22 vite nga masakra në fshatin e Belegut

Më 29 mars të vitit 1999, forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, kishin kryer një masakër në fshatin Beleg në Deçan, ku ata vranë dhe masakruan gjithsej 46 shqiptarë.

Kjo është njëra prej masakrave më të mëdha që është kryer në fshatrat e Komunës së Deçanit, ku ende sot e kësaj dite fati i 33 të pagjeturve, mbetet ende pa zgjidhje. Kjo masakër filloi si një sulm i egër ndaj popullatës së Belegut dhe Irzniqit, ku në këtë të fundit mbetën të vrarë 7 civilë të pambrojtur, pasi një ditë më parë forcat serbe pësuan humbje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Duke marrë parasysh dëshmitë, autopsinë e kufomave dhe deklaratat e shumta së dëshmitarëve, të cilët janë prezantuar në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, ende askush nuk është dënuar për këtë krim. / KultPlus.com

19 vjet nga masakra e familjes Berisha në Suharekë

19 vite më parë, mëngjesi i kësaj dite e gjeti familjen Berisha në Suharekë, të rrethuar nga forcat serbe. Tanket u pozicionuan në drejtim të shtëpive të tyre atje, shkruan KultPlus.

Këto forca urdhëruan banorët të dilnin nga shtëpitë. U ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe u vranë gjashtë anëtarë të familjes. Forcat serbe çuan anëtarët e tjerë në drejtim të një kafeneje. Këta anëtarë u futën në kafene, bashkë me tri grupe të familjes së gjerë të Berishëve. Pastaj forcat serbe hynë në kafene dhe hapën zjarr kundër njerëzve aty brenda. Aty u hodhën edhe eksplozivë duke lënë kështu të vrarë gjithsej 50 anëtarë të kësaj familje.

Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha. Këta të tre gjatë transportit të viktimave drejt Prizrenit, kanë kërcyer nga kamioni që ishte në lëvizje për të shpëtuar./ KultPlus.com