‘Kur sunduesit grinden’ nominohet për Booker International 2024

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare nominohet për Booker International Prize 2024. Kadare u bë fituesi i parë i këtij çmimi në 2005 dhe ishte nominuar sërish në 2017 me romanin “Kamarja e turpit”.

“Kur sunduesit grinden” rrëfen fatin e qindra autorëve që shkruanin në kohën e diktaturës.

Në një vështrim të parë, krijohet përshtypja se kureshtjen për librin e mbajnë gjallë dy bashkëbiseduesit: Stalini dhe Pasternaku. Nga një shqyrtim më i thellë, një personazh i tretë, më pak i njohur se ata, poeti Osip Mandelshtam, ndonëse nuk merr pjesë në bisedim, zë vendin kryesor në të.

Është fati i tij i hidhur, në të vërtetë fati i qindra shkrimtarëve të njohur e më pak të njohur, që vuajtën nën komunizmin bolshevik. E vërteta e tyre tragjike, në vend të harresës, pret ringjalljen e saj.

Tani që ky rend ka rënë, hapja e arkivave dhe dosjeve të tij është çështje e ditës.

Ismail Kadare promovoi sot librin e ri në Tiranë

Shkrimtari Ismail Kadare ka prezantuar këtë të premte librin e tij më të fundit në Panairin e Librit që po zhvillohet në Tiranë.

Libri me titullin “Kur sunduesit grinden”, nga shtëpia botuese “Onufri”, bëhet një paralele filozofike ku trajtohen marrëdhëniet mes sunduesve të qiejve-perëndive, dhe atyre të tokës, siç janë personazhet e mëdha të politikës.

Në prezantimin e librit ka qenë i pranishëm vetë Kadare, i cili ka firmosur autografe të shumtë për lexuesit, të cilët kanë qëndruar para stendës botuese ku ndodhej shkrimtari.

Të shumtë ishin lexuesit, të cilët kanë qëndruar para stendës së shtëpisë botuese ku ndodhet edhe Kadare për të marrë një autograf nga shkrimtari i nominuar disa herë për Çmimin Nobel” për letërsi./ KultPlus.com