Emërohet pullë e re postare për 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit

Një pullë e re postare posaçërisht në nderim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit dhe njësimit të shqipes letrare në gjithë arealin ku ajo flitet sapo është emetuar në Shkup.

Kjo pullë u ementua me propozim të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore Shqiptare (ITSHKSH) dhe me miratimin e drejtorisë së filatelisë të Postës së Maqedonisë e Veriut.

Emisioni postar për këtë ngjarje përmban si kryeshenja vulën historike të Kongresit të Drejtshkrimit, pllakatin e njoftimit të kohës së mbajtjes së kësaj ngjarjeje, si dhe një foto të delegatëve në sallën e kongresit.

Pulla mban shenjimin trigjuhësh: maqedonisht, shqip e anglisht: “50 vjet prej Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe”. Përurimi i këtij edicioni filatelik të ri do të bëhet më 14 nëntor, në prag të datës së fillimit të punimeve të Kongresit historik të Manastirit.

Kongresi i Drejtshkrimit, thuhet në vlerësimin e ITKSHKSH, është ngjarje madhore që kontribuoi në integrimin gjuhësor e kulturor të kombit tonë.

Kongresi i Drejtshkrimit në një pullë poste në Maqedoninë e Veriut shpreh njëherësh një gjendje të re të gjuhës shqipe në përdorim zyrtar në vendin fqinj. / atsh / KultPlus.com

Fillon festivali i ansambleve folklorike në Stamboll

Ka filluar ditën e sotme në Stamboll edicioni i 23-të i festivalit më të madh të ansambleve folklorike Bujukçekmexhe. Pjesë e programit të këtij viti është edhe Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare nga Republika e Maqedonisë së Veriut, i cili ngjitet në skenë pas fitores në festivalin e Budapestit në Hungari.

“Çdo vit, ne përpiqemi të zgjerojmë Festivalin tonë Ndërkombëtar të Kulturës dhe Artit në Stamboll Büyükçekmece, i cili do të organizohemi për herë të 23 këtë vit.

Duke bashkuar artistë nga e gjithë bota dhe artistë vendas dhe duke mbushur çdo pjesë të Stambollit me kulturë dhe art, ky festival i madh premton një javë të mrekullueshme të mbushur me pikturë, muzikë, kërcim, skulpturë dhe dhjetëra degë arti”, thotë presidenti i festivalit Hasan Akgun.

Ky festival i themeluar në vitin 2000 këtë vit ngjit në skenë pjesëmarrës nga 25 shtete nga e gjithë bota.. Në vitin 2003, festivali i bë pjesë e Shoqatës së Festivaleve Botërore të Vallëzimit të UNESCO-s. Ndërsa është vlerësuar 3 herë rresht si festivali tradicional më i mirë në botë. / KultPlus.com

Kurti uron Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut: Kosova feston arritjet tuaja historike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti është shprehur se Kosova feston arritjet e tyre historike dhe iu bashkohet në zotimet drejt reformave që do të transformojnë vendet.

“Urime Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Kosova feston arritjet tuaja historike dhe bashkohet me angazhimin tuaj drejt reformave që do të transformojnë vendet tuaja dhe do të forcojnë rajonin dhe Evropën tonë”, ka shkruar Kurti në Twitter. / KultPlus.com

Shfaqja ‘Katër Epoletat’ rrëmben tri çmime në Maqedoninë e Veriut

Dje është përmbyllur Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Maqedoninë e Veriut, ‘Aktori i Evropës”.

Për gjashtë ditë sa është mbajtur festivali janë dhen një varg shfaqjesh, në mesin e tyre ka qenë shfaqja e regjisorit Haqif Mulliqi, ‘Katër Epoletat”. Shfaqja ishte realizuar për teatrin e Qytetit ‘Muharrem Qena’ në Mitrovicë, në dhjetor të vitit të kaluar.

Tre çmimet që rrëmbeu kjo shfaqje, ishin në fakt tri çmimet kryesore.

Ismet Azemi u shpërblye me çmimin kryesor të festivalit ‘Aktori i Evropës 2022’, Basri Lushtaku fitoi çmimin për aktrim ‘Dionisi i Prespës 2022’ dhe çmimin për regjisorin më të mirë e fitoi Haqif Mulliqi.

Aktorët e shfaqjes ishin: Ismet Azemi, Basri Lushtaku dhe Adem Zhitopotoku.

Në fund të ceremonisë të ndarjes së çmimeve, regjisori Mulliqi falënderoi drejtoreshën Valdete Idrizin për mbështetjen e shfaqjes dhe Sabit Sheremetin (ud. drejtori i Teatrit) për përkushtimin e tij./Express/ KultPlus.com

Kristijan Karovski dhe Mimi Ducheva, dyshja që mbërtheu publikun brenda botës pianistike në ‘DAM Fest’

Era Berisha

Një dyshe pianistike mbushi sallën në natën e pestë të Festivalit Dam në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit, duke mbledh rreth vetes artdashës të shumtë të cilët patën rastin të shijojnë nga afër interpretimin unik të Kristijan Karovski dhe Mimi Ducheva nga Maqedonia e Veriut, me ç’rast loja e tyre mjeshtërore në një piano të vetme mbizotëroi jo vetëm atmosferën por edhe vëmendjen e të pranishmëve duke i futur ata brenda vorbullës melodike që krijohej vazhdimisht gjatë tërë natës, shkruan KultPlus.

Për pesë netë me radhë, skena e cila ndërronte vetëm prezencën e instrumenteve në kuadër të mbrëmjeve muzikore, kësaj here kishte ndërruar edhe ndriçimin. Gjithsej 12 drita të ngrohta të vendosura lart në hapësirë ishin vënë pingul mbi instrumentistët dhe pianos gjigande të zezë e cila ishte vendosur mu në mes të skenës, ndërsa tetë reflektorë me ngjyrë të kaltër si dhe perdet e zeza po vazhdonin të lenin gjurmë të dukshme në pamjen e këtij festivali. Po ashtu, reflektori i vënë anash në një kënd perfekt po vinte në pah interpretimin pianistik të dyshes që solli vepra të shquara para publikut.

Mbrëmë, jo vetëm skena por edhe çelësat e pianos u pushtuan nga tingujt tundues të cilët furishëm dilnin nga kontrolli për të sjell kështu nota të sakta të kompozitorëve botërorë si: Franz Schubert, Sergei Rachmaninoff dhe Maurice Ravel. Lëvizjet trupore të lehta, lëvizjet e kokës poshtë e lart, shtypja e petaleve, pasioni i zjarrtë e i ëmbël në sytë e dy pianistëve, ishin vetëm disa nga elementet kryesore që tregonin efikasitetin, saktësinë dhe elegancën e interpretimit të tyre brenda qetësisë absolute që solli publiku.

Duke nisur nga lëvizjet më të lehta e deri tek ato me më shumë dinamikë, veprat si: “Fantazi në f-mol D.940”, “6 Morceaux, Op.11” dhe “La Valse”, erdhën me një magji dyshe e të pakrahasueshme. Krah më krah, e duar me duar, brishtësia e tingujve vazhdonte ritmin deri në një thyeshmëri që në mënyrë drastike ndërrohej për të sjell çmendurinë delikate të melodive unike.

Përgjatë pothuajse një ore, këto vepra dëshmuan se teknika e goditjeve të tasteve jo vetëm me të gjitha gishtërinjtë por edhe me një të vetëm, nuk lë vend për shpërqendrim e aq më pak kur puna mjeshtërore e interpretimit të tyre e hipnotizon publikun qysh në sekondën e parë kur melodia e parë fut rrënjët në sallë dhe vazhdon ti lë ato rrënjë brenda secilit të pranishëm edhe pas përfundimit të vijës melodike.

Kështu krejt në fund, ishte publiku që në pamundësi për të duartrokitur për arsye se e djeshmja ishte ditë zie, ai i cili vështronte me një admirim të veçantë në sy e një dëshirë të madhe për të falënderuar këta dy pianistë të rinj që posedonin një talent të jashtëzakonshëm i cili shndërrohej në një mrekulli mahnitëse kur talentet e tyre të posaçme gërshetoheshin në një të vetëm.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth koncertit dhe përshtypjeve të tij, për KultPlus folën pianistët Kristijan Karovski dhe Mimi Ducheva.

“Ndihemi shumë mirë, është diçka e pashpjegueshme ku vendos gjithçka që ke në jetë, gjithë energjinë tënde në të. Andaj edhe është një proces shumë individual e real dhe është gjithashtu shumë i vështirë për t’u shpjeguar”, thotë dyshja.

Sipas tyre, ata kanë luajtur së bashku sepse kanë gjetur cilësi të brendshme tek njëri-tjetri për të shfaqur muzikë.

“Ne besojmë në të njëjtat cilësi dhe është gjithashtu shumë e vështirë të flasësh për muzikën sepse nuk është një proces i thjeshtë edhe pse duket i tillë. Ndërsa, ajo që na bëri më shumë përshtypje është audienca. Jemi shumë të kënaqur me audiencën sepse njerëzit në fakt po dëgjonin”, përfundon dyshja.

Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 26 nëntor ku publiku do të ketë mundësi të shijojë e përjetojë koncerte të artistëve të shkëlqyer nga vendi dhe Ballkani. / KultPlus.com

Sot Kori i Filharmonisë së Kosovës do mbajë koncert në Shkup

Filharmonia e Kosovës sezonin për këtë vit do ta vazhdoj në Maqedoninë e Veriut, me Korin e Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, nga faqja zyrtare e Filharmonisë së Kosovës ku shkruhet se ky koncert në kuadër të sezonit 2021/2022, do të mbahet sot në Filharmoninë e Maqedonisë – Salla e koncerteve në Shkup, duke filluar nga ora 18:00.

Numri i pjesëmarrësve që mund të marrin pjesë në koncert është i kufizuar.

Për të rezervuar vendin tuaj, shkruani në [email protected] me titullin / Rezervim 16.10.2021 – Emri / Mbiemri.

Përmes një e-maili ju mund të rezervoni maksimumi dy vende.

Për shkak të masave për të parandaluar përhapjen e Covid-19, mbajtja e maskës është e detyrueshme. / KultPlus.com

Maqedonia e Veriut zë vendin e pestë në Indeksin Global të Paqes

Tashmë është publikuar Indeksi Global i Paqës për vitin 2021, ku Maqedonia e Veriut, renditet e pesta me radhë ndër vendet që kanë paraqitur përmirësime të mëdha në paqe, transmeton KultPlus.

RMV, u ngrit për 11 vende në GPI (Indeksi Global i Paqes), derisa tani renditet e 40-ta në përgjithësi.

Sipas shkrimit të GPI-së, rritja e paqës në Maqedoninë e Veriut, erdhi kryesisht nga përmirësimet në fushën ‘konfliktit të vazhdueshëm’, ndërsa tash llogaritet që ky përmirësim është në nivelin e tij më të mirë që nga viti 2016-të. /alsat/ KultPlus.com

Sot hapet tjetër vendkalim kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Sot do të mbahet ceremonia e hapjes së vendkalimit kufitar tjetër në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Kjo është bërë e ditur në ngjarjet e paralajmëruara për ditën e sotme.

“Ministria e Punëve të Brendshme organizon ceremoninë e hapjes së vendkalimit kufitar në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në pikën Restelicë – Strazimir”.

Sipas njoftimit, ceremonia e hapjes do të mbahet në orën 12:00.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut aktualisht kanë dy pikë-kalime kufitare, Hanin e Elezit dhe Glloboqicën. / Express / KultPlus.com

Zake Prelvukaj me ekspozitë në Shkup, ‘RREGULLAT E REJA’ paraqet ndryshimin tonë përmes kohës dhe teknologjisë

Era Berisha

Ekspozita ‘’Rregullat e Reja’’ nga Zake Prelvukaj vjen me një performancë, 7 piktura masive rreth 2 metra të larta dhe të gjera që janë punuar në vitin 2021 me një kolorit i cili përsëritet qysh nga vitet e 90-ta, 9 fotografi dhe 4 video arte me ç’rast lajmëron ndryshimin e ndjeshmërisë sonë ndaj ngjarjeve të papritura, ekspozitë kjo e cila këtë muaj do të prezantohet në Galerinë Nacionale në Shkup në objektin ‘Çifte hamam’, shkruan KultPlus.

Koncepti i ekspozitës ngërthen në vete kohën në të cilën njerëzit janë duke jetuar dhe ballafaquar me ngjarje apo përditshmëri të papritura. Në këtë shekull është menduar që njerëzit kanë ecur me disa hapa jo të lehtë duke e jetuar transformimin e shtetit tonë. Prandaj, në këtë tranzicion ka pasur edhe disa pika të mira sepse edhe kjo kohë ka një gjatësi, Zake si artiste absorbon informacione, ndonjëherë me vetëdije e ndonjëherë edhe pa të.

Se si erdhi ideja për të krijuar një ekspozitë të tillë në bashkëpunimin me kuratoren Ana Frangovska, për KultPlus ka treguar Zake Prelvukaj.

“Në vitin 2020 jam ftuar nga kuratorja Ana në programin e Shkupit të Galerisë ‘Çifte hamam’, që është një galeri prestigjioze në Maqedoninë e Veriut, por ekspozita e menduar për 11 maj është shtyrë për shkak të rrethanave pandemike”, thotë Prelvukaj.

Sipas saj, në vitin 2007 në një ekspozitë me mediume të ndryshme artistike në ‘’Malla Stanica’’, kuratorja e ka parë artisten dhe e ka ftuar atë duke e ditur që deri në këtë kohë është punuar një art ndryshe, që i përshtatet kohës dhe aktualitetit dhe kështu kuratorja ka pasur dëshirë që Prelvukaj të prezantohet me punën e saj të fundit në një vazhdimësi të punëve të tjera të vitit 2010 por kryesisht punime të vitit 2021 që përputhen me konceptin.

Gjithashtu, Prelvukaj ka dashur që këtë ekspozitë ta përfundojë në muajin maj prandaj edhe ekspozita do të ketë hapjen e saj më 25 maj. Ndërsa, ekspozita e saj kësaj radhe do të vijë në disa ngjyra më transparente, me motive të ndryshme ku nuk janë përdorur më elementet teknologjike.

“Është bërë kjo vazhdimësi e çdo mediumi, por baza kryesore që do të jetë në hyrjen e Galerisë do të jetë njëfarë performance që e bëj unë me pasqyra dhe një monolog me vetveten në njëfarë rrethi dhe pastaj brenda janë dy fotografitë e mija që asnjëherë nuk janë parë. Do të vi me një performim të gishtave, më ndryshe se e zakonshmja”, tregon Prelvukaj për KultPlus.

Ajo tutje ka bërë të ditur se kuratoja veçse e ka bërë renditjen e këtyre punimeve sipas konceptit dhe hapësirës që është lejuar për të realizuar konceptin dhe mesazhin që përcjell ekspozita.

“Sipas mendimit tim, çdo gjë çka ne parashohim, e parashohim si diçka të panjohur. Unë nuk e parashoh të ardhmen, por parashoh diçka, që ne si gjenerata e pas luftës, kemi me qenë të përqendruar në monitor duke e humbur kështu prekshmërinë, ndjeshmërinë dhe atë se çka jemi si qenie njerëzore”, tregon ajo.

Për Zaken, ky përjetim do të jetë shumë më shumë optik përmes virtuales dhe ajo e ka parë se është drejtuar aty ku do të jetë një botë ndryshe, qoftë me dëshirën apo pa dëshirën e secilit. Prandaj, as nuk mund të thuhet se është diçka e mirë apo e keqe sepse nuk është e njohur por që duhet të pranohet sepse nuk është duke u luftuar me kohën sepse koha na mund secilin, por këto janë vetëm paralajmërime që artisja i sjell si një individ dhe qytetare për shpjegimin e rregullave të çrregullta, për njerëzit, por ndoshta edhe të rregullta për gjeneratat e reja që po vijnë duke u bazuar në ndjenjën e saj që diçka po ndryshon.

“Edhe pse koha ka qenë e tmerrshme, është diçka interesante sepse unë në këtë vit jam vetvetja dhe mjaft e disponuar sepse e kam kuptuar dhe po e kuptoj çdo ditë se jeta nuk duhet të jetohet duke u marrë me gjëra të cilat na bëjnë nervoz, me njerëz që nuk kanë disponim të mirë. Këtë e kam parë edhe në ngjyrat që po i përdori, të cilat janë shumë më transparente, më të mira dhe më të disponueshme edhe për mua si autore por edhe për shikuesit dhe artdashësit që do ti shohin punimet”, rrëfen ajo.

Po ashtu, artisja është shprehur se ajo jetën po e dashuron shumë më shumë tani sepse e ka parë që rëniet njerëzore të popullatës asnjëherë nuk janë paralajmëruara. Prandaj, ajo çdo minutë dhe çdo mot të kthjellët e shfrytëzon qoftë edhe duke dalur deri në ballkon sepse sipas saj çdo gjë duhet të përjetohet në mënyrën më të mirë në mundësitë që ofrohen.

Punimet e kaluara të artistes janë cilësuar se ato vazhdimisht po flasin njëjtë ku edhe në këtë kohë që janë rikthyer, ato ende po flasin, me ç’rast Prelvukaj është shprehur se po ndjehet mjaft e lumtur për ciklin e ri që po fillon sepse është një vazhdimësi e viteve 96/97-ta të cilat kanë qenë një lojë me instrumente.

“Këtë lojë e kam përpunuar më ndryshe duke përfshirë rregulla, motive dhe objekte shumë më ndryshe që lidhen me diçka të pa parashikuar dhe mund të them që për mua janë pikërisht këto vepra të vitit 2021, vepra të mira për kohen që i kam punuar”, ka potencuar ajo.

Teksa ajo flet për vështirësitë e hasura ajo ka treguar se vështirësia e vetme që ajo parasheh është vetëm transporti sepse punimet janë masive dhe organizimi nuk është i lehtë. Kurse, për të ardhmen ajo shpreson se njerëzimi të mos sundohet më nga njerëz të ‘veçantë’ por që secili të ketë një barazi që kontribuon në ndërtimin e shtetit.

“Nëse e hulumtoj vetveten se pse jam kaq e disponuar, e gjej veten duke menduar që më është hapur një dritare e re sepse nuk e di çfarë është por po shoh diçka të mirë. Në tërë këtë tmerr më është hapur njëfarë porti që po shoh vetëm pozitivitet. Ashtu po ndjehem mirë por nuk e di pse”, thotë Prelvukaj.

Në këtë intervistë për KultPlus ajo ka bërë të ditur se punimet në këtë ekspozitë janë historia e saj dhe e botës në një periudhë kohore të tillë. Po ashtu, ajo këtë ekspozitë e ka cilësuar si një paralajmërim i idesë që njerëzit janë ata që nuk çuditen më. Kurse, ajo se çka pëlqehet nga artistja është se njerëzit e kanë kuptuar që të gjithë në këtë botë, sido qofshin ata, ata janë njerëz të njëjtë.

Kështu, krejt në fund ajo ka shpalosur edhe synimet e saj për të ardhmen të cilën ajo e sheh si një mundësi për të krijuar edhe më shumë duke u shprehur se ky virus i ka shtyrë njerëzit të mendojnë më thellë.

“Dëshira ime në të ardhmen është kontributi që pikturat e krijuesve kosovar dhe ndërkombëtarë ta gjejnë një shtëpi të përjetshme për të cilën Kosova ka nevojë si një aspekt i politikës kulturore”, përfundon Prelvukaj. / KultPlus.com

Ansambli Vokal i Filharmonisë së Kosovës me koncert në Maqedoninë e Veriut

Ansambli Vokal i Filharmonisë së Kosovës këtë të mërkurë vjen me një koncert në Sallën Kamertale të Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut, shkruan KultPlus.

Koncerti është pjesë e vazhdimit të sezonit 2020/2021.

Nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, gjatë këtij koncerti në skenë do të ngjitet Ansambli Vokal i Filharmonisë së Kosovës me vepra nga: A. Scarlatti, E. Whitacre, H. Syla, J. Runestad, J. Busto, J. Douma, J. Elberdin, M. Mengjiqi, N. Cline, N. Brenner x M. Garbus, O. Gjeilo, S. Leek.

Koncerti mbahet nesër, më datë 24 shkurt duke filluar nga ora 19:00. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës do mbajë koncert në Maqedoninë e Veriut

Filharmonia e Kosovës sezonin për këtë viti do ta vazhdoj në Maqedoninë e Veriut, me ansamblin vokal të filharmonisë, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, nga faqja zyrtare e filharmonisë së Kosovës ku shkruhet se ky koncert do të mbahet me 24 shkurt të këtij viti në sallën Kamerale të Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tyre të plotë:

*Sezoni 2020/2021 vazhdon me koncertin e Ansambli Vokal i Filharmonisë së Kosovës më 24.02.2021 në Sallën Kamerale të Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut. Për të rezervuar ulësen tuaj shkruani e-mail në [email protected] me titull / Rezervim 24.02.2021 – Emri dhe mbiemri. Përmes një emaili ju mund të rezervoni më së shumti dy ulëse. Përshkak të parandalimit të përhapjes së virusit Covid-19 bartja e maskës është e detyrueshme./ KultPlus.com

Maqedonia e Veriut zgjedhë sërish artistin Vasil për ta përfaqësuar në ‘Eurovision’

Këngëtari Vasil ishte përzgjedhur të përfaqësonte Maqedoninë e Veriut në “Eurovision” vitin e kaluar me këngën “You”, para se të anulohej festivali shkaku i pandemisë.

Tani, Radiotelevizioni maqedonas (MKRTV) i ka kënaqur fansat me njoftimin e rikthimit të tij për në “Eurovision 2021”, transmeton KultPlus.

Udhëtimi i Vasilit në “Eurovision” filloi në vitin 2019 si një vokalist mbështetës për artisten Tamara Todevska në Tel-Aviv. Ai shpejt bëri një emër të madh për veten e tij kur në janar të vitit të kaluar, MRT-ja (transmetuesi publik i Maqedonisë së Veriut) njoftoi pjesëmarrjen e tij në “Eurovision 2020”. Kënga e tij, “You”, u publikua më vonë, në fillim të marsit.

Pas anulimit të “Eurovision 2020”, Vasili mori pjesë në episodin e dytë të “Eurovision Home Concerts” që u shfaq në prill. Ai këndoi këngën “You” dhe një përmbledhje të disa këngëve të famshme të “Eurovisionit” ndër vite, shkruan Eurovision.Tv.

Vasili ka qenë mjaft i zënë gjatë muajve të fundit. Ai po punon për albumin e tij të ri, “Vasil Sudbina”, i cili do të dalë në treg në vitin 2021./ KultPlus.com

Qanije Selimi, gruaja më e suksesshme për biznes në Maqedoninë e Veriut

Qanije Selimi është përzgjedhur si gruaja më e suksesshme në biznes në Maqedoninë e Veriut, shkruan KultPlus.

Teksa ajo e ka fituar këtë titull për vitin 2020, organizimi i cili e vlerësoi si të tillë ishte “TOP 100 2020” nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perendimore.

Gruaja më e suksesshme e Maqedonisës së Veriut për vitin 2020 është edhe themeluesja dhe drejtuesja e Qendrës edukative parashkollore “REA”, bashkëthemeluese e “Grupacionit të grave afariste” dhe anëtare e Këshillit drejtues në OEMVP. / KultPlus.com

28 Nëntori bashkon tre ministrat e jashtëm shqiptarë

28 Nëntori përveç që ka qenë shënim i sukseseve kombëtare, sot është edhe ditë unfikuese për shqiptarët, shkruan KultPlus.

Këtë e dëshmuan tre ministrat shqiptarë nga tre vendet me popullsi shqiptare, teksa u lidhën në një video telefonatë.

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradina-Stublla, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj si dhe Ministri i Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani u bashkuan virtualisht për këtë ditë të madhe të kombit.

Në një reagim në Facebook, lidhur me video-telefonatën, Kryediplomati Cakaj u shpreh se me homologët e tij, e nisën këtë ditë me nderim të përulur për flamurin kuq e zi, bashkëndjenjë të thellë e vetëdije të plotë për rrugëtimin e përbashkët si komb shqiptar dhe, natyrisht, me urimet më të përzemërta për çdo shqiptar, kudo në botë. / KultPlus.com

Presidenti i Maqedonisë së Veriut uron Ditën e Alfabetit në gjuhën shqipe

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka uruar Ditën e Alfabetit shqip, duke përdorur pikërisht këtë gjuhë, shkruan KultPlus.

Presidenti i vendit me një përqindje të lartë të popullsisë shqiptare ka shpërndarë urimin presidencial në gjuhën maqedonase në facebook, teksa mbishkrimin e ka lënë në gjuhën shqipe.

‘’Gjuha dhe kultura janë themele të çdo populli dhe mohimi i tyre do të thotë përpjekje për të shkatërruar origjinën kombëtare. Në shekullin 21 përpjekjeve të tilla nuk u duhet hapur dera, në mënyrë që kurrë të mos triumfojnë mbi vlerat e vërteta.

Të gjithë bashkëqytetarëve të mi shqiptarë ju uroj Ditën e Alfabetit’’, ka shkruar President Pendarovski.

Stevo Pendarovski që nga 12 maji i vitit 2019 mban pozitën e kryesuesit të presidencës së këtij vendi. / KultPlus.com

Kolonia artistike “Art Camp”, madhështia katër ditore e maleve të Sllupçanit mirëpret 45 artistë

Suada Qorraj

Në malin e fshatit Sllupçan, për të dytin vit me radhë arti dhe artistët do të bëhen një me natyrën. Piktura, lojërat, muzika por dhe kampingu janë disa nga elementet që e shoqërojnë koloninë artistike katër ditore “Art Camp”, shkruan KultPlus.

Dashuria e madhe që ka për natyrën dhe mungesa e një kolonie artistike në komunën ku ai është rritur, Likovën e Maqedonisë së Veriut, e ka shtyrë drejtorin e “Art Camp”, Ardian Kadriun, por dhe artistët e tjerë të Maqedonisë që të krijojnë një koloni artistike, ndryshe nga ato që kanë qenë të pranishme deri më sot në shoqërinë tonë.

Sllupçani është edhe fshati ku Ardian Kadrija është rritur, vendi që ai e njeh më mirë se kushdo tjetër. Prania e pishave, frekuentimi i madh i njerëzve në këtë pjesë dhe pozita e mirë gjeografike e këtij fshati, ja ka shtuar edhe më shumë madhështinë artit që krijohet në brendësi të këtij mali.

Kadrija ka thënë se ekspozita dhe kampingu në malet e Likovës që këtë vit do të mbahet që nga 20 gushti, ju mundëson artistëve që të lidhen më shumë me natyrën e madje edhe të inspirohen prej saj.

“Kështu që në kohën kur shumë ekspozita mbahen në ambiente të mbyllura, ne menduam që të provojmë të bëjmë diçka në ambient të hapur, dhe kjo ishte ideja fillestare. Ekspozitë në natyrë ku në të njëjtën kohë artistët do kenë mundësi edhe të bëjnë kamping. Inspirimi më i mirë i artisteve është lidhja me natyrën”, ka deklaruar ai.

Edicioni i dytë i kolonisë artistike krahas pikturës do të jetë i mbushur edhe me komedi, shfaqje muzikore dhe filma të metrazhit të shkurtër. “Ballkoni”, “Ajo”, “Më fal” dhe “Toka” janë vetëm disa nga dokumentarët që do të përkojnë netët e freskëta verore në koloninë e malit të Likovës.

“Pasi që këtë vit kinemaja është mbyllur, ne kemi vendosur që një natë të kemi edhe kinema në natyrë ku do shfaqen 5 filma të metrazhit shkurtër. Filmat që do shfaqen për herë të parë në ‘ArtCamp’ apo mund të them edhe në pjesën e shqiptarëve që jetojnë në Kumanovë e rrethinë, do jenë ‘Ballkoni’ nga Lendita Zeqiraj, filmi ‘Ajo‘ nga More Raca filmi “Me fal” nga Besim Ugzmajli dhe ‘Toka’ nga Iber Deari”.

Ardian Kadrija ka shtuar se edicioni i sivjetëm do të ketë 45 pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe Serbia. Sipas tij interesimin për këtë koloni artistike e kanë pasur edhe artist nga vende të tjera, por për shkak të pandemisë dhe pamundësisë së udhëtimit në Maqedoni pjesëmarrja e tyre për këtë edicion do të jetë e pamundur.

Drejtori i “Art Camp” në një intervistë për KultPlus ka thënë se pandemia ka ndikuar që edhe shumë artist nga Kosova të mos mund të marrin pjesë në edicionin e sivjetëm të kësaj kolonie për shkak të barrierave që kjo pandemi ka sjellë në kufirin e këtyre dy shteteve.

“Pjesa që për momentin më shumë na shqetëson është që shumë artistë që kanë pasur dëshirë të jenë në “ART CAMP” nuk do mund të vijnë për shkak të pandemisë. P.sh. për momentin kufiri mes Kosovës – Maqedonisë së Veriut është i mbyllur dhe kjo e bën të pamundur që artistët që janë nga Kosova të marrin pjesë në ArtCamp”, ka shtuar Kadrija.

Ai ka pohuar se artistët janë ndarë të kënaqur me idenë dhe me mënyrën e organizimit të kësaj kolonie, ngase pjesëmarrja në këtë koloni ka qenë një nga ato përvojat që konsiderohen të veçanta. Madje ai ka thënë se në edicionin e parë të kësaj kolonie, vetëm në natën e parë të ekspozitës kanë qenë të pranishëm rreth 300 vizitor, gjë që sipas tij nuk ndodh as në ekspozitat e mbyllura. / KultPlus.com

Në 99% të institucioneve në Maqedoninë e Veriut nuk zbatohet Ligji për gjuhën shqipe

Nga pyetësorët anketues të dërguar në 641 institucione, 99 për qind e përgjigjeve thonë se dygjuhësia nuk zbatohet siç përcaktohet në ligj.

Kjo bëhet e njohur nga dhënat e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, ku theksohet se rezistenca paraqitet edhe tek institucionet ku ka udhëheqës maqedonas edhe tek ata me udhëheqës shqiptarë. Sipas udhëheqësit në sektorin për planifikim dhe koordinim, Marjan Patlixhankovski vullneti për zbatimin e ligjit diku ekziston dhe diku jo, ndërsa sa i përket fazës së parë të zbatimit, ku përfshihet ndryshimi i vulave, llogove, memorandumeve dhe të ngjashme, deri diku janë zbatuar, por sipas tij, ka akoma institucione ku akoma nuk ka filluar zbatimi i kësaj pjese. Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve ka obligim ligjor që deri më 31 mars, të dorëzojë raportin e plotë me përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe më pas e njëjta do të publikohet në ueb faqen e tyre. Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela thotë se kanë reaguar lidhur me moszbatimin, megjithatë thotë se nuk është kompetencë e tyre që të bëjnë dënime. Sela tha se Inspektorati tanimë ka drejtor të ri dhe pasi ta formojmë ekipin do të dalin në terren, të shohin ankesat që arrijnë dhe më pas të procedojnë ato çështje. Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve publikoi broshurën “Informacione mbi të drejtat gjuhësore të qytetarëve në RMV” dhe udhëzuesin e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve./Shenja.tv / KultPlus.com

Vizita e Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut i kushtohet Nënë Terezës

Papa Françesku, në prag të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, më 7 maj në Shkup, ka dërguar një mesazh për të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Në mesazhin e tij ai shprehet se vizitën ia kushton një shenjtore të madhe, Nënës Terezës, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila me ndihmën e Perëndisë, u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresë dhe dinjitetin të varfërve.

Mesazhi i Papa Françeskut

Të dashur vëllezër dhe motra nga Maqedonia е Veriut,

Nëpërmjet këtij mesazhi të shkurtër, dua të shpreh gëzimin dhe miqësinë që ndjej për njerëzit tuaj dhe kishën që ekziston në vendin tuaj.

Prej që vendi juaj u bë i pavarur, Selia e Shenjtë donte të krijonte marrëdhënie miqësore dhe diplomatike me ju. Sot, më shumë se kurrë, ka nevojë që në Evropë dhe në mbarë botën, për të zhvillohet një kulturë e përbashkët, një kulturë e vëllazërisë, unë do të vij në mesin tuaj. Unë jam i sigurt se vendi juaj është i mirë.

Në fakt, bukuria e veçantë e vendit tuaj, është për shkak të kulturave të ndryshme, etnive dhe feve që jetojnë në të. Sigurisht që bashkëjetesa nuk është gjithmonë e lehtë, ne e dimë atë, por ja vlen që të investohet në përpjekje, për shkak se mozaikët më të bukura janë ato që kanë shumë ngjyra.

Vizitën time ia kushtoj një shenjtore të madhe, një bije të vendit tuaj, Nënës Terezë, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila me ndihmën e Perëndisë, u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresë dhe dinjitetin të varfërve.

Të dashur miq, le të përgatisim takimin tonë me lutje që ky takim të jetë i mbushur me paqe dhe të mira për të gjithë njerëzit tuaj.

Qofshi të bekuar nga Perëndia!/KultPlus.com