC-në. “Nuk është truri im që mban mend notat muzikore, janë gishtat”.

Tani, edhe pse i pensionuar, Sam thotë se dëshiron të vazhdojë me pianon deri në fund të jetës./ KultPlus.com

Ka vdekur regjisori i njohur korean, Kim Ki-duk

Regjisori i njohur korean, Kim Ki-duk ka vdekur si pasojë e ndërlikimeve nga Covid-19, shkruan KultPlus.

59 vjeçari ishte nga Korea e Jugut dhe kishte arritur suksese të shumta në fushën kinematografike.

Kim ishte një nga drejtuesit e parë të frymës së re koreane që pushtoi skenën ndërkombëtare, duke shfaqur drama tronditëse, përfshirë “The Isle” në 2000 dhe “Spring, Summer, Fall, Winter and Spring” në 2003.

Filmat e tij kanë marrë shumë çmime nëpër festivale, duke e bërë atë një nga regjisorët më të rëndësishëm bashkëkohorë aziatikë të filmit. Ai ka arritur të fitoj çmime në festivalin e Venecias, të Berlinit dhe shumë vende të tjera.

Vepra  e tij ka shënuar një histori të rëndësishme për kinematografinë koreane. / KultPlus.com