Komuniteti artistik në vend është hidhëruar nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të Hermon Madhit.
Hermon Madhi ishte mësues i artit pamor, në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Dhimbjen për ndarjen si edhe ngushëllimet për familjen Madhi, i ka shprehur edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
“Si shok klase në Lice, e kujtoj për stilin e tij unik, për mendimin e lirë dhe frymën moderne, për shpirtin rebel, por mbi të gjitha, për zemrën e tij të mirë. U prehsh në paqe Hermon”, shkruan ministri Gonxhja në rrjetet sociale.
Hermon Madhi ishte profesor i pikturës dhe historisë së artit, nip i piktorit Guri Madhi. /atsh/ KultPlus.com
Më 15 maj të vitit 1923 lindi Guri Madhi, një prej artistëve më të rëndësishëm në historinë e artit shqiptar (1921 – 1988).
Piktori Guri Madhi është nga më të rëndësishmit e realizmit socialist. I përket brezit të piktorëve shqiptarë që në vitet ’60–’80, trajtuan temat kompozicionale historike duke ndërtuar karaktere dhe tipare fizionomike të shqiptarëve të kësaj periudhe.
103-vjetorin e lindjes së Artistit të Popullit, Guri Madhi e kujtoi sot përmes një postimi, ministri Blendi Gonxhja, i cili shkroi në rrjetet sociale se, Guri Madhi një nga piktorët më të mëdhenj shqiptarë, ishte ndër themeluesit e Universitetit të Arteve me mbi 400 vepra, në 33 vjet krijimtari.
Guri Madhi lindi në qytetin e Korçës ndërsa studimet e larta i kreu në Bashkimin Sovjetik, në Leningrad, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Pas studimeve u kthye në atdhe për të dhënë kontributin e tij. Gjithë jetën ia kushtoi krijimtarisë, e cila jo pak herë kapërceu kufijtë e realizmit socialist, duke sjellë edhe përjashtimin nga Partia e Punës. Por arti i Guri Madhit i mbijetoi sfidave dhe u flet ende brezave, edhe tashmë që autori nuk është më.
Galeria e Artit në Korçë mban emrin e tij./atsh/ KultPlus.com
Ibrahim Madhi lindi më 25 nëntor të vitit 1945. Është një ndër figurat më të rëndësishme të muzikës dhe artit të interpretimit Shqiptar. I njohur për formimin dhe muzikalitetin e tij madhështor, muzikanti i shquar ka dhënë një kontribut të çmuar në formatimin e shkollës kombtare të interpretimit muzikor.
Violinisti i shquar u lind në Tiranë më 1945. Pasi mbaron ciklin e plotë të studimeve në Liceun Artistik “J.Misja” Tiranë në 1963, diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në 1968 me rezultate te shkëlqyera. Në vazhdim (1973) ai i kompleton studimet e tij violinistike me një specializim pasuniversitar pranë konservatorit “San Pietro a Maiella” në Napoli (Itali).
Fillimet e aktivitetit të tij pedagogjik i përkasin vitit 1962, më parë si mësues i klasës së violinës në Liceun Artistik “J. Misja” dhe më pas, në 1965, prane I.L.Arteve. Për më shumë se 40-vjet karrierë pedagogjike, ai ka pregatitur breza të tërë violinistësh e muzikantësh të spikatur.
Që në moshë të re dallohet për prirje të veçanta solistike, por kur në vitin 1962, violinisti 16-vjeçar interpretoi plot siguri e autoritet koncertin e Mendelssohn-it, i shoqëruar nga Orkestra Simfonike e RTV Shqiptar nën drejtimin e dirigjentit Mustafa Krantja, skena do të ishte sfida më e madhe e tij.
Në vijim shumë vepra të tjera kapitale të repertorit violinistik do të merrnin jetë nga talenti i mjeshtrit Madhi, në bashkëpunimet e tij me të gjitha orkestrat kryesore shqiptare (Orkestra Simfonike e RTV Shqiptar, Orkestra Simfonike e Teatrit të Operas dhe Baletit, Orkestra Simfonike e I.L.Arteve, Ansambli i Shtetit, Orkestra e Harqeve të I.L.Arteve etj) si dhe me pianistët e shquar M.Kristidhi, A.Tartari etj.
Për meritat dhe kontributin e tij të veçantë, ai gëzoi titullin më të lartë të artit në Shqipëri: “Artist i Popullit”.
Emri i tij lidhet jo vetëm me të qenurit një solist brilant, por në të njëjtën kohë edhe një drejtues i përkryer i grupeve të muzikës së dhomës dhe orkestrsës së harqeve. Brohoritja për shkollën Shqiptare të interpretimit violinistik, nuk mund të kuptohet pa emrin e Ibrahim Madhit si një ndër figurat qëndrore të kësaj shkolle.
Është ndarë nga jeta më 4 shkurt 2014./KultPlus.com