‘Eja, eja Lule Borë’ nga Françesk Radi (VIDEO)

Françesk Radi ishte këngëtar shqiptar nga Shqipëria. I përket brezit të artistëve të viteve `70 të shekullit XX. I cilёsuar si kantautori i parё shqiptar, ai solli risi nё muzikёn e lehtё moderne shqiptare. 

Sot në 74 vjetorin e lindjes së tij KultPlus ju sjell këngën ‘Lule Borë’:

Tuj shetit un n’mal e n’koder,
tuj prek lulet t’gjith me dorë,
ne n’nji kopsht ma t’buk’ren n’Shkoder,
ty të gjeta luleborë

Je e vogel por e plotë,
ty t’kerkoj un tash sa mot,
tash sa mot un ty t’kërkoj,
veç me ty jeten ta coj,
Eja, eja luleborë,
se me ty do thur kuror.
Eja, eja luleborë,
se me ty do thur kuror.

Pash’ ma t’buk’ren stinë t’pranverës
Pash’ ma t’buk’rin drandofill!
Mos t’ja falish kuj ti erën
Se për mu vetëm ke çilë!

Është mbajtur koncerti jubilar “Lule borë” për nder të kompozitorit dhe dirigjentit Simon Gjoni

Në teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit është mbajtur koncerti jubilar “Lule borë”, kushtuar 100-vjetorit të kompozitorit dhe dirigjentit të shquar shqiptar, Simon Gjoni.

Koncerti u interpretua nga Orkestra Simfonike e RTSH, dirigjuar prej mjeshtrit Eno Koço. Të pranishëm ishin edhe solistë të mirënjohur si Inva Mula, Kastriot Tusha, Eva Golemi, Erinda Agolli, Denis Skura, Flaka Goranci e Armando Likaj etj.

Të pranishmit në sallë e kanë vlerësuar si një koncert të shkëlqyer, homazhin për një emër aq të rëndësishëm të muzikës shqiptare, siç ishte Simon Gjoni.

Simon Gjoni i përket brezit të krijuesve dhe muzikantëve që bënë historinë e muzikës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai ishte pjesë e brezit të kompozitorëve shkodranë bashkë me Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Gjon Kapidani etj.

Për krijimtarinë e tij është folur e shkruar pak edhe pse fama e këngës “Lule borë” e ka shenjuar emrin e tij në disa breza shqiptarësh.

Përveç kompozimit, Simon Gjoni do të mbahet mend edhe si një nga dirigjuesit e parë të Orkestrës Simfonike të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Orkestrës së RTSH. / KultPlus.com

Kënga “Lule Bore” interpretohet nga artistë me aftësi të kufizuar

 Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara u përcollën edhe njëherë mesazhe të fuqishme me moton “Askush të mos mbetet pas”, në çdo fushë të jetës, që nga arsimi, deri te sportet dhe artet.

Në bashkëpunim me sopranon me famë botërore Ermonela Jaho, të rinj nga disa kategori të aftësisë së kufizuar, artistë të talentuar, disa prej tyre diplomuar ose që studiojnë në Universitetin e Arteve, sjellin në një doku-klip dëshmitë e tyre për vështirësitë që ka jeta e një artisti me aftësi të kufizuara, si dhe shfaqin talentin e tyre me një interpretim fantastik.

Kjo video fantastike vjen në kontekstin e një programi të përbashkët të OKB-së që zbatohet nga UNDP dhe agjenci të tjera të OKB- së në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe me mbështetjen financiare të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri./KultPlus.com