Dy filma shqiptarë fitojnë çmime në festivalin e filmit në Barcelonë

Festivali i Filmit “Star” në Barcelonë ka shpërblyer me çmime dy filma shqiptarë, shkruan KultPlus.

Filmi i metrazhit të shkurtër Më e bukur se pranvera’  me skenar dhe regji të Lorena Sopit, ka fituar Çmimin e filmit më të mirë romantik në ‘Star Film Festival’ në Barcelonë.

Në anën tjetër, Filmi ‘The Van” në këtë edicion nga Erenik Beqiri, ka fituar Çmimin për aktorin më të mirë.

Me rastin e ndarjes së çmimeve, në fjalën e jurisë për filmin “Më e bukur se pranvera” thuhet se kjo vepër artistike është një shtjellim inteligjent dhe romantik.

“Performanca shumë të mira të karaktereve, duke u thelluar në mënyrë perfekte në personazhe. Situata anormale, të çuditshme të cilat e mbajnë spektatorin ne pritje, duke dëshmuar një histori romantike shumë të ndryshme nga ato të zakonshmet. Regji perfekte ne planin artistik dhe atë teknik. Planet dhe kuadrot e krijuara me shumë stil”, kanë vlerësuar juria profesionale.

Në rolet kryesor në këtë film paraqiten aktorët e nohur May-Linda Kosumovic, Agron Shala, Fidan Jupolli dhe Beslidhje Bytyqi. 

Në anën tjetër, filmi “The Van” flet për një djalë rreth të 20-ve i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit. Në mënyrë që të fitojë lekët e duhura sa me shpejt, ai pranon të bëhet pjesë e disa ndeshjeve që zhvillohen brenda një furgoni. Rregullat e furgonit janë të thjeshta, dyert mbyllen dhe furgoni niset në një trajektore rutinë, duke u kthyer në pikën e nisjes. Dyert hapen dhe nga aty mund të dalë vetëm një fitues.

Me role kryesore në këtë film janë aktorët: Phenix Brossard , Arben Bajraktaraj dhe Afrim Mucaj./ KultPlus.com