Kolonia artistike “Art Camp”, madhështia katër ditore e maleve të Sllupçanit mirëpret 45 artistë

Suada Qorraj

Në malin e fshatit Sllupçan, për të dytin vit me radhë arti dhe artistët do të bëhen një me natyrën. Piktura, lojërat, muzika por dhe kampingu janë disa nga elementet që e shoqërojnë koloninë artistike katër ditore “Art Camp”, shkruan KultPlus.

Dashuria e madhe që ka për natyrën dhe mungesa e një kolonie artistike në komunën ku ai është rritur, Likovën e Maqedonisë së Veriut, e ka shtyrë drejtorin e “Art Camp”, Ardian Kadriun, por dhe artistët e tjerë të Maqedonisë që të krijojnë një koloni artistike, ndryshe nga ato që kanë qenë të pranishme deri më sot në shoqërinë tonë.

Sllupçani është edhe fshati ku Ardian Kadrija është rritur, vendi që ai e njeh më mirë se kushdo tjetër. Prania e pishave, frekuentimi i madh i njerëzve në këtë pjesë dhe pozita e mirë gjeografike e këtij fshati, ja ka shtuar edhe më shumë madhështinë artit që krijohet në brendësi të këtij mali.

Kadrija ka thënë se ekspozita dhe kampingu në malet e Likovës që këtë vit do të mbahet që nga 20 gushti, ju mundëson artistëve që të lidhen më shumë me natyrën e madje edhe të inspirohen prej saj.

“Kështu që në kohën kur shumë ekspozita mbahen në ambiente të mbyllura, ne menduam që të provojmë të bëjmë diçka në ambient të hapur, dhe kjo ishte ideja fillestare. Ekspozitë në natyrë ku në të njëjtën kohë artistët do kenë mundësi edhe të bëjnë kamping. Inspirimi më i mirë i artisteve është lidhja me natyrën”, ka deklaruar ai.

Edicioni i dytë i kolonisë artistike krahas pikturës do të jetë i mbushur edhe me komedi, shfaqje muzikore dhe filma të metrazhit të shkurtër. “Ballkoni”, “Ajo”, “Më fal” dhe “Toka” janë vetëm disa nga dokumentarët që do të përkojnë netët e freskëta verore në koloninë e malit të Likovës.

“Pasi që këtë vit kinemaja është mbyllur, ne kemi vendosur që një natë të kemi edhe kinema në natyrë ku do shfaqen 5 filma të metrazhit shkurtër. Filmat që do shfaqen për herë të parë në ‘ArtCamp’ apo mund të them edhe në pjesën e shqiptarëve që jetojnë në Kumanovë e rrethinë, do jenë ‘Ballkoni’ nga Lendita Zeqiraj, filmi ‘Ajo‘ nga More Raca filmi “Me fal” nga Besim Ugzmajli dhe ‘Toka’ nga Iber Deari”.

Ardian Kadrija ka shtuar se edicioni i sivjetëm do të ketë 45 pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe Serbia. Sipas tij interesimin për këtë koloni artistike e kanë pasur edhe artist nga vende të tjera, por për shkak të pandemisë dhe pamundësisë së udhëtimit në Maqedoni pjesëmarrja e tyre për këtë edicion do të jetë e pamundur.

Drejtori i “Art Camp” në një intervistë për KultPlus ka thënë se pandemia ka ndikuar që edhe shumë artist nga Kosova të mos mund të marrin pjesë në edicionin e sivjetëm të kësaj kolonie për shkak të barrierave që kjo pandemi ka sjellë në kufirin e këtyre dy shteteve.

“Pjesa që për momentin më shumë na shqetëson është që shumë artistë që kanë pasur dëshirë të jenë në “ART CAMP” nuk do mund të vijnë për shkak të pandemisë. P.sh. për momentin kufiri mes Kosovës – Maqedonisë së Veriut është i mbyllur dhe kjo e bën të pamundur që artistët që janë nga Kosova të marrin pjesë në ArtCamp”, ka shtuar Kadrija.

Ai ka pohuar se artistët janë ndarë të kënaqur me idenë dhe me mënyrën e organizimit të kësaj kolonie, ngase pjesëmarrja në këtë koloni ka qenë një nga ato përvojat që konsiderohen të veçanta. Madje ai ka thënë se në edicionin e parë të kësaj kolonie, vetëm në natën e parë të ekspozitës kanë qenë të pranishëm rreth 300 vizitor, gjë që sipas tij nuk ndodh as në ekspozitat e mbyllura. / KultPlus.com