400 avionë privatë ndotën ajrin në samitin për mbrojtjen e klimës

Në samitin e klimës në Glasgow të Skocisë, shumë biznesmenë e personalitete politike mbërritën me avionë privatë, duke u kthyer dhe vetë në një arsye për ndotje thonë mediat e huaja.

Sipas tyre, themeluesi i Amazon, Jeff Bezos mbërriti me një Gulfstream prej 48 milionë paundësh, i ndjekur nga dhjetëra të tjerë, në takimin ku u diskutuan mënyra sesi të kufizojmë ndikimin e dëmshëm njerëzor mbi mjedisin që na rrethon.

DailyMail thotë se mbi 400 avionë privatë mbërritën në Skoci për konferencën, duke shkaktuar një bllokim trafiku që detyroi avionë të tjerë të fluturonin 30 milje për të gjetur një hapësirë për të ndaluar.

Si për ironi, thotë gazeta, një nga mesazhet që vijnë nga bisedimet për klimën është se ne të gjithë duhet të fluturojmë më pak për të ulur emetimet, përcjell Top Channel.

Sipas disa përllogaritjeve, flota e avionëve privatë të mbërritur për këtë konferencë, shpërndan 13,000 ton dioksid karboni në total – e barazvleshme kjo me sasinë e prodhuar nga më shumë se 1,600 britanikë në një vit. Mendohet që avionët privatë ndotin më tepër se ata komercialë./ KultPlus.com