“Zoti nganjëherë na fut në disa ujëra të trazuara ku armiqtë tanë idiotë nuk dinë të notojnë”

Thënie sociologjike nga sociologu Labinot Kunushevci, të shkëputura nga esetë sociologjike të librit të tij ‘Pasionet e idiotëve’ (botimi i dytë).

”Idiotët duke çuar ujë në mullirin që bluan vdekjen, jetën tonë duan ta shndërrojnë në një vdekje të pangushëllueshme, ku ceremonia mortore kthehet në dasmë, njerëzit ngushëllues në krushqi, e mbulesa e kufomës në flamur dasme!”

”Armiqtë tanë janë personat “më të mërzitur” në funeralin lamtumirës të varrimit tonë. Ata qajnë me hipokrizi për shkak të turmës, ndërsa në vetvete ndihen të lumtur që ne po shkojmë!”

”Idiotët na detyrojnë të bëjmë kompromis me vlerat tona, të shkelim mbi principet tona, ta thyejmë fshehtësinë tonë, që ata ta kontrollojnë mendjen tonë dhe t’i sabotojnë arritjet tona!”

”Të mos i besojmë një shoqërie që na ndrydh! Ta lëmë të shporret në djall! Ferri do ta zë mjaftueshëm, në një vend të veçantë! Ta heqim qafesh koleksionin e idiotëve rreth nesh, sa nuk na kanë futur në perandorinë e tyre histerike. Ata kanë krijuar një republikë, ata funksionojnë si parlament!”

”Sot kemi shkrimtarë që ndihmojnë liderët famëkeq të ndërtojnë narracionin dhe gënjeshtrën e madhe që shteti të cilin ata udhëheqin është një parajsë!”

”Sot kemi më shumë idiotë sesa intelektualë. Dhe sa të lumtur që ndihen. Ndërsa intelektualët, me gjithë ato libra, studime, hulumtime, përvoja, mësime, mundësi, inteligjenca, resurse, institucione, ndihen të kapluar nga stresi!”

”E kur një kriminel duan ta relativizojnë apo ta shfajësojnë, e shpallin psikopat. Por psikopat nuk mund ta shpallë shoqëria. Atë e shpall diagnoza e një neuropsikiatri apo e një klinike neuropsikiatrike të licencuar!”

”Derisa televizionet kanë ftuar e promovuar në emisione gangsterë, vrasës, racistë, kriminelë lufte, recidivistë, dhunues grash, njerëz të korruptuar, njerëz të dyshuar për terrorizëm, për trafikim e për prostitucion, shërbëtorë të ish-regjimit, islamofobë që blasfemojnë, atëherë për cilën vlerë po flasim, për cilën liri dhe demokraci po flasim?”

”Ne ende jemi një shoqëri e odave, sharkive, folklorit, valleve, tallavasë, flamujve, simboleve, ceremonive, retorikave, kuvendimeve, gjyqeve tradicionale, anekdotave, heronjve, miteve, legjendave, kullave, nderit burrëror, kanunit, pushkës, partive e pushteteve. Jemi në gjendje ta japim jetën për to. Por nuk japim jetën për shtetin, nuk japim jetën për interesin publik, nuk japim jetën për komunitetin!”

”Gjithë ditën me retorikë në gojë duke sharë Serbinë, por duke harruar që në frigoriferët e shtëpive mbajnë produkte serbe, i ushqejnë fëmijët me to dhe i arsyetojnë se janë më cilësore. Çfarë patriotizmi është ky?”

”Dikur vetë ishin gazetarë, analistë, pjesë të shoqërisë civile, me kritika të holla publike, që sipërfaqësisht preknin shkeljet dhe skandalet e politikanëve, por ofertat për privilegje, frika, shantazhi, korrupsioni, i bëri rrufeshëm pjesë të qeverisë. Nga kritikë të pushtetit, u bënë vetë pushteti që kritikohet!”

”Ka një rregull që na tregon për fatin që i pret kriminelët: Zoti i lufton kriminelët me kriminelë të tjerë. Ata vrasin njëri-tjetrin!”

”Të qëndrojmë larg idiotëve dhe të mos u japim atyre pozicione të rëndësishme akademike në shoqëri. E nëse ata i kontrabandojnë pozicionet, të mos i bëjmë të ndihen të rëndësishëm në to!”

”Fjalët e idiotëve duhen futur sa më thellë nën tokë dhe të sistemohen në kanalizimin e mbetjeve. Nevojitet një rrjet i tubacioneve të gjata, që moçalet e tyre kulturore t’i çojnë matanë qytetërimit, ekzistencën e të cilit e rrezikojnë!”

”Kur mendja shkarkohet nga vijat inteligjente të vetëdijes, ngarkohen hundët me vijat e arratisjes nga realiteti!”

”Zoti na takon shpeshherë me ta, që të na japë një mësim mbi jetën: ta falënderojmë Zotin, që na ndajnë pasione të tjera prej idiotëve. Ai nganjëherë na fut në disa ujëra të trazuara ku armiqtë tanë idiotë nuk dinë të notojnë. Ata ekzistojnë si model për t’u treguar njerëzve normalë dhe inteligjentë si nuk duhet të jenë!”

”Buzëqeshja ndaj idiotëve është serumi më i mirë kundër helmimit të tyre. Lumturia jonë për ta është një lloj morfine vdekjeprurëse në mbidozë. Idiotësia u është bërë kronike, e patentuar, në miliona ekzemplarë. T’u flasësh atyre është si t’u flasësh varrezave, nuk të dëgjojnë as nuk të kthejnë përgjigje!”

”Po të ishte idiotësia pemë, qytetet dhe metropolet do të shndërroheshin në pyje. Pyje, që u duhej vënë flaken. Male, që duhej të shpyllëzoheshin. E po të fluturonin idiotët, mos pyet – qielli do të shndërrohej në një aeroport gjigant!”

”Unë ende nuk arrita të shoh se si, një njeri i suksesshëm dhe human, u bë viral në këtë shoqëri idiotësh. Në mentalitetin e shoqërisë tonë, konspiracionistët, fallxhorët, heretikët “patriotë” të fesë, njerëzit mafiozë, recidivistët penal, në të vërtetë – idiotë mashtrues dhe profiterë – janë figurat më të famshme, e deri diku edhe më të respektuara!”

”Të ekspozosh nuk është si të zotërosh. Disa vajza, që e gënjejnë veten se janë talente në muzikë, nuk dinë të bëjnë dallimin mes ekspozimit të lakuriqësisë dhe zotërimit të bukurisë. E para është imoralitet; e dyta është elegancë!”

”Shumica e komedianëve sarkastikë seriozë kanë ndërruar jetë, kanë mbyllur perdet, por kanë lënë rreze të pambuluara, të pashlyeshme e të paperënduara!”

”Shoqëritë e emancipuara prodhojnë shkencëtarë, inovatorë, prodhues, zbulues, shpikës, investitorë, specialistë, ekspertë, ndërsa shoqëritë, që i ka shkelur rrota e historisë, prodhojnë analistë, mendimtarë, opinionistë!”

”Ateistët nuk dinë të lexojnë heshtjen e Zotit “inferior” dhe rolin inteligjent të Zotit si “produkt kulturor”!”

”Fëmijët e presin me padurim arritjen e moshës 18 vjeçe, jo pse e fitojnë të drejtën e votimit nga e cila do të mundë të zgjidhnin qeveri dhe institucione, që marrin vendime mbi jetën e tyre, prej të cilave vendime caktohet standardi dhe varet mirëqenia e tyre, por gëzohen sepse po fitojnë të drejtën e pajisjes me patentë shoferi. Mbrëmjes së maturës, si ceremoni festive, i gëzohen më shumë se vetë përfundimit të shkollës së mesme apo hapjes së mundësive për studime universitare!”

”Sa ironike dhe paradoksale kur lexojmë lajme për një të sapoburgosur për krime të rënda, e kanë rrahur të burgosurit që po vuajnë dënimin për të njëjtën vepër, në shenjë “hakmarrjeje”! Kjo është hipokrizia e patriotëve të rrejshëm, kur edhe krimineli i burgosur ”solidarizohet” me viktimat e të burgosurve tjerë!”

”Lajm ogurzi: idiotët kanë kolonizuar mediat sociale, idiotët nuk po njohin kufij, idiotët po minojnë terrene, idiotët po shënjestrojnë pengje sociale. Gjendje e jashtëzakonshme. Ju lutem, mos debatoni me idiotët që nuk lexojnë libra, kur burim të vetëm të informacionit kanë rrjetet sociale!”

”Kur ju keni dashur t’ia dedikonit dikujt një poezi apo një ese, e keni shkruar me plot pasion, ndjenjë, imagjinatë, empati e dashuri, ndërsa e ardhmja e inteligjencës artificiale – robotëve është se ajo do ta zëvendësojë edhe poetin në poezi, eseistin në ese, artistin në art, gazetarin në informim, makinistin në prodhim, mësuesin në edukim, sportistin në lojë, shkrimtarin në shkrimin e librave dhe përkthyesin në përkthimin e teksteve apo komunikimeve!”

”Përgjigjja juaj duhet t’ua japë një makth të vërtetë idiotëve. Dita e Gjykimit, dita e zbulimit të pasioneve të fshehta, do të jetë ditë e rëndë për ta. Ditë, kur ata do të njihen me vetveten dhe do të befasohen nga vetvetja. Pasaportës së tyre, që deri dje njihej e pranohej në çdo shtet, duhet t’ia vendosni regjimin e vizave. Sepse ata nganjëherë dinë të bëjnë tërheqje taktike vetëm për t’ju hutuar. Por ju mos u rebeloni kundër tyre. Shijojeni lirinë sepse nuk ju duhet leja e idiotëve për të qenë të lumtur. Një ditë ata do ta ngrenë flamurin e bardhë!” / KultPlus.com

Idiotët më bindën se duhet të vazhdoj

Labinot Kunushevci

Për herë të parë kam filluar të punoj në moshën 17-vjeçare në një librari në kryeqytet, kur gjatë shkollës së mesme u bëra librashitës, me 4 orë punë në ditë dhe me një pagë prej 50 eurosh. Pas disa muajsh, pagës sime iu shtuan 20 euro dhe ajo u ngrit në 70 euro. Ishte diçka shumë motivuese. Aty i mësova disa aftësi të komunikimit, të shitjes, të qasjes me publikun, për produktin, për promovimin, mësova nga gabimet, krijova një rrjet të ri shoqëror. Përvoja me një strukturë njerëzish që lexojnë ishte libër në vete. Kam bërë edhe punë të tjera përgjatë shkollimit dhe studimeve të mia, me të vetmin qëllim: të bëhesha i pavarur.

Në moshën 18-vjeçare, vitin e katërt të shkollës së mesme e mora me korrespodencë, sepse më duhej të punoja në një gjellëtore në të njëjtën kohë si kamerier, skarist dhe shpërndarës, 10 orë në ditë, 26 ditë në muaj, për 150 euro në muaj. Pastaj kam punuar si transmetues emisionesh në një televizion. Derisa u pranova në universitet në vitin 2012, e provova edhe punën e enëlarësit në një “Fast Food”. Kisha kaluar 8 muaj praktikë profesionale në një zanat në periudhën 2007-2008. Pas shkollimit të mesëm, pauzova për një vit, u regjistrova në një bibliotekë dhe u përgatita për të aplikuar në Fakultetin e Sociologjisë, pasi Letërsia shqipe më kishte refuzuar për student në vitin 2011. Isha nxënësi më i dalluar në shkollë të mesme. Njëjtë ndodhi edhe gjatë studimeve.

Gjatë studimeve themelore, ndonëse fokusohesha maksimalisht në sociologji, diçka për të cilën e dëshmuan edhe profesorët dhe kolegët e asaj kohe, unë merresha me shitje të librave në mënyrë private. Në bashkëpunim me një shtëpi botuese, i mora mbi 10 000 euro libra në shtëpinë time për t’i menaxhuar në shitje, krahas studimeve (bëja marketing të librave, bëja shpërndarje nëpër librari, shisja individualisht, shisja përmes postës në Evropë dhe raportoja për çdo qarkullim, me një përqindje të vogël fitimi). Nuk kisha ndonjë bursë dhe nuk e kisha lehtë, pasi mbeta pa baba në moshën 14-vjeçare.

Në mesin e studimeve master, në vitin 2016, udhëtova në Gjermani dhe punova për 3 muaj verorë punë fizike, për t’i fituar në total 3,000 euro, ku gati 1/3 më shkuan për pagesën e kontratës/vizës së punës sezonale. Në Shtutgart pastroja zyre (punësim formal), ndërsa në rajonet përreth punoja në kositjen e barit (punësim joformal). Gjatë ditës punoja në dy firma, ndërsa në mbrëmje punoja me laptopin tim duke zhvilluar intervista me shkencëtarët më të njohur të sociologjisë në botë (përgatitja librin tim të parë me intervista, që u botua në vitin 2017). Për aq sa punoja ditën në firma, këmbët i kisha atje, por mendjen në studime.

Pasi u ktheva në Kosovë, vazhdova me vitin e dytë master dhe u punësova si gazetar në një portal informativ, ku punova për 1 vit e gjysmë, për 250 euro. Ndërsa studioja, temën time të diplomës master e shndërrova në libër dygjuhësh. Fitova një çmim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës për “Shkrimin më të mirë për promovimin e Kosovës”. Intervistat e mia kishin bërë jehonë pasi u përkthyen në 17 gjuhë të botës. Zoti më kishte dhënë një shkathtësi dhe mjeshtri të mprehtë në strukturimin dhe realizimin e intervistave. Mora vlerësime nga qarqet më të larta akademike të sociologjisë botërore, që gjenden të botuara në libër. Sot, në eseistikë, mund ta sfidoj secilin profesor të komisionit, të cilët nuk më kanë pranuar për student të letërsisë në vitin 2011.

Në studimet master, kam qenë koordinator në projekt-ekspozitën “Prishtina në 77 pamje”, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. Kam punuar edhe si anketues terreni në një kompani hulumtimi, si ligjërues në trajnime dhe projekte të organizatave të ndryshme lidhur me integrimin, kulturën dhe orientimin në karrierë. Një kohë kam shkruar artikuj dhe kam realizuar intervista, me pagesë, për disa revista dhe portale. Ndërsa kërkesat nga Ministria e Arsimit për autor dhe recensent të teksteve shkollore gjithmonë i kam refuzuar.

Por kam bërë edhe shumë punë vullnetare, ndër to, në periudhën 2016-2018, kam qenë intervistuesi i vetëm shqiptar në revistën prestigjioze “Global Dialogue”, të Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë, ku kam intervistuar shkencëtarë të njohur, intervista këto që u përkthyen dhe u botuan në 17 gjuhë botërore.

Universiteti i Prishtinës u tregua i padrejtë ndaj meje kur më diskriminoi në konkursin për asistent në vitin 2017. Shkeljet etike dhe profesionale i denoncova publikisht dhe, përveç betejës morale, arrita ta fitoj edhe betejën juridike, pasi i rrëzova dy vendime: një të Fakultetit Filozofik dhe një të Inspektoratit të Punës, në procesin tim të ankimit në shkallët e inspektoratit dhe të gjykatës, për shkelje administrative. As kjo sfidë nuk më dorëzoi. Përkundrazi, më forcoi shumë. Iu mbështeta Zotit dhe Ai më hapi një rrugë tjetër më të mirë. Sot, puna me talente të shkollave dhe të universiteteve, përkrahjen e tyre shkencore dhe financiare që ua bëjmë, më përmbushë profesionalisht.

Nga viti 2018, për 5 vjet punova në 6 shkolla publike si mësimdhënës, me angazhime të ndërprera, dhe Komuna e Prishtinës asnjëherë nuk më sistemoi në angazhim të rregullt. Punësoi lloj-lloj analfabeti funksional, në pozitat ku unë aplikoja. Jam refuzuar edhe nga shumë institucione tjera publike dhe private në konkurset dhe interesimet e mia për punë. Prapë nuk u dorëzova.

Sot jam koordinator i dy organizatave joqeveritare mjaft të besueshme:

1. Jam një nga themeluesit dhe koordinator profesional në fondacionin “VILDANA”, i themeluar nga mërgata shqiptare në Zvicër, për t’i mbështetur me bursa studentët e talentuar shqiptarë;

2. Jam mësimdhënës i sociologjisë dhe koordinator i cilësisë në shkollën elitare “New York School of Science in Kosova”, shkollë e orientuar me talente në STEM.

Përvojën time dhe betejën e fituar me idiotët e kam përshkruar në dy librat e mi të fundit: “Shoqëri pa Kulturë” dhe “Pasionet e Idiotëve”. Ky i fundit, “Pasionet e Idiotëve”, është ndër librat më të kërkuar.

Më këtë rrëfim dua t’i motivoj disa të rinj, të cilët sot i ka kapluar një dembeli e paarsyeshme dhe një kompleks i inferioritetit. Nuk arrij t’i kuptoj pse ata dorëzohen në sfidën e parë dhe pse ata kërkojnë vetëm kushte ideale për punë, ndërsa s’e kanë asnjë aftësi apo inteligjencë të funksionojnë në kushte të jashtëzakonshme, gjersa ironikisht duan rezultate të jashtëzakonshme. Duan me çdo kusht që puna e parë që bëjnë të jetë privilegj, t’u ofrojë autoritet dhe një pagë të madhe, ndërsa s’e kanë as përvojën, as përgatitjen, as trajnimin, as kompetencën e duhur.

Dinë vetëm ta shajnë realitetin, njerëzit, shtetin. Duan sukses, fitore, çmime, statuse e privilegje, pa mund, pa konkurrencë dhe pa sakrificë. E kërkojnë gjithmonë rrugën më të shkurtër. Duan shpejt, lehtë, gatshëm, afër dhe sigurt. Duan falje dhe mëshirë, tolerancë dhe liri, fleksibilitet dhe përkëdhelje, hapësirë dhe shanse, pa kufi. Sepse ata, duke u mësuar të bënin një jetë të lehtë e të gatshme, po bëhen gjithnjë e më shumë të paaftë, dembelë e parazitë. Kështu, edhe sfida më e vogël i rrëzon përtokë. Dhe nuk u ndihmon asgjë nëse ata vazhdojnë të aktrojnë si viktima në ato probleme që ata vetë i krijojnë. Duke formuar principe egoiste, ambicie materialiste, qasje jofleksibile, humbin miq dhe humbin shanse, shkatërrojnë resurse, prishin plane, pengojnë projekte. Kjo mënyrë ua ul vetëbesimin dhe këtë depresion të këtyre të rinjve nuk e shëron dot as migrimi, nuk e mbulon dot as manipulimi. Nëse nuk e adhurojnë punën, nëse nuk e kuptojnë se njeriu është qenie e punës dhe se gjërat e mëdha nuk arrihen brenda natës. Pa kaluar nëpër sfida, rrugë e sakrifica të ndryshme, nuk do të mundë të jenë të suksesshëm.

Ka vetëm një zgjidhje për të rinjtë: të çlirohen nga iluzionet dhe ta ndërrojnë konstruktin e të menduarit për suksesin dhe karrierën. / KultPlus.com

Pse sot prindërit kanë dështuar në edukimin e fëmijëve?

Shkruan: Labinot Kunushevci

Është lehtë të krijohet një fëmijë, por është vështirë të formohet një personalitet.

      A po dështojnë prindërit bashkëkohorë në formimin e personalitetit te fëmijët e tyre? Njerëz, jo në kuptimin biologjik të qenies, por në kuptimin kulturor të njerëzores. Sepse në botë ka shumë qenie njerëzore, por ka pak njerëzi. Bota nuk vuan për mungesë të natalitetit – shtimit natyror të njerëzve, por për mungesë të njerëzisë. Në një botë të deformimit të vlerave, ku Zoti, solidariteti, humaniteti, dituria, drejtësia, mëshira, empatia dhe familja janë iluzione, njerëzimi është larg njerëzores. Prandaj në epokën moderne njerëzimi e ka të vështirë ta kalojë testin e njerëzores.

      Qëllimi themelor i çdo prindi është pavarësimi dhe edukimi i fëmijës, por këtu dështojnë shumë prindër kur i thonë fëmijës ”po” kur duhet t’i thonë ”jo” dhe i thonë ”jo” kur duhet t’i thonë ”po”. Kjo nuk do të thotë se jemi kundër qasjes dhe këndvështrimit liberal apo kundër të drejtave, fleksibilitetit dhe zgjedhjeve personale të fëmijëve, por duhet të ekzistojnë disa vlera dhe rregulla që përcaktojnë dhe kornizojnë orientimin dhe edukimin e fëmijëve në vlera moderne humane dhe profesionale, derisa ata të arrijnë moshën 18-vjeçare të pjekurisë, kur ata i marrin përgjegjësitë ligjore dhe morale në dorë.

      Jo pak prindër nga mendjelehtësia thonë: ”Unë me djalin tim apo me vajzën time jemi si shokë”. Këtu bëhet gabimi më i madh në ndërtimin dhe trajtimin e raportit prind – fëmijë, sepse ky raport asnjëherë nuk mund të jetë shoqëror. Ky raport ka tjetër funksion dhe mision. Prindi mund ta respektojë dhe të ketë dashuri pa fund e pa kushte për fëmijën e tij dhe të jetë fleksibil në komunikim, por gjithmonë brenda disa rregullave të lojës dhe parimeve që fëmija nuk bën t’i shkelë apo cenojë. Ai mbetet gjithmonë prind, baba ose nënë, autoriteti më i respektuar në familje. Nëse ai bëhet shok, e humb autoritetin prindëror. Prandaj ne shohim shumë prindër që e pranojnë dështimin e tyre në edukimin e fëmijëve, se si u ka humbur autoriteti prindëror, duke u shprehur me fjalët: ”Më ka dalë djali ose vajza prej dorës”!

      Kemi parë se si krekosen disa prindër me notat, nganjëherë të pamerituara, të librezave të fëmijëve që i postojnë në Facebook. Janë po këta që i regjistrojnë fëmijët në shkolla elitare, që kanë emër dhe prestigj, përmes lidhjeve dhe ndikimeve që kanë. Në fund, një fëmijë i tillë, kur rritet dhe ballafaqohet me tregun, sfidohet nga papërgatitja e tij dhe aty fillon zhgënjimi, depresioni, thyerja e iluzioneve dhe dështimi. Sepse emri dhe prestigji nuk garantojnë sukses, prandaj strategjitë e prindërimit janë mjaft të rëndësishme edhe në orientimin arsimor të fëmijëve. Por dështimi i prindërve tregon edhe një gjë: shumë njerëz hyjnë në martesë të papërgatitur emocionalisht, kulturalisht, moralisht, prandaj ato martesa janë disfunksionale, kanë kriza dhe tensione, mungesë harmonie dhe raporte jo të shëndosha.

      Një baba apo një nënë të cilët i ofrojnë fëmijës së tyre të gjitha të mirat materiale, privilegje, statuse e të drejta të pakufishme, qasje të pafund dhe të pakontrolluar në rrjete sociale, mjete teknologjike, kujdes maksimal për dukjen fizike, mundësi udhëtimi e shfrytëzimi, liri pa përgjegjësi, por jo edhe kulturë dhe edukim, nuk meritojnë të jenë prindër.

      Një prind që nuk e dërgon kurrë fëmijën e tij në bibliotekë, librari apo panair të librit, që nuk e dërgon në teatër, që nuk e dërgon ta vizitojë ndonjë objekt të trashëgimisë kulturore, galeri, muze apo objekt fetar, që nuk i ofron ndonjë dokumentar informues dhe edukues, që nuk e urdhëron në të mirë apo nuk e ndalon nga e keqja, që nuk i intereson se me kënd dhe ku po shoqërohet, se si po i shfrytëzon të drejtat, kohën, paratë, hapësirën, se si sillet dhe komunikon në rrugë, market, qendra tregtare e parqe, që nuk ia mëson vlerën e empatisë, tolerancës, korrektësisë, përgjegjësisë, vetërespektit e devotshmërisë, nuk ka arsye morale të ankohet nëse fëmija i tij përfshihet dhe viktimizohet në ndonjë dukuri socio-patologjike, e sidomos kur kanë fëmijë që tipologjikisht janë energjikë, euforikë dhe hiperaktivë, të cilët meritojnë më shumë kujdes, trajtim dhe edukim. Ndaj tipave të tillë duhet të ketë kujdes maksimal dhe trajtim familjar, jo vetëm shkollor. Duhet t’iu krijojmë mundësi me kapacitetet tona, që energjinë e tepruar dhe hiperaktivitetin që kanë, ta shprehin në vende dhe mënyra të tjera, në natyrë, në sport, në aktivitete të ndryshme, e jo ta instrumentalizojnë në formë bullizmi e vandalizmi në shkollë.

      Një prind që sapo ta marrë pagën dhe të sheh ndonjë ofertë për ndonjë produkt teknologjik, seritë e reja të mjeteve teknologjike, e merr djalin apo vajzën e tij dhe me vrap për t’i zënë trendet më të reja të teknologjisë digjitale. Por sa prej tyre me të marrë pagën ia dedikojnë fëmijës një libër dhuratë? Apo duke e regjistruar me një klub, shoqatë, organizatë, nëpërmjet të cilave ai fillon t’i zbulojë dhe shpreh aftësitë, kreativitetin dhe imagjinatën e vet? Apo ta angazhojë në aktivitete humane, vullnetare, qytetare, mjedisore, solidarizuese, komunikuese? T’i ofrojë mundësi që ta vizitojë një vend të ri që të mësojë gjëra të reja? Këto nuk vijnë në shprehje te prindërit që i kanë virtualizuar fëmijët e tyre duke i lënë në pranga të botës së pasigurt virtuale.

      Mungesa e interesimit për fëmijë vërehet në shkollë, ku disa prindër nuk interesohen për rezultatin e fëmijës të tyre, nuk vijnë në mbledhjet e thirrura nga kujdestarët e klasave, nuk konsultohen fare, nuk shqetësohen nëse fëmija i tyre mungon pa arsye, nëse ndaj fëmijës së tyre ka ankesa nga ndonjë nxënës apo mësimdhënës, nëse fëmija ankohet për ndonjë nxënës apo mësimdhënës. Pra, nuk interesohen për kontinuitetin e zhvillimit psiko-emocional dhe kulturor të fëmijës në shkollë.

      Ata dinë të ndërhyjnë aty ku nuk iu takon, dinë të cenojnë autonominë e mësimdhënësit dhe të kërkojnë për fëmijët e tyre diçka të parealizueshme dhe të pameritueshme. Vetëm kur të mbyllen notat në fund të periudhës apo vitit shkollor, e dinë adresën e shkollës. E disa tek në fund e marrin vesh çfarë lëndë e arsimtarë ka pasë fëmija i tij. Pse duhet një mësimdhënës për hir të presionit të prindit t’i shkelë parimet e veta të vlerësimit? Ndërsa janë disa prindër që nuk lajmërohen dhe nuk kthejnë përgjigje sa herë që kujdestari i thërret për çështje që lidhen me fëmijët e tyre. Nëse mësimdhënësi është korrekt në punën e tij, duke i njoftuar nxënësit dhe prindërit në fillim të vitit shkollor me planifikimin e vlerësimit (instrumentet dhe kriteret e vlerësimit), atëherë prindi s’ka pse t’i futë hundët që ta mësojë mësimdhënësin si ta vlerësojë fëmijën e tij apo ta viktimizojë fëmijën e tij për një notë.

      Nëse nuk funksionon komunikimi dhe trekëndëshi pedagogjik nxënës – prind – mësimdhënës, nuk mund të ketë rezultate të mira. Ashtu sikur që kemi edhe prindër që nuk preokupohen se me kënd shoqërohet fëmija i tyre, me kënd komunikon online, çfarë lexon apo shikon në telefonin e tij, kënd e pranon në shoqërinë virtuale të rrjeteve sociale, çfarë higjiene mban, cilat vende i viziton, në çfarë kohe del nga shtëpia apo kur kthehet në shtëpi, në çfarë gjendjeje emocionale është, a e shqetëson diçka, çfarë raportesh ka me shoqërinë e tij, si reagon në raste bullizmi apo është viktimë potenciale e bullizmit. Kjo indiferencë ekstreme e prindërve bashkëkohorë ”liberalë” paraqet rrezik për të ardhmen dhe fatin e fëmijëve.

      Edukimi i gabuar i fëmijës fillon që në moshën e hershme, në foshnjëri. Të vetmen mundësi që sot prindërit kanë për t’i nxitur fëmijët e tyre që të ushqehen, e kanë mashtrimin përmes telefonit dhe mjeteve të tjera teknologjike. Fëmija sot pranon të ushqehet nga dora e nënës atëherë kur ajo ia jep telefonin të shikojë video nga YouTube (muzikë e filma të animuar). Atëherë kur ndërveprimi fizik, psiqik dhe kulturor i prindit zëvendësohet me teknologjinë digjitale (TV e smartfonë), me një botë virtuale, tregon krizë dhe disfunksionim familjar, ndërsa në anën tjetër, ka efekt qetësues të rrejshëm sikur opium apo mpirje psikologjike, në mungesë të emocioneve reale.

      Të mos flasim për ata prindër që i shohin fëmijët e tyre vetëm kur shkojnë për të fjetur apo kur zgjohen në mëngjes sepse gjithë ditën, përveç punës së domosdoshme, gjejnë kohë për gjithçka, për shëtitje, kafe e dreka me miq e kolegë, për lloj-lloj aktiviteti e aventure, por nuk gjejnë kohë gjatë ditës apo mbrëmjes që të merren me fëmijët e tyre. Një shkëputje fizike, emocionale e komunikuese mes prindit e fëmijës, krijon një boshllëk të pazëvendësueshëm.

      Prindërit nuk janë të vetëdijshëm për ndikimin negativ që ka muzika që nuk përfaqëson vlera artistike kulturore, të cilën fëmijët e tyre vazhdimisht e dëgjojnë. Muzikë e cila e promovon shthurjen morale, fjalorin banal, gjuhën vullgare, femrën si objekt seksi, drogën, dhunën, rivalitetin dhe konfliktet, ekstravagancën dhe komplekset luksoze të këngëtarëve. Kur një këngëtar i tillë shndërrohet në model imitimi nga fëmijët, tregon që e ardhmja e fëmijëve do të jetë fatkeqe dhe e devijuar sepse kjo muzikë vetëm se do ta shtojë agresivitetin, vullgaritetin dhe frustrimin mes të rinjve.

      Dhe në anën tjetër, janë për t’u kritikuar shumë ata prindër që ushtrojnë dhunë ndaj grave të tyre, sidomos në prezencë të fëmijëve, duke i rritur fëmijët në ambient të dhunshëm, të cilën dhunë fëmijët e shprehin dhe reflektojnë jashtë shtëpisë. Imagjinoni si ndikon dhuna e burrit mbi grua në psikologjinë dhe emocionalitetin e fëmijës i cili nganjëherë është dëshmitar dhune?

      Shikoni si komunikojnë fëmijët mes vete, si shahen mes vete, si luajnë mes vete, me ҫfarë emra fyes e thërrasin njëri-tjetrin. Jo vetëm mes vete, por edhe kur komunikojnë në familje ose në rrugë, nuk tregojnë emocion, respekt, konsideratë, empati, mirënjohje, keqardhje. Nuk përdorin më fjalët ”kërkoj falje”, ”si urdhëroni”, ”ju faleminderit”, ”në rregull”, ”a mundem”, ”ju lutem”. A nuk është mëkat nëse pajtohemi me këtë gjendje kulturore të tyre? Deri te fyerjet që nganjëherë ia bëjnë edhe arsimtarëve të tyre sepse prindi në shtëpi asnjëherë nuk i thotë që arsimtarin duhet ta respektosh. Madje e inkurajon apo e nxitë për një gjuhë dhe qasje të tillë mosrespektuese ndaj arsimtarit, duke e trajtuar mësimdhënësin gjithmonë si fajtor për dështimin e vet në familje.

      Nëse analizojmë gjuhën dhe shprehjet që fëmijët në të shumtën e rasteve i përdorin, shohim një varfëri ekstreme të fjalorit, jo vetëm kur komunikojnë e flasin, por edhe kur shkruajnë ese. Një ndikim negativ në mënyrën e komunikimit të fëmijëve e kanë edhe politikanët. Gjuha publike e politikanëve, e deputetëve dhe e qeveritarëve është plot me ofendime, sharje e fyerje, të cilat imitohen nga fëmijët dhe bëhen pjesë e fjalorit të tyre.

      Sa prindër sprovohen me sëmundje të fëmijëve, por që paraprakisht të njëjtit asnjëherë nuk i kanë dërguar fëmijët e tyre tek mjeku për kontroll. Asnjëherë nuk janë konsultuar me ndonjë pediatër a nutricionist. Asnjëherë nuk janë shqetësuar se me ҫka është ushqyer fëmija i tij në shkollë apo jashtë shkollës. Apo në cilat ambiente ka luajtur dhe si kanë ndikuar ato lojëra në shëndetin e tij. Deri tek rastet kur fëmijën e shqetëson një problem shëndetësor, ndërsa prindi pa e trajtuar tek mjeku thotë: ”Pse me dërgu tek mjeku? Hajt se shërohet, i kalon”. Kjo indiferencë i prodhon pasojat edhe në shëndetin e fëmijëve sepse shëndeti varet shumë nga kultura e të ushqyerit, ambienti, emocionaliteti, vizitat e rregullta tek mjeku për shqetësimet eventuale etj.

      Nëse një prind shprehet se fëmija i tij është më i mençuri, i ka të gjitha të mirat, të gjitha të drejtat, të gjitha privilegjet, se ia plotëson të gjitha dëshirat dhe kërkesat, se asnjëherë nuk ia prish qejfin, se asnjëherë nuk i thotë jo, se asnjëherë nuk e ndalon për diçka apo nuk e urdhëron për diçka, se asnjëherë nuk gabon fëmija i tij, se e respekton vetëm vullnetin dhe dëshirën e tij, kjo do të ndikojë negativisht te fëmija i tij, sepse fëmijës do t’i krijohet vetëbesimi i rrejshëm, krenaria e tepruar, krekosja absurde, llastimi, duke mos u ndjerë asnjëherë fajtor, i përgjegjshëm, i detyruar, i obliguar etj.

      Zakonisht disa prindër që kanë pozita të larta, i lazdrojnë fëmijët e tyre, duke u sillur me arrogancë ndaj gjithë atyre që i qortojnë, kanë vërejtje e kritika ndaj fëmijëve të tyre, duke u thënë fëmijëve: ”Ty djali im, vajza ime, nuk guxon kërkush me ta prish! Kush ta prish, veҫ mu thirrëm! Ti je i lirë, ke të drejtë me bë ҫka të duash!” Kjo gjuhë e prindërve e bën një adoleshent të shkujdesur, të papërgjegjshëm, problematik sepse fëmija e keqpërdorë lirinë e shfrenuar absolute që ia jep prindi, duke u sillur në shoqëri si ”fëmija i të fortit”.

      Derisa disa prindër i shndërrojnë fëmijët e tyre në parazitë, përtacë, pasivë, në varësi të përhershme, duke mos i angazhuar kurrë në asnjë punë apo aktivitet në shtëpi apo jashtë saj. Duke u ofruar gjithçka të gatshme e duke mos ua kultivuar asnjë shprehi të punës, duke mos i mësuar për asgjë. Një prind që nuk arrin ta pavarësojë fëmijën e tij, ai prind ka dështuar.

      Jo vetëm shprehinë e punës, por prindi duhet t’ia mësojë fëmijës së tij fillimisht idenë dhe konceptin e Zotit, pra si ta besojë Zotin dhe se si ky besim të shndërrohet në normë kulturore të sjelljes. Dhe çdo vepër, sjellje, komunikim, raport apo sukses që e arrin, ta bëjë në mënyrë të sinqertë, duke u treguar empatik, solidar, i drejtë, bashkëpunues, durimtar, kontribues dhe human me të tjerët, duke ndërtuar kështu një sistem të vlerave të cilin e preferon edhe vetë Zoti. Besimi në Zot, i shprehur përmes kujdesit, vetëpërmbajtjes dhe vetërespektit, mund ta ndihmojë shumë fëmijën në zhvillimin dhe krijimin e personalitetit. Pra, përveç rolit që ka ligji dhe vetëdija në shoqëri, respekti për Zotin mund të shërbejë si një formë parandaluese e së keqës, ndaj të cilës fëmjët janë të rrezikuar apo ekspozuar, dhe si një formë sensibilizuese e së mirës, përmes së cilës ata mund të krijojnë vlera të ndryshme. Respektimi i ligjit dhe institucioneve, vetëdija kulturore dhe besimi në Zot, janë tri koncepte kryesore me të cilat prindërit duhet t’i edukojnë fëmijët.

      Një qasje tjetër e gabuar e prindit ndaj fëmijës është mosdhënia e shansit për t’u rrëfyer: nuk pyetet fëmija asnjëherë, nuk i kërkohet llogari, nuk i jepet mundësia që të shprehet, të ankohet, të tregojë situata dhe ngjarje, probleme, dilema dhe nevoja që ka.

      Janë disa gjëra që nuk blihen me para, si lumturia, koha, emocioni, qëndrimi dhe puna me fëmijë, vlerat dhe virtytet, rregullat dhe parimet e jetës, të cilat ndikojnë në formimin e personalitetit të fëmijës. Një prind mund t’ia blejë fëmijës së tij dhuratën më të mirë për ditëlindje, por nuk mund t’ia blejë kohën. Nuk mund t’ia blejë respektin, kulturën publike, aftësinë e komunikimit, empatinë, emocionin, dashurinë dhe sinqeritetin, ndershmërinë dhe moralin, imagjinatën dhe kreativitetin, të cilat kërkojnë investim edukativ përgjatë gjithë kohës, në mënyrë sistematike pedagogjike.

      Kujtojmë fjalët e fundit lamtumirëse të Steve Jobs, njeriut që bëri revolucion në teknologji dhe ndryshoi mënyrën tonë të jetesës dhe komunikimit përmes themelimit të Apple. Por ai një gjë nuk arriti të ndryshonte: ligjin natyror të jetës. Ai vdiq në moshën 56-vjeçare, në vitin 2011, nga kanceri në pankreas, por fjalët e fundit të bilionerit, në shtratin e sëmundjes, mund të shërbejnë si një motivim dhe të ndryshojnë pikëpamjen e të rinjve për jetën dhe gjithashtu të shërbejnë si një mësim për edukimin e fëmijëve.

      I shtrirë në shtrat i sëmurë, rikujtoj gjithë jetën time dhe kuptoj se gjithë kjo famë dhe pasuri me të cilën jam krenuar aq shumë, është zbehur dhe bërë e pakuptimtë përballë vdekjes që po afron. Mund tё punёsosh dikё qё tё ngasё makinёn pёr ty, e tё fitojё para pёr ty, por jo qё tё kalojë sёmundjen pёr ty, thoshte Jobs. 

      Gjёrat materiale tё humbura mund tё gjenden. Por ёshtё njё gjё qё s’mund tё gjendet kurrё kur humbet: “Jeta”. Kur njeriu shkon nё sallёn e operacionit, kupton se ka edhe njё libёr qё duhet tё mbarojё sё lexuari: “Librin e jetёs sё shёndetshme”. Mos i edukoni fёmijёt tё jenё tё pasur. Edukojini tё jenё tё lumtur, qё kur tё rriten tё dinё vlerёn e gjёrave dhe jo ҫmimin. Mban orё 300 apo 30 dollarёshe, të dyja njësoj e tregojnë kohёn. Mban kuletё ose ҫantё 300 apo 30 dollarёshe, sasia e parave qё kanё brenda ёshtё e njёjtё. Nёse ngasim makinё 150.000 apo 30.000 dollarёshe, rruga dhe distanca janё njёsoj, si dhe nё tё njёjtin destinacion do të na ҫojnë. Nёse pi njё shishe vere 300 apo 30 dollarёshe, pasojat e alkoolit janё njёsoj. Nёse shtёpia ku jetojmё ёshtё 300 apo 3000 sq. ft. (28 apo 279 m²), vetmia ёshtё njёsoj. Do tё kuptosh se lumturia e brendshme nuk vjen nga gjёrat materiale tё kёsaj bote. Nёse fluturon me klasin e parё apo me atё ekonomik, po ra aeroplani, bie edhe ti bashkё me tё. Ndaj, shpresoj tё kuptoni se kur keni shokё e miq tё vjetёr, vёllezёr e motra me tё cilёt flisni, qeshni, bisedoni, kёndoni kёngё, flisni pёr veri-jug-lindje-perёndim, apo qiell e tokё, “kjo ёshtё lumturia e vёrtetё”– ishin këto fjalët e fundit të Steve Jobs.

      Indiferenca në familje paraqitet edhe në mënyrën e të ushqyerit të fëmijëve të tyre, sepse prindërit nganjëherë nuk i dinë pasojat e ushqimeve të shpejta që zakonisht i hanë fëmijët e tyre, as pasojat e pijeve energjike dhe të gazuara, as të sheqernave të tepruara që ngacmojnë hormonin e dopaminës së fëmijëve që krijon varësi dhe çrregullime.

      Sigurisht që ka edhe prindër të devotshëm që edukojnë me efikasitet fëmijët e tyre, që interesohen me përkushtim, vazhdojnë ta mbajnë qëndrimin prindëror autoritativ, duke u mësuar vlera morale shoqërore dhe qytetare dhe duke i trajtuar me kujdes, duke i mbrojtur të drejtat e tyre, duke i motivuar dhe inkurajuar, prandaj ata pak që janë, mund admirohen për rezultatet që tregojnë. Kemi edhe shembuj të mirë të fëmijëve të suksesshëm falë mbështetjes dhe edukimit të prindërve.

      Në anën tjetër, ka edhe fëmijë, që në mungesë edukimi, sillen me mosrespekt dhe arrogancë ndaj prindërve të tyre, duke i shqetësuar, duke i shpërfillur urdhrat dhe parimet e tyre, duke mos i bërë krenarë me punën dhe shkollimin e tyre. Fëmijë që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit për t’u identifikuar apo ekspozuar me prindin e tij – me një ndjenjë ”turpërimi” para shoqërisë, që edhe kur të rriten dhe të pavarësohen, nuk e vizitojnë apo nuk e nderojnë atë, nuk e gëzojnë me ndonjë sukses, me ndonjë dhuratë, nuk e bëjnë të ndjehet krenar, ndikuar nga faktori i shoqërisë dhe medieve sociale.

      Lotë që peshojnë më shumë se krejt oqeanet e botës janë lotët e atij prindit, mbi 70 vjeçar, që rastësisht kur e takova një ditë në Prishtinë, i cili kishte ardhë në qytet nga një fshat jashtë Prishtinës, kur e pyeta me kënd jeton, me lotë në sy më tha: Që shtatë vjet jetojë vetë edhe ha me këto duart e mia. I kam tre djem, asnjëri nuk më vizitojnë kurrë.

      Rasti i Thomas Edisonit, sipas KultPlus, shpikësit të njohur të llambës elektrike, sistemit energjetik, mikrofonit, gramafonit dhe telegrafit, që i dhanë hov revolucionit industrial, i cili tha se gjeniu është një përqind talent, nëntëdhjetë e nëntë përqind punë, është shembull shumë i mirë se si duhet t’i qasen prindërit fëmijës së tyre dhe se çfarë fuqie të paimagjinueshme kanë fjalët e prindit.

      Thomas Edison u kthye një ditë nga shkolla me një letër në dorë: “Nënë, këtë letër më ka dhënë mësuesja. Më tha të mos e hap por të ta jap vetëm ty ta lexosh”. Me sytë e përlotur nëna e tij filloi t’ia lexonte të birit me zë të lartë: “Biri yt është një gjeni dhe kjo shkollë është shumë e vogël për të. Ne nuk kemi mjaft mësues të mirë për ta trajnuar, prandaj ju lutemi që ta mësoni vetë në shtëpi”. Shumë vjet më vonë, nëna e tij vdiq dhe Thomas Edisoni ishte bërë një nga shpikësit më të mëdhenj të kohës. Ndërsa kërkonte në sendet dhe letrat e së ëmës, gjeti një letër të mbështjellë. Në të shkruhej: “Zonjë, biri yt është një mendje prishur (i sëmurë mendor). Ne nuk e lejojmë të kthehet më në këtë shkollë”! Edisoni qau për orë të tëra dhe pastaj shkroi në ditarin e tij: “Thomas Alva Edison ishte një fëmijë mendje prishur, i cili me ndihmën e një nëne heroinë u kthye në gjeniun e shekullit”.

      Pasojat e mungesës së kulturës publike shprehen edhe në forma dhe mjedise të tjera publike. Shembull: kemi rastet e vjedhjeve dhe të thyerjeve të minibibliotekave publike në lagjet e Prishtinës, ku disa prej tyre që janë sulmuar më shumë se një herë kanë qenë të vendosura në afërsi të shkollave.

      Ndërsa organizata e cila kishte realizuar këtë projekt mjaft të rëndësishëm sensibilizues për kulturën e leximit dhe librit, kishte deklaruar në vitin 2019 se do të detyrohen t’i zhvendosin minibibliotekat larg shkollave. Shoqëri atipike dhe paradoksale, që librin dhe leximin e ka aversion dhe jo kulturë.

     Një fenomen tjetër, që është pasojë e globalizimit kulturor dhe i imitimit të verbër social, shfaqet në fundin e tetorit, në të cilin ndodhet një natë e veçantë, jo për nga vlera, por për nga vandalizmi. Çdo herë kur autobusët e trafikut urban kalojnë pranë shkollave, siç rëndom i shohim afër shkollave fillore në Prishtinë, fëmijët i gjuajnë me vezë dhe gurë, e sulmojnë pronën publike dhe i shqetësojnë qytetarët.

      Ndërsa prindërit indiferentë e inferiorë, nuk shqetësohen fare për ankthin, iluzionet, fantazitë, agresivitetin, frustrimin, fobitë, urrejtjet, bullizmin, që fëmijët e tyre i kultivojnë dhe shprehin. As për imazhin e tyre të deformuar, as për krizën e identitetit nëpër të cilën ata kalojnë, as për rrezikun që u kanoset, as për format tjera asociale dhe atipike që ata i kombinojnë, as për shembullin e keq që si nxënës shkolle e tregojnë.

      Kur i pyesja me një rast nxënësit 15-vjeçarë: ”Kur dëshironi ta bleni një produkt në market, çfarë ju tërheq ta bleni atë?”, përgjigjja e tyre dominuese ishte: ”Shija e produktit”.Pra, thjesht se u pëlqen, për shijen dhe hormonin e dopaminës (kënaqësisë), e cila krijon varësi. Ndërsa kur i pyesja nëse para se të blejnë një produkt duhet t’i respektojnë disa kritere, përgjigjja e tyre ishte se duhet ta shikojnë afatin e skadimit të produktit. Por të paktë ishin ata që ishin të vetëdijshëm se para se ta blejnë një produkt, duhet të dinë përbërjen e tij, efektin që ka në organizëm, mënyrën apo vendin e prodhimit, duke i vendosur vetes standard refuzimi të çdo produkti serb. Ishin kureshtarë të mësonin se si identifikohen produktet serbe, për të mos i blerë, ndërsa unë u tregoja përmes barkodit të ambalazhit të produktit dhe u shpjegoja pse nuk duhet t’i blejnë ato – duke e arsyetuar refuzimin e produkteve serbe si formë patriotizmi për shkak të historisë dhe konfliktit, por edhe për shkak të vazhdimësisë së luftës diplomatike dhe politike që po e bën sot Serbia kundër nesh. Prandaj nuk duhet ta financojmë armikun i cili me buxhetin – paratë tona mund të sofistikohet dhe ta përdor çdo kapacitet në dëm të Kosovës. Kur u thoja disa nxënësve që nuk duhet t’i blejnë produktet serbe, disa prej tyre çuditeshin sepse prindërit asnjëherë nuk ua kanë shpjeguar këtë si formë të patriotizmit kulturor.

      ”Disa njerëz vdesin në ditën që lindin” – me këto fjalë të sociologut të njohur gjerman, Erich Fromm, i pata motivuar me një rast nxënësit e shkollës ”Faik Konica”. Por një prind, nënë e një nxënësi, pati reaguar në mesin e prindërve tjerë, duke i cilësuar si jo-adekuate për nxënës. Unë e shpjegoja në kontekstin e motivimit, se Fromm-i kishte aluduar në vdekjen e identitetit të njeriut. Pra, njeriu mund të jetojë biologjikisht, por të jetë i vdekur me identitetin e tij social sepse nuk i shfrytëzon aftësitë për të kontribuar diçka në shoqëri dhe për ta njohur shoqëria për një kontribut. Thjesht jeton si pjesë e turmës dhe jo si personalitet i veçantë. E nxënësve u thoja se ju duhet të përgatiteni që të krijoni një personalitet të veçantë, që shoqëria t’ju njeh për ndonjë kontribut, aktivitet apo sukses në të ardhmen sepse njerëzit që nuk japin kurrfarë kontributi shoqëror në jetën e tyre kanë identitet të vdekur. Aq ”e vështirë” për t’u kuptuar nga një prind paragjykues dhe injorant!

      Prindi nuk guxon të krijojë konfuzion te fëmija i tij apo t’ia keqinterpretojë ligjërimin e mësimdhënësit. Shumë fëmijë gjenden në konfuzion dhe të orientuar gabimisht, pa informacionet e duhura sepse u mungon edukimi i duhur familjar dhe publik. Sepse prindërit hezitojnë, kanë komplekse dhe tabu, janë injorantë dhe kanë një mënyrë konsumeriste hedoniste të të jetuarit, duke u treguar indiferentë me fëmijët e tyre, duke i lënë në mëshirë të fatit, në mëshirë të ambientit të pasigurt, në mëshirë të rrethanave të paparashikuara, në mëshirë të shtetit të dobët. Aty ku dështon familja ta ruajë rolin edukativ, duke u shndërruar vetëm në funksion riprodhues e konsumues, aty ka dështuar e gjithë shoqëria. Aty ka dështuar edhe shteti.

      Pra, që ta krijojnë një karakter dhe personalitet të fortë te fëmijët, prindërit duhet ta luajnë rolin e tyre edukativ dhe të bashkëpunojnë gjithmonë me shkollën, mësimdhënësit dhe institucionet arsimore, kulturore dhe të mirëqenies. Sepse fëmijët kosovarë kanë aq shumë aftësi, talent, imagjinatë, ide, potencial, saqë është mëkat i madh nëse familja dhe institucionet publike nuk investojnë në ta, duke iu krijuar mundësi që t’i shprehin ato sepse kjo gjeneratë e re pas një kohe do të jetë gjeneratë që do të udhëheqë me vendin./ KultPlus.com

Pse sot nuk respektohet mësimdhënësi si autoritet?

Shkruan Labinot Kunushevci

      Mënyra se si sillet një shoqëri me mësimdhënësin, tregon shumë për kulturën e asaj shoqërie. Por a jemi ne një shoqëri që nuk e respektojmë profesionistin dhe ekspertin si autoritet, duke u munduar ta sfidojmë, ta gjunjëzojmë, ta fyejmë e degradojmë, për shkak të ambicieve, papërgjegjësisë, mungesës së vetëdijes dhe koncepteve të gabuara që i kemi për ta?

      Një shoqëri që i komprometon profesionistët e i ngritë demagogët, që i rrënon ligjet e i mbulon gabimet me improvizime. Pa informacione, plot konfuzione. Pa fakte, plot iluzione.

      Pyetjes ”çka është shteti?”, i përgjigjet duke përmendur emra politikanësh, presidentin e kryeministrin, qeverinë e ministrat. Mendon se shteti lidhet me politikanin, me qeveritarin, me pushtetin. Thuase shteti është pronë e tij e ai është pronar i shtetit. Kur shteti bëhet sinonim i emrit të kryeministrit, i pushtetit që dikton e jo i kryeshërbëtorit që shërben, aty veç shtet nuk ka. Aty ku shteti nuk merr frymë nga ngufatja e pushtetit të pangopshëm.

      Kjo tregon që njerëzit e votojnë liderin, figurën, protagonistin, karizmatikun, popullistin. Ata krijojnë iluzione për të dhe e glorifikojnë deri në adhurim dhe shenjtërim absurd. Ata vuajnë për ta bërë një fotografi me një lider, për ta shpërndarë dhjetëra herë në rrjete sociale. E sidomos nëse ai lider është pak karizmatik e elokuent, apo ka pak pushtet e fuqi, shkrihen pas tyre. E harrojnë historinë e skandaleve pas krekosjes me afërsinë e ”të pushtetshmit”.

      Disa e bëjnë të paprekshëm, e shpallin të pagabuar dhe i linçojnë e i kërcënojnë krejt ata që mendojnë ndryshe prej liderit. E përdorin emrin dhe kauzën e tij sa herë ata kanë interes. Dhe mundohen të krijojnë opinion të rremë, artificial, të imponohen në shoqëri, duke fituar ”respekt” dhe ”prestigj”, për shkak se janë ”të afërt” me një lider partie. Dhe shoqëria primitive i jep pëlqime e komente, ia ushqen iluzionin që e ka krijuar për të, e nderon në mënyrë të veçantë për diçka të paveçantë. Ndërsa kur takohen me ndonjë politikan apo zyrtar publik, servilohen para tyre. Kjo tregon mungesë totale të integritetit.

      Nuk votojnë për programe e platforma, nuk votojnë për strategji apo plane afatgjate, nuk votojnë për zgjidhje të problemeve shoqërore, për përmirësim të cilësisë së sistemit e për reforma në shoqëri, për efikasitet e vetëdije institucionale, për cilësinë e shërbimeve publike, nuk votojnë për të ardhmen dhe fatin e fëmijëve të tyre. Jo. Kjo nuk është vota dominuese në Kosovë.

      Pra, nuk votojnë për një qeveri që i garanton të drejtat e njeriut; që garanton përmirësimin e cilësisë së arsimit; krijimin e kushteve shëndetësore; lehtësime në krijimin e bizneseve; ngritjen e standardit të ekonomive familjare; që i qaset me një strategji mjedisit, natyrës, ajrit, deponive ilegale, florës e faunës; që i lufton dukuritë negative dhe nuk bën kompromis me ligjin. Mentaliteti primitiv i qytetarit nuk e ka këtë diskurs dhe kërkesë.

      Ata votojnë për një pagë, për një vend pune, për një përfitim material, për hir të njëri-tjetrit, në emër të grupeve e klaneve, dhe mashtrohen lehtë nga deklaratat, premtimet e fushatat ”mbresëlënëse”. Ata ndikohen nga turma sepse janë shoqëri e turmave. U duartrokitin liderëve, jo ideve.

      Të marrim shembullin e mësimdhënësit. Pse ai sot nuk është autoritet i respektuar në shoqëri, madje as në vetë shkollën ku punon? Ku mbeti prestigji, autoriteti dhe privilegji i të punuarit si arsimtar ose profesor, si edukator i gjeneratave të reja? Kurse sot edukimi si mision është shndërruar në një profesion teknik, që fillon e mbaron në një kohë të caktuar, si detyrim që kompenzohet me pagë në fund të muajit.

      Ne kemi votuar për 20 vjet qeveri injorante, që nuk e dinë peshën e arsimit dhe kulturës. Dhe kjo qeveri çdo herë ka caktuar ministra të kulturës e arsimit njerëz që nuk kanë lidhje me kulturë e arsim, por që u shërbejnë ”besnikërisht” qeverive dhe agjendave politike. Duke qenë vetë të paaftë, pa mbështetje të qeverisë, natyrisht që këta s’kanë mundur të bëjnë ndonjë ndryshim pozitiv. Sepse nuk bëhet ndryshimi pa e pasur mbështetjen e një qeverie e cila i ka të gjitha kapacitetet politike, profesionale e morale. Me njerëz të komprometuar nuk rregullohet as arsimi e as kultura, dy institucionet më të rëndësishme të një shoqërie moderne.

      Barra më e madhe ka rënë në përgjegjësinë e mësimdhënësit, i cili duhet të punojë në kushte mjaft të vështira sepse udhëhiqet prej një sistemi improvizues në arsim. Këtu ka improvizim arsimor, jo strategji arsimore. Duke u ofruar nxënësve vetëm ngarkesa shkencore, pa u plotësuar nevojat për kulturë dhe shkathtësi për jetë.

      Po çka i duhet një shoqërie një nxënës që synim ka vetëm numrin, suksesin shembullor, ku në çdo lëndë duhet ”domosdoshmërisht” të ketë nota të njëjta (5)? Ku prindi e thërret arsimtarin në telefon dhe e qorton duke i thënë se vajza apo djali im gjithmonë notat i ka pasur 5 (pesë), e vetëm te lënda jote e ka marrë 4 (katër)?

      Pra, duke tentuar që t’i sigurojnë notat në libreza e dëftesa sipas iluzionit, mirëpo duke mos e shkathtësuar fëmijën e tij në ndonjë lëndë apo profil të veçantë, duke mos ia zbuluar talentin dhe prirjen e tij, duke e mos e shtyrë aty ku ka më shumë motiv dhe sukses – por në mënyrë robotike njësoj gjithkund, në fakt, i aftë askund. A s’është ky mjerim? Aty ku vlerësimi dhe testi shihet si detyrim dhe ngarkesë stresuese, jo si matje e rezultateve dhe progresit të arritur. Pastaj duke u krekosur me notat shembullore përmes publikimit në Facebook. E pas nëntë viteve të shkollës fillore, ku është më shumë i orientuar fëmija i tij dhe mbi cilën prirje do ta orientojë në shkollë të mesme? A ka ky prind përgjigje?

      Raporti i shumë prindërve me mësimdhënësit e fëmijëve të tyre nganjëherë është jokorrekt dhe jo i rregullt sepse jo pak raste në Kosovë ndodhin që, një nga mënyrat nëpërmjet së cilave mësimdhënësi degradohet dhe sulmohet, vjen edhe nga prindërit e papërgjegjshëm, të cilët vazhdimisht kanë ankesa e kërkesa absurde, ku nuk i kursejnë as kërcënimet ndaj mësimdhënësve, ku shfrytëzojnë lidhjet nepotiste e politike që kanë në institucione publike për ndikime apo presione në dëm të shkollës apo të mësimdhënësve, e deri te konfliktet e krijuara, të improvizuara e të inskenuara.

      Ndërsa, në anën tjetër, janë mjaft indiferentë, nuk marrin përgjegjësi për sjelljet dhe rezultatin e dobët të fëmijëve të tyre dhe bëhen shumë jobashkëpunues, duke shpërfillur trekëndëshin pedagogjik prind – mësimdhënës – fëmijë. Si për ironi, dështimin e tyre ia faturojnë mësimdhënësit duke i kërkuar llogari. E madje edhe përzihen në kompetencat e vlerësimit që janë ekskluzive të mësimdhënësit.

      Ky është realiteti, i cili, në mungesë të mbështetjes nga institucionet, duke filluar nga menaxhmenti i shkollës e deri në nivelet komunale e ministrore, vetëm po prodhon e riprodhon pasoja. E kjo ndodh më shumë në ato shkolla që për pozitën e drejtorit janë zgjedhur njerëz në baza partiake – drejtorë me merita dhe argate politike, të lidhur ngushtë me kryetarët e komunave dhe partitë komunale në pushtet, të cilët nuk tregojnë kolegialitet, bashkëpunim, motivim, që nuk marrin masa për menaxhimin e problemeve të shkollës, nuk i shfrytëzojnë kompetencat dhe kapacitetet e nevojshme, nuk i trajtojnë nxënësit problematikë dhe problemet e delikuencës, tregohen autoritarë dhe arbitrarë – të njëanshëm për mësimdhënësit – për disa privilegjues e për disa diskriminues.

      Të prirur t’i keqkuptojnë dhe paragjykojnë kërkesat dhe ankesat e mësimdhënësve dhe të paaftë për t’i zgjidhur problemet dhe konfliktet potenciale, duke ushqyer rivalitete në grupe të caktuara. Drejtorë të tillë akuzojnë vazhdimisht mësimdhënës të devotshëm e joservilë, që kanë integritet moral dhe profesional, duke u kërkuar llogari dhe përsosmëri në punë në kushte të pafavorshme, injoruese, kërcënuese e degraduese, ndërsa harrojnë se si kanë ardhur vetë në ato pozita të pamerituara, ku vetë atyre u ka humbur autoriteti para nxënësve, paradoksalisht të dominuar nga mediokriteti profesional, nga kompleksi i superioritetit dhe injoranca e thellë, të ”legjitimuara” në mënyrë të paligjshme, nga pushtete të komprometuara. Normalisht duke mos e përjashtuar faktin se ka një numër të vogël drejtorësh që i menaxhojnë shkollat në mënyrë shumë profesionale dhe korrekte.

      Një sistem që i ka reduktuar dhe kufizuar kompetencat e mësimdhënësit deri në pikën ekstreme ku mësimdhënësi edhe nëse fyhet nga ndonjë nxënës, siç shohim raste nganjëherë, ai nuk guxon të reagojë në mbrojtje të dinjitetit të vet dhe ta ndëshkojë nxënësin. Aty ku s’funksionon mekanizmi i ndalesës dhe ndëshkimit.

      Mësimdhënësi sot është i sulmuar dhe i pambrojtur nga të gjitha anët. Mëkati ndaj mësuesit është mëkat që s’falet. Vetëm nëse i referohemi trajtimit të mësimdhënësve të viteve ’90-të, që punonin pa paga, në kushte okupimi, në shtëpi-shkolla, shohim sa jonjerëzore dhe jomorale ka qenë zhvatja dhe injorimi për një kohë të gjatë i kompensimit të kontributit të tyre nga Qeveria e Kosovës, ndonëse filloi dikur vonë, tek në fund të vitit 2019.

      E të mos flasim për format e tjera, si komedia kosovare për shembull, që gjithmonë rolin dhe portretin e mësimdhënësit në Kosovë e paraqet si një mësues primitiv, provokues, të padijshëm, ekstremisht lojal, që i thyen parimet e veta, që përdor zhargon dhe gjuhë vullgare.

      Ose në rastin e përhapjes së pandemisë globale Covid 19, ku preku edhe Kosovën në muajin mars 2020, që po vazhdon edhe sot, ku përderisa rastet e para të infektimeve zbuloheshin në disa shtete evropiane – shkurt 2020, kohë kur unë fillova të shkruaja librin tim të dytë pjesë e së cilit është ky artikull, u shfaq një virus i fshehtë me pasoja të paparashikuara. Prandaj, për shkak të ruajtjes së shëndetit publik, u pezullua mësimi i rregullt në gjithë Kosovën, ndërsa u aplikua alternativa e mësimit online. Disa mësimdhënës nga e gjithë Kosova, në mesin e tyre edhe unë, në kushte pandemie e rreziku të shëndetit publik, por me vullnet dhe entuziazëm të madh, përveç obligimeve të rregullta në shkollë, morëm edhe detyra shtesë dhe nuk ngurruam të jepnim kontributin tonë, duke iu përgjigjur formës së organizimit të mësimit online nga Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e Arsimit në Prishtinë, gjë i cili vazhdon edhe sot të realizohet dhe transmetohet në Radio Televizionin e Kosovës, por që vetë Ministria e Arsimit nuk po tregohet mirënjohëse dhe korrekte ndaj kontributit të ligjëruesve dhe mësimdhënësve.

      Madje, në muajin shtator të këtij viti, para fillimit të xhirimeve të reja, Ministria e Arsimit organizoi një trajnim lidhur me përdorimin e Zoom-it në inqizimin e video-ligjëratave, ku trajner ishte një regjisor teatri, i cili me kompleksin e tij të superioritetit, gjatë trajnimit nuk arriti të bëj asgjë tjetër pos t’i nënçmojë e ofendojë mësimdhënësit për mënyrën se si ata ligjëronin. Ndërsa në takimin që kisha me shefin e kabinetit të ministrit, më 7 dhjetor, ku pjesëmarrës ishin edhe mësimdhënës tjerë, në ambientet e Fakultetit të Edukimit, me ironinë e tij, gjoja në shenjë solidarizimi, na thoshte se nuk duhet lejuar askënd që t’i nënçmojë mësimdhënësit. Ndërsa unë i thash se pikërisht ju i keni fajet si institucion sepse ju i keni krijuar dhe imponuar rrethanat e nënçmimit sepse i keni detyruar mësimdhënësit të shkojnë në një trajnim ku trajner është një person që mendon se shkolla është teatër dhe i cili nuk ka lidhje me pedagogji. Për këtë arsye ai ofendon sepse nuk arrin ta kuptojë rolin, mundësitë dhe kreativitetin e mësimdhënësit, në rrethana krejt të jashtëzakonshme pandemie.

      Kur një pastrues i një institucioni, një roje apo shofer i një politikani, merr pagë më shumë se një mësimdhënës që edukon gjenerata, çka pritet prej asaj shoqërie? Një sistem i cili eksperimenton me arsimin duke i përdorur mësimdhënësit si instrument. Mos të flaim për procesin e pranimit të mësimdhënësve të rinj, se çfarë gare jokorrekte organizon Komuna e Prishtinës në konkurset publike, ku në shumicën e rasteve pranohen mësimdhënës në baza nepotiste dhe politike.

      Mësimdhënësit sot nuk përfaqësohen denjësisht në asnjë institucion, madje as në sindikatë. Më shumë se ngritje koeficienti meritojnë dinjitet, siguri, mbrojtje, kushte pune, meritokraci, motivim, korrektësi, mirënjohje.

      Me të drejtë eruditi i Rilindjes Kombëtare thoshte se nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër edhe grurë. Nëse do të mbjellësh për tërë jetën, mbill arsim dhe kulturë./ KultPlus.com

Intelektuali dhe politikani mediokër

Shkruan: Labinot Kunushevci

Shikoni kush janë njerëzit më të famshëm, më publik dhe më të pranishëm në media, në një shoqëri krize si Kosova: intelektualët dhe politikanët mediokër. Nuk janë intelektualët vizionarë, as politikanët e përgjegjshëm, as artistët kreativë, as autorët e ideve dhe mendimeve të shëndosha, as sportistët e suksesshëm, as personalitetet e elitës kritike, as mësimdhënësit e devotshëm, as studiuesit e shkencave shoqërore, as inovatorët e rinj, as shkencëtarët e rinj. Hapësira publike dominohet nga debatet e kota, të shndërruara në monologe, ku objekt diskutimi nuk është problemi qytetar, por problemi personal. Qytetari dhe problemi i tij i standardit të mirëqenies është në margjina të debateve. Ndërsa qendra janë inatet personale, paragjykimet dhe linçimet, ofendimet dhe sharjet, akuzat pa fakte, konfliktet obsesive, gjuha hakmarrëse dhe korruptive.

Sepse aty janë sharlatanët, injorantët, analistët banalistë, dhe siç do të thoshte Kadare, mbretëria e idiotëve, që e bën shumë të vështirë diskutimin me ta. Madje ata janë njerëz, demagogë, të pakurrizorë, që imponohen në debate dhe janë në gjendje edhe të paguajnë për të marrë pjesë në emisione që i shtohet popullariteti. Me injorancë të zbresin në nivelin e tyre dhe të mundin me përvojën e tyre prej injoranti. Kur nuk ka vepra konkrete, ka retorikë, thoshte Konica. Pra, ata nuk flasin për vepra dhe projekte, por për kauza dhe heroizma të parealizueshme, folk-patriotike, që u krijon lumturi të rrejshme, për mbijetesë politike dhe publike. Derisa me diskursin që krijojnë, tregojnë se shteti është më shumë meritë e tyre se e qytetarëve, prandaj edhe e kanë monopolin ekskluziv paradoksal, duke e trajtuar shtetin si pushtet dhe si emra pushtetarësh, jo si institucion dhe vetëdije institucionale.

Aq shumë rrahin gjoks, thuajse historia fillon me ta, se janë të papërsëritshëm dhe të pazëvendësueshëm, me sakrifica të panjohura më parë, si misionarë të shenjtë. Edhe pse promovohen si intelektualë dhe elitë politike, janë cenuesit më të mëdhenj të lirisë intelektuale dhe pluralizmit politik. Lirinë e projektojnë si iluzion dhe fiksion, mashtrim real, duke e instrumentalizuar me propagandë dhe lajme të rrejshme dhe me rrena pa lajm. Pasoja: qytetari i manipuluar, që sillet në rrethrrotullim pa gjetur udhëkryqin orientues.

Të pushtetshmit e projektojnë parajsën, por qytetarët e shijojnë ferrin. Ata e mohojnë krizën, papunësinë, varfërinë sepse gjykojnë nga pozicioni i tyre luksoz i komfortit dhe nga rehatia e militantëve dhe klientelës së priveligjuar, ndërsa nuk zbresin afër qytetarëve që të shohin standardin e ultë të mirëqenies dhe mjerimin që përjetojnë. Vetëlavdërohen në media për mospunën e tyre, ndërsa lavdia dhe cilësia e jetës së qytetarëve s’kanë asgjë të përbashkët. Në statistika dhe deklarata e reduktojnë dhe minimizojnë problemin qytetar, ashtu që të krijojnë iluzionin se ata po punojnë, se gjendja shoqërore është më e mirë falë tyre, duke fshehur, mohuar e margjinalizuar kategori, fenomene dhe raste të caktuara të mjerimit socio-ekonomik.

Kështu ata e trajtojnë qytetarin si injorant, të padijshëm, idiot, që nuk i kupton politikat dhe analizat e tyre, që nuk e vlerësojnë realitetin në mënyrë të drejtë, që janë mosmirënjohës ndaj ”kontributeve megalomane” të tyre, që janë abuzues të të mirave publike, që e keqpërdorin lirinë që ”të fuqishmit” e kanë krijuar.

Diploma, ceremoni, simbolika, zhurmë, folk-patriotizëm, pushtete të paligjshme, sensacion, obsesion, iluzione. Shumë mediokëra, pak intelektualë.

A e përcakton diploma vlerën e intelektualit? A duhet të ketë intelektuali domosdoshmërisht diplomë universitare? Është integriteti dhe personaliteti i tij moral dhe profesional, standardi i tij i punës krijuese dhe kritike, zëri dhe guximi në kundërshtimin e dukurive negative, marrëdhënia e tij me publikun përmes fakteve, vizioni i tij për të ardhmen, thyerja e indiferencës dhe inferioritetit, idetë e tij origjinale, të menduarit me kokën e vet, apo siç do të thoshte historiani francez Jacques Le Goff – aftësia e tij për të përcjellur mendimet e tij tek të tjerët – ato që e bëjnë atë intelektual. Pra, është një konglomerat dhe kolorit i madh i vlerave dhe mendimeve, të mishëruara dhe të përthyera me nuancat dhe ngjyrat më të mira.

Jo çdo profesor apo person që bartë titull akademik është intelektual. Dikush bartë titull profesori, titull akademiku, me gradat më të larta, por ka zero kreativitet, nuk është në hap me trendet e reja, nuk merr asnjë vlerësim serioz nga qarqe shkencore, vazhdon të kultivojë mënyra primitive të punës dhe komunikimit, ndonëse krekoset me zyrën e tij në universitet prej kapadaiu. Ndërsa qasja e tij me studentin është injoruese, autoritare. Nuk flitet për bashkëpunim dhe interaktivitet. Se sa vështirë është të komunikosh me disa profesorë që vuajnë nga kompleksi i superioritetit, tregojnë vetë studentët.

Mos të flasim për angazhimin e stafit akademik – bashkëpunëtorëve dhe asistentëve në universitet sepse aty i bëjnë shkeljet më të mëdha ligjore, profesionale, morale e procedurale. Kjo është arsyeja e betejës time juridike publike me Universitetin e Prishtinës, në vitin 2017, në rastin e shkeljeve të konkursit për asistentë, të cilin, në vitin 2018, e konstatoi Inspektorati i Arsimit.

E kushedi se si i kanë arritur ata tituj! Autoritet i rrejshëm publik! Lavdi e pamerituar! Privilegje të vjedhura! E sa pak vlerësohen dhe çmohen autodidaktët, aty ku intelektuali mediokër, i veshur me petkun e akademikut, konsumohet si kult, i glorifikuar, që thellon iluzionet e njerëzve. Kosova është një koloni klasike në mentalitetin e elitës fallse që është vetëpromovuar pasi e ka krijuar sistemi. Dija dhe rezultati nuk mund të shlyhet, edhe pse ata thonë se nuk e shohin, se është meritë e tyre. Por nëse një person është këmbëngulës, atë askush nuk mund ta dekurajojë. Ajo që e dallon atë prej tyre është puna.

Ndërsa fama, lavdia, protagonizmi dhe privilegji mbesin ambiciet e përhershme të këtij soji të profesorëve. Diskursi kërcënues, nxitja e konflikteve, gjuha e varfër dhe e ndotur, spekulimi dhe konspiracioni, janë mënyrat e tij të komunikimit. Kriza dhe qetësia sociale, mungesa e kritikës, më së shumti i konvenojnë intelektualit mediokër. Por koha do t’i thyejë iluzionet. Në shoqëritë me standard të dobët intelektual dhe kulturor, iluzionet janë të pathyeshme. Ato janë ushqim i rrejshëm për ngopje të rrejshme. Derisa iluzionet dhe heriozmat – heronjtë e rrejshëm – projektohen dhe konsumohen si shtylla identiteti.

Njohim dy tipe të intelektualëve, që studiuesi Ibrahim Berisha i shpjegon në librin e tij ”Urtia e pafuqishme”: duke qenë pjesë e korrupsionit etik, intelektuali humbë integritetin e tij, të cilin mbase edhe mund ta ketë pasur përpara se të bëhej edhe vetë pjesë e shkatërrues i vlerave ligjore dhe morale në shoqëri. Intelektuali i korruptuar vendimmarrës është vetë pushteti i paligjshëm. Një hajn i respektuar me emër, por pa ngjyrë e identitet profesional publik. Ndërsa intelektuali humanist kërkon parimin e së drejtës që mund të përmbledhet në moton: Të sillesh ndaj të tjerëve sikur do të sillen të tjerët ndaj teje. Këtë parim, më shumë se të tjerët, intelektuali e ka edhe mision që ta përcjellë në komunikimet publike.

Pra, intelektuali vlerësohet në bazë të sistemit të vlerave që ai përfaqëson dhe manifeston, në bazë të strukturës së thellë të të menduarit të tij etik, që në asnjë rast nuk guxon të jetë e korruptuar, në bazë të qasjes që ai ndërton në raport me dukurinë e korrupsionit sepse ai mund t’i jap hov zhvillimit dhe legjitimimit të tij në sferën, institucionet dhe komunikimin publik, duke deformuar standardet etike dhe ligjore. Intelektuali mediokër voton qeveritarë të korruptuar, bashkëpunon me sekserë politikë, kamufllohet si institucionalist, ndërsa lufton vlerat

institucionale dhe në asnjë mënyrë nuk mund të bashkëjetojë me ligjin, derisa i arsyeton veprimet e veta joetike dhe e refuzon përgjegjësinë morale publike.

Në shoqërinë e krizës, në modelet atipike kulturore, aty ku zbatimi i ligjit nuk është kulturë, aty ku mungon kontrolli shoqëror dhe ku elita e rrejshme është e obsesionuar me përfitimin e paligjshëm, krimi më i rrezikshëm është krimi i jakave të bardha, term i paraqitur për herë të parë nga Edwin Sutherland në vitet ’40-të. Ndërsa Susan Shapiro, 50 vite më vonë, në një artikull të botuar, në rishqyrtimin që ai i bën këtij koncepti, tregon që kriminelët me jakë të bardhë shkelin normat e besimit, vjedhin pa dhunë dhe bëjnë vjedhje pa shkelje.

Pra, në njërën anë, shfrytëzojnë qetësinë sociale, mungesën e vetëdijes, masës kritike dhe kontrollit shoqëror, keqpërdorin besimin apo iluzionin e njerëzve, dhe në anën tjetër, trioja e guximshme dhe e paligjshme intelektual-politikan-biznesmen, aq e ka sofistikuar strategjinë, saqë korrupsioni i tyre politik, ekonomik, etik, gjuhësor, nuk vërehet lehtë, edhe pse në paraqitje mund të duken ”zotërinj me jaka të bardha”! Politikani merr vendime të paligjshme dhe i mbulon me forcën e pushtetit, intelektuali i ”arsyeton” dhe ”racionalizon” për opinionin e rrejshëm publik me gjuhën e tij sa korruptive ideore po aq propagandistike manipuluese, ndërsa biznesmeni oligark i kapitalizon duke i shndërruar në monopole të pathyeshme, ku shprehur metaforikisht, vetëm një grup i vogël prej tyre e ndanë ”kulaçin” bashkë. Ky model funksionon në Kosovë kohë të gjatë.

Intelektuali mediokër me gjuhën e tij i thur lavde demokracisë dhe e konsideron veten kontribues në të, ndërsa me veprimet bën të kundërtën – rrënon vlerat themelore të tij – me lakminë e shfrenuar, me gjuhën e korruptuar, me krenarinë e tepruar, me përvetësimin e paligjshëm të synuar, me imazhin human të kamuflluar, me burro-centrizmin e modeluar, me provincializmin e mishëruar, me oportunitetin dhe servilitetin politik të treguar, me logjikën fisnore të organizuar, me lirinë intelektuale dhe shpirtërore të shkatërruar dhe me sjelljen atipike të adoptuar.

Ndërsa intelektuali jomediokër dhe human është kritik i realitetit komformist, i cili rrallë gjendet në një ambient kulturor komformist si Kosova. Intelektuali përpiqet t’i sheshojë keqkuptimet, paragjykimet, dilemat dhe konfuzionet e shoqërisë, për t’iu ofruar alternativat dhe idetë e tij kritike.

Heshtjen dhe oportunitetin e intelektualëve në një shoqëri të krizës, shkrimtari i ndjerë Xhemail Mustafa, do ta quante katandisje morale të intelegjencisë. Kështu ai e titullon shkrimin e tij të botuar në rubrikën e kulturës, në revistën ”Rilindja”, më 27 shkurt të vitit të vështirë ’89-të, si reagim pas grevës së minatorëve, kur shkruan për oportunitetin e intelektualit protojugosllav, shkrim që bashkëpunëtori i tij, Ibrahim Berisha, e sjellë për publikun më 2 qershor 2020, në ditën kur nga shembja e dheut ndërruan jetë dy minatorë në minierën e Artanës.

Me shumë shkas, në mesin e dhjetorit të vitit 2017, pasi që intervista ime e realizuar me profesor Ibrahim Berishën për trashëgiminë e kolonializmit në Kosovë u përzgjodh si një nga shkrimet më të mira promovuese për Kosovën nga Ministria e Punëve të Jashtme, përkthyer e botuar në 17 gjuhë të botës, Berishës ia bëra një dhuratë të veçantë, në prani të miku të tij, shkrimtarit Bajram Mjekut, në një nga kafiteritë e kryeqytetit, portretin e Xhemail Mustafës, të punuar nga piktori i talentuar Dardan Shala. Sepse e kishte pasur bashkëpunëtorin dhe mikun më të ngushtë deri në momentin kur u vra.

Mustafa, me mendjemprehtësinë kritike, guximin dhe integritetin e tij prej intelektuali të rrallë, me argumentet kokëforta dhe qëndrimet e palëkundura, por edhe nga indinjata e thellë e tij që buronte nga shpirti fisnik dhe mendimi human, kritikon indiferencën e intelektualëve të kohës karshi grevës së minatorëve, në një situatë, siç e quan ai, apokaliptike. Intelegjencia krijuese e

vendit, pjesa dërrmuese e intelektualëve që betohen shpesh në humanizëm, në demokraci dhe në ”lirinë e shpirtit e të mendjes”, thoshte Mustafa, këto ditë ranë në një provim të rëndë moral, që për intelektualët dhe inteligjencinë e njëmendtë, s’ka dyshim, është rënia dhe pësimi më i rëndë. Po bëhen shtatë ditë të tëra që kur minatorët e Trepçës gjenden në galeritë e thella e të ftohta të nëntokës, kurse pjesa dërrmuese e intelegjencisë së vendit heshtë, rri dhe bën sehir me një dramë të paparë njerëzore, me një tragjedi, e cila tashmë u kualifikua si ”dhembje dhe si trup” i Jugosllavisë. Të vetmit ata që u solidarizuan me grevën dhe dramën e minatorëve ishin asociacionet dhe intelektualët, intelegjencia krijuese dhe ajo politike sllovene, thotë Mustafa. Dramën e minatorëve dhe të të gjithë atyre pak njerëzve që po solidarizohen me ta e quan dramë të njëmendtë njerëzore. Kurse heshtjen dhe indiferencën e pjesës dërrmuese të intelegjencisë së vendit e quan dramë të moralit të tyre intelektual, dramë të një identiteti të shprishur nën presionin e konjukturës së burokracisë politike dhe asaj nacionale.

Praktika e mediokërve politikanë për t’u paraqitur dhe qenë intelektualë të mëdhenj dhe e mediokërve intelektualë për të qenë politikanë të mëdhenj, është e keqja që vazhdon të ndodhë, shijen së së cilës e ndjejnë dhe e njohin më së miri të rinjtë e arsimuar, thoshte Ibrahim Berisha, kur shpjegonte fenomenin e intelektualit në shoqëritë e krizës.

Pra, nuk është intelektual ai që heshtë përballë dukurive negative dhe anomalive shoqërore, përballë diskriminimeve që vijnë nga pushtete dhe sisteme politike, as ai që asnjëherë nuk merr guximin të shkruajë apo reagojë publikisht. Shoqëria nuk është e lirë nëse nuk ka liri intelektuale, nëse intelektualët i ka të heshtur, të izoluar, inferiorë, indiferentë, të shantazhuar, komformistë e oportunistë. Intelektuali nuk është peng i iluzioneve, as nuk projekton iluzione.

Intelektualit nuk i mungon guximi e as dija për t’u ballafaquar me problemin, me pushtetin, me autoritetin dhe me sistemin e padrejtë, kur këto cenojnë interesin publik. Ai e thotë fjalën e vërtetë dhe jeton për të vërtetën, për idealin dhe gjithmonë ka një vizion të mbështetur në projeksione reale të mundësive dhe kapaciteteve.

Në shoqëri ka njerëz që nuk kanë një diplomë universitare, por kanë integritet të lartë, kanë inteligjencë, mbajnë përgjegjësi, kanë ide të shëndosha dhe racionale për zgjidhjen e problemeve dhe kontesteve. Në anën tjetër, politikanë mediokër, që bartin tituj akademik, por kanë defekte në personalitetin e tyre, kanë një komunikim publik të deformuar, një gjuhë korruptive. Nëse bëjnë ndonjë punë të dobishme, e bëjnë vetëm në prani të kamerave, për hir të kamerave. Jashtë syrit të kamerës nuk dinë çka është kontributi publik, interesi qytetar, ndihma humane, sepse jetojnë për sensacionin, për obsesionin, për lavde dhe krekosje publike, të cilat i gjejnë vetëm në kamerat publike.

Me humor të zi e me sarkazëm të thellë, me 10 qershor të këtij viti, në një orë përgatitore shkolle në Prishtinë, disa semi-maturantëve që kishin nota të dobëta, analfabetë funksional dhe tepër indiferentë ndaj mësimit, u thash se ju keni gjasa të bëheni ministra dhe politikanë të ardhshëm në Kosovë, nëse nuk ndryshon realiteti. Ndërsa ju tjerët – semi-maturantë të shkëlqyeshëm – do të mund të punoni për ministrat analfabetë funksional, t’ua shkruani statuset dhe deklaratat, t’iu shërbeni me një pagë të vogël, si asistentë apo shërbëtorë. Andaj ndryshojeni këtë realitet dhe mos e lejoni!

Politikani dhe qeveritari analfabet, edhe pse ia zë vendin ekspertit, ai prapë bëhet i nevojshëm për të sepse i duhet ndihma dhe asistenca profesionale. Shumica e politikanëve në Kosovë nuk kanë aftësi të shkruajnë një deklaratë pa i bërë dhjetëra gabime e lëshime, jo vetëm drejtshkrimore, por edhe përmbajtësore, logjike e konceptuale. Jo rrallë herë i ngatërrojnë konceptet. Madje ata as nuk e njohin gjuhën konceptuale. Shpeshherë i tradhëton gjuha.

Shumë politikanë që i shohim sot si fantazma në televizione, dikur ishin gazetarë, analistë, pjesë e organizatave të ndryshme, me një kritikë të hollë, por u frikësuan, u shantazhuan, u korruptuan, dhe u bën pjësë e qeverisë, zunë vende nëpër zyra të ministrive, dhe iu korruptua zëri dhe argumenti kritik.

Politikani mediokër, kur bëhet zyrtar i lartë qeverie, nuk zhveshet nga diskursi dhe gjuha partiake. Pra, vazhdon të flasë si militant partiak i veshur me petkun institucional sepse tek ai nuk ekziston dallimi, as në praktikë e as në vetëdije, midis institucionit dhe partisë, midis zyrtarit apo rolit institucional dhe militantit partiak. Kjo mendësi politike e partizon shtetin. Sidomos institucionet, përveç mundësive të përfitimit të paligjshëm me tenderë, subvencione, terminale e monopole, trajtohen prej politikanit mediokër edhe si resurse elektorale. Prandaj kemi fenomenin e punësimit të anëtarëve të partive politike në institucione shtetërore të Kosovës, si resurs për të zgjeruar potencialin elektoral të partisë. Institucioni trajtohet për krijimin apo shtrirjen e klientelës. Ku një president apo kryeministër, me mendimin e tij për veten, tregon që nuk mjaftohet me kompetencat kushtetuese të rolit, por me tejkalimin e kompetencave, rolit të vet, i jep elemente autoritare, si një kapo që kontrollon institucionet, me sjellje arbitrare. Dhe me këtë mentalitet dhe logjikë të funksionimit, korrupsioni bëhet i pashmangshëm dhe shumë i lehtë, në mënyrë klandestine. I lehtë për t’u bërë, i vështirë për t’u ndëshkuar.

Për qëllimet dhe ambiciet e veta oportune, intelektuali mediokër nuk heziton t’i keqpërdorë dhe të operojë me konceptet: Zoti, morali, parimi, e shenjta, e mira, e drejta, e barabarta. Kur takohet me profesorë, paraqitet si ”erudit i dijes”; kur takohet me ateistët, paraqitet si laiki më i madh; kur takohet me besimtarët, paraqitet si njeriu më i devotshëm; kur takohet me anarkistët, e shanë shtetin dhe institucionet; kur takohet me zyrtarët e shtetit, paraqitet si institucionalist.

Në shoqëritë e krizave politike dhe kulturore, kur ndodhin tragjedi dhe fatkeqësi familjare, ato keqpërdoren dhe instrumentalizohen për qëllimeve rivaliteti politik nga kundërshtarët politikë, në vend se të trajtohen në mënyrë humane dhe ligjore përmes institucioneve. Nuk ka as respekt minimal për procedurat ligjore. Pra, një politikan a zyrtar mediokër, aq është johuman, saqë nuk heziton ta përdorë ndjeshmërinë e një prindi kur e humbë fëmijën e tij në një situatë tragjedie, pa respektuar dinjitetin dhe privatësinë familjare, për ta sulmuar një kundërshtar politik apo për ta projektuar fajin apo shkakun e tragjedisë tek kundërshtari politik, ku kjo – tragjedi – përdoret si mjet konfrontimi politik. Prandaj çdo herë e më shumë, në kontekste të raporteve të tilla politike të deformuara, më bind fjala e Vangjel Koçës, se forma e qeverimit është një grindje të çmendurish.

Heshtja është e barabartë me marrëzi, thoshte dramaturgu anglez Pinter Harold, në esenë e tij ”Të jesh intelektual sot”. Përveç kësaj, mundësi tjetër e intelektualit, sipas Harold, është të protestojë, duke menduar se lufta për një botë më të mirë është më e rëndësishme se fusha e krijimtarisë së tij apo të vëhet në funksion të pushtetarëve dhe të rrijë e të bëjë sehir, se si pafundësisht keqpërdoren vlerat e punës së tij.

Sprova e intelektualit sot qëndron në presionet që rëndojnë mbi të sepse pushteti, diktatura, autoritarizmi, ka një armik: intelektualin kritik. Pra, atë intelektual që edukon gjenerata të reja, që operon me fakte dhe të vërteta, që mundohet të kultivojë ideale, që nxitë mendimin kritik dhe origjinal, që thyen iluzionin dhe kultin e liderit të glorifikuar, që i reziston çdo forme të presionit, joshjes, shantazhit e korrupsionit dhe që nuk i frikësohet reagimeve dhe kundërshtimeve. / KultPlus.com