Gjon’s Tears nesër me koncert në Suharekë: Sa herë vij këtu, akoma më shumë më pëlqen

Gjon Muharremaj, i njohur ndryshe me emrin artistik ‘Gjon’s Tears’, ishte përfaqësuesi i Zvicrës në “Eurovision 2021”,  duke arritur të dilte i pari falë votave të jurive profesioniste, ndërsa në rezultatin përfundimtar, ku përfshihet edhe votimi i publikut u pozicionua i treti, shkruan KultPlus.

Ndërkaq, së fundmi, këngëtari i talentuar do të mbajë një koncert në “Sheshin e Qytetit” në Suharekë. Këtë e ka bërë të ditur  kryetari i Komunës së Therandës (Suharekës), Bali Muharremaj.

Nëpërmjet një videoje, kryetari Muharremaj ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen gjithsej dy koncerteve që i dedikohen diasporës dhe jo vetëm (2 dhe 3 gusht). E në koncertin e dytë që do mbahet më 3 gusht, i ftuar është këngëtari Muharremaj.

Këngëtari Muharremaj është shprehur tejet i lumtur që është rikthyer përsëri në Suharekë, e që sipas tij, sa herë që vjen këtu, vendi po e tërheq akoma edhe më shumë

“Do të kënaqemi shumë tek sheshi në Suharekë. Më vjen shumë qejf dhe kënaqësi të madhe që po më bie të këndoj përsëri në Suharekë, që është vendi që më pëlqen dhe sa herë që po shkoj, akoma më shumë po më pëlqen”, ka thënë ai.

Gjon’s Tears do të performojë në Suharekë më 3 gusht. / KultPlus.com

DPA hap Kënd Arkivor në Suharekë, i teti në Kosovë

Në Suharekë u hap Këndi Arkivor, i teti në Republikën e Kosovës, si rezultat i nismës së Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për të siguruar qasje të barabartë në dokumente.

DPA në bashkëpunim me komunën e Suharekës u mundëson studiuesve të vendit, mënyra të njëjta hulumtimi në dokumentacionin arkivor.

Këndi i Arkivor, u prezantua nga përfaqësues të DPA-së në prani të drejtoreshës në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Mërgatës, Lorika Gashi, drejtorit në Drejtorinë e Arsimit, Remzi Bajselmani, nënkryetares së Komunës së Suharekës, Mihrije Suka si dhe profesorit të historisë/zëvendësdrejtorit në gjimnazin “Jeta e Re”, Xhemajli Shala.

Ky kënd është i akesueshëm në bibliotekën e qytetit “Hajdin Berisha”.

Aksesi në dokumentet e Arkivit të Shtetit tanimë është shumë i lehtë dhe i njëjtë si në Sallën e Studimit në Tiranë. Studiuesi do të duhet të regjistrohet nga shtëpia apo edhe nga zyra e tij, pa qenë e nevojshme të vijë në këtë Kënd Arkivor në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Në vetëm 1 ditë pune, llogaria e tij aprovohet dhe përmes postës elektronike me të cilën ka aplikuar, pajiset me fjalëkalimin përmes të cilit mundet të aksesojë dokumentet apo dosjet që ka porositur. Ato do t’i shërbehen në ditën që është përzgjedhur nga vetë studiues/aplikuesi në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune, ditë në të cilat ai mund t’i konsultojë materialet në Këndin Arkivor.

Këndet Arkivore janë hapur edhe në Prishtinë, Podujevë, Ferizaji, Istog, Vushtrri, Prizren dhe Rahovec. / KultPlus.com

Një i mitur në Suharekë, keqtrajtohet fizikisht nga drejtori i shkollës

Një i mitur nga Suhareka ka raportuar në Polici se është keqtrajtuar fizikikisht nga drejtori i shkollës. Nga lëndimet që ka marrë, i mituri ka pranuar edhe tretman mjekësor, raporton Express, përcjell KultPlus.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

“Suharekë 01.06.2021 – 11:10. Viktima mashkull kosovar nxënës (i mitur), ka informuar se është keqtrajtuar fizikisht nga drejtori i shkollës i dyshuari mashkull kosovar. Sipas viktimës ngjarja ka ndodhur në objektin e shkollës. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është liruar. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport. / KultPlus.com

Në Suharekë për herë të parë do të mbahet Festivali i teatrove

Teatri shpesh konsiderohet edhe si forma më e mirë e të shprehurit në art, shkruan KultPlus. Këtë vit, për herë të parë duke filluar nga 6 gushti deri më 10 gusht, në Suharekë do të mbahet edicioni i parë i festivalit të teatrove.

Në ditën e parë të festivalit shfaqja ‘’Ditë vere’’ nga Mozhrek me regji të Naser Shatrolli, do të mbahet në teatrin ‘’Avdush Hasani” në Podujevë. Në ditën e dytë, në teatrin e qytetit të Vushtrrisë do të shfaqet ‘’Burri i gruas sime’’ me regji të Qamil Sahitit. Duke vazhduar më pas në Suharekë, në ditën e tretë të festivalit, ku do të shfaqet dokumentari ‘’Koba’’. Në ditën e katërt festivali do të zë vend në teatrin ‘’Dodona’’, në Prishtinë, me shfaqjen ‘’Dashuritë e Virgjëreshës Madalena’’, me regji të Ben Apollonit. Kurse në ditën e fundit të këtij edicioni, shfaqja ‘’Kukulla’’ me regji të Kaltërim Balaj, do të shfaqet në Teatrin e qytetit të Prizrenit.

Festivali nuk ka një karakter garues, pjesë e tij do të jenë katër trupa teatrore. / KultPlus.com

Safet Spahiu dhe Bashkim Mexhiti sjellin ekspozitë të përbashkët në Suharekë

Shtëpia e Fellbahut në Suharekë, këtë të premte më 6 prill hap dyert për dy artistë të mirënjohur, të cilët do të prezantohen para publikut artdashës me një ekspozitë pikture.


Safet Spahiu dhe Bashkim Mexhiti, dy artistë me bagazh të pasur në fushën e artit pamor, do të sjellin përmes kapriçove të penelatave të tyre ndjeshmëri dhe larmi ngjyrash, emocione dhe perceptime delikate, shkruan KultPlus.

“Këto stile në këtë ekspozitë, shumë dallues mes tyre, përmbushin njëri-tjetrin, duke përforcuar mesazhin se në art nuk është e rëndësishme vetëm ajo që thua, por mënyra dhe stili se si e thua. Në këtë ekspozitë të përbashkët këta dy artistë kanë çka thonë dhe dinë si ta thonë”, thotë kuratori i ekspozitës, fotografi Osman Demiri.
Ekspozita do të hapet këtë të premte nga ora 18:00 ndërsa do të qëndroi e hapur deri më 15 prill. / KultPlus.com

19 vjet nga masakra e familjes Berisha në Suharekë

19 vite më parë, mëngjesi i kësaj dite e gjeti familjen Berisha në Suharekë, të rrethuar nga forcat serbe. Tanket u pozicionuan në drejtim të shtëpive të tyre atje, shkruan KultPlus.

Këto forca urdhëruan banorët të dilnin nga shtëpitë. U ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe u vranë gjashtë anëtarë të familjes. Forcat serbe çuan anëtarët e tjerë në drejtim të një kafeneje. Këta anëtarë u futën në kafene, bashkë me tri grupe të familjes së gjerë të Berishëve. Pastaj forcat serbe hynë në kafene dhe hapën zjarr kundër njerëzve aty brenda. Aty u hodhën edhe eksplozivë duke lënë kështu të vrarë gjithsej 50 anëtarë të kësaj familje.

Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha. Këta të tre gjatë transportit të viktimave drejt Prizrenit, kanë kërcyer nga kamioni që ishte në lëvizje për të shpëtuar./ KultPlus.com