Shqiptarë dhe serbë mbjellin pemë së bashku në Ditën e Tokës

Në shënimin e Ditës së Tokës, nesër në qytetin e Mitrovicës do të mbillen pemë nga shqiptarë dhe serbë, përcjellë KultPlus.

Fillimisht, nga ora 09:00 do të mbillen pemë në Mitrovicën Jugore dhe atë Veriore për të vazhduar më pas me një ceremoni që do të organizohet nga ora 10:00 nga OJQ Community Building Mitrovica (CBM), Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS) dhe OJQ New Social Initiative (NSI), në kuadër të projektit “Pajtimi dhe Transformimi i Konfliktit”, i mbështetur nga USAID në Kosovë. Kjo ceremoni do të mbahet në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”. 

Qëllimi kryesor i kësaj ceremonie është rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve ndaj mbrojtjes së mjedisit, dhe promovimit të një ambienti më të pastër për shtatë (7) komunat e regjionit të Mitrovicës.

Në mesin e të ftuarve në këtë ceremoni e cila do të mbahet nga ora 09:00 deri në 14:00, do të jenë njohës të fushës së ambientit, zyrtarë lokal të komunave, si zv. Ministri nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor, Hysen Durmishi. / KultPlus.com