Çmimi Evropian i Poetit të Lirisë ndahet mes Shqipërisë dhe Ukrainës, Luljeta Lleshanaku befason me ‘Ujë dhe karbon’

Çmimi Letrar Evropian i Poetit të Lirisë për vitin 2022 i qytetit Gdańsk të Polonisë, ndahet për herë të parë në histori mes dy fituesesh, nga Shqipëria dhe Ukraina. Vlerësimi mban zyrtarisht emrin e Luljeta Lleshanakut dhe poetes ukrainase Marianna Kiyanovska…

“Një kryevepër të plotë dhe të përfunduar”, kështu e konsiderojnë 7 anëtarët e jurisë veprën “Ujë dhe karbon” të Luljeta Lleshanakut, teksa vlerësojnë “poeten erudite, që u fal lexuesve në të gjithë botën një poezi të kristaltë e të pametë”. Ndërsa shtojnë më tej se “Tema e poezive të Lleshanakut është një përshkrim emocionues i gjetjes së lirisë në botën e skllavërisë ku ajo lindi dhe u rrit”.

“Argumenti i jurisë më lumturon barabar me çmimin. Në njëfarë mënyre boshti i librit është poezia “Ujë dhe karbon” që është ndër të pakta poezi të mija të drejtëpërdrejta për vuajtjet në diktaturë. Por mendoj se kanë vlerësuar edhe nuancat e shprehjes së lirisë në poezitë e tjera. Pra nëse kjo është taam liri politike, poezitë e tjera kanë të bëjnë me iluzionin e lirisë, me lirinë dhe identitetin, pra t’i gjen perceptime të ndryshme të lirisë në kohën tonë”, thotë poetja Lleshanaku.

“Ujë dhe karbon” i përkthyer me mjeshtëri nga Dorota Horodyska, është libri i dytë i Lleshanakut në polonisht.  Kjo poezi, siç thuhet në motivacion krijon përshtypjen e përsosmërisë.

“E vlerësoj në veçcanti faktin se kjo poezi që flet për mungesën e lirisë në diktaturë ka të bëjë me një realitet të cilin polakët e njohin mirë. Pra është shumë e vështirë t’i habisësh, për më tepër që anëtarët e jurisë i përkasin një brezi që e njohin mirë epokën komuniste, edhe pse  nuk mund të bëhen të bëhen krahasime midis komunizmit në Poloni dhe komunizmit stalinist në Shqipëri. Pra, nëse ja kam arritur të realizojë një poezi të tillë dhe në një farë mënyre t’i impresionoj anëtarët e jurisë do të thotë që kam mundur të tregoj një histori autentike, por e sjellë në një këndvështrim filozofik, të marrdhënies midis filozofisë materialiste të epokës komuniste dhe vlerave morale të shoqërisë”, shton më tej poetja.

Lleshanaku, po me përkthimin e Horodyskas, ka qenë finaliste e Poetit EUropian të Lirisë një dekadë më parë me vëllimin “Fëmijët e natyrës”, kur për përshtatjen e saj Dorota, u vlerësua me çmimin prestigjioz të revistës  Literatura na Śëiecie.

“Kur dëgjuam për  hapjen e garës në këtë edicion të 7-të menduam Dorota mendoi të provonim dhe u interesua pranë jurisë nëse mund të konkuronim sërish me poezinë e Lleshanakut, dhe ata  i thanë: “Mezi po e presim!” Kështu që morëm pjesë”, tregon poetja.

Poetja ukrainase Kiyanovska u përzgjodh si fituese me “Zërat e Babyn Yar” një poemë vajtuese për Luftën. Ky vlerësim, shpërblen edhe përkthyesit e vëllimeve të përzgjedhura dhe jepet  njëherë në dy vjet. Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në Gdańsk më 10 qershor gjatë Festivalit Evropian të Poetit të Lirisë që mbahet në datat 9-11 qershor.

Por, pas përzgjedhjes nga Akademia Gjermane e Gjuhës dhe e Poezisë, ndër poetët e rekomanduar për këtë vit e vlerësimit në Poloni… për Lleshanakun propozimi i radhës vjen nga Franca.

“Më është bërë një ftesë nga një botues francez për botimin e një vepre në frëngjisht. Ky është në proces, të shohim si do të shkojë sepse fati i botimeve është një aventurë në vete”, thotë poetja…

Pas një shkëputje të imponuar nga rrethanat, Lleshanaku rrëfen se këto kohë ka rinisë të shkruajë. Poetja ka qenë pjesë e një programi të Fondacionit Landis & Gyr, që u ka mundësuar disa artistëve të krijojnë një rezidencë në Zug të Zvicrës.

“Kam shkruar gjatë qëndrimit atje, është çka më bën më shumë të lumtur”, tregon Lleshanaku.

Këto ditë poetja shqiptare është e ftuar në edicionin e 44- ët, të “Solothurn Literature” në Zvicër që mbahet nga 27-29 maj./Shqiptarja.com/ KultPlus.com

Poetja Luljeta Lleshanaku nominohet për çmimin e rëndësishëm letrar në Poloni

Poetja Luljeta Lleshanaku është nominuar për çmimin letrar “Poeti Europian i Lirisë 2022”, organizuar nga qyteti Gdansk në Poloni, shkruan KultPlus.

Ky çmim vie si nderim për shkrimtarët të cilët kanë tentuar t’i bëjnë vend në poezitë e tyre fenomeneve si liria si dhe që kanë një vlerë artistike.

“Poeti Europian i Lirisë 2022”, do t’i jepet një poeti nga Evropa i cili është gjallë, teksa Lleshanaku është në garë me 4 shkrimtarë tjerë nga Çekia, Ukraina dhe Sllovenia.

Poezitë e Lleshanakut janë përkthyer nga shqipja në polonisht nga përkthyesja Dorotha Horodynska. / KultPlus.com

Luljeta Lleshanaku, kandidate për “Pen Amerika 2019”

Poetja shqiptare Luljeta Lleshanaku renditet ndër pretendentet për çmimin e madh Pen Amerika 2019. Libri i saj me poezi “Negative space” përkthyer nga Ani Gjika renditet bri librave të më të mirë në botën anglishfolëse në këtë gjini.

Libri është botuar nga Bloodaxe dhe është një përmbledhje në anglisht e dy librave të botuar në origjinal nga shtëpia botuese OMBRA GVG: “Pothuajse dje” (2012), dhe “Homo Antarcticus” (2015).“Homo Antarcticus” ose “Njeriu i Antarktidës”, nënkupton specien tonë të humbur, ato tipare që civilizimi i ka rrafshuar te njeriu. Frank Wild, i cili është një nga heronjtë realë që i mbijetoi kushteve ekstreme të Antarktidës për dy vjet, më pas nuk arriti t’i mbijetonte qytetërimit, normalitetit.

Kjo histori e cila është pak a shumë historia e shumë zbuluesve, më ngacmoi një pyetje të vjetër që më mundonte prej kohësh: cili është heroi i vërtetë, ai që arrin të ndeshet me të pamundurën dhe të ia dalë, apo ai, njeriu i rëndomtë, “antiheroi”, i cili duhet të punojë përditë për të siguruar bukën e gojës, për të paguar qiranë, shkollën e fëmijëve, kredinë e bankës, me ankthin e përjetshëm për t’u ndjerë i pranuar në shoqëri.

Por si çdo poemë e gjatë, ajo prek edhe çështje të tjera, si: shoqërinë e konsumit, rolin e individit, personazhet në hije, absurditetin e luftërave, egon kolektive etj”, është shprehur Lleshanaku për “Homo Antarcticus” në një intervistë kohë më parë. Përkthyesja e librit në anglisht Ani Gjika, për përkthimin e këtij libri është vlerësuar me çmimin e PEN-it anglez dhe me një grant nga National Endowment for Arts në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë “Hapësira negative” është njëri nga librat e rekomanduar nga Poetry Society në Angli.Ja se si shprehet në komentin e tij, poeti dhe përkthyesi George Szirtes: “Hapësira negative e poetes shqiptare Luljeta Lleshanaku është libri i saj i dytë i botuar në Mbretërinë e Bashkuar, megjithëse New Directions në Shtetet e Bashkuara, e ka botuar që në vitin 2002.

E lindur në vitin 1968 dhe e vlerësuar si një poete kryesuese e brezit të saj, Lleshanaku është përkthyer fuqishëm nga Ani Gjika. Libri fillon me një poemë të gjatë që i referohet zbuluesit të Antarktidës Frenk Uajld, krahut të djathtë të Shakëlltonit. Kjo poemë është plot forcë, dhe ofron një revokim të kursyer por të gjallë, pothuajse filmik, të jetës së Uildit, që mund të shërbejë si një lloj analogjie e vetë jetës së autores.

Prej këtu, autorja lëviz nëpër një varg karakteresh dramatike, para se të rikthehet përsëri në vetën e parë. Syri i saj është kureshtar; shqisa e saj për të ndërtuar detajin, herë pas here të mahnit. Dhe ç’është më e rëndësishmja, ajo i paraqet lexuesit një version të besueshëm të botës…Kështu që janë thjesht gjërat në vetvete, ai grumbull mbresëlënës copërash, fragmentesh, ku lënda përzihet me idetë në mënyrën më të natyrshme të mundshme, me një shkathtësi numrash akrobatikë.

Ajo nuk bën asgjë ekstravagante në aspektin teknik ose atë retorik. Ajo flet drejtpërdrejt: por vetëm se ky i folur direkt është i mprehtë (ashtu siç është edhe përkthimi) dhe e vë gishtin drejt e në plagë”. Ndërsa në prezantimin që botuesi i bën autores në kopertinë, ndër të tjera thuhet: “Shumë nga poezitë nuk i referohen ndonjë vendi specifik ose kohe specifike.

Ngjarjet intervenojnë midis tyre dhe ngjarje të reja marrin formë, ashtu si në poemën e saj të gjatë “Homo Antarcticus”, e cila ndjek fatin e një heroi, i cili, ndërsa ia doli të përshtatej për muaj me radhë me vdekjen nga uria në Antarktidën e ftohtë nën zero gradë, nuk mundi të përshtatej më pas me jetën në qytetërim. Kjo është njëra nga poemat në libër që flet për presionin e shoqërisë moderne mbi individin.

Brenga dhe vdekja, dashuria dhe dëshira, burgosjet dhe zhgënjimi, janë të gjitha tema që bëjnë jehonë në poezinë magjepsëse të Lleshanakut”. “Hapësira negative” është libri i dhjetë i autores, botuar në gjuhë të tjera, pas: Haywire; New& Selected Poems (Bloodaxe Books, Londër, 2011), Fresco (New Directions, SHBA, 2002), Child of nature (New Directions, SHBA, 2010), Kinder der Natur (Edition Korrespondenzen, Austri, 2010), Dzieci natury ( Stowo / Terytoria Obraz, Poloni, 2011), Antipastorale (LietoColle, Itali 2006), Ponedjeljak u sedam dana (Versopolis edicija, Kroaci, 2015), Lunes en Siete Días(Olifante, Spanjë, 2017) dhe Pondelok v siedmich dӣoch (Občianske združenie VLNA, Sllovaki, 20113 dhjetor 2018 (gazeta-shqip.com). /KultPlus.com