Këshilli i Prindërve tregon se kur dalin paratë në llogaritë e prindëve për blerjen e teksteve shkollore

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Besnik Dragusha ka thënë se në javën e ardhshme prindërit do t’i kenë mjetet për blerjen e teksteve shkollore.

Sipas tij, gjatë kësaj jave do të hapet platforma e-Kosova dhe para 1 shtatorit prindërit do t’i kenë mjetet për tekstet shkollore.

“Sot besoj që brenda ditës ministria del me njoftim zyrtar saktësisht se si do të jetë kjo pjesë, duke e shpjeguar hap pas hapi edhe procedurimin edhe daljen e mjeteve, por informata është që gjatë kësaj jave platforma e-Kosova do të hapet për aplikim dhe mjetet do të dalin në javën e ardhshme”, tha kryetari i Këshillit të Prindërve.

Tutje, Dragusha tha se do të ketë parapagim për prindërit nga ana e ministrisë, e jo rimbursim.

“Prindërit do t’i kenë mjetet nga ministria në llogaritë e tyre para 1 shtatorit, kjo do të thotë se do të përdoren mjetet e ministrisë nga prindërit, pa pasur nevojë që ata fillimisht t’i blejnë me paratë e veta pastaj të kenë rimbursim, do të thotë do të ketë parapagim jo rimbursim”, u shpreh ai për Gazeta Blic.

Gjithashtu, Dragusha ka folur edhe se si do të jetë mënyra e pagesave për familjet me dy ose më shumë fëmijë.

“Informatat që i kemi nga ministria, familja e cila i ka më shumë se dy fëmijë në shkolla, sistemi e-Kosova është i lidhur me regjistrin civil edhe aplikojnë për dy femijë duke përcaktuar shkollën dhe klasën e fëmijës, varësisht prej shkollës dhe klasës ata do të bëjnë pagesën”, ka thënë kryetari i Këshillit të Prindërve, Besnik Dragusha. / KultPlus.com

Ndalohen tekstet nga Kosova, fëmijët shqiptarë në Preshevë e nisin vitin e ri shkollor pa libra

Fëmijët shqiptarë në Luginën e Preshevës çdo vit mësimin e fillojnë pa tekste mësimore nëpër shkollat e tyre. Librat nga Kosova janë të ndaluara.

Një proces ka filluar në bashkëpunim në mes të Tiranës dhe Beogradit për përdorimin e librave që janë në Shqipëri, por ato i nënshtrohen një sistemi të miratimit nga Ministria e Arsimit në Serbi. Fëmijëve u dhurohen libra nga institucionet, por atyre me etni shqiptare zakonisht vetëm çanta.

Dita e parë e shkollës si një kujtim i paharrueshëm. Nxënësit shqiptarë në Serbi marrin dhuratë çanta, por pa libra. Në shumë njësi mësimore udha e shkronjave për ta zgjatë ende. Në shkollën “Ibrahim Kelmendi”, mësuesi Lulëzim Mehmeti metodën e mësimit e ka më keq se në fillim të karrierës.

Lulëzim Mehmeti, Mësues: “Tani është shumë më e vështirë se atëherë sepse tani na mungojnë shumë tekstet shkollore të nxënësve si: historia, kultura muzikore, gjeografia, natyra dhe shoqëria edhe disa lëndë të tjera ku kryesisht ne arsimtarët japim shënime aty ku gjindemi.”

Përfaqësuesi i qeverisë së Serbisë, Zoran Stankovic, ka arritur këtu për t’u dhënë kurajo. Problemi politik i ka lënë nxënësit pa mundësi. Nga Shqipëria procedurat janë zgjatur, kurse nga Kosova librat nuk lejohen. Në Shkollën fillore Vuk Karaxhiç, nxënësit serbë dhuratat i kanë të plota.

Zoran Stankoviç, përfaqësues i qeverisë serbe: “Nxënësit e fillojnë mësimin me 5 libra të rinj dhe presim 8 të tjera. Një numër tjetër është në fazë të bisedimeve mes Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe Ministrisë së Arsimit. Bëhet fjalë për libra nga Shqipëria”.

Vite më parë policia pati konfiskuar librat që konsideroheshin ilegale edhe nga duart e fëmijëve. Shqiptarët ende nuk i kanë shumë libra.

Armend Aliu, nënkryetar i Bashkisë Preshevë: “Numri i teksteve që është premtuar se do të bëhet gati për nxënësit tanë nuk është ai i cili është premtuar. Kemi arritur që të sigurojmë vetëm 5 tekste në gjuhën shqipe, punojmë që edhe një muaj të sigurohen edhe 8 tekste të tjera. Ky nuk është numri i cili ishte programuar në shkurt të këtij viti ku është thënë se 48 tekste shkollore në gjuhen shqipe do të bëhen gati. Është logjike që ditën e parë të shkollës pushteti lokal duhet t’ja urojë nxënësve edhe me këtë brengën që ky problem po zbvarritet edhe nuk po zgjidhet.”

Për një kohë të gjatë, nxënësit në abetare kanë qenë peng të shkronjes F dhe dyshimit ta mësojnë flamurin shqiptar apo serb./KultPlus.com