Ministri Çeku priti në takim delegacionin nga Spanja që kanë ardhur për ta vizituar Kosovën si pjesë e Manifesta 14 Prishtina.
Delegacioni i përbërë nga Jordi Marti, nënkryetar për kulturë i komunës së Barcelonës, Eva Soria Puig, drejtoreshë në Institutin e Kulturës të Barcelonës, dhe Marta Clari, gjithashtu drejtore në komunën e Barcelonës, u njoftuan më shumë me skenën kulturore të Kosovës.
Gjatë bashkëbisedimit u diskutuan mundësitë e shkëmbimit të artistëve mes Prishtinës dhe Barcelonës, bashkëpunimit të institucioneve lokale dhe qendrore të të dyja vendeve. Ministri Çeku e njoftoi delegacionin më shumë me të arriturat e kulturës në Kosovë, me skenën e bujshme të artit bashkëkohor, sukseset ndërkombëtare të muzikantëve kosovar, dhe për industrinë shumë të suksesshme të filmit.
Gjithashtu, u diskutua për përvojat e organizimit të Manifesta 14 Prishtina në ndihmë të organizimit të Manifesta 15 Barcelona, e cila do të mbahet në vitin 2024 në Barcelonë, ndërsa ftuan ministrin Çeku për të vizituar edicionin e ardhshëm të Manifesta./ KultPlus.com
“The Telegraph” mendon se qyteti më i mirë në botë ndodhet në Spanjë. Gazeta britanike, në rubrikën e saj të udhëtimeve, ka zgjedhur Barcelonën për diellin, distancën nga aeroporti, hotelet me pesë yje, restorantet me yje Michelin dhe plazhet.
“Barcelona kombinon gjithçka që është më tërheqëse në qytetet mesdhetare, me ndikimin kulturor dhe dizajnin e qyteteve në veriun e ftohtë”, lexohet në “The Telegraph”.
“Barcelona ka plazhe spektakolar, ku mund të argëtohesh dhe të bësh sporte në mëngjes, pasdite dhe natë. Vlen të përmenden gjithashtu 19 restorantet me yje Michelin dhe 39 hotelet me pesë yje, dhe se aeroporti ndodhet vetëm 11 kilometra nga qendra e qytetit, i lidhur shumë mirë me autobus, metro dhe tren”, shton tabloidi.
Barcelona ka marrë 588 nga 810 pikët e mundshme në kategori si oferta kulturore, histori, arkitekturë, gastronomi apo siguri, 32 pikë mbi qytetin e renditur në vendin e dytë, që është Sidnej.
Në vendin e tretë në klasifikim është Kejp Taun, në të katërtin Lisbona dhe në të pestin Venecia. / KultPlus.com
Normaliteti po troket ose është drejt asaj rruge. Mbi 5 mijë persona morën pjesë në një koncert mbrëmjen e së shtunës për të rikthyer edhe njëherë kohët që na mungojnë prej thuajse dy vitesh.
Të testuar kundër koronavirusit dhe me maska, por mbrëmja ishte sërish magjike. Muzika e bukur dhe brohorimat pushtuan Barcelonën. Koncerti u organizua në formën e një eksperimenti dhe përpara 5000 të pranishmëve në pallatin Sant Lordi ishte grupi muzikor “Lord of Lesbian”.
Kjo ngjarje rrit më tepër shpresat e organizatorëve dhe të publikut që eventet e mëdha do të kthehen për të shpëtuar sezonin turistik që po troket. Spektakli u monitorua nga një ekip mjekësh dhe gjatë tij nuk u shënua ndonjë incident. Personave me probleme kardiake dhe atyre që kishin pasur kontakte me një të infektuar me koronavirus në javët e fundit iu kërkua të mos marrin pjesë.
Ata që kishin blerë biletat iu nënshtruan testit të shpejtë kundër koronavirusit mëngjesin e së shtunës. Kush rezultoi negativ, mori një kod në celular që bëri aktive biletat. Çmimi i biletave ishte nga 23-28 euro dhe brenda tij ishin përfshirë testi antiCovid dhe maska e cilësisë së lartë që duhej mbajtur gjatë gjithë eventit./a2/ KultPlus.com
Për shumicën e turistëve në Spanjë, Barcelona dhe Sevilja janë destinacionet kryesore për t’u vizituar, duke mënjanuar shpesh Kordobën, një nga qytetet me më shumë zona të mbrojtura nga UNESCO.
Kordoba, pjesë e Andaluzisë, që nga viti 2018, është qyteti i parë në botë që ka katër site të vlerësuara nga UNESCO, duke kaluar Romën dhe Parisin. Të përcaktuara nga një Komitet i Trashëgimisë Botërore, që përfshin përfaqësues të qeverive nga vende të ndryshme, këto site paraqesin, një vlerë të jashtëzakonshme universale dhe përmbushin një nga 10 kriteret, siç janë përfaqësimi i një tradite apo civilizimi kulturor ekzistent ose të zhdukur.
Ndër këto site, është edhe lagjja piktoreske historike, në zemër të Kordobës, ku guidat turistike, zakonisht këshillojnë që të vizitohet edhe për restorantet me gatime mjaft të mira, me produkte të zonës, si supa e ftohtë me domate dhe vaj ulliri. Zakonisht në këto zona, vaktet e darkës konsumohen vonë dhe më pas ndiqen nga një ritual shumë i dashur për spanjollët, konsumimi i një gote vere.
Më pas, vizita vazhdon në dy vendet e tjera të Trashëgimisë Botërore UNESCO, lagjja historike dhe Xhamia-Katedrale. Xhamia-Katedrale, e mbrojtur që nga viti 1984, u ndërtua midis vitit 784 dhe 786 si një xhami, por u shndërrua si katedrale në shekullin e 13-të, kur të krishterët erdhën në qytet. Struktura e shtrirë, me përmasa rreth 250 000 metra katrorë, është një ndërthurje e mrekullueshme e arkitekturës me mbishkrime dhe motive arabe. Atraksioneve të mbrojtura nga UNESCO iu shtohet një sinagogë e shekullit të 14-të, Alcazar; një kështjellë që daton që nga kohërat e pushtimit arab, dhe një numër i madh kishash, kryesisht të shekullit XIII dhe XIV.
Pjesë e UNESCO-s, janë dhe festivalet Patios, njohur si festivali që kremton ardhjen e pranverës, e ndaj njihet për shtëpitë e mbushura me lule, gjatë kësaj periudhe. Karafilat, trëndafilat dhe barbarozat janë më të zakonshme, por çdo oborr është i zbukuruar në mënyrë unike.
Këto janë pak nga gjërat që ofron një qytet historik si ai i Kordobës, ku ndërthuret kultura orientale e trashëguar nga pushtimi arab, me atë perëndimor vendas, çka e bën padyshim një destinacion përrallor për t’u vizituar, në çdo kohë./ KultPlus.com
Festivali i Filmit “Star” në Barcelonë ka shpërblyer me çmime dy filma shqiptarë, shkruan KultPlus.
Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Më e bukur se pranvera’ me skenar dhe regji të Lorena Sopit, ka fituar Çmimin e filmit më të mirë romantik në ‘Star Film Festival’ në Barcelonë.
Në anën tjetër, Filmi ‘The Van” në këtë edicion nga Erenik Beqiri, ka fituar Çmimin për aktorin më të mirë.
Me rastin e ndarjes së çmimeve, në fjalën e jurisë për filmin “Më e bukur se pranvera” thuhet se kjo vepër artistike është një shtjellim inteligjent dhe romantik.
“Performanca shumë të mira të karaktereve, duke u thelluar në mënyrë perfekte në personazhe. Situata anormale, të çuditshme të cilat e mbajnë spektatorin ne pritje, duke dëshmuar një histori romantike shumë të ndryshme nga ato të zakonshmet. Regji perfekte ne planin artistik dhe atë teknik. Planet dhe kuadrot e krijuara me shumë stil”, kanë vlerësuar juria profesionale.
Në rolet kryesor në këtë film paraqiten aktorët e nohur May-Linda Kosumovic, Agron Shala, Fidan Jupolli dhe Beslidhje Bytyqi.
Në anën tjetër, filmi “The Van” flet për një djalë rreth të 20-ve i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit. Në mënyrë që të fitojë lekët e duhura sa me shpejt, ai pranon të bëhet pjesë e disa ndeshjeve që zhvillohen brenda një furgoni. Rregullat e furgonit janë të thjeshta, dyert mbyllen dhe furgoni niset në një trajektore rutinë, duke u kthyer në pikën e nisjes. Dyert hapen dhe nga aty mund të dalë vetëm një fitues.
Me role kryesore në këtë film janë aktorët: Phenix Brossard , Arben Bajraktaraj dhe Afrim Mucaj./ KultPlus.com