Hapet thirrja për financimin e projekteve për avancimin e standardeve të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar

Qeveria e Kosovës e ka deklaruar vitin 2022 si vit të personave me aftësi të kufizuar.

Në përputhje me zotimin qeveritar është hapur thirrja për financimin e projekteve/programeve të OJQ-ve dhe Individëve për Avancimin e standardeve të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar në Kosovë për vitin 2022.

Bashkangjitur gjeni informatat shtesë dhe mënyrën e aplikimit:
https://bit.ly/3JuwnCt / KultPlus.com

Kënga “Lule Bore” interpretohet nga artistë me aftësi të kufizuar

 Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara u përcollën edhe njëherë mesazhe të fuqishme me moton “Askush të mos mbetet pas”, në çdo fushë të jetës, që nga arsimi, deri te sportet dhe artet.

Në bashkëpunim me sopranon me famë botërore Ermonela Jaho, të rinj nga disa kategori të aftësisë së kufizuar, artistë të talentuar, disa prej tyre diplomuar ose që studiojnë në Universitetin e Arteve, sjellin në një doku-klip dëshmitë e tyre për vështirësitë që ka jeta e një artisti me aftësi të kufizuara, si dhe shfaqin talentin e tyre me një interpretim fantastik.

Kjo video fantastike vjen në kontekstin e një programi të përbashkët të OKB-së që zbatohet nga UNDP dhe agjenci të tjera të OKB- së në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe me mbështetjen financiare të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri./KultPlus.com

‘ROI Academy’ ofron 120 bursa për aftësim profesional të personave me nevoja të veçanta

Në një kohë kur personat me nevoja të veçanta ende janë të lënë pas dore, dhe për më tepër, nuk përfillen as ligjet e rregulluara për ta, po ndërmerren nisma të ndryshme private, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për trajtim të mirëfilltë të personave të përfshirë në këtë kategori.

Problemi më madhor i personave me nevoja të veçanta, edhe më tutje vazhdon të mbetet mospërfshirja e tyre në vendet e punës, çfarë ua pamundëson të ndihen të barabartë me pjesëtarët e tjerë të shoqërisë.

Duke e pasur parasysh faktin që këta persona, jo vetëm që kanë probleme për t’u qasur në tregun e punës, por edhe për t’u shkolluar, atëherë qendra e trajnimeve profesionale, ROI Academy, ka vendosur që të ndërmarrë një hap për t’i ndihmuar personat e kësaj kategorie, por edhe për t’i sensibilizuar bizneset që punësimi i tyre nuk është barrë, por vlerë e shtuar e secilës kompani.

Sipas drejtorit ekzekutiv të ROI Academy, Arb Abdyli, ndarja e këtyre bursave është momenti më i veçantë që nga themelimi i kësaj akademie.
“E dimë që personat me nevoja të veçanta fizike janë të diskriminuar dhe nuk u janë plotësuar kushtet as për qasje në edukim dhe as në punësim. Ne po mundohemi ta ndryshojmë këtë gjë, duke i pajisur ata me njohuri praktike mbi fushat aktualisht më të kërkuara në tregun e punës”, theksoi ai.

Sipas tij, inspirimi për ndërmarrjen e kësaj nisme ka ardhur pasi një person i verbër, edhe përkundër të gjitha vështirësive dhe pengesave, pak muaj më parë ishte bashkëngjitur dhe e kishte përfunduar me sukses trajnimin për marketing digjital.

Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet bashkërisht me organizatat dhe individët që merren me këtë kategori, ndërkaq të njëjtit do të kenë mundësi të përzgjedhin 9 fusha të ndryshme për t’u trajnuar, përfshirë marketingun digjital, dizajnin grafik, programimin, video animacionin, sigurinë kibernetike, etj.

Përmes kësaj nisme, ROI Academy po synon të nxisë dhe inspirojë të gjitha bizneset që të japin kontributin e tyre përmes punësimit, shkollimit dhe aftësimit profesional të personave me nevoja të veçanta.

Sipas ligjit të Kosovës, një ndërmarrje është e obliguar që në çdo 50 të punësuar të punësojë një person me nevoja të veçanta, ndërkaq, sipas statistikave, në Kosovë jetojnë rreth 250.000 persona që i takojnë kësaj kategorie. / KultPlus.com

Selmani: Jemi shumica larg vite dritë me e kuptu gjendjen e personave me nevoja të veçanta

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën jetojnë me aftësi të kufizuar.

Këta persona, përgjithësisht, kanë më shumë probleme shëndetësore, mundësi më të pakta ekonomike, edukim dhe arritje akademike më të ulëta. Kjo ndodh më së shumti për shkak të barrierave me të cilat ata përballen në jetën e tyre të përditshme, se sa si rrjedhojë ekskluzive e aftësisë së kufizuar.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar 3 dhjetor, u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit.

Në Kosovë, janë dukshëm më të theksuara problemet me të cilat përballen personat me aftësi të veçanta. Gazetari Arbër Selmani, duke pasur një familjar me aftësi të veçanta për të cilin ai kujdeset çdo ditë, ka reaguar sot përmes një statusi në Facebook, duke treguar ballafaqimin e tij të përditshëm me infrastrukturën aspak adekuate për këto raste dhe problemet tjera shtesë. Sipas tij, shoqëria jonë është larg vite dritë për ta kuptuar gjendjen e personave me nevoja të veçanta.

KultPlus ju sjell reagimin e tij të plotë pa ndërhyrje:

Sot osht Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta
Para banesës teme, është një kalim për karroca të çfarëdoshme. Prindërit debilla, njerëzit që thirren në edukim dhe edukojnë e shumëzojnë padyshim debilla të tjerë, qytetarë që dojnë me e shti kerrin mrena në banesë prej zorit e budallakisë, e parkojnë kerrin bash para kësaj pjese edhe nuk e mendojnë që hiç hiç, këtu kalon një vajzë a një djalë me një shoqërues, në karrocë invalidore. Së paku një person me nevojë të veçantë kalon këtu se shkallëve nuk mundet.
*
Në Kosovë, thirremi fuqishëm që i respektojmë të drejtat e njeriut, e n’fakt personat me nevoja të veçanta as nuk i bojmë hesap dhe diqysh sikur e kemi të instalume që janë pak në numër edhe duhet me i lonë veç në kutinë ku ata gjoja se përkasin.
Pse? Sepse kurqysh nuk na hin në mendje me kriju një infrastrukturë edhe për këta njerëz. E kom potencu edhe ma herët, edhe tash: nëse mendoni që duhet me i parku 10 kerre afër njëra tjetrës e me i bashku gati se krejt, ta dini që sigurtë gjatë ditës e keni pengu një person me karrocë edhe një familjar me lëvizë lirshëm, në hapësirën mes veturave.
Ma kanë blloku krejt mahallën prej punimeve, duhna me u sillë me karrocë okolla-okolla me mujt me e vazhdu shëtitjen me personin tjetër.
Në Breg të Diellit, ku është drejtoria e Rrugëve të Kosovës e Ministrisë së Infrastrukturës, me vite kerret e kanë blloku lëvizjen te një kalim (korsi) e krijuar për karroca, qoftë për njerëz me nevoja të veçanta qoftë për karroca të llojeve e funksioneve tjera.
Para 3 muajve, te kalimi bash para NeëBorn, rreth 20 veta rrijshin si trullqa ndërsa një gru kishte nevojë me e shty se kish mbetë në mes të rrugës me karrocë. Nëse në këtë rast nuk reagoni, besomni që nuk ka as fe, as Zot e as birmilet që ju çon diçka të mirë juve e familjes tuaj.
*
Në Kosovë edhe krejt aftësitë me i pasë, jeta shtyhet me të vjellme, e lo mo ndryshe. Jemi (jeni) shumica larg vite dritë me e kuptu gjendjen e personave me nevoja të veçanta, dhe më pas me e ndryshu pak stilin tuaj të jetës në përshtatje të këtyre njerëzve. Mos të harrojmë që edhe deputetët që i kena rrush e me shpirta prush, para disa vjetve nuk dojshin me ju ndihmu personave me nevoja të veçanta.
Meqë në Kosovë nuk ma ndrron mendjen kërkush që shumica jetojmë të pasigurtë në vete, nuk e dimë çka dojmë, kush jemi, pse jetojmë, pra shumica jetojmë në një pluhnosje mendore dhe fizike, kish qenë mirë me i thirrë mendjes e me i ndihmu secilës kategori që mundemi, në çfarëdo forme që mundemi.
Sot osht Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta, dhe ka shumë pak rëndësi sepse ish dashtë secili me vepru ndryshe e me mendu edhe dikënd tjetër pos vetes. / KultPlus.com