Nesër hapet ‘Kino n’oborr’, ofron falas shfaqjen e filmave kosovarë

Nesër, në kopshtin e CNP-së do të bëhet hapja e ‘Kino n’oborr’, ku për një muaj radhazi do të shfaqen pa pagesë filma të ndryshëm kosovarë, shkruan KultPlus.

‘Luaneshat e Kodrës’ me regji të Luana Bajramit, është filmi i parë që do tu paraprijë filmave të tjerë, duke u shfaqur që nesër me fillim nga ora 20:00.

Në rolin kryesor të këtij filmi do të jenë aktorët nga Kosova, Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj dhe Andi Bajgora.

Filmi ‘Luaneshat e Kodrës’ ishte i pari nga Kosova që pati premierë në Festivalin e Kanës në kategorinë ‘Director’s Fortnight’. Brenda tij përfshihet historia e tre grave të reja të cilat vendosin të ikin nga jeta e tyre e përditshme dhe të krijojnë një bandë.

Ky projekt është realizuar nga CNP-ja në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës, përmes të cilëve do të organizohet shfaqja mujore e filmave kosovarë.

Kujtojmë se që prej nesër, me datë 13 korrik me fillim nga ora 20:00 do të hapet mundësia e shikimit falas të filmave kosovarë. / KultPlus.com

Të mërkurën ‘Luaneshat e Kodrës’ në Kino Armata

Të mërkurën (14 shtator) do të shfaqet filmi “Luaneshat e Kodrës” në Kino Armata.

Filmi nis në orën 19:00.

Sipas njoftimit, regjisorja Luana Bajrami do të jetë prezente pas filmit për t’u përgjigjur pyetjeve të audiencës.

“Diku në Kosovë, në një fshat të vogël të largët, tri të reja shohin ëndrrat dhe ambiciet e tyre duke u ndrydhur. Në kërkimin e tyre për pavarësi, asgjë nuk mund t’i ndalojë: është koha për t’i lënë luaneshat të ulërijnë”, përshkruhet filmi.

“Ti gjithmonë kthehesh këtu, ndërsa ne duam vetëm të ikim”, thotë regjisorja Bajrami.

LUANESHAT E KODRËS është historia e tre mikeshave të reja që u rritën në një fshat ku mbretëron injoranca dhe mërzia dhe që vendosin në kulmin e jetës së tyre të dalin së bashku prej tij. Filmi mbartet nga këto tre figura goditëse që rebelohen kundër padrejtësisë së gjendjes së tyre që nuk e zgjodhën./ KultPlus.com

Mbrëmë në Mitrovicë u hap ‘Java e Filmit Kosovar’

Java e Filmit Kosovar nisi mbrëmë me filmin “Luaneshat e Kodrës” të regjisoren Luana Bajrami në kinemanë e hapur të 7Arte, në Mitrovicë, përcjellë KultPlus.

Në ceremoninë e hapjes organizatori Lulzim Hoti, theksoi se kjo nismë ka ardhur si rezultat i nevojës së të rinjve për tu ndeshur me magjinë e kinemasë, si dhe për të promovuar vlerat e kinematografisë kosovare.

Drejtoresha e DKRS’së Valdete Idrizi, përgëzoi organizatorët për aktivitetin në fjalë, si dhe konfirmoi se janë duke u bërë përpjekje për aktivizimin e kinemasë në kuadër të Qendrës së Kulturës në Mitrovicë.

Nata e parë u hap me shfaqjen e filmit “Luaneshat e Kodrës” nën regjinë e Luana Bajramit, film ky i cili u prit me mjaftë interesim nga audienca mitrovicase. Filmat e paraparë gjatë ditëve në vijim janë: Zana, Babai, Cirku Fluturues, Zgjoi, Në Mes, si dhe Rooftop Story.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. / KultPlus.com

“Luaneshat e Kodrës”, britma e jetës dhe moderniteti

Nga Luan Rama

Qendra Kombëtare e Filmit francez (CNC) shfaqi në Paris në një nga sallat e saj filmin « Kodra ku hungurojnë luaneshat » i regjisores së re Luana Bajrami. Është filmi i saj i parë me metrazh të gjatë dhe i dyti si regjisore pas një filmi me metrazh të shkurtër, ndërkohë që ka interpretuar role të ndryshme në shumë filma francezë. Ajo vjen nga një shkollë teatri në Francë, e cila Kosovën e ka lënë që në moshën shtatë vjeçare dhe ka brenda vetes një shije të veçantë letrare çka duket e ka ndihmuar të ngjisë me shpejtësi shkallët e Artit të Shtatë. E takova para shfaqjes, bashkë me producenten e saj. Do të shikonim një bashkëpunim franko-kosovar, një trupë krijuesish të rinj çka shpejt do na dëshmonin për mjeshtërinë e tyre. Mbrëmë ky film për mua ishte një nga surprizat e bukura të kinematografisë kosovare meqë interpretuesit dhe dekori janë të Kosovës, në një qytezë si duket pranë Prishtinës. Vitet e fundit kinematografia e Kosovës na ka shfaqur surprizë pas surprize, por ky film nuk di pse më dha ndjesinë të pikëtakoja “nouvelle vague” franceze, për nga aspekti i një gjuhe të re filmi, një risie të re, siç e sollën atë në vitet ’60 regjisorë si Godard, Truffaut, Rohmer, Chabrol me aktorë si Depardieu, Belmondo, Deware, Miou-Miou, Huppert, etj. Një frymëmarrje si duket e ngjashme, çka më bën të mendoj për këtë “Valë të Re”. Një histori e thjesht po aq dhe dramatike. Tri vajza të reja në jetën e tyre të përditshme në një fshat disi të humbur pas traumave të luftës dhe varreve që i ndesh ngado. Një botë monotone ku jeta e femrës ndeshet parreshtur me barrierat e një mentaliteti të vjetër, çka ehot e Kanunit nuk janë shumë të largëta. Janë vajza që e duan jetën, që mendojnë për të ardhmen, ëndërrojnë, ku në shpirtrat e tyre ka një lloj mederniteti të cilën këto tri vajza e shfaqin gradualisht, me forcë dhe ndjeshmëri, ku trupi flet dhe dëshira pulson, ku kamera i ndjek në lirinë e plotë të shpirtit dhe trupit. Ka një lloj egërsie në shfaqje të parë por që shpejt spektatori prek ndjesinë delikate të shpirtit të tyre. Dhe kur portat e shkollimit në universitet u mbyllen, çka ishte ëndrra e tyre, ato rebelohen, dhe kërkojnë ti kundërvihen shoqërisë së mbyllur maçiste. Aktoret janë të çliruara dhe të ngjan se luajnë vetë jetën e tyre, pa artifise, ku një kamera poetike dhe dinamike njëkohësisht na zbulon luhatje, tronditje, shpirti, edhe pse në sfondin muzikor disi të ngarkuar. Brenda kësaj drame ndërthuret një linjë tjetër, ajo e një vajze po nga Kosova e ardhur në Francë, si të ishte simotra e Luanës, ardhur aty për pushime për të parë gjyshen e saj, e dashuruar pas letërsisë franceze dhe që në duar, jo më kot ka librin e Zolasë, « L’Assommoir », që siç thotë personazhi « është një kryevepër ». Është vetë fati i trishtë i një gruaje që e do jetën dhe që pesha e shoqërisë e thyen atë.

Filmi i rikthehet gjithnjë asaj kodre që na prezanton në fillim, si të jetë një kodër mitike, magjike, asaj kodre ku tri vajzat klithin njëherësh britmën e tyre të shpirtit, e vajzave të ndrydhura dhe pa shpresë. Një britmë migjeniane në atë kodër të xhveshur, me gurë e me varre, si shenjë e një realizmi magjik. Nga një aventurë euforike dhe pikëtakimi me lirinë, ato më së fundi rikthehen në fshat pa mundur të shkojnë jashtë vendit të tyre dhe ku një vizë-kalimi është hipotetike. Por rikthimi i tyre është i dhimbshëm. Luaneshat duket se bien në një çark të shoqërisë ku vetëm britma u ka mbetur. Janë padyshim personazhe plot dritë, portrete plot humanizëm me vetë dramën e një shoqërie që kërkon të kapë trenin e kohës. Dhe gjithë kjo më ngjan me shfaqjen e një “Vale të Re” të kinematografisë kosovare. / KultPlus.com

Kosova merr pjesë në Festivalin e Filmit Frankofon në Romë me “Luaneshat e Kodrës”

Bëhet e ditur se Kosova do të marrë pjesë në Festivalin e Filmit Frankofon në Romë.

Vendi ynë pritet të përfaqësohet nga filmi “Luaneshat e Kodrës” i regjisores Luana Bajrami, që tashmë ka fituar shumë çmime ndërkombëtare.

Kjo është njoftuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali në një postim të shpërndarë në faqen e tyre në Facebook.

Postimi i plotë i tyre:

“Kosova merr pjesë në Festivalin e Filmit Frankofon në Romë!https://zeri.info/inarticle.html

Të gjithë ju që gjendeni në Romë do të keni mundësi të shihni filmin kosovar që do të shfaqet gjatë Festivalit të Filmit Frankofon, i cili organizohet nga data 10 – 18 mars 2022.

Këtë vit, Kosova do të përfaqësohet nga filmi “Luaneshat e Kodrës” i regjisores Luana Bajrami, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare.

Filmi do të shfaqet në gjuhën shqipe me titra në gjuhën angleze, me 13 Mars 2022 në ora 18:30 në Institutin Francez Centre Saint – Louis.

Hyrja është pa pagesë, ndërsa kërkohet Super Green Pass dhe maskë FPP2”. / KultPlus.com