Duke përdorur kafenë, minatorët e Koresë së Jugut shpëtojnë nëntë ditë nën tokë

Dy minatorë që kaluan nëntë ditë të bllokuar në një minierë zinku të shembur të Koresë së Jugut, duke jetuar me pluhur kafeje të menjëhershme, janë shpëtuar, transmeton KultPlus.

Burrat, të moshës 62 dhe 56 vjeç, besohet se janë mbajtur ngrohtë duke ndezur një zjarr dhe duke ndërtuar një tendë nga plastika.

Mësohet se ata janë në gjendje stabile.

Dy minatorët u bllokuan gati 200 metra (650 këmbë) nën tokë pasi një pjesë e minierës së zinkut ku po punonin u shemb më 26 tetor në Bonghwa, në lindje të vendit.

Ata më në fund u shpëtuan natën e 4 nëntorit – më shumë se nëntë ditë pasi filloi sprova e tyre. Të dy mundën të dilnin nga miniera dhe u dërguan në një spital lokal.

Presidenti Yoon Suk-yeol e quajti shpëtimin e tyre “me të vërtetë mrekulli”.

Autoritetet thanë se minatorët mbijetuan duke pirë ujë që ra nga tavani dhe duke përdorur pluhur përzierje kafeje të menjëhershme si vakt. /KultPlus.com

Greva e vitit 1989 e minatorëve në Trepçë (FOTO)

Në maj të vitit 1989, minatorët e Trepçës kishin filluar grevën e urisë për të mbrojtur Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë.

Ishin rreth 1,300 minatorë që kishin hyrë në këtë grevë, për të mbrojtur ekzistencën e Kosovës dhe autonominë e saj.

Greva historike e minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989 qe shndërruar në rezistencë gjithë popullore demokratike e paqësore, kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën. / KultPlus.com

E marrë nga Shenida Bilalli / Facebook

Minatorët e grevës së vitit 1989 do të sjellin rrëfimet e tyre

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, më 18 dhjetor do të prezantohet një rrëfim më i vecantë se sa ato të zakonshmet, pasi që, para audiencës do të prezantohen rrëfimet e minatorëve, të cilët më vitin 1989 u patën ngujuar në Trepcë, shkruan KultPlus.

Puna, Kujtesa dhe Reprezentimi: Greva e Urisë së Minatorëve të Trepçës në vitin 1989
Masterklasë nga Dr. Vjollca Krasniqi, është pjesë e një serie aktivitetesh, dhe e katërta me radhë, që organizohet në kornizën e “Shikimi nga brenda dhe shikimi nga jashtë”, projekt ky që fokusohet në shqyrtimin e kujtesës kolektive dhe historike të viteve të 1990 në Kosovë, me theks në lëvizjet shoqërore, rezistencën civile, politikën, kulturën, aktivizmin etj.

Masterklasa do të shoqërohet me rrëfime nga minatorët pjesëmarrës në grevë të eksperiencave të jetuara gjatë grevës së vitin 1989, dhe prezantime të gjetjeve nga arkivat e gjurmuara dhe raportimet që janë bërë asokohe për grevën.

Kujtesa kolektive në Kosovë përbëhet nga mungesa e vëmendjes së marrëdhënieve klasore. Modelet ekzistuese të kujtesës institucionale në masë të madhe kanë shpërfillë bazat materiale të punës dhe marrëdhëniet e punës. Si një qasje kritike ndaj kujtesës kolektive, kjo masterklasë përqendrohet në Grevën e Urisë së Minatorëve të Trepçës që filloi me 20 shkurt 1989 dhe vazhdoi për tetë ditë me radhë. Dhjetë kërkesat e minatorëve ishin kryesisht për të drejtat kushtetuese. Minatorët protestuan kundër heqjes së autonomisë së Kosovës si pjesë e Kushtetutës së vitit 1974 të Jugosllavisë Socialiste. Prandaj, lidhja e identitetit të minatorëve dhe vendit me momentin në kohë – Greva e Minatorëve të vitit 1989 – është e rëndësishme për të nxjerrë një kuptim më të mirë të kujtesës kolektive dhe memorializimit. Minatorët ishin figurë qendrore në ideologjinë e socializmit Jugosllav. Megjithatë, minatorët ishin subjekt i margjinalizuar shoqëror e politik. Çfarë e bën grevën të rëndësishme është konteksti i shpërbërjes së Jugosllavisë socialiste dhe ngritja e nacionalizmit në Serbi. Masterklasa shqyrton mënyrën se si greva është reprezentuar, interpretuar dhe kujtuar. Leximi bazohet në të dhënat e shkruara dhe kujtimet personale që rrjedhin nga arkiva, raportimet në media dhe dëshmitë e pjesëmarrësve. Ndërtekstualiteti i vendosur këtu si strategji për ndërtim-kuptim, do të gjurmojë jo vetëm atë që ka mbetur më pak e njohur dhe e pa treguar, por edhe ambiguitetin e vetë grevës. Për më tepër, leximi i Grevës së Urisë së Minatorëve të Trepçës në vitin 1989 do të zbulojë gjithashtu kufizimet e së kaluarës historike dhe historinë e punëtorëve.

Kjo ngjarje dhe ky projekt organizohet nga forumZFD – programi në Kosovë dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Universitetin e Prishtinës, dhe mbështet nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e qeverisë Gjermane (BMZ)./KultPlus.com