Vazhdon bojkotimi i mësimit në gjimnazin “Sami Frashëri”, reagon Këshilli i Prindërve

Profesorët në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë edhe sot në ditën e katërt kanë vazhduar me bojkotimin e procesit mësimor, në shenjë pakënaqësie ndaj mënyrës së emërimit të drejtoreshës së re.

Profesorët po e kundërshtojnë emërimin e drejtoreshës Fahrije Retkoceri, duke thënë se është emëruar jashtëligjshëm.

Lidhur me këtë bojkot të procesit mësimor, ka reaguar Këshilli i Prindërve në Prishtinë, duke thënë se kërkesat e mësimdhënësve për bojkotimin e mësimit në gjimnazin “Sami Frashëri”, kanë të pajustifikueshme.

Në një reagim në Facebook, kryesia shkruan se çështjet e tilla duhet të trajtohen nga organet përgjegjëse, dhe se “vetëgjyqësia që këta arsimtarë po e bëjnë në sy të të gjitha institucioneve shtetërore, përveç dëmit të madh që po ua shkaktojnë fëmijëve tanë, shfaq dhe tregon për prezencë në ndikimin që kanë strukturat joformale”.

“Çdo pretendim që çdokush ka me proceset e përzgjedhjes së drejtorëve duhet të përdorë rrugët ligjore e të pres trajtimin e çështjes. Jemi, njëkohësisht, të habitur e të mllefosur me heshtjen e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, që e ka iniciuar këtë proces; me Inspektoratin e Arsimit, që këqyr sehir e nuk merr asnjë masë, por edhe me Ministrinë e Arsimit që nuk shqetësohet për mos mbajtjen e mësimit në një nga shkollat më të njohura e më të vlerësuara të kryeqytetit. Kjo është e pashembullt dhe e turpshme”, thuhet në njoftim.

Kryesia u ka bërë thirrje institucioneve vendimmarrëse të marrin masa ndaj bojkotit dhe mësimi të rifillojë.

Reagimi i plotë:

Reagim për bojkotimin e mësimit në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë

Kryesia e Këshillit të Prindërve në Prishtinë shpreh pakënaqësinë e papranueshmërinë e plotë me bojkotimin e mësimit në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë – tashmë për të katërtën ditë.

Arsyeja përse një grup arsimtarësh atje po shkaktojnë bojkotimin e plotë të procesit mësimor, për shkak të pakënaqësive me përzgjedhjen e drejtorit të ri, në procedura të zhvilluara nga institucionet përgjegjëse të arsimit, është krejtësisht e pajustifikueshme, kur këtë çështje duhet ta trajtojnë organet përgjegjëse. Vetëgjyqësia që këta arsimtarë po e bëjnë, në sy të të gjitha institucioneve shtetërore, përveç dëmit të madh që po ua shkaktojnë fëmijëve tanë (e edhe rrezikimit fizik të tyre nga shprehjet e pakontrolluara të pakënaqësisë), shfaq dhe tregon për prezencën dhe ndikimin që kanë strukturat joformale nëpër shkolla tona, dhe të cilat tentojnë të imponojnë me mjete joligjore vendimet e tyre krejt njëanshëm e jashtë rrugëve intitucionale.

Në asnjë kontratë, udhëzim, rregullore a ligj nuk ekziston baza juridike që arsimtarët të bojkotojnë mësimin për çështje që fare nuk kanë lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Çdo pretendim që çdokush ka me proceset e përzgjedhjes së drejtorëve duhet të përdorë rrugët ligjore e të pres trajtimin e çështjes.

Jemi, njëkohësisht, të habitur e të mllefosur me heshtjen e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, që e ka iniciuar këtë proces; me Inspektoratin e Arsimit, që këqyr sehir e nuk merr asnjë masë, por edhe me Ministrinë e Arsimit që nuk shqetësohet për mosmbajtjen e mësimit në një nga shkollat më të njohura e më të vlerësuara të kryeqytetit. Kjo është e pashembullt dhe e turpshme!

Iu bëjmë thirrje institucioneve vendimmarrëse për arsimin në kryeqytet: Komunën e Prishtinës, Inspektoratin e Arsimit dhe Ministrinë e Arsimit që pa asnjë vonesë të marrin masa që bojkotimi të ndërpritet dhe fillimi të rifillojë./KultPlus.com

Këshilli i Prindërve të Prishtinës: Mësimi të nisë më 27 shtator, shtyrja e mëtejme e papranueshme

Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës kanë reaguar pas deklaratave të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia i cili tha se IKSHPK-ja ka rekomanduar që të vazhdohet me masat për institucionet arsimore.

Këshilli i Prindërve të Prishtinës ka thënë se ky rekomandim është në kundërshtim të plotë me Udhëzuesin e Ministrisë së Arsimit për vitin 2021-2022.

“Nëse vazhdohet me këso vendimesh joserioze të shtyhet fillimi i procesit mësimor, si dhe të kushtëzohet fillimi i tij me skenarë të shpikur pa nevojë, ne si Këshill i Prindërve në Prishtinë do të shqyrtojmë seriozisht opsionin që të pezullojmë angazhimin e prindërve nëpër shkollat e Prishtinës, si në Këshilla Drejtues ashtu edhe në Task Forcat e shkollave. Nuk përjashtohet edhe thirrja për bojkotim të mbledhjeve të prindërve nëpër klasa”, thuhet në reagimin e Këshillit të Prindërve.

Reagimi i plotë:

Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës vlerëson se deklarimi i Ministrit të Shëndetësisë, z. Arben Vitia, se fillimi i procesit mësimor mund të shtyhet përsëri (meqë IKSHPK paska vlerësuar ashtu) dhe se pas fillimit mësimi nuk do të ndërpritet është edhe i befasishëm edhe në kundërshtim të plotë me Udhëzuesin e Ministrisë së Arsimit për vitin 2021-2022. Ai Udhëzues parashikon katër skenarë të procesit mësimor e jo vetëm një, sikurse ka pretenduar z. Vitia.

Për më tepër, lehtësia me të cilën po deklarohet shtyrja e mundshme e procesit mësimor po na tingëllon edhe e paarsyeshme edhe e papërgjegjshme – sidomos kur nga e hëna u pritka hapja e restoranteve edhe në hapësirat e brendshme (!).

Njëkohësisht këto veprime (parandaluese) janë krejt ndryshe me çfarë është thënë e bërë për më shumë se një muaj nga Ministria e Arsimit dhe drejtoritë komunale të arsimit, se përgatitjet janë bërë për të filluar procesi mësimor, por edhe me të gjitha masat e mëhershme të zhvillimit të procesit mësimor në kohë pandemie.

Nëse vazhdohet me këso vendimesh joserziore të shtyhet fillimi i procesit mësimor, si dhe të kushtëzohet fillimi i tij me skenarë të shpikur pa nevojë, ne si Këshill i Prindërve në Prishtinë do të shqyrtojmë seriozisht opsionin që të pezullojmë angazhimin e prindërve nëpër shkollat e Prishtinës, si në Këshilla Drejtues ashtu edhe në Task Forcat e shkollave. Nuk përjashtohet edhe thirrja për bojkotim të mbledhjeve të prindërve nëpër klasa.

Ju bëjmë thirrje të gjitha institucioneve vendimmarrëse, që të jenë serioz e të përgjegjshëm për deklarimet e vendimet që marrin për procesin mësimor dhe që më datë 27 shtator të fillohet procesi mësimor – me një skenar të pranueshëm e të përshtatshëm. Shtyrja e mëtejme do të jetë absolutisht e papranueshme për ne./KultPlus.com

Këshilli i Prindërve të Kosovës kërkon që mësimi të fillojë më 1 shtator

Këshilli i Prindërve të Kosovës kërkon që procesi mësimor të nisë më 1 shtator me prezencë fizike në shkollë. Thotë se kërkesa për shtyrje të mësimit është bërë nga Këshilli i Prindërve të Prishtinës, i cili sipas Ymer Rashitit, kryetar, Këshilli i Prindërve të Prishtinës nuk ka legjitimitet pasi nuk është pjesë e Këshillit të Prindërve të Kosovës.

“Kjo është një manipulim dhe prapa këtij manipulimi qëndron dikush që nuk ia do të mirën arsimit. Është fatkeqësi që laje të tilla të cilat janë jo zyrtare të bëhen lajm zyrtar. Kjo duhet të hetohet sepse kjo ka shqetësuar të gjithë këshillin e prindërve në nivel të Kosovës’, tha Rashiti për RTK’në.

 “Sa për sqarim, këshilli i prindërve i Komunës së Prishtinës është vetëm një këshill komune dhe përfaqëson vetëm prindërit e asaj komune. Ndërsa Këshilli i Prindërve të Kosovës, në të cilin unë jam kryetar, përfaqësojmë të gjitha komunat e Kosovës”, shpjegoi ai.

“Këshilli i Prindërve të Prishtinës më 2019 është tërheq vullnetarisht dhe nuk është më pjesë e Këshillit të Prindërve të Prishtinës dhe ai Këshill s’mund të ketë legjitimitet’, shpjegoi Rashiti.

 “Këshilli i Prindërve të Prishtinës nuk i përfaqëson prindërit e krejt Kosovës.Jemi të vendosur që mësimi të fillojë më 1 shtator dhe nuk ka vendim tjetër nga këshilli i Prindërve të Kosovës apo nga prindërit që ne përfaqësojmë”, theksoi Rashiti.

Ndërkohë Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës thotë se janë të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor. Ymer Ymeri nga SBASHK’u tha se s’kanë informatë zyrtare për shtyrje të fillimit të vitit të ri shkollor por se sipas tij do të respektojnë çdo vendim të institucioneve kompetente.

“Informata të sakta zyrtare nuk kemi. Kemi informata se është kërkuar nga Këshilli i Prindërve të Prishtinës dhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për shkak të situatës së krijuar nga pandemia dhe rasteve të shumta të infektimeve që po paraqiten edhe sot edhe ditëve të kaluara që fillimi i vitit të ri shkollor të fillojë më 13 shtator. Nuk është e konfirmuar, nuk është vendim i marrë”, tha Ymeri për RTK’në.

“Me siguri qeveria me ndryshimin e masave të përkohshme që janë tani në fuqi me siguri pritet që të merret parasysh edhe ky qëndrim’, shtoi ai.

“Të gjitha shkollat teknikisht janë të përgatitura me përjashtim të dy a tri shkollave që në nivelin e Kosovës që janë duke u bërë disa ndërhyrje, ndërsa shkollat tjera janë gati”, theksoi Ymeri.

“Gjithashtu edhe mësimdhënësit janë gati për fillimin e vitit të ri shkollor. 82-83 për qind e mësimdhënësve janë të vaksinuar. Është një numër i madh. Mësimdhënësit janë të gatshëm me filluar edhe me 1-shtator por edhe në të gjitha variantet, qoftë në variantin me prezencë fizike, qoftë në variante të tjera, mësimdhënësit janë të përgatitur”, përfundoi Ymeri.

Sot gjatë ditës qarkulluan lajme se nisja e mësimit do të shtyhet deri më 13 shtator./KultPlus.com